KreuLetërsiShënime mbi libraProtopresviter Georgi Orehanov: Transkript: Lev Tolstoi dhe Dostojevski

Protopresviter Georgi Orehanov: Transkript: Lev Tolstoi dhe Dostojevski

Përktheu nga origjinali: Agron TUFA

«Sa shumë do të doja të dija të shprehja gjithçka që ndiej për Dostojevskin. <…> Unë nuk e kisha parë kurrë këtë njeri dhe nuk kisha pasur kurrë marrëdhënie të drejtpërdrejta me të, dhe papritur, kur ai vdiq, kuptova se ai kishte qenë njeriu më, më i afërt, më i shtrenjtë, më i nevojshëm për mua. Unë isha letrar, dhe letrarët janë të gjithë vanitozë, ziliqarë, të paktën unë jam një letrar i tillë. Dhe kurrë nuk më kishte shkuar në mendje të matesha me të — kurrë. Gjithçka që bënte ai (e mirë, e vërtetë, gjithçka që bënte), ishte e tillë që, sa më shumë të bënte ai, aq më mirë ishte për mua. Arti më ngjall zili, edhe mendja po ashtu, por çështja e zemrës — vetëm gëzim. Unë e konsideroja mikun tim dhe nuk mendoja ndryshe, veçse se do të shiheshim, dhe se thjesht nuk kishte ardhur ende rasti, por kështu e kisha me timen. Dhe papritur, gjatë drekës — po drekoja vetëm, isha vonuar — lexoj: ka vdekur. Njëfarë mbështetjeje u shkëput prej meje. U hutova, dhe pastaj u bë e qartë se sa i shtrenjtë kishte qenë për mua, dhe qava, e qaj edhe tani».

Këtë letër Tolstoi ia dërgoi mikut të tij dhe korrespondentit shumëvjeçar, filozofit Nikolai Strahov. Letra ka karakter rrëfimi dhe është një nga dëshmitë më të fuqishme për mënyrën se si Tolstoi e përjetonte marrëdhënien e tij me Dostojevskin. Sipas ndjesisë së Tolstoit, me largimin e Dostojevskit, diçka ndryshonte në mënyrë thelbësore.
   Të dy shkrimtarët e mëdhenj rusë ishin bashkëkohës, por, megjithatë, nuk u takuan kurrë dhe nuk shkëmbyen asnjë rresht në letra. Për këtë arsye, kur flasim për marrëdhëniet midis tyre, mund të përdorim fjalën «mos-takimi».
   Ose, edhe më formalisht, këto janë takime të teksteve të tyre dhe takime brenda teksteve të tyre, kur ata ose flasin drejtpërdrejt për njëri-tjetrin, ose flasin për diçka të rëndësishme për të dy, domethënë diskutojnë, në thelb, të njëjtat çështje, por pa qenë e domosdoshme që të përmendin njëri-tjetrin.
   Më 10 mars 1878, të dy ishin të pranishëm në leksionin publik të një magjistri të ri të filozofisë, docentit të Universitetit të Moskës, Vladimir Sollovjov, i cili më vonë do të bëhej ati i filozofisë fetare ruse. Leksionet, të cilat Sollovjovi i mbajti në Shën-Petërburg dhe që u nisën me Kreshmën e Madhe, në janar të vitit 1878, u bënë të njohura si «Lexime mbi Hyjnjerëzimin».
   Dostojevski ishte i pranishëm në leksion me të shoqen, Anna Grigorievna. Për këtë episod është shkruar një literaturë e tërë shkencore. Ndër dëshmitë e rëndësishme për këtë ngjarje është edhe ajo e Nikolai Strahovit, i përmendur më parë, një njeri i ndërlikuar, dyshues dhe ziliqar, i cili zinte për Tolstoin njëkohësisht pozicionin e mikut, të të besuarit dhe të korrespondentit.
   Në këtë kuptim, Strahovi kishte njëfarë kapitali moral jo të vogël, sepse ishte njeri të cilit Tolstoi mund t’i besonte këtë apo atë informacion, këtë apo atë mendim, duke e ditur se ai do ta merrte seriozisht atë që i thuhej.
   Megjithatë, siç mendon studiuesi i letërsisë Igor Vollgin-i, mbase këtë takim nuk e donte as vetë Tolstoi. Gjatë periudhës së acarimit të kërkimeve të tij fetare, konti nuk kishte frikë të takohej me pleq të njohur (starca), teologë dhe personalitete kishtare. Për më tepër, jo vetëm që nuk kishte frikë, por i kërkonte me vetëdije këto kontakte. Por pikërisht takimin me Dostojevskin, një njeri të së njëjtës përmasë dhe dimension shpirtëror, Tolstoi mund të mos e dëshironte dhe madje, për ndonjë arsye, t’i druhej.

Për fat të keq, në atë çast dhe menjëherë pas tij, të dy shkrimtarët as që e dinin se ndodheshin në të njëjtin ambient. Shumë më vonë, tashmë pas vdekjes së Dostojevskit, kur e veja e tij, për të vetmen herë në jetën e saj, bisedoi personalisht me Tolstoin dhe i tregoi për praninë e saj në atë leksion së bashku me të shoqin, konti u trondit shumë dhe shqiptoi një fjali kuptimplotë: «Sa keq më vjen! Dostojevski ishte për mua një njeri i shtrenjtë dhe, ndoshta, i vetmi të cilin mund ta pyesja për shumë gjëra dhe që do të mund të më përgjigjej për shumë gjëra». Këtë e shkruan Ana Grigorjevna Dostojevskaja në kujtimet e veta.

Do të doja të tërhiqja vëmendjen edhe te një tjetër mos-takim shumë i rëndësishëm. Një kushërirë e prindërve të Tolstoit, kontesha dhe frojlinë Aleksandra Andrejevna Tolstaja, pasi u njoh me Dostojevskin pak para vdekjes së tij, pohonte në kujtimet e saj se «shpesh e pyeste veten nëse Dostojevski do të arrinte të ndikonte te Tolstoi». Ne mund të hamendësojmë sa të duam për këtë temë, por dihet me siguri se, 17 ditë para vdekjes së Dostojevskit, pikërisht më 11 janar 1881, Aleksandra Andrejevna Tolstaja ia dorëzoi këtij të fundit një nga letrat që kishte marrë prej Tolstoit. Pasi e lexoi, Dostojevski vuri duart në kokë dhe thirri: «Jo kështu, jo kështu!»

Por çfarë ishte saktësisht «jo kështu»? Teksti që pa dhe lexoi Dostojevski ishte letra e Tolstoit drejtuar hallës, e datës 2 ose 3 shkurt 1880. Në këtë letër Tolstoi deklaron se nuk mund të besojë në atë që i duket gënjeshtër, dhe jo vetëm që nuk mundet, por është i bindur se në këtë nuk mund të besohet. Se «gjyshja» (kështu e quante shkrimtari me shaka frojlinën, e cila ishte 11 vjet më e madhe se ai) beson «me sforco», domethënë e detyron veten të besojë në atë që nuk i nevojitet as shpirtit të saj, as marrëdhënies së këtij shpirti me Zotin. Një dhunim i tillë i shpirtit dhe i ndërgjegjes është blasfemi dhe shërbim ndaj princit të kësaj bote. Në po këtë letër Tolstoi shpall se besimi në Ringjalljen, në Hyjlindësen dhe në shlyerjen e mëkateve është për të gjithashtu blasfemi dhe gënjeshtër, të krijuara për qëllime tokësore.

Është interesante se Tolstoi vë në dukje pamundësinë që burrat me një formim si ai i «gjyshes» të besojnë në të tilla të vërteta. Në fund të letrës, Tolstoi i bën thirrje «gjyshes» të verifikojë nëse është i fortë ai akull mbi të cilin ajo qëndron dhe i thotë: «Mirupafshim!». Vetë shkrimtari «që prej ditës së djeshme» kishte zbuluar për vete këtë besim të ri, por e gjithë jeta e tij, që nga ai çast, ndryshoi: «Gjithçka u përmbys dhe gjithçka që më parë qëndronte kokëposhtë u ngrit kokëlart». Sigurisht, për Dostojevskin ky zbulim i Tolstoit nuk mund të ishte diçka e afërt dhe e ngjashme me të. Ai kishte planifikuar t’i përgjigjej Tolstoit, por, për fat të keq për të gjithë ne, nuk mundi ta vinte në jetë synimin e tij për shkak të vdekjes së papritur.

Një koment shumë interesant për reagimin e Dostojevskit ndaj letrës së Tolstoit, pikërisht për këtë «Jo kështu, jo kështu!», Aleksandra Andrejevna e jep në një letër të saj të mëvonshme drejtuar gruas së shkrimtarit, Sofia Andrejevna Tolstajës. Duke krahasuar Tolstoin dhe Dostojevskin, «gjyshja» vëren se të dy digjeshin nga dashuria për njerëzit, por i fundit, domethënë Dostojevski, po citoj, «në njëfarë mënyre më gjerë, pa kornizë, pa hollësi materiale dhe pa të gjitha ato imtësi që te Levoçka ishin në plan të parë. Kurse, kur Dostojevski fliste për Krishtin, ndihej ajo vëllazëri e vërtetë që na bashkon të gjithëve në një Shpëtimtar. Nuk mund të harrohet shprehja e fytyrës së tij, as fjalët e tij. Dhe atëherë më bëhej kaq i kuptueshëm ndikimi i jashtëzakonshëm që ai kishte mbi të gjithë pa dallim, madje edhe mbi ata që nuk mund ta kuptonin plotësisht. Ai nuk i merrte askujt asgjë, por fryma e së vërtetës së tij i gjallëronte të gjithë».

Kur flet për Tolstoin dhe Dostojevskin, gjithmonë të habit se sa ndryshe u formuan biografitë e tyre. Të dy shkrimtarët e ardhshëm ishin përfaqësues të të njëjtit brez: Dostojevski lindi në vitin 1821, ndërsa Tolstoi në vitin 1828. Dhe të dy ishin fisnikë. Por sa të ndryshëm! Tolstoi ishte letrari më i shquar rus dhe kishte lidhje gjaku me familjet më të njohura fisnike të Rusisë. Pothuajse të gjithë paraardhësit e Tolstoit i përkisnin fisnikërisë së pronarëve të tokave dhe kishin kaluar përmes «shërbimit të carit». Është për t’u shënuar se, mes të afërmve të tij të largët, numërohen jo vetëm Tolstojt e njohur (piktori dhe medalisti Fjodor Tolstoi, poeti Aleksej Konstantinoviç Tolstoi, ministri i Punëve të Brendshme Dmitri Andrejeviç Tolstoi), por ndër paraardhësit e tij ishte edhe Aleksander Sergejeviç Pushkin (nga ana e nënës, motra e motrës së stërgjyshes së poetit ishte stërgjyshja e shkrimtarit), ndërsa të afërm të Tolstoit ishin edhe Fjodor Tjutçev, Aleksander Odojevski, filozofi Pjotër Çaadajev, dekabristët Vollkonski dhe Trubeckoi, kancelari Gorçakov dhe, në përgjithësi, shumë të tjerë.

Dostojevski nuk mund të mburret me një biografi dhe farefis të tillë. Gjatë gjithë jetës, ndryshe nga Tolstoi, ai përjetoi një skamje të madhe. Për më tepër, nëse Tolstoi mund t’i shlyente mjaft lehtë borxhet e bixhozit me ndihmën e të ardhurave të tij si pronar tokash, Dostojevski nuk kishte të ardhura të tilla dhe, duke pasur edhe ai prirje për emocionet e forta të lojës, më vonë u detyrua të paguante shtrenjtë për këtë, të jetonte në borxh, duke marrë paraprakisht nga shtëpitë botuese para për vepra ende të pashkruara.

Të dy shkrimtarët, në mesin e viteve ’50, ndodheshin në rrethana jetësore mjaft të vështira. Por nëse Tolstoi, në Krime, në luftë, kishte mundësi të merrej me letërsi, të mbante ditar dhe, sipas dëshmive të bashkëkohësve, u bë një oficer trim, Dostojevski, i privuar nga të gjitha të drejtat e gjendjes së tij shoqërore, në katorgë dhe në syrgjyn në Siberi duhej praktikisht t’ia fillonte jetës nga e para, duke pasur mundësi të lexonte vetëm një libër, dhe ky libër ishte Ungjilli.

Dhe kështu në çdo gjë — ose pothuajse në çdo gjë. Nëse njëri është i pasur, tjetri është i varfër. Nëse njëri merr honorare përrallore, tjetri shkruan për një copë bukë. Nëse njëri e adhuron fjalë për fjalë Rusoin dhe e nderon për thirrjen e tij për t’u kthyer te gjendja natyrore e njerëzimit, tjetri sillet ndaj Rusoit në mënyrë shumë kritike dhe indiferente. Dhe anasjelltas, në jetën e Tolstoit Volteri nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm, ndërsa për Dostojevskin ai është një autor shumë i rëndësishëm, ndikimi i të cilit, për shembull, dallohet shumë mirë në skepticizmin e Ivan Karamazovit. Nëse njëri bëhet shkrimtar me famë botërore menjëherë pas botimit të «Ana Kareninës», tjetrit do t’i duhet për një kohë të gjatë të dëshmojë gjenialitetin e vet.

Në mesin e viteve 1850, të dy krijojnë dy dokumente tejet të rëndësishme. Këto janë njëfarësoj «simbole besimi», domethënë tekste që pasqyrojnë përfytyrimet e tyre fetare. Ndonëse këto tekste janë krijuar nga njerëz ende mjaft të rinj, ato kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të kuptuar botëkuptimin e tyre.

Ja «simboli» i Tolstoit, i datuar në vitin 1855:

«Dje, një bisedë për hyjnoren dhe besimin më çoi te një mendim i madh, i jashtëzakonshëm, për realizimin e të cilit ndihem i aftë t’i kushtoj jetën. Ky mendim është themelimi i një feje të re, që i përgjigjet zhvillimit të njerëzimit, fesë së Krishtit, por të pastruar nga besimi dhe misteri, një feje praktike, që nuk premton lumturi në të ardhmen, por jep lumturi mbi tokë. Ta sjell në jetë këtë mendim, e kuptoj se mund ta bëjnë vetëm breza që punojnë me vetëdije drejt këtij qëllimi. Një brez do t’ia lërë trashëgim këtë mendim brezit tjetër dhe, dikur, fanatizmi ose arsyeja do ta realizojnë atë. Të veprosh me vetëdije për bashkimin e njerëzve me fenë — ja themeli i mendimit që, shpresoj, do të më rrëmbejë».

Kurse ja se si duket «simboli» i Dostojevskit. Ai u formulua në një letër dërguar Natalja Dmitrievna Fonvizinës nga Omsku, ku Dostojevski në atë kohë po vuante syrgjynin. Natalja Fonvizina ishte gruaja e dekabristit Mihail Fonvizin, e cila kishte ndjekur të shoqin në syrgjyn në Siberi në vitin 1828. Njohja me gratë e dekabristëve e mbështeti shumë Dostojevskin në rrugën drejt katorgës. Në janar 1850, Natalja Dmitrievna i dhuroi Dostojevskit të vetmin libër që, siç thashë, në përputhje me rregullat e rrepta të mbajtjes në burg, ai mund të lexonte — dhe ky libër ishte Ungjilli. Dhe ja, në letrën e vitit 1854, Dostojevski, duke kujtuar këtë episod, formulon me këtë rast kuptimin e tij për besimin te Krishti:

«Kam dëgjuar nga shumë veta se ju jeni shumë fetare, N. D. Jo sepse ju jeni fetare, por sepse edhe vetë e kam përjetuar dhe ndier këtë, po ju them se në çaste të tilla e dëshiron, si “bari i tharë”, besimin, dhe e gjen pikërisht sepse në fatkeqësi e vërteta bëhet më e qartë. Po ju them për veten time se unë jam një fëmijë i shekullit, fëmijë i mosbesimit dhe i dyshimit deri më sot dhe madje (e di këtë) deri në dërrasën e varrit. Çfarë vuajtjesh të tmerrshme më ka kushtuar dhe më kushton tani kjo etje për të besuar, e cila është aq më e fortë në shpirtin tim, sa më shumë dëshmi të kundërta kam. E megjithatë, Zoti më dërgon nganjëherë çaste në të cilat jam krejt i qetë. Në këto çaste unë dua dhe gjej se jam i dashur edhe nga të tjerët, dhe pikërisht në çaste të tilla kam formuluar brenda meje një simbol besimi, në të cilin gjithçka për mua është e qartë dhe e shenjtë. Ky simbol është shumë i thjeshtë, ja ku është: të besosh se nuk ka gjë më të bukur, më të thellë, më simpatike, më të arsyeshme, më burrërore, më të përsosur se Krishti, dhe jo vetëm që nuk ka, por me dashuri xheloze i them vetes se as nuk mund të ketë. Për më tepër, po të më provonte dikush se Krishti është jashtë së vërtetës, dhe vërtet do të dilte se e vërteta është jashtë Krishtit, atëherë më mirë do të doja të mbetesha me Krishtin sesa me të vërtetën».

Le të përpiqemi t’i vëmë përballë këto dy tekste, të cilat, siç thashë, u shfaqën praktikisht në të njëjtën kohë. Krijohet përshtypja se të dy shkrimtarët, në gjysmën e parë të viteve 1850, po ecnin në të njëjtin drejtim, po kërkonin një pikënisje, një themel të besimit. Dhe të dy përjetuan, në këtë mes, një krizë të thellë botëkuptimore, fetare. Dhe për të dy themeli i një jete të re u bë Krishti.

Po çfarë të përbashkët dhe çfarë të ndryshme kishin shkrimtarët në perceptimin e Krishtit? E përbashkëta, do të thoja, është vula e një kuptimi humanist të figurës së tij, nxjerrja në pah dhe theksimi i dimensionit njerëzor tek ai. Niçeja së shpejti do të thotë shprehjen e tij të famshme “tepër njerëzore”. Tolstoi shkruan për këtë drejtpërdrejt, duke u përpjekur ta çlirojë këtë figurë nga gjithçka që bie ndesh me përfytyrimet e tij dhe me përfytyrimet e mësuesve të tij — iluministëve të shekullit XVIII. Në “simbolet” e shkrimtarit, të krijuara qysh në rininë e hershme, kundërvënia midis atij Krishti që Tolstoi dëshiron të njohë dhe atij Krishti që ai nuk dëshiron dhe nuk mund ta njohë, është shprehur krejt qartë. Kurse te Dostojevski, nga pikëpamja ime, kjo kundërvënie nuk ekziston. Ekziston vetëm Krishti që ai dëshiron ta dojë. Dhe ta admirojë. Por edhe ai, në përfytyrimin e tij për Krishtin, thekson vetëm cilësitë njerëzore; vini re: “të bukurën”, “të thellën”, “simpatiken”, “të arsyeshmen”, “burrëroren”, “të përsosurën”. Edhe kjo është ende “tepër njerëzore”. Ndoshta vetëm bukuria qëndron këtu disi më vete: për Dostojevskin, gjatë gjithë jetës, ky koncept nënkuptonte shumë më tepër sesa thjesht një kategori estetike. Pra, figura e Krishtit është një problem që përbën një nga çështjet qendrore të krijimtarisë së Dostojevskit, dhe në një trajtë të tillë ajo pothuajse nuk ekzistonte për Tolstoin.

Është e habitshme, por shumë shpesh formulime të caktuara të Dostojevskit ishin në fakt përgjigje ndaj pyetjeve të Tolstoit, të cilat Dostojevski thjesht nuk kishte se si t’i njihte. Po ju kujtoj se Dostojevski vdiq në vitin 1881, domethënë pikërisht në kohën e krizës fetare të Tolstoit. Pas kësaj Tolstoi jetoi edhe 30 vjet. E gjithë jeta e Dostojevskit kalon në mendime rreth një pyetjeje që ishte po aq e rëndësishme edhe për Tolstoin: “A është e mundur të besosh?”, “A është e mundur të besosh seriozisht dhe me të vërtetë?”, “A mund të besosh duke qenë i qytetëruar, domethënë evropian, domethënë të besosh pa kushte në hyjninë e Birit të Zotit, Jezu Krishtit?” (sepse i gjithë besimi pikërisht në këtë qëndron). Dhe, së fundi, edhe një formulim tjetër: “A mund të besosh në gjithçka në të cilën ortodoksia urdhëron të besosh?” Dhe të gjitha këto formulime janë marrë nga materialet përgatitore për romanin e Dostojevskit “Demonët”. Në njërën prej letrave të tij, Dostojevski thotë se pyetja më e rëndësishme për të është se si ta bëjë inteligjencën të pajtohet me krishterimin: “Provoni të flisni — ose do t’ju hanë, ose do t’ju quajnë tradhtar”.

Me të drejtë kritiku letrar dhe teologu rus, profesori i Institutit Teologjik Ortodoks Shën-Sergi të Parisit, Konstantin Moçulski, vëren:

“Me një logjikë të pamëshirshme skicohet dilema tragjike — ose të besosh, ose ‘të djegësh gjithçka’. Në të gjithë letërsinë botërore, çështja e mundësisë së besimit për njeriun e qytetëruar të shekullit XIX nuk është shtruar me një sinqeritet kaq të patrembur sa në këtë skicë për ‘Demonët’. Shpëtimi i Rusisë, shpëtimi i botës, fati i mbarë njerëzimit qëndron në këtë pyetje të vetme: a beson?”

Pra, tashmë në “simbolet” e hershme të dy shkrimtarëve është hedhur një dallim i rëndësishëm. Tolstoi, me qëndrimin e tij, mund të thuhet, panmoralistik ndaj jetës dhe realitetit, dëshiron ta dëgjojë Krishtin; për të kryesorja është mësimi i shprehur në Predikimin në Mal. Me këtë mësim Tolstoi është në gjendje të mahnitet dhe të frymëzohet. Për Tolstoin Krishti është vetëm mësues, qoftë edhe një mësues i madh. Ky është një kriter etik, por ai nuk dëshiron — ose më saktë, nuk mund — ta shohë Krishtin. Për Dostojevskin kryesorja këtu nuk është të dëgjojë, por pikërisht të shohë. Kriteri estetik është përcaktues. Në radhë të parë nuk është i rëndësishëm mësimi i Krishtit, por vetë fytyra e Krishtit, e lidhur pazgjidhshmërisht me bukurinë. Bukuria e fytyrës së Krishtit është, siç do të thotë Dostojevski pak më vonë, një forcë e tmerrshme që shpëton botën. E cila e shpëton, sigurisht, edhe me mësimin, edhe me urdhërimet.

Tashmë në shekullin XX, pas tmerreve dhe mizorive të para të revolucionit bolshevik, filozofi rus Nikolaj Berdjajev do të shkruajë se nihilizmi moralistik i Tolstoit ishte për Rusinë një fatkeqësi globale, një lajthitje, një gënjeshtër joshëse, kundër së cilës duhej të shërbenin si kundërhelm “depërtimet profetike të Dostojevskit”. Edhe nga kjo analizë e shkurtër duket se humanizmi iluminist i Tolstoit dhe Dostojevskit ka rrënjë të përbashkëta, por fryte të ndryshme. Mund të thuhet se kemi të bëjmë me një kundërvënie midis humanizmit etik dhe atij estetik.

E rëndësishme është edhe diçka tjetër. “Simboli” i Tolstoit është jashtëzakonisht i kufizuar dhe i mbyllur. Të krijohet përshtypja se ky është një formulim përfundimtar, i skalitur, në të cilin askush nuk mund të ndryshojë, i orientuar, për më tepër, nga perceptimi i tjetrit (“njerëzimi”). Përkundrazi, “simboli” i Dostojevskit është i hapur ndaj lëvizjes, dinamikës, rishqyrtimit krijues dhe, gjë që është shumë e rëndësishme, ndaj pasurimit të përvojës së tij të vogël dhe të papërsosur me diçka parimisht dhe absolutisht të ndryshme prej saj. Por është e lehtë të vërehet se edhe për Dostojevskin kundërvënia “Krishti — e vërteta”, e formuluar kaq përmbledhtas në letrën drejtuar Natalja Fonvizinës, përbën një problem të jashtëzakonshëm. Më pas ai do të kthehet shumë herë në krijimtarinë e tij te ky motiv. Mendoj se kjo kundërvënie ishte guri kryesor i pengesës dhe i tundimit për të gjithë bashkëkohësit e arsimuar të dy shkrimtarëve, për të gjithë ata që kërkonin besimin. Lufta e pamëshirshme që bota shekullare, duke shfrytëzuar dijen, shkencën dhe racionalitetin si parim themelor të jetës, i shpalli Ungjillit, Krishtit dhe Kishës — ja, kjo luftë ishte një sfidë për të gjithë ata që e kishin fatin të lindnin në shekullin XIX.

Tani do të doja të thosha diçka për metodat e ndryshme — metodat e Tolstoit dhe Dostojevskit. Ky ndryshim në metodat e tyre është, nga pikëpamja ime, një ilustrim mjaft i gjallë i asaj që u tha më sipër, dhe ky ndryshim ka të bëjë si me metodat krijuese, ashtu edhe, mund të thuhet, me ato shpirtërore. Këtu fjalën “metodë” e përdor në një kuptim shumë të gjerë: këtu përfshihet edhe metoda artistike, edhe qëndrimet shpirtërore, edhe gjithçka që lidhet me to.

Metoda e Tolstoit është nxjerrja në pah e “instinktit të Hyjnisë” te qeniet e gjalla. Çfarë është kjo — shihet nga citati i mëposhtëm, domethënë nga një shënim që Tolstoi bëri në ditarin e tij në vitin 1865:

“Dje pashë në borë, mbi gjurmën e pashkelur të një njeriu, gjurmën e shkelur të një qeni. Përse e ka ajo pikën e mbështetjes të vogël? Që të mos i hajë të gjithë lepujt, por tamam aq sa duhet. Kjo është urtësia e Zotit. Por kjo nuk është urtësi, nuk është mendje, është instinkti i Hyjnisë. Ky instinkt ekziston tek ne.”

Pra, çfarë dëshiron të na thotë Tolstoi? Te çdo njeri ekziston një instinkt i lindur, i cili, ndër të tjera, i jep atij një përfytyrim për Zotin. Por jo vetëm për Zotin. Për shembull, te komandanti Kutuzov, në romanin «Lufta dhe paqja», ky instinkt i jep mundësinë të mos e cenojë rrjedhën e natyrshme të ngjarjeve dhe të presë, si të thuash, fundin e natyrshëm, kur armiku, domethënë francezët, Napoleoni, do të mposhtet jo me ndonjë marifet të veçantë ushtarak apo me plane strategjike, por thjesht sepse e tillë është logjika e luftës. Ky instinkt është po aq i natyrshëm sa nuhatja e qenit ose fluturimi i bletës në kërkim të polenit.

Tani e kuptojmë përse Dmitri Merezhkovski e quajti Tolstoin «shikues të mistereve të mishit». Çështja është se për Tolstoin, në këtë botë tokësore, nuk ka mistere. Ai e di se çfarë mendon kali, si shkel qeni mbi borë, ku dhe përse fluturojnë bletët, në sa lule duhet të ulen pikërisht. Por është e rëndësishme se kjo është gjithmonë një perspektivë tokësore, gjithmonë një horizontale shpirtërore. Mendimi i Tolstoit, si rregull, nuk ngrihet kurrë në largësitë qiellore, nuk synon drejt qiellores; Tolstoin nuk e interesojnë pyetjet për pavdekësinë e shpirtit, për ringjalljen. Mendimi i Tolstoit është i lidhur pikërisht me tokën. Dhe po ai Merezhkovski e quajti Dostojevskin «shikues të mistereve të shpirtit». Përse? Sepse, sipas mendimit të Dostojevskit, natyra njerëzore është e ndërlidhur me botë të tjera. «Botët e tjera» — kjo është shprehja e plakut Zosima nga romani i fundit i Dostojevskit, «Vëllezërit Karamazov». Çfarë janë këto botë të tjera? Plaku Zosima flet për faktin se «uni» njerëzor nuk përmbahet në rendin tokësor të gjërave, por kërkon diçka tjetër, përveç tokës, «së cilës gjithashtu i përket». Në tokë ekziston vetëm një ide e lartë — ideja e pavdekësisë së shpirtit njerëzor. Të gjitha idetë e tjera të larta njerëzore rrjedhin prej saj. Nëse kjo ide është aq e rëndësishme për njeriun, për qenien e tij, atëherë pavdekësia është gjendja normale e njeriut dhe e mbarë njerëzimit. Pavdekësia e shpirtit njerëzor, nga pikëpamja e Dostojevskit, ekziston pa dyshim. Pikërisht për këtë arsye vetë Dostojevski e përcaktoi thelbin e metodës së tij (për më tepër, si të metodës artistike, ashtu edhe të asaj shpirtërore) me shprehjen: «realizëm në kuptimin më të lartë». Ky është një formulim shumë i rëndësishëm. Çfarë do të thotë ai? Çështja është se vetë metoda e realizmit, sigurisht, ishte shumë e përhapur në shekullin XIX e më tej; realizmi është përpjekja për ta paraqitur realitetin ashtu siç na shfaqet, me të gjitha ndërlikimet e tij, me gjithë papastërtinë e kështu me radhë e kështu me radhë.

Pra, Dostojevski pohon se në këtë kuptim realizmi nuk e paraqet realitetin, por thjesht e kopjon atë. Sepse nën këtë shtresë të dukshme, që ne e shohim dhe që shfaqet në shkrimtarët, në veprat e shkrimtarëve, gjendet njëfarë baze fetare, mund të thuhet, një bazë ungjillore. Metoda e Dostojevskit qëndron në zbulimin e kësaj baze ungjillore. Pikërisht për këtë, në romanet e Dostojevskit, shumë shpesh një episod ungjillor është kyç. Për shembull, në romanin «Krim dhe ndëshkim», momenti i kthesës është leximi nga Sonja Marmeladova për Raskolnikovin i rrëfimit për ringjalljen e Llazarit. Po kujtoj se ringjallja e Llazarit është një nga episodet kryesore, kyçe të Ungjillit sipas Gjonit, Ungjillit të katërt, ku flitet se Krishti ringjall një të vdekur prej katër ditësh, domethënë një njeri që, sipas të gjitha ligjeve të jetës njerëzore dhe logjikës njerëzore, nuk mund të ringjallej më në asnjë mënyrë. Kurse Krishti e ringjall atë, dhe ringjallja e Llazarit bëhet parafytyrim i ringjalljes së vetë Krishtit. Kurse në romanin «Vëllezërit Karamazov», një episod i tillë shumë i rëndësishëm për të kuptuar fabulën e romanit dhe synimin e Dostojevskit është kapitulli «Kana e Galilesë». Kana e Galilesë — gjithashtu një episod i marrë nga Ungjilli sipas Gjonit, nga kapitulli i dytë, ku thuhet se Krishti kryen mrekullinë e tij të parë: ai e kthen ujin e thjeshtë në verë shumë të shijshme. Dhe kjo mrekulli, së pari, është mrekullia e parë e kryer nga Krishti — kështu siç e përshkruan ungjilltari Gjon. Së dyti, kjo është gjithashtu një parafytyrim shumë i rëndësishëm nga pikëpamja e logjikës së Ungjillit. Është parafytyrim i vuajtjeve të Shpëtimtarit, tregues i gjakut të tij, i cili do të bëhet shlyerës për mbarë njerëzimin, dhe gjithashtu tregues i kungimit të ardhshëm, i misterit të Eukaristisë. Të dyja këto fragmente — edhe ringjallja e Llazarit, edhe Kana e Galilesë — janë episode shumë mistike. Dostojevski flet për faktin se realizmi në kuptimin më të lartë është zbulimi i këtij mendimi ungjillor në jetën reale.

Teologu dhe filozofi i shquar rus i shekullit XX, Sergej Bullgakov, më vonë kryeprifti Sergej Bullgakov, vërejti dikur se të dy shkrimtarët, duke vizituar Optina Pustynin, te plaku më i njohur i Optinës, Ambrozi, shihnin, në thelb, të njëjtën gjë: të dy shihnin turmën e njerëzve që vinin nga e gjithë Rusia. Por njëri prej tyre, pikërisht Tolstoi, vizatoi një pamje të zymtë, të trishtë, të ftohtë, pa dashuri dhe dhembshuri dhe, në njëfarë mënyre, të pashpresë. Për shembull, heroi kryesor i novelës së Tolstoit «Ati Sergi», prifti, kryen një mëkat të rëndë dhe braktis shërbimin e tij. Kurse Dostojevski vizaton një pamje të ndritur, të hareshme, madje në njëfarë mënyre gazmore. Këtu kam parasysh kapitullin «Gratë besimtare» në romanin «Vëllezërit Karamazov». Në këtë roman, plaku Ambrozi i Optinës u bë një nga prototipet e atit Zosima. Por, pa dyshim, të dy shkrimtarët ishin të përfshirë në misterin e botës së Zotit. Prandaj thirri Dostojevski: «Jo ashtu, jo ashtu!», sepse së bashku me Tolstoin kërkonte: po ku është, pra, «ashtu»? Prandaj qante Tolstoi për vdekjen e Dostojevskit, një njeriu kaq të shtrenjtë për të.

Dua ta mbyll leksionin me fjalët e filozofit të mrekullueshëm rus Vasilij Rozanov, të cilat ai i tha për tre gjigantët e shekullit XIX — Tolstoin, Dostojevskin dhe Leontjevin[1]. Po citoj këtë fragment nga një prej artikujve të Rozanovit:

«…me Dostojevskin dhe me Tolstoin, Leontjevi u nda si vëllai i tyre i zymtë dhe i panjohur, vëllai i zemrës së pastër dhe i mendjes së madhe. Por ai është pikërisht nga kategoria e tyre. Kështu Kuku zbuloi Australinë, Kolombi — Amerikën, dhe megjithëse ata lundronin sipas drejtimeve të ndryshme të busullës, megjithatë historia i përshkruan të dy në të njëjtin kapitull: “lundërtarë të mëdhenj”. Thelbi i këtij “lundrimi të madh” qëndron në zhytjen në oqeanin mendor, në dhënien e gjithë vetes, deri te fijet e fundit, deri te fatkeqësitë, deri te rreziku dhe mjerimi personal — ndaj çudirave të thellësive dhe largësive të tij. Të tre ata, edhe Dostojevski, edhe Tolstoi, edhe Leontjevi, nuk e donin bregun, mërziteshin në breg. Bregu — ky jemi ne, realiteti ynë, “Vronskët”.»


[1]  Konstandin Nikolajeviç Leontjev (1831–1891) — shkrimtar, filozof, publicist dhe mendimtar fetar e politik rus. I formuar si mjek dhe pjesëmarrës në Luftën e Krimesë, ai shërbeu më pas si diplomat në Perandorinë Osmane. Në vitet e mëvonshme u bë një nga përfaqësuesit më të spikatur të konservatorizmit rus dhe zhvilloi idenë e “bizantinizmit”, duke mbrojtur monarkinë, hierarkinë shoqërore, traditën ortodokse dhe veçantinë kulturore të Rusisë. Ndër veprat e tij më të njohura janë Bizantinizmi dhe sllavizmi dhe përmbledhja Lindja, Rusia dhe sllavizmi. Në fund të jetës u afrua fuqishëm me jetën monastike dhe, pak para vdekjes, mori tonsurën në Optina

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË