1- Armiku im i dashur,
Armiku im i dashur,
sa shumë i jemi turur njëri tjetrit,
pa e ditur se të qënit ndryshe,
nuk është thjesht një humbje gjysmake.
Zemra e ekzistencës tonë
nuk është mermer’ i urrejtjes,
por rëra e konfliktit ku frikacakët e të dobëtit
nuk guxojnë të shkojnë.
Është vija e dallimit, dita,
kur zogjtë kanë dëshirë të këndojnë.
Të dy ia kemi çelur rrugën hapakrah,
duelit me dorashkën e hedhur,
dhe spektatorë,
sepse i kemi mësuar të gjitha
marifetet e luftës.
Ne shërohemi nga vuajtja
kur e përjetojmë të plotë,
pa kuptuar që lumturia është gjëja
më e frikshme në botë.
Ka shumë gjëra për të humbur,
kur je i lumtur!
Demoni ecën më shpejt se çdo ylber.
Vajtjemendja ime: mos e ngjyej dritën me teŕr,
urtia jote: lëre të lirë, nëse do diçka vërtet!
Armiku im i dashur,
e kam ditur prej kohësh se kjo ditë do të vinte.
2- Marko Boçari, suljoti …
E prunë Marko Boçarin në Misolongj,
në një vig të mbajtur nga gjashtë suljotë,
me lot ndër sy vashat,
ngarendën te portat e qytetit.
Natën, kori i vajtojcave, veshur në të bardha,
kryezbuluar, flokët lëshuar, rreth tij vajtuan.
Në agim, zbukuruar në petkat më të mira,
nën tingujt e kambanave, të shtënave të artilerisë,
në një arkivol kurorëzuar me degë qiparisi,
‘’shëtiste’’ në rrugët e boshatisura,
dhe gratë e përkulura nga dritaret,
i hidhnin tufa lulesh,
e spërkatnin me ujë trëndafili.
Me temjanica në duar, erëmonin ajrin me mërsinë,
derisa kryepeshkopi mbaroi të kënduarat, dhe tha:
“Paqja qoftë me shpirtin e martirit!”
I gjithë populli në gjunjë ra,
dhe thirri me zë solemn:
“Amen!”
Kur ca pika vaji të shenjtë, dhe rrasa e varrit
e ndanë trupin e tij nga të gjallët,
nën diellin që aq fort ndriçon e fort po shndrit.
Luftëtarët bënë përpara,
për t’i dhënë puthjen e fundit komandantit :
“Lamtumirë, Boçar! Të qoftë dheu i lehtë!
Je rrënjë e lirisë!”
3- Shpresa …
Shpresa është stacioni i fundit kur vë këmbën në tokë
pas udhëtimit të gjatë, humbje dhe plagë.
është ëndrra dhe ankthi i raskapitur,
kryqi im, shtëpia ime, porta e madhe ku trokas.
Aty kam tavolinën e punës, abazhurin e ndezur,
vendin ku përfundojnë të pajtuar, rrënimi dhe sekretet.
krevatin që kërcet, vëshrimin e trishtuar,
sytë e saj që kërkojnë errësirës, vetveten.
Këmishën në të thellë të portokallit, të qarën,
foshnjën në thithkë të mëmës, trazimet pafund.
shpirt‘ i panënshtruar, ullinj që rehatohen ndën qiell,
cicërima zogjsh, milingonat, karkalecat, dhe një bulkth.
Shpresa është dhe ana jo e mirë e lavdisë, nami i keq,
kryqi im, shtëpia ime, iluzioni ku linda dhe do vdes …
4- Protesta një ditë …
Protesta një ditë do të mbarojë.
Ata pak që guxuan më tepër,
do qethin mjekrat e mërzisë,
do veshin kostumet firmato,
me valixhe diplomati, çantë biznesi,
do ikin udhëkryqeve të botës
në kërkim të fatit.
Të tjerë,
ata që mbanin “flamingot” në duar,
negociojnë për poste drejtorësh,
në zonat e pambrojtura,
ende të pashfarosura.
Janë dorëhequr sigurisht disa ministra
për t’u zevëndësuar me kukulla të reja.
Ndërsa qindra të uritur
u punësuan papritur,
në kompani oligarkësh
që u rifutën në skemën
e ndarjes së tenderave.
Protesta është holluar,
porse gjërat, idetë, kauzat,
kanë mbetur po aty,
të pandryshuar,
ato as ikin, as vdesin me ikjen e njeriut.
Ata në fund,
turma e zhurmshme në fundin e protestës,
tê bindur se nesër do tê jenë më shumë,
nesër,
për ta pjesëtuar në copëza më të vogla,
çmimin e rëndë, të raskapitur të shpresës.
Një ditë protesta do të mbarojë …
5- Vdekja le të më vijë …
Vdekja le tê më vijê kur mos më shohin mê,
ata sy, që mbajnë kryqin e fjalëve tê pathëna.
Le të shëmbet muri, të bjerë lisi me hardhitë,
dëshiroj të jetë e hëna.
Le të bëhet pastaj në lëndinë, një festë madhështore,
të tërbohen pilivesat, djelmoshat të pinë verë,
të dënden.
Kur t’i prish ti valles me fustanin ngjyra – ngjyra,
të shohin atë pulpën tënde, dhe të çmenden.
Nuk dua meshë, as prift, të më lajë mëkatet,
besova gjithë jetën në rregulla të lakuara e të thyera.
Vetëm sytë e tu, m’i kanë ngrohur, trishtuar dëshirat,
gënjeshtare pasqyrat!
Vdekja le të më vijë kur mos më shohin më,
ata sy, që veç unë ua di destinin, sekretet dhe ngjyrën.
Le të jetë vjeshtë, bashkë me gjethet dhe kujtimet,
të ma mbulojnë fytyrën.
Vdekja le të më vijë kur mos më shohin më,
ata sy, që do më ndjekin dhe në dheun e shkrifët,
me lule në kodër …
6 – Në atë vijën qiellore …
Në atë vijën qiellore që e dinë përmendësh,
fluturojnë furishëm lejlekët,
mbi detet dhe oqeanet,
e mbajnë në krahët e stërvitur,
zjarrin e purpurtë të çiftëzimit.
Fluturojnë në atë vijën qiellore
që e dinë përmendësh,
pa ndaluar askund,
ndonse i ftojnë burimet, një lumë i blertë,
të shplodhen e të mjekojnë plagët.
Lejlekët fluturojnë pa u ndalur,
dashnorë të marrë,
për të mbërritur atje;
në Ballkan,
në vendin ku gjenden malet e lartë,
retë dhe plisat e bardhë.
7 – Tek shpella e piratëve …
I fshiheshe mesdheut,
të nxehtit prej shkretëtire,
pasione perëndimi mëndnin përditë ëndje,
dëshira të ndrydhura në cicat e pambuluara
që zhyteshin në ujërat kristal.
Jashtë fluturonte një larash i stërmadh,
dhe ndiheshin shkaza ofshame,
pylli ishte larg, e s’dukeshin thërrpele jeshile,
nën diellin, mjaltë, përvëlim e shkrumb.
Në fund, aty tek shpella e margaritarëve,
kumri kulumbrish, shpërgënj,
mite që pillnin fabula dashurie,
parajsa ku shuheshin kënaqësi fillake,
një ferr me shpëtimtarë!
Eh moj gjermankë,
e bardhë, krejt e bardhë,
q’i le gjurmët e tua,
në rërën mijëravjecare,
të butë, miell i butë,
pronë piratësh …
8 – Fryn erë lirie …
Fryn erë lirie në këtë kohë gënjeshtrash,
epokë e dehur në luks e fasadë,
gajasje e shakara sekrete,
brenda tyre,
dhe matanë kufijve të së folmes.
Çuditërisht u braktisën menjëherë,
heronjtë e rremë.
A t’i quanim sërish prijësa
në këtë botë shkatërrimi,
etur për padrejtësi, ku zbrazëtira
kapërcen fatin e paracaktuar
dhe zbrazëtirën ha?
Fryn erë lirie nëpër kurmet,
që i kishim humbur, të veçuar, vdekur,
që hynin në dredhore e dilnin të verbër,
(mbase me dëbimet dhe ëndrrat e vrara).
Të gjithë u zgjuan bashkë me gjërat e vogla,
gjërat e vogla që sjellin lumturi të mëdha.
Fryn erë e brishtë lirie,
që shkrepi me agun e ditës së re,
si lutje ndaj të padukshmes,
si frymë që erdhi prej tokës dhe ullinjve,
e hyri pa zhurmë në shpirtërat tanë.
Fryn erë lirie që shkruan në fijen e barit,
shtysat e mbijetesës që ushqejnë trupin e jetës,
pa kërkuar asgjë në këmbim,
veç vrimave milimetrike
ku të derdhet e gjithë drita …
9 – Jetojmë në një botë …
Jetojmë në kohën kur e Drejta,
ka humbur kuptimin, është tronditur thellë.
Të drejtë kanë të mëdhenjtë, të fortët,
raketat me mbushje bërthamore, dronet.
Ka humbur drejtpeshimi i botës,
sistemet lëkunden si pllakat tektonike
në thellësi të tokës.
Me lehtësi të pabesueshme padronët,
heqin dorë nga toka, deti, qielli
dhe shtëpitë e të tjerëve,
liria, fëmijët e të tjerëve, nga çdo e ardhme e tyre,
dhe ndërtojnë një hartë, si e duan ata,
me fjalën e bukur “paqe” .
Një hartë të thjeshtë.
Vizatojnë disa vija,
ngjyrosen territore me ngjyrë tjetër,
dhe ky quhet kompromis.
dhe jo thjesht, shtyrje e luftës së ardhshme.
Të gjithë e duan paqen!
Para së gjithash ushtarët e frontit,
të cilët njohin luftën,
jo luksin e hoteleve luksoze dhe jahteve.
Të vrarët pa një varr,
robërit, të shperngulurit
me thesin e lodrave të fëmijve në kurriz,
me shenjat e kujtimeve, dhe pragjet.
Harta është gati:
Po kush do të paguajë saktësisht për paqen?
Jetojmë në një botë …
10 – Puthja …
Puthja është frymë
me gojë dhe shpirt,
mall’ i saj, djegë e tij, është zotërim,
Me gjithë zhbirimet pafund,
enigma nuk zbehet.
Puthja ka zbritur nga parajsa,
mbi dy gjinj të fortë,
në dy kofshë të ëmbla.
Si uverturë muzikore,
e përveçme në magjinë e saj.
Puthja e piktorit Klimt,
në Vjenë, tek muzeu Belvedere.
Më e pazbërthyeshme
se Xhakonda e da Vinçit,
shije … shije …
e kuqe shege.
Puthja e njeriut …
11- Ti ike …
Ti ike se idetë e tua ishin kaotike,
thuajse në mëshirën
e sendeve që të rrethonin,
pa u kujtuar për të kaluarën,
qoftë dhe me një përmendje kalimthi.
Ti ike se doje të bindje veten,
që nuk ishe në kërkim të lirisë,
por të justifikimit për dëshirat e tua.
Kujtesa nuk të ndihmoi të kuptosh,
atë që kishe shmangur – vetveten,
shpesh një alibi e bukur,
për papërgjegjësitë.
Ti ike,
për të gjetur shtegun e rikthimit,
se njeriu nuk piqet duke gjetur veten,
por duke mbajtur peshën e ëndrrave
që të tjerët mbështesin mbi ty.
Ndoshta duhej ikur…


