KreuLetërsiBibliotekëAg Apolloni: Ovid & Covid

Ag Apolloni: Ovid & Covid

TESTAMENTI

Dora e tij lëvizte mbi letrën e bardhë, e cila kaltërohej në cepin e poshtëm të anës së djathtë nga nënshkrimi i tij. Tani kur e ndiente se më shumë i takonte botës tjetër, kishte menduar se duhej t’i thërriste mendjes e t’ia linte pasurinë e kësaj bote të birit. Kishte jetuar gjithë jetën ku rafsha mos u vrafsha, por pesë vjet para se të dilte në pension, ishte martuar me një grua sipas shijes së tij, njëzetepesë vjet më të re, e cila që herën e parë kishte ngelë me barrë, duke ia sjellë në jetë një djalë, i cili sot, në Ditën e Testamentit, po i mbushte 20 vjet.

Duke e nënshkruar këtë letër, plaku po i bënte dhuratën më të madhe për ditëlindje, dhe po i thoshte se, pavarësisht nëse fati do t’ia hapte dyert djalit të tij, babai e kishte për detyrë t’ia jepte çelësat e atyre dyerve. Në atë testament kishte shtëpinë trekatëshe me 10 ari oborr, fushën e hokejit, vilën në bregdet, veturën Volvo të tipit më të ri, një pompë benzine dhe dy milionë euro kursime në bankë.

Djali e nënshkroi dhe shkoi ta merrte veturën te parkingu, që ishte nja 10 minuta larg zyrës së noterit. Pas tij, e nënshkroi edhe noteri, i cili edhe e vulosi. Dy kopje i mori plaku, një për vete, një për djalin, dhe ia zgjati dorën noterit, bëri disa hapa mbrapa, e hapi derën dhe doli.

Për çudi, teksa zbriste shkallët ndjeu një lehtësim të madh, krejt ndryshe nga pesha që ndiente kur po ngjitej. Tashmë ishte liruar nga gjithçka. S’kishte asnjë detyrim, asnjë shqetësim, asnjë pendim. Nëse zoti do t’i jepte ndonjë ditë shtesë, mirë, por edhe nëse jo, prapë mirë. Kishte jetuar si e sa kishte dashur. Tash do të jetonte gjenetikisht tek i biri, siç kishte jetuar i ati tek ai. Kjo është jeta!

Doli nga ndërtesa me testamentin në dorë. Sapo vuri këmbën jashtë ndërtesës, dielli i ra në sy, dhe për një çast nuk pa asgjë. Fillimisht dëgjoi zhurmë, pastaj përtej syzave të tij pamja nisi të hapej si një blanë e zezë në një hapësirë të bardhë. Në mes te rrugës nisi të shquajë pika, që u bënë hije, pastaj hijet që u bënë njerëz, njerëzit që ishin veshur me uniforma policësh, dhe po vendosnin një shirit rreziku. Sytë i zunë një kufomë në zonën e rrethuar me shirit, dhe nga xhaketa e kuptoi që ishte i biri, i shtrirë gjerë e gjatë në një pellg gjaku.

Plakut iu dridh testamenti në dorë sa nga dhimbja, aq edhe prej inatit që djalin ia kishin shkelur rrotat e fatit. 


PIKTORI

Sapo u ktheva nga Harvard Art Museums, ku ndoqa një diskutim një-orësh për thëngjillin (me këtë rast e mësova veshin me fjalët angleze nga bota e pikturës), në bujtinën ku banoja prej muajsh, dëgjova një zënkë. Ngjita shkallët e drunjta dhe në korridor pashë një piktor leshkuq, që dukej si i pastrehë, – po a nuk duken të gjithë piktorët si të pastrehë? – që mbante një vizatim në duar, dhe po i kërkonte strehë pronarit kinez për vetëm një javë. Pronari i thoshte se, mund ta linte për një natë, por jo për një javë.

– Po ky vizatim kushton minimum 500 dollarë,- thoshte piktori.- Ti mund ta shesësh kurdo.

– E, pse nuk e shite ti?,- ia kthente pronari.

– Sepse unë s’jam tregtar,- arsyetohej piktori, duke ia lënë punimin në dorë. 

Pronari e shikoi mirë e mirë punimin, pastaj i zhgënjyer tha:

– Po kjo s’është as pikturë, ta hajë dreqi! Të ishte bile me ngjyra.  

U futa mes tyre, duke iu kërkuar falje, dhe u nisa korridorit drejt dhomës sime.

– Po është vizatim i vlefshëm,- insistone piktori.- Pas disa vjetësh kushedi sa mijëra dollarë mund ta shesësh.

– Profesor, – më thirri pronari. – Më kanë thënë se merr vesh nga piktura.     

E dija që i kishte treguar pastruesja, e cila një ditë kur kishte hyrë për ta pastruar banjën që ishte në korridor, ngjitë me dhomën time, kishte bërtitur sapo e kishte parë lavamanin. Hapa derën dhe dola për ta parë, kurse ajo u habit edhe më dhe m’i shikonte krahët e përvjelë dhe aty këtu me ngjyrë të kuqe.

– Ke prerë venat?!

– Jo. Po pikturoj. Do ta pastroj lavamanin sapo të gjej terpentinë.  

I kisha thënë recepsionistes që t’i tregonte pastrueses të mos frikësohej kur të hynte në banjë, sepse e kuqja në lavaman ishte ngjyrë vaji, jo gjak, por duket se kishte harruar. Ky incident ishte bërë i famshëm, prandaj pronari po më thërriste në cilësinë e ekspertit.

– Çfarë mendon për këtë pikturë, që as pikturë s’është?

Piktori po më shihte si në ethe. Unë shtrembërova qafën, mbylla pak njërin sy sikur po merrja nishan. Pronari dukej se do të më besonte çfarëdo që t’i thosha. Më njihte për njeri serioz dhe korrekt, që gjithmonë e paguaja qiranë me rregull.

Pasi e pashë mirë e mirë, duke e sjellë nëpër duar, nisa ta vlerësoja duke përdorur të gjithë termat anglisht që sapo i kisha dëgjuar gjatë një ore në muze: charcoal, smudge, crayon, chalk, scrape, gesture, shade, refine, edge, lift, sketch, pastaj thashë gjithashtu paper matters, dhe e përfundova: ky duket si një Van Gogh i ri, që sot mund të mos shitet, por një ditë bota do të vrapojë pas tij.

Piktorit i pëlqeu krahasimi, por edhe u zu ngushtë nga vlerësimi i tepruar.

– Pra, vlen 500 dollarë?

– Sigurisht,- thashë. Shumë më shumë se aq. Do ta tregojë e ardhmja.

Sa mirë është të jesh artist! Të gjitha ia faturon të ardhmes. Me shumë gjasë, kur vjen ajo, ti s’je, kështu je i liruar nga nderimi, ose ndëshkimi i mundshëm.

E pashë pronarin se si e kapi pikturën, që as pikturë s’ish, e futi nën sqetull, dhe ia hapi derën e dhomës piktorit. 

Unë shkova në dhomën time dhe u shtriva. Pas pak, dëgjova një trokitje në derë. E hapa. Van Goghu i ri kishte ardhur për të më falënderuar dhe për të më pyetur nëse kisha ndonjë pije alkoolike, vodka ose whiskey. (I urrej piktorët, sidomos kur s’kam alkool mjaftueshëm). I thashë se kisha vetëm raki. Nuk e dinte çfarë ishte, por ma kërkoi kur i tregova se ishte alkool. Kam vetëm dy shishet e fundit, desha t’i them, por aq i ngjante Van Goghut sa më erdhi keq të mos ia ofroja njërën. Ndërsa u nisa drejt tavolinës për ta marrë shishen, ai rrasi kokën dhe pa pikturat e mia.

– Ti i ke bërë?

– Ëhë.

U ndal te njëra që paraqiste një lule anemonë te shkelur nga dy thundra ujku. Pastaj te një mollë e kuqe që pikonte gjak, te një çarçaf i bardhë me një njollë gjaku në mes në trajtë shqiponje, te një tjetër që paraqiste pikat e shiut të kuq dhe te njëra që ishte krejt e zezë dhe ndahej nga një vijë e kuqe kufitare, që ishte vija kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, por që ai s’kishte si ta dinte.

– Janë ta mahnitshme!,- tha.

E dija që po e bënte nga mirësjellja, për të ma kthyer borxhin për pikturën e tij që as pikturë s’ish. Përderisa unë e bëra Van Gogh vetëm nga ai punim pa ngjyra, ai sigurisht mund të më bënte Leonardo për këto punime që së paku ishin me ngjyra.

Ia zgjata shishen dhe i thashë natën e mirë. Mandej gjithë natën e lume e vajtova atë shishe. Aty e kuptova se ç’do të thotë të kesh mall për atdheun, aty e kuptova se ç’do të thotë të të kapë mërzia, sepse atdheu është larg, dhe atje prodhohet rakia.


PROVOKIMI

Ishte e xhuma dhe, si zakonisht, shkova në pub të lagjes, se, edhe po i doli flaka dynjasë, e xhumaja për mua është e shenjtë. Është dita e fundit e pesë ditëve zyrtare dhe e festoj pragun e fundjavës. Kjo botë është krijuar për gjashtë ditë, siç e dini, në mënyrë që ditën e shtatë të lindja unë. Mëmëdhe quhet toka ku më ka rënë koka, por sikur Zoti të mos e krijonte këtë tokë, ku ta mbështesja këtë të shkretën kokë?

Por, le t’i kthehemi ditës së xhumá.

E hapa derën e lokalit si kauboj dhe shkova e u ula në banak. Banakierja më përshëndeti dhe më pyeti se çfarë doja. I thashë shkurt: raki. Hapi sytë dhe pyeti prapë. Ia përsërita. Më pyeti çfarë është ajo. I thashë: ujë i shenjtë, ose alkool. Tha: s’kemi. Thashë: Keni njëqind lloje alkooli aty në rafte dhe mbretëreshën nuk e keni. Më pyeti se ku bëhet. I thashë: në Skrapar. S’e dinte ku i binte. Eh, gjeografia temë e rëndë, por rakia edhe më e rëndë. Pra, çfarë doni, më pyeti prapë. E shikova me habi; unë isha i njëjti dhe njëjtë i thashë: raki. Ndoshta diçka nga këto, tha duke buzëqeshur e duke më treguar raftin, që ishte si ato raftet e farmacisë me plot shishe të ndryshme. Ndala sytë kah vodka. Tha: do vodka? Thashë: për të dashur, dua raki, por meqë s’keni çka dua unë, më sillni çka keni ju dhe mos më pyesni më se çka dua, se gjithmonë përgjigja ime do të jetë e njëjtë.

E mbushi, ma solli. E piva.

Edhe pas një jave, shkova aty. Më pyeti se çka doja. I thashë: raki. Më solli vodkë. Edhe herën e tretë, po ashtu. Asnjëherë s’më sillte atë që doja, por vetëm atë që kishte. Dukej si provokim, por s’pati asnjë konflikt mes nesh, përveç disa shikimeve të çuditshme të klientëve anash që s’e kuptonin se kur kishin nisur t’i thoshin vodkës raki. Mirësjellja ishte më e vlefshme se malli, prandaj shmangej sherri.

Derisa pija vodkë, nisa ta kërkoja zgjidhjen në gotë. Me amerikanët, pija na ndante, mirëkuptimi na bashkonte. Me serbët pimë të njëjtën raki dhe duam t’i nxjerrim sytë njëri-tjetrit. M’u kujtua një varg i një kënge serbe, nije votka rakija, dhe thashë me vete: Rroftë Shqipëria!


OVID & COVID

Do një cigare?

Jo.

Të pengon, nëse e pi unë?

Jo, të bëftë mirë!

S’e ke pirë kurrë?

E kam pirë, por që nga pandemia nuk e pi më. S’kam mushkëri për të.

Uh, mos ma kujto! Mos u përsërittë më!

Amen.

Si e kaloje kohën e mbylljes?

Sa për mbylljen, ne shkrimtarët pandemi e kemi gjithmonë.

Shkruaje?

Po.

Çka?

Për fije dhe sandale.

Hm. Lexoje?

Po.

Cilët autorë?

Shumë, por sidomos njërin.

Kë?

Për ta kuptuar Covidin, lexoja Ovidin.

Si ashtu?

Përderisa pandemia e kishte transformuar jetën tonë, unë lexoja librin mbi transformimet mitike. Transformimi është njëfarë ndëshkimi, sikur insistonte poeti Ovid. Ndërsa unë pyesja veten se ku gabuam që na ndëshkuan me këtë Covid. 

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË