Përktheu: Artemisa Kuznetsov
Në dhomë më të lirë të bujtinës “Lisbona”, studenti i vitit të tretë të mjekësisë, Stepan Klloçkovi, mësonte leksionet me zell duke u endur sa andej-këndej. Nga përpjekja e sforcuar për të mësuar gjithçka përmendësh, i qe tharë goja dhe djersa i vinte çurg mbi ballë.
Ndanë dritares, kornizat e së cilës ishin zbukuruar me motive prej bryme, rrinte ulur mbi një stol Anjuta, një zeshkankë e zbehtë dhe thatanike, rreth njëzet e pesë vjeçe, me syçka të butë bojë hiri. E kërrusur mbi punëdoren, ajo qëndiste me fije të kuqe jakën e një këmishë burrash. Qe një punë që duhej mbaruar me ngut… Ora e korridorit trokiti orën dy të pasdites, ndërsa dhoma ende nuk ishte pastruar. Mbulesa e shprishur, jastëkët e hedhur poshtë, librat, rrobat, një legen i madh e i ndyrë, i mbushur me ujëra të ndotura me sapun, ku notonin bishta cigaresh, mbeturina në dysheme – gjithçka dukej sikur dikush ta kishte kthyer dhomën përmbys qëllimisht…
– Mushkëria e djathtë përbëhet nga tre lobe… – përsëriste Klloçkovi. – Kufijtë! Lobi i sipërm, në pjesën e përparme të kraharorit, arrin deri te brinja e katërt ose e pestë, në sipërfaqen anësore, deri te brinja e katërt… ndërsa prapa, deri te shpatulla…
Duke u përpjekur të përfytyronte atë që sapo kishte lexuar, Klloçkovi ngriti sytë nga tavani. Meqë nuk po arrinte të krijonte një përfytyrim të qartë, filloi të prekte brinjët e tij përmes jelekut.
-Brinjët ngjasojnë me tastet e pianos, – tha. – Duhet të mësohem me to, që të mos ngatërrohem kur t’i numëroj. Do të më duhet t’i studioj mbi një skelet, madje mbi një njeri të gjallë… Eja, Anjuta, lërmë të orientohem pak!
Anjuta la punëdoren, zhveshi trikon dhe u drejtua. Klloçkovi u ul bri saj, u vrenjt dhe filloi t’i numëronte brinjët.
– Hmm… Brinja e parë nuk ndihet… Është pas klavikulës… Kjo duhet të jetë e dyta… Pra… kjo është e treta… kjo e katërta… Hmm… Mirë… Pse po mblidhesh kështu?
– I keni gishtat të ftohtë!
– Epo, mirë. Nuk do të vdesësh. Mos lëviz… Pra, kjo është e treta, ndërsa kjo e katërta… Je kaq hollake, por brinjët nuk të shquhen lehtë. Kjo është e dyta… kjo e treta… Jo, kështu ngatërrohem dhe nuk e përfytyroj dot qartë… Duhet ta vizatoj. Ku është qymyri?
Klloçkovi mori një copë qymyri dhe vizatoi mbi gjoksin e Anjutës disa vija paralele, që përkonin me brinjët.
– Shkëlqyeshëm. Tani gjithçka është e qartë, si në pëllëmbë të dorës… Mirë, tani mund edhe të trokasim. Ngrihu!
Anjuta u ngrit dhe ngriti mjekrën. Klloçkovi filloi t’i trokiste kraharorit dhe u harrua aq shumë në këtë punë, sa nuk e vuri re se buzët, hunda dhe gishtat e Anjutës ishin nxirë nga të ftohtit. Ajo dridhej dhe kishte frikë se, po ta vinte re studenti, do të ndalonte së trokituri e pastaj, kush e di, ndoshta do të dilte keq në provim.
– Tani gjithçka është e qartë, – tha Klloçkovi, duke pushuar së trokituri. – Rri kështu dhe mos e fshi qymyrin, se do i hedh sërish një sy.
Dhe filloi sërish të endej nga një cep në tjetrin dhe të mësonte përmendësh. Anjuta, e pikturuar me vija të zeza mbi gjoks, qëndronte mbi stol e kruspulluar nga të ftohtit, dhe mendonte. Në përgjithësi fliste shumë pak. Gjithmonë heshtte dhe zhytej në mendime…
Gjatë gjashtë a shtatë viteve që kishte kaluar sa në një bujtinë në tjetrën, kishte bashkëjetuar me shumë të tillë si Klloçkovi. Të gjithë tashmë i kishin përfunduar studimet, qenë bërë dikushi dhe, natyrisht, si njerëz me peshë, e kishin harruar prej kohësh Anjutën. Njëri jetonte në Paris, dy ishin bërë doktorë, i katërti ishte bërë artist, ndërsa i pesti, siç thuhej, tashmë ishte bërë profesor. Klloçkovi ishte i gjashti… Edhe ky së shpejti do të përfundonte studimet dhe do të dilte në jetë. Pa dyshim, e ardhmja e tij do të qe e ndritur dhe, me ç’dukej, ai do të bëhej një njeri i shquar. Por e tashmja ishte krejt ndryshe, sepse ai nuk kishte duhan, as çaj, dhe i kishin mbetur vetëm katër copa sheqeri. Duhej ta përfundonte sa më shpejt qëndisjen, t’ia çonte blerëses dhe pastaj, me njëzet e pesë kopekët që do të merrte, të blinte çaj e duhan.
– A mund të hyj? – u dëgjua një zë prapa derës.
Anjuta hodhi me nxitim mbi supe shallin e leshtë. Hyri artisti Fetisov.
– Kam ardhur t’ju kërkoj një nder, – tha ai, duke iu drejtuar Klloçkovit duke e parë egërsisht nga poshtë leshërave të dredhur që i binin mbi ballë. – Bëni një të mirë e jepini lejë vajzës tuaj bukuroshe për nja dy orë! Po pikturoj një tablo, e shihni, dhe pa modele nuk bëj dot!
– Ah, me kënaqësi! – pranoi Klloçkovi. – Shko, Anjuta.
– Unë çfarë nuk kam parë unë atje! – mërmëriti Anjuta.
– Epo, mjaft! Njeriu po të kërkon për art, jo për ndonjë marrëzi. Pse të mos e ndihmosh, nëse mundesh?
Anjuta filloi të vishej.
– Po ç’po pikturon? — pyeti Klloçkovi.
– Një të sëmurë psikik. Subjekt i bukur, por nuk po më del siç dua. Më duhet ta pikturoj duke përdorur modele të ndryshme. Dje pikturova një vajzë me këmbë te mavijosura.“Ç’i ke këto këmbë?” – e pyeta. “ Më lëshojnë bojë çorapet”, – më tha. Ndërsa ti vetëm mëson përmendësh! Me fat je, paske durim.
– Mjekësia është e tillë që pa mësuar përmendësh nuk ia del dot.
– Hmm… Më falni, Klloçkov, por ju rroni tmerrësisht keq! Ç’ma mbani këtë dhomë kështu, si stallë derrash?
– Si të rroj ndryshe… Nga babai marr vetëm dymbëdhjetë rubla në muaj, dhe me kaq para është e vështirë të rrosh siç duhet.
– Mirë, mirë… – tha artisti dhe shtrembëroi fytyrën me neveri. – Por gjithsesi mund të rrohet më mirë… Një njeri intelektual duhet medoemos të ketë shije estetike. Apo jo? Ndërsa këtu tek ju është… dreqi e di çfarë! Shtrati i parregulluar, legeni me ujëra të ndotura, mbeturinat… qull i djeshëm në pjatë… Pu-pu-pu!
– Është e vërtetë, – tha studenti i mjekësisë, i zënë ngushtë, – por Anjuta nuk pati kohë të pastronte sot. Ka qenë gjithë kohën e zënë.
Kur artisti dhe Anjuta dolën, Klloçkovi u shtri në divan dhe vazhdoi të mësonte përmendësh shtrirë. Pastaj, pa e kuptuar, e zuri gjumi. Kur u zgjua një orë më vonë, mbështeti kokën mbi grushta dhe u zhyt në mendime të zymta. Iu kujtuan fjalët e artistit se një njeri i kulturuar duhet medoemos të ketë shije estetike dhe tani, në të vërtetë, edhe ambienti i tij i dukej i neveritshëm, i pështirë. Me syrin e mendjes ai sikur shihte të ardhmen e tij, duke pritur pacientët në kabinetin e vet, duke pirë çaj në një dhomë të gjerë ngrënieje, në shoqërinë e gruas së tij, një grua të respektueshme. Ndërsa tani ai legen me ujëra të ndotura, ku lundronin bishta cigaresh, i dukej jashtëzakonisht i neveritshëm. Edhe Anjuta nisi t’i dukej e shëmtuar, e parregullt, e mjerë… Dhe vendosi të ndahej prej saj, menjëherë, me çdo kusht. Kur Anjuta u kthye nga artisti dhe po hiqte peliçen, ai u ngrit dhe i tha seriozisht:
– Dëgjo, moj pëllumbesha ime… Ulu dhe më dëgjo. Ne duhet të ndahemi! Me një fjalë, nuk dua të jetoj më me ty.
Anjuta ishte kthyer nga artisti krejt e lodhur. Nga qëndrimi i gjatë pa lëvizur, fytyra i ishte zbehur, ndërsa mjekra ishte dukej më e mprehtë. Në përgjigje të fjalëve të studentit, ajo nuk tha asgjë, vetëm buzët i dridheshin.
– Pranoje se herët a vonë, gjithsesi do të na duhej të ndaheshim, – tha studenti. – Ti je e mirkë, e dashur, dhe nuk je budallaqe. Besoj e kupton…
Anjuta veshi përsëri peliçen, mbështolli në heshtje punëdoren me letër dhe mblodhi fijet e gjilpërat. Pakon me katër copat e sheqerit e pa mbi dritare dhe e vendosi mbi tryezë, pranë librave.
– Këto janë tuajat… sheqeri… – tha me zë të ulët dhe u kthye mënjanë për të fshehur lotët.
– Epo, ç’ke që qan? – pyeti Klloçkovi.
Ai eci i hutuar nëpër dhomë dhe tha:
– Je vërtet e çuditshme… Ti e dije se një ditë do duhej të ndaheshim. Nuk do të rrinim bashkë tërë jetën.
Ajo i kishte mbledhur tashmë të gjitha plaçkat e saj dhe ishte kthyer nga ai për t’i dhënë lamtumirën, por ai u pikëllua.
-Po sikur ta lë të rrijë edhe një javë? – mendoi. – Le të qëndrojë edhe një javë, pastaj do t’i them të largohet.”
Dhe, i zemëruar me dobësinë e karakterit të tij, i thirri ashpër:
– Epo, ç’më rri aty? Nëse do të ikësh, thyeje qafën, e nëse nuk do, hiqe peliçen dhe rri! Rri!
Anjuta e hoqi peliçen, ngadalë, në heshtje. Pastaj fshiu hundët, po aq qetë, psherëtiu dhe, pa bërë zë, u drejtua drejt vendit të saj të zakonshëm pranë dritares. Studenti tërhoqi librin pranë vetes dhe përsëri filloi nga ecejaket nga njëri cep në tjetrin.
– Mushkëria e djathtë përbëhet nga tre lobe… – përsëriti. – Lobi i sipërm, në pjesën e përparme të kraharorit, arrin deri te brinja e katërt ose e pestë…
Ndërsa në korridor dikush thërriste me sa kishte në kokë:
– Grigori, shiko samovarin!


