Reflekse për librin poetik “Plamena treska” (Ethet e flakës) të Delvina Kërlukut, botim autorial, Shkup, 2026
Poeten e talentuar Delvina Kërluku, e kemi takuar nëpër faqet e revistave tona, por edhe në shumë festivale e evente të ndryshme letrare me vargjet e saj në maqedonisht. Dhe përshtypja ka qenë shumë pozitive. Por, për kënaqësinë e lexuesit maqedonas, ajo kësaj radhe na paraqitet me një libër poetik, me përkthimin, përzgjedhjen dhe botimin autorial. Delvina tani më është një zë i njohur në Republikën tonë, edhe në saje të shumë çmimeve dhe mirënjohjeve të fituara për kontributin letrar e kulturor që jep në jetën publike.
Libri poetik “Пламена треска“ (Ethet e flakës)” i poetes së njohur Delvina Kërluku, e cila ka bërë emër edhe si prozatore dhe gazetare, përfaqëson një dëshmi të konsoliduar të një ndjeshmërie të formuar lirike, në të cilën subjekti poetik ndërton një univers të dendur emocional dhe simbolik, të përshkuar nga tensione ekzistenciale dhe përjetime të thella të mungesës. Autorja shfaq një prirje të qartë drejt një poetike introspektive, ku përvoja intime dhe vetmia shndërrohen në një diskurs me rezonancë universale, duke e vendosur tekstin në një raport të qëndrueshëm me traditën e elegjisë moderne.
Në këtë vepër, ligjërimi poetik artikulohet përmes një sistemi të ndërlikuar figurativ, ku metaforat e errësirës, hapësirave të mbyllura dhe elementeve të natyrës, nuk funksionojnë vetëm si ornamente stilistike (metaforat, krahasimet, figurat letrare, etj), por edhe si bartëse të një semantike të thellë ontologjike (që lidhet me qenien dhe ekzistencën). Autorja arrin të krijojë një dialektikë të përmbajtur midis pranisë dhe mungesës, ku heshtja shndërrohet në një kategori themelore estetike dhe filozofike. Kjo heshtje nuk është zbrazëti, por një hapësirë e mbushur me tension kuptimor, në të cilën subjekti lirik përballet me kufijtë e vetvetes dhe të botës.
Struktura e librit dëshmon për një zhvillim të brendshëm emocional, i cili lëviz nga intensiteti i ndjenjës drejt një shprehjeje më të përmbajtur dhe një reflektimi meditativ. Kjo trajektore e brendshme shoqërohet me thellimin e vetëdijes poetike, ndërsa përvoja individuale përthithet në një dimension më të gjerë metafizik. Ndërthurja e motiveve të dhimbjes, kërkimit shpirtëror dhe reflektimit krijon një tekst me kuptime të shumëfishta, duke e bërë leximin një proces hermeneutik (mënyra se si përpiqemi të zbulojmë dhe të kuptojmë rëndësinë të një teksti) që kërkon përfshirje aktive nga lexuesi.
Nga këndvështrimi stilistik, autorja përdor një gjuhë të ngarkuar emocionalisht, e cila karakterizohet nga një ritmikë e brendshme që buron nga përsëritja, anafora dhe vargu i shtrirë. Kjo strategji krijon efektin e një ligjërimi të pandërprerë, pothuajse si një vërshim i brendshëm, në të cilin mendimi dhe ndjenja bashkëjetojnë në një rrjedhë të vetme diskursive.
Libri “Ethet e flakes” mbetet një arritje e rëndësishme në kuadër të poezisë bashkëkohore, duke dëshmuar për një zë të konsoliduar autorial dhe për një aftësi të spikatur për të artikuluar përvoja komplekse emocionale në një nivel të lartë estetik. Ai përfaqëson një kontribut të çmuar në diskursin letrar, duke e pozicionuar autoren në një trajektore të qartë zhvillimi dhe afirmimi brenda hapësirës poetike.
Përktheu: S. Korabi


