Nuk kam si ta harroj shijen e vizitës time të parë në një kopsht zoologjik. Kam qenë diku shtatë vjeç kur prindërit vendosën që të na sillnin në Tiranë për të parë nga afër kafshët e egra. Në disa kafazë të vegjël, mbi dyshemenë e shtruar me pllaka të rrëshqitshme, qartazi të kequshqyera, egërsia e tyre qe përmbledhur në një mjerim tejet të trishtë, diçka që asokohe nuk dija ta tregoja ndryshe përveçse duke i thënë sime mëje: O nanë, a ban me i marrë në shpi? Po ku don me i çu maj nanë? mbaj mend të më jetë përgjigjur ajo, me siguri duke pasur parasysh apartamentin tonë dy dhoma e kuzhinë. Unë, i sigurt se ky nuk qe një refuzim, ofrova si krevatin tim, ashtu edhe ndërmjetësinë ndër familjarë të tjerë të cilët, me siguri, do t’i bindja të merrnin së paku njërën prej atyre kafshëve të gjora.
Atëherë as nuk e imagjinoja se kjo ëndërr fëminore mund të ishte subjekt i një libri magjepsës, sikurse shumë vonë, gjatë një bisede me një profesor zvicerian i cili kishte ndihmuar në krijimin e kuadrit ligjor të sistemit arsimor në Ukrainë, do të mësoja. Ai më tregoi më së pari për Vdekja dhe Pinguini të Andrej Kurkovit. Si ma përshkroi subjektin, e shkarkova në Kindle, e lexova dhe përnjëherë m’u qartësuan dy gjëra lidhur me të: Së pari, se ishte një kryevepër dhe së dyti, se duhej sjellë në shqip. Ia propozova Onufrit, u morën të drejtat e kështu me radhë, deri sa libri doli.
Mbase sapo kishim marrë të drejtat, kur gjatë një vizite në Bukuresht si pjesë e një delegacioni të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, pashë diku njoftimin se Kurkovi bashkë me Andrij Ljubkan, një tjetër shkrimtar ukrainas me të cilin isha takuar në Tiranë dy vjet më herët, kishin një event të fiks në orën kur ishin parashikuar edhe takimet e delegacionit tonë. E kontaktova Kurkovin dhe lashë me të një takim pas darke. Aty, ai mori vesh se Onufri kishte marrë të drejtat për përkthimin e Vdekja dhe Pinguini dhe unë e ftova për herë të parë në Tiranë. Parimisht, pranoi me shumë dëshirë.
Kaluan edhe dy vite të tjera, kohë gjatë së cilës Kurkovi u nominua dy herë për International Booker Prize dhe në shqip iu përkthyen edhe dy libra të tjerë, para se ai të vinte vërtetë në Tiranë, por ja që më në fund, erdhi dhe qëndroi për tre ditë.
Ajo çka më ka bërë përshtypje tek ai, që kur e kam takuar herën e parë, ashtu edhe në gjithë korrespondencën e mëpastajme si dhe në artikujt e botuar (menjëherë pas përplasjes Trump-Zelenski në Shtëpinë e Bardhë, The Guardian botoi një shkrim të tijin i cili, brenda 24 orëve, u lexua mbi një milion herë) është lirshmëria në diskutimin e çdo teme, prej faktit se ai shkruan rusisht ndonëse është ukrainas, deri te gjendja e letërsisë sot kur AI po e tëhuajëson aq shumë përkthimin; prej te fakti se Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, deri te lufta e tanishme e Rusisë me Ukrainën; prej te kulinaria, deri te diplomacia. Me një nuhatje krejt të veçantë për tematika me interes, ai di t’i japë diskutimit apo bisedës një ngjyrë që edhe po të mos kesh kurrfarë dijenije për të, prapëseprapë tërhiqesh të dëgjosh e të mësosh më shumë. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, këtë munda ta vërtetoj edhe më.
Të gjithë ne që e takuam e pyetëm për deklaratën e Zelenskit në Beograd mbi Kosovën, pastaj për gjendjen e tanishme në Ukrainë, pastaj për atë me çfarë po punonte tani sëfundmi, pastaj për letërsinë në përgjithësi, për autorë konkretë – idhuj tanët – që ai i ka miq… Ai na pyeti për Shqipërinë, ecurinë dhe gjendjen e saj, situatën socio-politike, botën artistike, përmasën kulturore… Mandej vizitoi Shtëpinë me Gjethe, Vilën 31, Shtëpitë Muze Kadare&Agolli dheu shpreh i befasuar mbi egërsinë e pashoqe të sistemit komunist shqiptar.
Me datë 16 shtator, në ambientet e COD, mbajti takimin e parë me lexuesit shqiptar ku u promovua romani Turneu i Xhimi Hendriksit në Lviv, përkthyer nga Bujar Hudhri. Salla e mbushur plot, me kureshtje, çeli tema diskutimi ku Kurkovi u përfshi me shumë durim, çka i dha tërë veprimtarisë një natyre bashkëbisedimi miqësor.
Unë vetë nuk jam i zoti në shkrimin e reportazheve, por vizita e një shkrimtari si Andrej Kurkov nuk mund të lihej në (pa)mëshirën e mediave që, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk e konsideruan fare si ngjarje ardhjen e tij dhe prezantimin e librit, ndonëse ishin lajmëruar disa herë. Prandaj, shpresoj ta kem përcjellë disi këtë shkrimtar që, tek e trajton dëshpërimin e të pashpresit në shoqëri ku duket se vetëm shpresa mund të të shpëtojë, ia arrin të të shpjerë sa në fëmijëri, aq në një moshë të shtyrë, si kur të parën e ke kaluar aq herët saqë tani nuk e kujton dot, ashtu edhe kur tek e dyta nuk ke arritur ende.


