KreuLetërsiShënime mbi libraShaban Sinani: Një vepër me rëndësi për kalendarin historik të shqipes

Shaban Sinani: Një vepër me rëndësi për kalendarin historik të shqipes

I.

Historisë së fjalës shqipe Dh. S. Shuteriqi i kushtoi katër vepra: Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850 (1976); Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 (2005) dhe Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe (2010) dhe Fjalor i Naim Frashërit (2017). Në këto tri vepra gjuha shqipe dëshmohet gati deri në kufijtë e takimit me protoshqipen, vetëm një shekull pas kapërcyellit mes tyre.

Në dallim prej dëshmive të parashqipes, që nuk i kalojnë në tërësi më shumë se njëmijë leksema, dhe që në tërësinë e tyre janë thuajse të gjitha emërtime të përveçme: emra qytetesh, malesh, lumenjsh, fisesh dhe mbretërish, fjala shqipe e gjetur prej Dh. S. Shuteriqit ka karakterin e njësisë gjuhësore me përdorim të përgjithshëm. Ky fond fjalësh, të gjetura si mikrotekste a ndërtekste kryesisht në mjedise gjuhësore aloglote, përbën një rezervàt të rëndësisë parësore për studime për një fjalor historik të shqipes, për raportet e shqipes së shkruar me atë të parashkruar, për evolucionin ndërkohor dhe për historinë e shqipes e alfabetizimit të saj në shekujt pas humanizmit europian.

Fjala shqipe në rrjedhë të shekujve ishte një qëllim jetik për Dh. S. Shuteriqin. Ai bëri kërkime për këtë prej inskripsioneve dhe ikonografisë deri tek regestët, sixhilet dhe defterët, në shkrime të traditës perëndimore dhe lindore. Me afro 320 fjalë e shprehje shqip të identifikuara në këto burime dhe në vepra të shkruara në gjuhët e fqinjëve: latinisht e greqisht dhe vijimet e drejtpërdrejta të tyre, por dhe në gjuhë më të tejme, si frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja, Shuteriqi krijoi një bazë të dhënash të domosdoshme dhe të pazëvendësueshme për etimologët, historianët e gjuhës, filologët dhe studiues të fushave të tjera.

Përmes kërkimeve të tij gjysmëshekullore për certifikimin e procesit historik të evolucionit të shqipes Dh. S. Shuteriqi arriti të koleksionojë çdo dëshmi të mundshme për të provuar ekzistencën e gjuhës shqipe prej shekujve më të hershëm deri në periudhën letrare të saj. Ai besonte se mund të dëshmonte edhe shekullin e kalimit prej gjuhës mëmë tek gjuha e re, të paktën edhe një shekull më në thellësi kohore, duke iu referuar formës Gion të emrit të ungjilltarit të Krishtit gjetur në një kishë të fillimeve të krishterimit të hershëm në rrethinat e Pogradecit. Fjalën shqipe Dh. S. Shuteriqi e kërkoi dhe e përzgjodhi nga kronikat perëndimore e lindore dhe librat e pelegrinëve, udhëtarëve ekzotikë, misionarëve fetarë, relatorëve apostolikë dhe të notariatit laik, që kanë prekur në rrjedhë të shekujve hapësirën shqiptare për shkak të detyrave të tyre ose të pasionit për të njohur gjuhë e kultura të tjera.

Dh. S. Shuteriqi ka punuar me tri kategori burimesh, të drejtpërdrejta e të tërthorta, të botuara dhe të pabotuara: 1. Dëshmitë që janë zgjedhur e përmendur në botime me karakter burimologjik për historinë e popullit shqiptar dhe të popujve fqinjë, duke saktësuar përmbajtjen e tyre dhe duke i vendosur në lidhje kronologjike e logjike me të dhëna të tjera; 2. Dëshmitë rastësore që gjenden në dorëshkrime e libra të misionarëve të huaj, klerikë e laikë, që kanë kaluar nëpër hapësirën shqiptare për qëllimet e veta (relatorë, vizitatorë, proveditorë, tregtarë, pelegrinë); 3. Dëshmitë e periudhës letrare të shqipes, që fillojnë me periudhën e humanizmit klasik dhe vijnë duke u shpeshtuar deri në kohërat moderne, kur shqipja bëhet një realitet gjuhësor i barabartë me gjuhët e kulturave të tjera. Ai ia doli ta certifikojë procesin e ndërlikuar të veçimit të shqipes si gjuhë e një populli me identitet historik të lashtë; procesin e identifikimit të saj me vështrimin e gjuhës së tjetrit; procesin e kalimit prej shqipes gojore në atë të shkruar e pastaj prej shkrimit shqip në letrat shqipe.

II.

Tri dekada pas botimit të Shkrimeve shqipe (1976) të prof. Dh. S. Shuteriqit, një vepër filologjike me të dhëna të shumanshme burimologjike për historinë e shkrimeve në hapësirën shqiptare, për historinë e shkrimit të shqipes, për certifikimin e procesit historik të evolucionit të shqipes së shkruar prej vitit 1332 deri në shekullin IX, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave, përgatiti e botoi veprën Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1850, që autori nuk mundi ta shohë të botuar sa qe gjallë.

Vepra si Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 mund të arrihen vetëm duke u kthyer në qëllim jete. Prof. Dh. S. Shuteriqi nisi të punojë për këtë vepër më shumë se një gjysmë shekulli më parë. Tri herë iu rikthye asaj, dy herë e pa të botuar (pa numëruar një ribotim në Prishtinë). Ky botim përfaqëson formën më të arrirë të punës së tij, të një pune që ai e kishte shqetësim parësor.

Ka një traditë të mirënjohur botimesh të llojit të regestit, me të dhëna referenciale për historinë e popullit shqiptar, duke filluar prej Illyricum sacrum të Farlati-t dhe Colleti-t, pastaj duke vijuar me Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia të Thałoczy-t, Šufflay-t e Jireček-ut dhe me Acta Albaniae Venetae prej 24 vëllimesh të G. Valentini-t. Por vepra e Dh. S. Shuteriqit, e botuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, nën kujdesjen shkencore të prof. Jorgo Bulos, themelon një traditë të re: traditën e botimeve të regestave tematike, për historinë e shkrimit të shqipes dhe të gjurmëve që ajo ka lënë përgjatë historisë, me paraqitje kritike, të përzgjedhur dhe me përshkrime analitike e krahasuese po në gjuhën shqipe.

Në pamje të parë e ngjashme me një vepër bibliografike, libri Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 është në fakt më shumë se filologji, në kuptimin terminologjik. Dhimitër S. Shuteriqi ka punuar me një përgjegjësi dhe durim të jashtëzakonshëm për të kërkuar çdo dëshmi të mundshme për të provuar ekzistencën e gjuhës shqipe prej shekujve më të hershëm deri në periudhën letrare të saj. Dëshmia e parë sipas rendit kronologjik është e vitit 879, që do të thotë jo më shumë se një shekull e gjysmë pasi kishte ndodhur kalimi prej ilirishtes tek shqipja (shek. VI-VII). Vetëm kjo dëshmi, të cilën prof. Shuteriqi mendonte ta çonte të paktën edhe një shekull më në thellësi, duke iu referuar formës Gion të gjetur në një faltore të moçme në rrethinat e Pogradecit, merr një rëndësi historike (që ndoshta më shumë mund të jetë e lidhur me greq. agyon / αγιον, me kuptimin i shenjtë. Të dhënat që përmban libri i tij kanë të bëjnë me plotësimin dhe saktësimin e kalendarit të zhvillimit historik të gjuhës shqipe dhe të kumteve letrare të saj.

Sido që Shkrimet shqipe dhe vepra që po ribotohet kanë të njëjtin karakter dhe synojnë të njëjtën përmbajtje, Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1850 nuk mund të konsiderohet as ribotim, as botim i plotësuar a i rivizituar i së parës, sepse i tejkalon në shumë pikëpamje këto terma.

Tejkalimi i parë dhe më i rëndësishëm është, sikurse vë në dukje përkujdesësi i botimit, prof. dr. Jorgo Bulo, shtyrja në kohë e kufirit më të hershëm të dëshmimit të shqipes edhe afro 5 shekuj, krahasimisht me dëshminë më të hershme që përmendej në librin e parë. Deri në vitin 1976 autori i librit kishte identifikuar, renditur e përshkruar 176 tituj dokumentesh dhe burimesh të tjera që i takonin periudhës deri në fundin e shekullit XVIII, kurse në botimin e tanishëm janë 312 tituj, gjë që shpreh jo vetëm ndryshim në vijimësinë kronologjike, por edhe ndryshme sasiore të rëndësishme. Sikurse theksohet në parathënie, përveç shtimit numerik, dy të tretat e titujve të dokumenteve që gjenden edhe në botimin e vitit 1976 janë plotësuar, saktësuar ose rininterpretuar, duke u renditur në një kalendar tjetër kulturor të të dhënave.

Tejkalime cilësore që vihen re përmes krahasimit të dy librave ka edhe sa i takon karakterit të burimeve.  Me të drejtë botuesi ka preferuar që vepra të titullohet Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes, sepse vetë autori i është referuar një koncepti më të gjerë se ai i mëparshmi në lidhje me kuptimin e shqipes së shkruar.

Vepra mund të cilësohet një punë filologjike ndërdisiplinore, kur bashkohet kultura dhe formimi i specialistit të historisë së fjalës së shkruar, i historisë së shkrimeve si pjesë e kulturës njerëzore; pasioni i burimologut dhe paleografit, zotësia e tekstologut dhe e poliglotit. Autori i saj ka përzgjedhur të dhëna nga shkrimet paralibrore, nga mbishkrimet dhe kumtet e tjera të shkruara që gjenden në mjedise urbane; nga botimet më të rëndësishme të të dhënave për historinë e popullit shqiptar; nga korpuset e botimeve të të njëjtit karakter për historinë e popujve fqinjë ballkanikë, nga të dhënat bukinistike dhe bibliografitë e botimeve të rralla, nga treguesit dhe referencat arkivistike të kryeqendrave metropolitane ku ruhen burime për Shqipërinë dhe shqiptarët (të drejtpërdrejta e të tërthorta), nga kronikat perëndimore e lindore dhe librat e pelegrinëve, udhëtarëve ekzotikë, misionarëve fetarë, relatorëve apostolikë dhe të notariatit laik, që kanë prekur në rrjedhë të shekujve hapësirën shqiptare për shkak të detyrave të tyre ose të pasionit për të njohur gjuhë e kultura të tjera. Nga libri i Dh. S. Shuteriqit shihet se mendimi për shqipen, si një gjuhë që ndahet më vete dhe nuk mund të shpjegohet pa përkthim në gjuhë të tjera, është formuar shumë më herët se dëshmitë e drejtpërdrejta të tipologjizimit të saj. Ia kanë mundësuar këtë vepër autorit njohja e historisë së disa kulturave e qytetërimeve, të gjalla e të vdekura; komunikimi shkencor me gjuhët ku shqipja ka lënë gjurmët e veta; formimi klasik enciklopedik. Eshtë një luks i paçmueshëm për filologjinë shqiptare dhe për dijet albanologjike botimi i kësaj vepre. Të tilla punë e nisma nuk mund të ndërmerren pa pasur një ndjenjë vetëflijimi, që do të thotë të zgjedhësh më të rëndësishmen për kulturën kombëtare dhe jo më të favorshmen për t’u dhënë vlerë dijeve vetjake. Pikërisht kjo ishte zgjedhja e prof. Shuteriqit. Dhe tani libri i tij Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 është në duart e studiuesve për të drejtuar në burime të sigurta kërkimet e tyre dhe për të lehtësuar vlerësimin e fakteve historike.

Për të përzgjedhur 312 dëshmitë e përdorimit dhe të shkrimit të shqipes prej fillimeve deri në shekullin XVIII, prof. Shuteriqi ka punuar me tri kategori burimesh, të drejtpërdrejta e të tërthorta, të botuara dhe të pabotuara: 1. Dëshmitë që janë zgjedhur e përmendur në botime me karakter burimologjik për historinë e popullit shqiptar dhe të popujve fqinjë, duke saktësuar përmbajtjen e tyre dhe duke i vendosur në lidhje kronologjike e logjike me të dhëna të tjera; 2. Dëshmitë rastësore që gjenden në dorëshkrime e libra të misionarëve të huaj, klerikë e laikë, që kanë kaluar nëpër hapësirën shqiptare për qëllimet e veta (relatorë, vizitatorë, proveditorë, tregtarë, pelegrinë); 3. Dëshmitë e periudhës letrare të shqipes, që fillojnë me periudhën e humanizmit klasik dhe vijnë duke u shpeshtuar deri në kohërat moderne, kur shqipja bëhet një realitet gjuhësor i barabartë me gjuhët e kulturave të tjera.

Prej vitit 1976 deri kohën kur u nda nga jeta prof. Shuteriqi arriti të shtonte në burimet e përzgjedhura 136 tituj të rinj, gati aq sa kishte mundur të identifikonte deri atëherë. Mund të thuhet se me veprën e tij ai ia doli ta certifikojë procesin e ndërlikuar të veçimit të shqipes si gjuhë e një populli me identitet historik të lashtë; procesin e identifikimit të saj me vështrimin e gjuhës së tjetrit; procesin e kalimit prej shqipes gojore në atë të shkruar dhe pastaj, prej shkrimit shqip në letrat shqipe. Kjo është një arritje e shkëlqyer e albanologjisë dhe jo vetëm e autorit. Meriton mirënjohjen tonë dijetari, po ashtu meritojnë vlerësim të lartë ata që punuan për ta bërë pjesë të bibliotekave tona këtë vepër të rrallë.

Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 është një libër që studiuesve të gjuhës, të kulturës, të shkrimit, të letërsisë, u vjen në formën e një nxitjeje, ku referencat themelore janë të gatshme dhe vetiu nxisin shpirtin e kërkimit e të verifikimit. Gjithë këtë proces e lehtëson aparati shkencor që përmban botimi: bibliografia dhe burimet, treguesi i emrave vetjakë (autorë, shkrues, figura historike), treguesi i institucioneve (dhe i shkurtesave të tyre, përdorur për lehtësi metodologjike gjatë përgatitjes së veprës): i arkivave, bibliotekave dhe bukinistëve ose subjekteve të tjera private që zotërojnë vlera të veçanta kulturore-gjuhësore, si dhe treguesi i vendeve dhe ngjarjeve. Shkurtimisht janë paraqitur më vete dhe emrat e botuesve dhe të tipografive (vendet e botimit).

Ribotimi i librit Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 u bë i nevojshëm prej kërkesave të dijetarëve shqiptare dhe do të ndikojë për një kuptim të përmirësuar të traditës së zhvillimit të shqipes në mjediset akademike dhe universitare brenda dhe jashtë vendit, në shkollat e zhvillimit të albanologjisë kudo. Në këtë vepër autori paraqitet një njohës i shkëlqyer i etnisë shqiptare dhe i zhvillimit historik të saj, i qytetërimeve që e kanë prekur atë prej antikitetit deri në kohët moderne dhe i gjuhëve të tyre, të gjalla e të vdekura, i tipologjisë së përveçme që shqipja ka ruajtur përgjatë shekujve, duke u përballur me shumë ndikime, që kanë ardhur kryesisht prej kontaktit historik dhe gjeografik, prej fqinjësisë ose prekjes historike, se sa prej lidhjeve të prejardhjes.

Të dhënat për njohjen dhe shkrimin e shqipes autori i librit Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 prof. Dh. S. Shuteriqi i ka përzgjedhur nga burime perëndimore e lindore. Burimi më i hershëm lindor për ekzistencën e shkrimit shqip, sipas autorit, është një dokument osman i vitit 1511, me autor kronistin Ruhi Çelebi, dorëshkrimi i të cilit ruhet në Boldeian Library. Por dëshmitë e tërthorta të këtij fakti janë më të hershme, të paktën qysh nga viti 1431, që është viti i regjistrimit të pare kadastror e demografik të Sanxhakut Arvanid nga autoritetet osmane. Duke iu referuar të dhënave të këtij regjistrimi, që studiuesi e paraqet me titullin Defter i regjistrimit të vilajeteve të Korçës, Përmetit e Konicës, pa autor, që ruhet në origjinal në Başvekalet Arşivi Instanbul, studiuesi njofton edhe për një regjistrim më të vjetër, të vitit 1419, gjurmët e të cilit janë zhdukur. Si një prej shkruesve vendës më të hershëm të disa fjalëve shqip në dokumente osmane, kryesisht omonime e toponime, Shuteriqi përmend shqiptarin Zaganjozi i Mankolës, hartues i Defterit të regjistrimit të sanxhakut të Arbërisë (1431). Leksik shqip me të njëjtën përmbajtje (emra të përveçëm njerëzish e vendesh) autori gjen edhe në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Dibrës të vitit 1467. Për shkruesin Sulejman Abdullah të Defterit të regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës (1485), ku lënda gjuhësore shqipe e transliteruar në shkrimin osman është e çmueshme, Shuteriqi shprehet i lëkundur nëse ishte shqiptar apo një nëpunës i perandorisë që e shkruante shqipen si gjuhë të huaj. Shekullit XV i përket edhe dëshmia e një anonimi osman në Defterin e regjistrimit të disa fshatrave arbërore të Peloponezit. Ndërkaq, sikurse vërehet nga përmbajtja e librit, në shekullin XVI dëshmitë për shkrimin shqip rrallohen shumë, për t’u rishfaqur në shekullin XVII, me një këngë popullore elbasanase (1650), duke vijuar më pas me një vjershë shqip me përmbajtje fetare (ilahi) shkruar me alfabet arab nga një anonim nga Kosova. I pari krijim i plotë shqip me alfabet osman përmendet vjersha e Muçi Zades Imzot mos më ler pa kahve (1725). Vetëm 5 vjet më vonë shenjohet vjersha Teferiçi në Bilçë e Ibrahim Nezim Frakullës (1732). Të njëjtit autor i takojnë edhe dy dorëshkrime të tjera me rëndësi për historinë e shkrimit të shqipes me alfabete orientale, Divani shqip dhe një Listë fjalësh të rimuara shqip-turqisht (1760). Më pak e njohur është një vjershë e Ismail pashë Velabishtit (1763). Kurse për dorëshkrimet e Sulejman Naibit (1771) studiuesi përmend edhe një mbiemër të dytë, Ramazani. I shtohet bibliografisë së autorëve bejtexhinj një këngë për luftën e Karamahmud pashë Bushatit kundër Ahmet pashë Kurtit të Beratit, me autor molla Hysejn Dobraçin nga Shkodra (1785). Traditën e poezisë me motive historike e pasuron dorëshkrimi i një anonimi gjirokastrit, që përmban një vjershë mbi luftën e Ali pashë Tepelenës kundër Gjirokastrës (1793). Një vit më pas shenjohet e para vjershë e Hasan Zyko Kamberit, poet bejtexhi, me përmbajtje fetare (ilahi). Shekullit XVIII i takojnë gjithashtu një ilahi shqip me alfabet arab e mulla Beqirit, një tjetër me autor haxhi Ymer Kasharin, një vjershë për paranë shqip me autor vjershëtorin turk Vaxhidiu, vjershat e molla Sali Patës dhe të Hysejn efendi Shkodrës, të Sulejman pashë Elbasanit (Vërlacit) dhe të Ibrahim Elbasanit, të Sulejman Temanit e të Myslim Hoxhës, të Omer Saddedin efendiut dhe të Ahmet Hoxhës. Këto dëshmi marrin rëndësi jo vetëm për historinë e zhvillimit të kulturës, letërsisë dhe gjuhës shqipe në periudhën osmane, por edhe për mënyrën e interpretimit tëpasurisë fonologjike të saj me grafema të alfabeteve rrokjesore të popujve të Lindjes.

Në përmbyllje të një pune shumëvjeçare, prof. Dh. Shuteriqi, me këtë vepër, vëllimi i dytë i së cilës ishte projektuar të përfshinte shkrimet shqipe prej fillimit të shekullit XIX e këndej, realizuar në një shkallë me Fjalorin e Naim Frashërit, plotësoi pasionin themelor të jetës së tij. Eshtë i drejtë përcaktimi i botuesit si vepra e jetës e Dh. S. Shuteriqit dhe një botim i rëndësisë së dorës së parë për historinë e shqipes dhe të kulturës së shprehur përmes saj.

Dy studime të pabotuara të Dh. S. Shuteriqit në dorëshkrim

Disa vite më parë, kur qeshë pyetur për rrugën e formimit tim filologjik universitar e pasuniversitar, jam përgjigjur kështu:

Në kohën kur kryeja universitetin, duke filluar që nga viti i dytë, profesori im i letërsisë Ali Xhiku, më tha se duhej të shkoja dy herë në javë në studion e prof. Dhimitër Shuteriqit dhe do të ndiqja prej tij leksione pa ndonjë program. Ka qenë një kujdes i jashtëzakonshëm për mua. Nuk e kishte bërë kush më parë. Ishte një luks i paimagjinueshëm të merrje leksione nga një prej filologëve më të ditur të Shqipërisë së asaj kohe, dhe vetëm me të. Në fillim biseda me Shuteriqin më trembi, më dekurajoi. Ai më pyeti se cilët prej gjuhëve që kishte përdorur Naim Frashëri njihja, duke i përmendur me radhë gjuhët e tjera të letërsisë shqipe të romantizmit: prej persishtes, osmanishtes, arabishtes, greqishtes, frëngjishtes, dhe kur unë iu përgjigja se nuk njihja asnjërën, më tha: Jo, tani nuk mund të studiohet letërsia shqipe si kemi bërë ne, tani duhet të formohen specialistë që t’i lexojnë vetë veprat e autorëve shqiptarë në gjuhët që i kanë shkruar. Pastaj për dy vjet me radhë mora mësime të gjithfarshme nga prof. Shuteriqi, në studion e tij, në bibliotekë, në sallonin e pritjes, me një gotë konjak ose ndonjë pije  freskuese para. Në atë kohë kjo gjë jo vetëm që nuk bëhej, por kam përshtypjen se ishte dhe e paligjshme. Unë nuk e di se si i përligjte prof. Ali Xhiku këto mësime të miat private me prof. Shuteriqin, si e gjente mënyrën për ndonjë shpërblim modest që mund t’i jepej. Por e di mirë se gjithnjë do të mbetem mirënjohës ndaj tyre, do të shtoja sot.

Trashëgimia studimore dhe letrare e Dhimitër S. Shuteriqit, pjesa ende e panjohur e veprimtarisë së tij, gjendet sot në disa arkiva. Përveç arkivit të familjes dhe rrjetit të arkivave të institucioneve kërkimore, si Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Kulturës Popullore dhe Instituti i Historisë, koleksioni më i pasur i dorëshkrimeve të tij ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror. Fondi nominal Shuteriqi u themelua për herë të parë në vitin 2003, megjithëse disa dorëshkrime të hershme të tij gjendeshin në arkiv edhe më herët. Jashtë dyshimit, dorëshkrime të Shuteriqit duhet të ketë pasur dhe në arkivin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, po ashtu duhet të ketë në arkivin e Universitetit të Tiranës dhe në arkiva të tjerë familjarë e publikë.

Arkivi kombëtar si trashëgimi dokumentare, ashtu si historia politike e vendit, ka qenë i ndarë në dy periudha, me kufi kohor fundin e luftës antifashiste. Për periudhën e pasluftës, fonde nominale kanë pasur vetëm personalitete që i takonin gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Pas vitit 1944 fonde nominale kishin vetëm protagonistët e jetës politike. Në parimet e organizimit të brendshëm të trashëgimisë dokumentare, që kanë shërbyer si bazë për hartimin e katalogëve tematikë e sistematikë, nuk ka ndonjë shpjegim të qartë për këtë dysi. Por mund të mendohet se arsyeja ka qenë shuarja e protagonizmit, në emër të një barazie formale, sepse të hyje në arkiv do të thoshte të hyje në histori. Kjo ishte arsyeja që deri në vitin 2003, megjithëse një fond nominal i Simon Shuteriqit ekzistonte, për Dhimitër Shuteriqin ruhej rastësisht vetëm ndonjë artikull prej shtypit të Luftës dhe thuajse asgjë tjetër. Për të drejtpeshuar këtë çrregull, në vitin 2003, iu bë thirrje publike gjithë personaliteteve të shkencës dhe letërsisë për marrëveshje me arkivat për trashëgiminë e tyre dorëshkrimore, por vetëm Dh. Shuteriqi dhe I. Kadare u përgjigjën pozitivisht.

Pikërisht në vitin 2003, me mirëkuptimin dhe pëlqimin e Shuteriqit dhe të familjes, arkivi shkencor i tij iu dorëzua për ruajtje e ndorim rrjetit kombëtar të arkivave. Përpunimi i fondit u bë në studion e autorit përgjatë një periudhe afro dymujore, nga dy arkiviste me përvojë, nga të cilat u përgatit dhe inventari i plotë i dorëshkrimeve. Siç ishte në dëshirën e tij, arkivi i dorëshkrimeve me karakter jetëshkrimor, intim e familjar, u ruajt dhe ruhet edhe sot prej trashëgimtarëve të familjes. Arkivi i Shuteriqit është një prej fondeve më të pasur personalë në arkivat e Shqipërisë.

Fondi nominal Shuteriqi përmban afër 2 metër linear dokumente origjinale në vendosje vertikale. Fondi ka disa mijëra fletë dorëshkrimesh e daktiloshkrimesh: studime të pabotuara, studime të botuara me shkurtime, synopse studimesh, kërkime të pambaruara, variante artikujsh dhe studimesh, shkrime shkencore shkruar për të mos u botuar (oponenca, recensa e recensione, relacione e diskutime shkencorë); skeda, shenjime nga arkivat dhe librat, një pasuri me rëndësi parësore për studime të mundshme në disa dije të shkencave kombëtare. Njohja me këtë fond, qoftë dhe pa hyrë në thellësi, të çon në përfundimin se studimet e Shuteriqit, pavarësisht se botoheshin e ribotoheshin, janë konsideruar gjithnjë punë në proces, që gjithnjë pasuroheshin me burime e argumente.

Do të duhet një kohë relativisht e gjatë për të pohuar me siguri se trashëgimia shkencore e pabotuar, madje dhe ajo e botuar, e Dhimitër Shuteriqit, tashmë njihet. Sikurse dëshmohet prej dorëshkrimeve të këshilluara në disa arkiva, përveç gjashtë heteronimeve të njohura të përdorura prej tij, që i ka identifikuar Palokë Daka në fjalorin e tij të pseudonimeve (Dhimitër S. Shuteriqi, Dh. S. Shuteriqi, Dh. S. Sh., Dh. Sh., Hila dhe Ariel), studiuesi ynë ka nënshkruar dhe me katër heteronime të tjera: ds, s., h., dhe H. H. Kjo ndërlikon jo vetëm kërkimin në arkiva, por dhe vetë identifikimin e krijimtarisë shkencore e letrare të botuar të tij.

Një bibliografi e Dhimitër Shuteriqit, e përfunduar në vitin 1952 prej Jup Kastratit, ende në dorëshkrim, nëse do të bëhej e njohur për studiuesit, do të lehtësonte së paku njohjen e pjesës së botuar të veprës së tij në periudhën moderniste të rinisë, të luftës antifashiste dhe të viteve të para pas saj.

Skedari i punës shkencore të Dh. S. Shuteriqit, që zë vend parësor në fondin nominal të tij, është me rëndësi të jashtëzakonshme shkencore-filologjike. Dhjetëra mijë njësi të gatshme referimi në burime e në një bibliografi shumëgjuhëshe, përveçse dëshmojnë raportet midis së dukshmes dhe të padukshmes në veprën shkencore të Dh. S. Shuteriqit, janë një rezervàt luksoz për kërkime të mëtejshme. Sot për sot skedari i Shuteriqit nuk mund të këshillohet lirisht prej studiuesve, sepse nuk janë rregulluar juridikisht përgjegjësitë për të drejtën e autorit dhe të pronësisë intelektuale. Kapërcimi i kësaj pengese do të mundësonte që pasuria e këtij arkivi dhe thellësia e kërkimeve shkencore të Shuteriqit të shërbejnë si bazë për projekte dhe nismave studimore të reja. Mbi bazën e këtij arkivi mund të ndërtohej një paradigmë tërësore tezash të shkallës së doktoratës në studimet letrare, etnologji, gjuhësi e trashëgimi gojore.

Nëse do të ishte e mundur që skedari shkencor i Dh. S. Shuteriqit të këshillohej nga studiues të përgatitur në filologjinë e tekstit, së paku dy vepra tashmë të botuara do t’i paraqiteshin lexuesit me një pasuri mjaft më të madhe: Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 (botim i Akademisë së Shkencave, 2010) dhe Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe (botim i Akademisë së Shkencave, 2010). Këto dy vepra kanë qenë qëllim jete i Dhimitër Shuteriqit. Në konceptin e tij, edhe në kohën kur përgatitej dorëzimi i skedarit në arkiva, ato do të ishin gjithnjë të pambaruara. Prej përshkrimeve arkeografike të fondit të tij i njëjti përfytyrim do të krijohej edhe për kërkimet rreth letërsisë arbëreshe e letërsisë parakombëtare. Nëse skedari i tij do të ishte integruar në procesin kërkimor dhe botues të sotëm, do të kishte vend të rishihej në një shkallë më të plotë pikëpamja e tij për çështje deradiane, duke përfshirë botimet jubilare të Veprës letrare të Jeronim de Radës (2014) në 200-vjetorin e lindjes së tij. Mjaft më e pasur është ideja e Dh. S. Shuteriqit për ato që ai i pati quajtur canti premilosaici, këngë para Milosaos, që u zbuluan prej tij në dorëshkrim në Arkivin Qendror Shtetëror, paralelisht me zbulimin e një kopjeje tjetër të këtij dorëshkrimi në Frassinetto (në Frasnitën arbëreshe), që Arshi Pipa i pati quajtur këngë proto-milosaike – canti premilosaici.

Mund të gjenden mënyrat që skedari i Dhimitër S. Shuteriqit të jetë një trashëgimi në komunikim. Nuk do të mjaftonte, bie fjala, tejkalimi i traditës minimaliste të referimit, me emër fondi, vit, dosje, fletë dhe skedë. Do të duhej një mënyrë më analitike, që njofton më së pari punën e studiuesit për t’i gjetur të dhënat burimore dhe ato bibliografike.

Një tjetër arkiv mjaft i pasur, me studime të përfunduara e të pabotuara, veç dhjetëra relacioneve shkencore, mendimeve kritike, oponencave, recensioneve e diskutimeve, gjendet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku ruhen edhe dorëshkrimet e veprave të tij botuar prej këtij instituti.

Në këto studime përmbahen pyetje shkencore që ende nuk janë kënaqur me përgjigje të argumentuara për çështje të hapura të dijeve albanologjike. Ka në studimet e pabotuara të Shuteriqit edhe çështje të diskutueshme të albanologjisë, sidomos prej atyre çështjeve që, duke hapur një debat shkencor, mund të inkurajonin kundërteza në shkencat tendencioze ndaj historisë dhe identitetit shqiptar. Për këto çështje Dhimitër Shuteriqi duket se ka shkruar duke qenë i vetëdijshëm se nuk ishte koha për botim, por gjithashtu as mund të heshtej. Duke iu referuar kësaj pjese të studimeve të pabotuara të Shuteriqit, në këtë trajtesë do të kemi në vëmendje dy dorëshkrime të hershme të tij, të cilat, kanë qenë botuar pjesërisht në Buletinin e Shkencave Shoqërore, gjegjësisht në vitin 1955 dhe në vitin 1956: Tekste të shqiptarëve të Sllavonisë (BSHSH, nr, 2, 1955, f. 181–190) dhe Mbi disa çështje t’Arbërit dhe mbi emrin Shqipëri (po aty, nr. 3, 1956, f. 215 e vijim).

Dy studimet në arkiv ruhen me titujt Tekste kelmendase të Sllavonisë së viteve 1872-1903-1930 (studim i daktilografuar, 14 fl.) dhe Mbi përhapjen e emrit “Shqipëri” e të emrit “shqiptar” (studim i daktilografuar,26 fl.). Përveçse botimet e tyre janë kthyer me kohë në rrallësi librore, vërehen disa dallime me rëndësi midis dorëshkrimit e botimit, që provojnë këtë vetëdije jo vetëm shkencore të Shuteriqit. Rëndësia e arkivave të tij rritet prej mundësisë që ato krijojnë për studime filologjike krahasuese, veçmas për ato që konsideroheshin si çështjet e rezervuara të albanologjisë.

Dy studimet kanë lidhje jo vetëm kronologjike, por edhe përmbajtësore mes tyre. Ngulimet shqiptare nëpër botë, jo vetëm arbëreshe e arvanite, por dhe bashkësitë e vogla në disa katunde të Ukrainës, në Mandrica të Bullgarisë, në Hrtkovc e Nikinc të Kroacisë, kanë qenë një tërheqje shkencore konstante për Dh. S. Shuteriqin. Shumë rrallë përmendet një studim i tij për një bashkësi thuajse krejt të panjohur të voskopojarëve të shpërngulur nga qyteti i Akademisë pas djegies së parë dhe të vendosur fshatin Miskolc pranë Budapestit, ku piktori shqiptar Theodor Grunde, i njohur dhe si Theodor Sina Grundovich, dekoroi mjeshtërisht kishat e vendësve dhe të bashkësisë së re shqiptare që zuri vend atje.

Duke krahasuar dorëshkrimin për kelmendasit e vendosur në tre fshatra afër Sremit në vitin 1734, me ndërhyrjen autoritare të Vinko Zmaievich-it, atëherë arkipeshkv i Tivarit, me botimin e rrallë të vitit 1955, pjesën që nuk është botuar, studiuesit të sotëm i vijnë të gatshme një varg pyetjesh dhe përgjigjesh që kërkojnë argumentim shkencor të mëtejshëm, për të përballuar me dinjitet një debat shkencor të mundshëm në shkallë rajonale. Me këtë dorëshkrim lidhet një prej çështjeve më të ndërlikuara të eposit legjendar shqiptar. Ngulimet shqiptare në Hrtkovc e Nikinc në afërsi të Sremit në kufijtë e Kroacisë me Hungarinë i takojnë mesit të shekullit XVIII. Këto janë të parat ngulime që u identifikuan jo me arkeonimin arbëneshë apo arbanas, por si shqiptarë. Popullsia kelmendase e tyre u eksplorua në dy kohë prej murgjish transilvanë, që mblodhën prej tyre folklor dhe traditë.

Pyetja shkencore që shqetëson Dh. S. Shuteriqin është: pse gjatë këtij anketimi, megjithëse shqiptarët e Sllavonisë ishin fis kelmendas, domethënë të shpërngulur pikërisht prej zemrës së eposit, nuk rezultojnë të përmendura as lahuta dhe as këngët e lahutës, eposi i kreshnikëve. Dihen arsyet e dyshimit që shkenca serbe ka formuluar për kohën e vonshme të ardhjes së shqiptarëve në Kosovë, në njërën anë, dhe për ardhjen e epeve sllave tek shqiptarët në shekullin XVIII, në kohën e ekspansionit të tyre. Pasuria gjuhësore e folklorike e murgjve që vizituan dhe anketuan kelmendasit e shpërngulur tashmë është botuar. Në disa studime të botuara prej dijetarësh kroatë, sllovenë e hungarezë, si ai i Emil Laszowski-t, Arbanasi (klementinci) u Hrtkovcima i Nikincima, i Soganijeva gramatika arbanaškog jezika botuar më 1923 në Hrvatski list të Osjekut (20 shkurt1923, viti IV, nr. 42 (755), f. 2; nr. 43 (756), f. 2 dhe nr. 44 (757), f. 2, këngët lirike të kelmentinasve shërbejnë si ilustrime për modele ligjërimi. Edhe në një dorëshkrim më të vonët, të vitit 1781, që përmban 12 fletë shenjimesh të intervistave të Adam Borovac-it me kelmendasit e Sremit dhe që ruhet në Bibliotekën Universitare Kombëtare tëZagrebit, nuk ka ndonjë shenjë kujtese për instrumentin popullor kombëtar të malësorëve, lahutën, megjithëse gjenden transkriptet e dy këngëve popullore lirike dhe të disa lutjeve kishtare. Ky është një problem me të cilin shkenca shqiptare do të duhet të merret me seriozitet.

Në studimin e Dhimitër S. Shuteriqit shprehet shqetësimi që këto anketime, të keqpërdorura në dije, mund të krijojnë probleme për vërtetimin e përkatësisë shqiptare të eposit. Në anën tjetër, ai paraqet një varg argumentesh për të arsyetuar pse eposi dhe lahuta mungojnë në dëshmitë e mbledhësve të huaj, shprehur në formën e pyetjeve që rivendosin qetësinë shkencore në arsyetim: a e njihnin dhe në ç’shkallë e njihnin këta mbledhës gjuhën shqipe dhe botën shqiptare; a duhet kërkuar doemos prej tyre që të ofronin dëshmi edhe për eposin dhe lahutën duke e ditur se interesimi për epopetë kombëtare lindi shumë më vonë, në shekullin e romantizmit; a kishin dijeni dhe interesa, qoftë dhe minimalë, murgjit transilvanë, për eposin shqiptar dhe rrjedhimisht a u pyetën kelmendasit rreth tij? Shuteriqi arsyeton edhe mundësinë e kundërt, që kelmendasit të jenë anketuar për eposin dhe të mos jenë përgjigjur. Dihet se në migrimet në kushte rreziku njerëzit marrin me vete çka është primordiale, zanafillëse, si urimet, mallkimet, lëngimet, rënkimet, lutjet, vajtimet, lirikën e dashurisë. Epika heroike legjendare nuk mbijetoi as tek arbëreshët, të cilët e identifikuan veten me Gjergj Kastriotin dhe eposin e tij.

Studimet e shekullit XX (M. Kostić, Arnautsko naselje u Sremu, botuar në Juzna Srbija, IV, Skoplje 1923; idem, Ustanak srba i arbanasa u Staroj Srbiji protiv turaka 1737-1739 i seoba u ugarsku, botuar në Glasnik srpskog naučnog društva, Skoplje 1930; R. Veselinović, Ko su “Albanci” i “Klimenti” u Austrijskim izvorima s kraja XVII veka, në Zbornik Matice Srpske za društvene nauke, nr. 25, Beograd 1960; Frok Zefiq, Shqiptarët Kelmendas në Hrtkovc e Nikinc: 1737-1997, Zagreb 1997; Slobodan Ćurčić, Naselja Srema – geografske karakteristike, Novi Sad 2000; Borislav Jankulov, Pregled kolonizacije Vojvodine u XVIII i XIX veku, Novi Sad 2000), njoftojnë se pjesa e mbijetuar e repertorit të traditës gojore të fisit kelmendas është pikërisht siç e mendonte Shuteriqi: këngë për nënën, për frikën, për dashurinë, lirikë që lidhet me nyjat themelore të jetës së njeriut dhe jo me kujtesën historike të bashkësisë.

Gjatë një ekspedite në Krajë e Shestan u munduam të gjejmë kujtimin e lahutës dhe të këngëve heroike, por pa ndonjë të dhënë të sigurt: subjektet e intervistuara qenë të një mendjeje, që në këto krahina kënga e trimërisë ka qenë mjaft e kufizuar dhe me rolin e lahutës del fyelli. Shqetësimi shkencor i Shuteriqit për mungesën e eposit tek kelmendasit e shpërngulur mbetet një çështje e hapur, për kërkime teorike dhe në terren, në këtë fazë të folësve të fundmë shqip të dy fshatrave.

Në studimin e dytë gjenden të dhëna me shumë rëndësi për të zgjidhur drejt diskutimin e hapur gjatë dy dekadave të fundme mbi kohën kur etnonimi arbënesh u bë i pamjaftueshëm për të përfshirë gjithë shqiptarët dhe erdhi koha për një etnonim të ri, Shqipëri, që në shekullin e Rilindjes do të bëhej emërtim i krenarisë kombëtare.

Pyetja më e rëndësishme që del prej dorëshkrimit të Shuteriqit e që lidhet me një dukuri rotacioni që është i pazakontë në shqip e krejt i ligjshëm në rumanishte, që shenjohet në kalimin prej arkeonimit Albania në etnonimin Arbania, më pas Arbëria me shurdhimin e a-së pa theks, do të jetë për një kohë të gjatë parësore për etnogjuhësinë shqiptare. Shuteriqi nuk i druhet vënies në kronologji të dëshmive që provojnë se emri Shqipëri e etnonimi shqiptar u përgjithësuan si emërtime etnoidentifikuese në shekullin XVIII, pavarësisht se nuk resht së kërkuari shenja më të hershme të tyre, duke filluar me emrin e një banori të Drishtit që në Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia del në formën Shapundar në shekullin XV.

Morëm në vështrim vetëm këto dy dorëshkrime e dy studime të Dhimitër S. Shuteriqit, që bëjnë të ditur anën e panjohur të veprimtarisë së tij shkencore. Mund të merret me mend se sa çështje të tilla, të zgjidhura, pjesërisht të zgjidhura, ose thjesht të formuluara në formën e pyetjeve në albanologji, gjenden në dorëshkrimet e Dh. S. Shuteriqit në tërësinë e tyre.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË