KreuLetërsiBibliotekëODISEA ELITIS: Safo - Eros dhe Pathos

ODISEA ELITIS: Safo – Eros dhe Pathos

Esenë e Elitisit dhe Antologji e poezisë lirike arkaike – fragmente poetike
I shqipëroi Petro Çerkezi

Natyra krijon lidhjet e veta farefisnore, ndonjëherë shumë më të forta se ato që krijon gjaku.

Dy mijë e pesqind vjet më parë, në Mitilenë, unë ende e shoh Sapfon si një kushërirë të largët me të cilën luanim së bashku në të njëjtat kopshte, rreth të njëjtave pemë shege, mbi të njëjtat sterna. Pak më e moshuar, ezmere, me lule në leshra dhe një album sekret plot me vargje që nuk më lejoi kurrë ta prekja. Sigurisht, është vendi ku jetonim në të njëjtin ishull. Ku kishim të njëjtën ndjesi për botën natyrore, atë karakteristike, e cila mbetet e pandryshuar që nga ato vite deri më sot, duke parë fëmijët e Eolidës. “Por mbi të gjitha, ne punuam – secili në masën e vet – me të njëjtat koncepte, për të mos thënë me pothuajse të njëjtat fjalë: me qiellin dhe detin, diellin dhe hënën, bimët dhe vajzat, dashurinë. Një çiftëzim, gjysëm në qiell dhe gjysëm në tokë, gjysëm në dyshim dhe gjysëm në pavdekësi, të dukshme qartë dhe asgjë tjetër. Të më falni, pra, që flas për Sapfon si për një bashkëkohësen time. Në poezi, si në ëndrra, askush nuk plaket.

Gjëja e parë që të bën përshtypje te Sapfoja është besimi që ajo tregon në idenë poetike, perceptimi i saj se duke shkruar bëhet bashkëpronare e pavdekësisë. “Μνάσεσθαί τινά φηµι καὶ ὕστερον ἄµµεων”. “Mendoj se dikush do të na kujtojë në të arthmen” deklaron ajo, dhe kjo është diçka që “Homeri ndoshta nuk e kishte menduar kurrë. Sikur poetja ta dinte që atëherë se edhe nëse koha do të fshinte nëntë të dhjetat e veprës së saj, ajo, si një ndjenjë jete, do të mbijetonte”. “Siç ndodhi. Nuk ka shembull më të mirë të fuqisë që mund të ketë fjala poetike. Vargje të prera, gjysmëvargje, fjalë të thyera, një asgjë; dhe nga kjo asgjë, një mrekulli: një personalitet i plotë, me karakteristikat e tij të veçanta, mitin e tij individual dhe të gjithë dekorimin natyror dhe njerëzor të hapësirës kulturore ku është zhvilluar. Aq i madh, mund të thuhet, është magnetizmi i çliruar nga fjalët, saqë ato janë të shkëputura nga boshti i nënshtrimit të tyre utilitar. Në rastin që na shqetëson, edhe vendosja e tyre këtu ose atje brenda tërësisë mendore që ato supozojnë, na lejon të kapim një formë të re të poezisë që lindi në atë kohë, me sistemet e saj metrike, fjalorin e saj, sekretet e saj të ndryshme. Dhe kjo është një mrekulli e dytë. Në një kohë kur themelet fetare të shoqërisë janë ende të rrepta; ku diskursi epik ka monopolin e shprehjes; ku elementi heroik është vlera e përhershme dhe e pranuar; një Arkilok në Paros dhe një Sapfo në Lesvos – për të përmendur më të rëndësishmen – përmbysin gjithçka, sjellin ndjenjat dhe ëndrrat në plan të parë, guxojnë të flasin për jetën e tyre individuale, të shprehin hidhërimin e tyre, të këndojnë, të kërcejnë. I pari në Egje dhe i pari në të gjithë botën e njohur, dua të them në qytetërimin që vazhdojmë edhe sot. Nëse midis fragmenteve që na kanë mbetur ne tashmë mbledhim shprehje diamanti, duhet të supozojmë, sipas ligjit të propabilitetit, se midis nëntë librave poetikë që shkroi Sapfo, një thesar i vërtetë fjalësh me fuqi reflektuese, i krahasimeve të imazheve të guximshme dhe origjinale, ishte krijuar tashmë atje, në Egjeun Lindor, përpara se ajo që ne përgjithësisht e konsiderojmë një mrekulli greke, dhe dua të them, sigurisht, Demokracia Athinase, të fillonte të lulëzonte.

Historianët kanë folur për mënyrën jashtëzakonisht të rafinuar dhe të pasur të jetesës që Lesvosi kishte zhvilluar në shekujt VII dhe VI. “Një përzierje e moralit të lirë dhe institucioneve të bazuara në modele kulti, ku natyra dhe dashuria kishin një vend të spikatur. Nëse shtohet fakti se në brendësinë e kundërt aziatike, jo shumë larg, ishte Lidia, me Sardën, e famshme për kozmetikën dhe kostumet e grave, do të kuptojmë se si, pranë Parisit të asaj epoke, gratë e Mitilenës mund të flisnin siç fliste Sapfo. Shtëpia e saj sigurisht që kishte njëfarë ngjashmërie me “sallonet letrare” të Evropës së paraluftës. “Një qendër për edukimin e mëtejshëm të vajzave të shoqërisë së mirë, një lloj akademie të lartë ose konservatori, këto vajzat e reja më të avancuara të ishullit gjenin mundësinë të përsoseshin në vallëzim, këngë, poezi dhe sjellje delikate. Ishte e destinuar që disa prej tyre, Atthis, Anaktoria, Gongyla, Gyrinno, Mnasidica, do të na arrinin të mbështjella me një mjegull të artë shkëlqimi dhe bukurie.

Anaktoria (deri pardje menduam se bëhej fjalë për një farë Arignata), një nga fragmentet më të bukura, nëse jo më i bukuri, figura e heroinës – e cila është larg në Sardë – del në pah falë një teknike origjinale, nga mënyra se si e përmend poetja me miken e saj më të dashur. “Sa më shumë përparojmë, aq më shumë e ndiejmë poemën të mbushur me misterin e një figure femërore që as nuk e dëgjojmë as nuk e shohim, por vetëm e hamendësojmë përmes një thyerjeje emocionesh jashtëzakonisht të buta, të dërguara me hënën drejt bregut përballë dhe rikthyer sërish me zërin e së dashurës së humbur, që nata, me mijëra veshët e saj, një “natë e shumfishtë”, përpiqet t’i kapë mbi valë”.

Në një çast të tillë mund të kuptojmë tërë vlerën lirike të Saphos, jo tek “Afërdite e pavdekshme fronlarmë”, dhe shumë më pak tek mbetjet e përdorimit të mëvonshëm të epitetëve të zbukuruara si “gishtëtrandafiltë” dhe “sandaleartë”.

Në këto, si edhe në disa shprehje të urta që nuk e kanë humbur ndikimin e tyre deri më sot dhe që ndoshta askush nuk do t’i priste nga një grua: nuk është e mundur që njerëzit të mos habiten nga befasia. Një krijesë e tillë, e ndjeshme dhe guximtare njëkohësisht, jeta rrallë na e paraqet. Një vajzë e brishtë, me lëkurë të errët dhe të thellë, një “zeshkane e vogël”, siç do të thoshim sot, që megjithatë tregoi se është në gjendje të nënshtronte një trëndafil, të interpretonte një valë ose një këngë bilbili dhe të thoshte “të dua” duke prekur botën.


ATTHIDA

Si era ma tronditi erosi mendimin
si erë që përkul lisat malorë.
Erdhe, ç’vendim i mënçur, sa shumë të kërkoja
freskove shpirtin tim dëshirash djegur.
Ishe më e bardhë se qumështi
nga uji më e freskët
dhe më e butë prej vellos së mëndafshtë.
Nga trëndafili më e dlirë
dhe më e shtrenjtë se ari
edhe nga lira më e ëmbël, më melidioze…

  1. “Ερωτας που με λυγίζει…” *)

Erosi vjen mbi mua si furtunë e ëmbël,
ma shkul shpirtin nga kraharori,
si erë që shtrihet mbi male
dhe i bën lisat të dridhen
si fëmijë përballë rrufesë.

  1. “Ό,τι αγαπάς είναι το ωραιότερο…”

Disa thonë se më e bukura mbi tokë,
është ushtria e kalorësve
apo rreshtat e ushtarëve
apo anijet e zeza që priten nga dallgët.

Unë them, më e bukura
është ajo që zemrën prek
dhe e ndez si flakë e brishtë.

Dhe tani, kur e dashura ime kalon pranë,
drita e saj më dhel butësisht,
si pranverë që hap petalet
me një frymë të vetme.

  1. “Η Σελήνη και οι Πλειάδες χάθηκαν…”

Hëna u tret ngadalë
dhe plejadat ranë në humnerë.
Nata është plakur, e heshtur.
Unë rri zgjuar,
ulur përballë territ,
duke dëgjuar frymën time
si një violinë vetmitare.

  1. “Φαίνεταί μοι…”

Ai që rri pranë teje
duhet të ketë lindur nga qielli,
sepse ti qesh
dhe bota përreth ndalon.

Kur sytë e mi takojnë të tutë,
fjalët më shkrihen,
si akulli nën diell;
një zjarr i hollë më përshkon,
ndez gjakun tim,
errëson botën,
dhe më lë pa frymë,
si të më kish puthur vetë nata.

  1. “Ο Έρωτας μου συντάραξε τον νου,…”

Erosi erdhi i tërbuar dhe më tronditi
si erë që gris re dhe çan male.
Ma mori mendjen,
ma vodhi qetësinë,
dhe unë mbeta të dridhem,
si purtekë e njomë
në prag të stuhisë verore.

  1. «Ο Έρωτας πάλι με λυγίζει…»

Erosi kthehet gjithmonë dhe më përkul,
me hapat e tij prej dritë-hijeje.
Më prek me gishtat e tij hollakë
dhe unë shkrihem,
zhytem thellë,
si gur që bie në ujë të zi
pa kthim.

  1. “Από πού να αρχίσω;”

Nga t’ia nis?
Cila fjalë e parë mund ta mbajë
peshën e kujtimit?

Gjërat vezullojnë para meje,
si copa të një ëndrre të vjetër,
dhe zemra ime dridhet
sikur prek një plagë
që ende shkëlqen nën lëkurë.

  1. “Αγαπώ την τρυφερότητα…”

E dua butësinë,
ajo më vesh me dritë,
më të pastër
se rrezja e mëngjesit.
Dhe bukuria që lind nga shpirti
nuk shuhet kurrë,
edhe në ditët më të errëta.

  1. “Χάρηκες, μικρή;”

U gëzove, ylli im i vogël?
A të fluturoi zemra në ajër?
E qeshura jote
bie mbi mua si shi pranveror,
dhe unë e ndjek,
me shpirtin që vrapon pas saj,
si hëna pas dritës së diellit.

  1. “Ύμνος στην Αφροδίτη”

Afërditë, mbretëreshë e dritës së butë,
bijë e qiellit të artë,
të thërras me zë drithërues.

Mos ma thyej zemrën,
mos ma mbush shpirtin me mjegull.

Zbrit si dikur,
me landonin e ndritshëm,
të shoqëruar nga zogj
që dridhen në fluturim,
si nota të një kënge qiellore.

Zbutja zemrën asaj që dua,
bëje të më thërrasë me emër.
Dhe unë do të ngre këngën time
si një flijim drite.

  1. “Η ψυχή μου επιστρέφει στο φως…”

Kam mësuar të dua butësinë
dhe gjithçka që lind qartë
si ujë i burimit.
Nuk zemërohem me të voglat,
as nuk forcohem
kundër atyre që më plagosin.

Sepse shpirti im,
edhe i thyer,
gjithnjë gjen rrugën e tij
për t’u kthyer në dritë.

  1. “Ω μάκαιρα Σελήνη…”

O Hënë e bekuar,
që derdh dritën mbi tokë,
ndriço shtegun tonë
që të humbasim më pak
në mesnatën e errët.
Me shikimin tënd të butë
qetësohet frika,
dhe zemra gjen frymëmarrje.

  1. “Ήρθες πάλι, Χάρη…”

Erdhe sërish, Hire,
me hapat e tu prej ere,
dhe bukurinë e ule pranë meje.
Me ty
edhe dhimbja
zbutet pakëz
dhe hesht.

  1. “Της άνοιξης αγγελιαφόρος…

Lajmëtar i pranverës,
erdhe, aromë e lehtë
me lulet në duar
dhe vesën e agut në flokë.
Zgjove zogjtë,
shtyve ujërat në këngë,
dhe shpirti im,
si flutur, hapi krahët.

  1. “Ανίκητε Έρωτα…”

Eros i pathyeshëm,
askush s’i shpëton flakës tënde.
Disa i gjunjëzon,
disa i shtyn drejt dritës;
dhe në fund
të gjithë digjen
dhe shkëlqejnë me ty.

  1. “Πολύθρονη Αφροδίτη…”

Afërditë shumëfronëshe,
e shenjtë dhe e fuqishme,
shuaje zjarrin që më djeg në shpirt
ose jepmë forcën
ta duroj.
Se dashuria
është e hidhur dhe e ëmbël.

  1. “Μην τραγουδάς θρήνο τώρα…”

Mos këndo vajtimin nis;
le të jetë nata e butë,
dhe goja jote
si petal luleje.
Bota ka mjaft trishtim;
ti sill pakëz dritë.

  1. “Σαν όνειρο μού φάνηκε…”

M’u duk si ëndërr
se qëndroje pranë meje,
dhe errësira
u bë befas e butë si kadife.
U zgjova vetëm,
por ngrohtësia jote
më mbeti në kraharor
si frymë.

  1. “Αν έρθω σε εσάς…”

Nëse vij tek ju,
më sillni lule të arta
dhe ujë kristal.
Të laj fytyrën
nga gjithçka që më dhemb,
dhe të qëndroj
si grua e re
përballë gëzimit.

  1. “Έλα και τώρα…”

Eja dhe tani,
siç vjen gjithnjë
kur të thërret zemra ime.
Sill qetësi,
thyeje frikën,
dhe lëre dashurinë
të endet sërish
në shtëpinë time.

  1. “Το φως του ήλιου…”

Drita e diellit u ul pak,
dhe mbi tokë zbriti heshtja.
Vetëm një fije ere
preku faqen time,
si kujtim i largët
prej teje.

  1. “Το γέλιο σου, κορίτσι…”

E qeshura jote, vajzë,
çan ajrin si këngë e pastër.
Edhe zemrat më të rënda
ngrihen për një çast,
si fëmijë që harrojnë dhimbjen.

  1. “Στα μάτια σου είδα…”

Në sytë e tu pashë
detin duke u trazuar
dhe hënën e ndrojtur
të zhytej në valë.
Më thirre,
dhe unë, pa fjalë,
rashë në dritën tënde.

  1. “Αν κάποτε φύγεις…”

Nëse një ditë do të ikësh,
mbaje me vete këngën time
do të të gjejë
edhe mes maleve,
edhe mes deteve.
Zemra ime udhëton
më shpejt se hapat e tu.

  1. “Μικρή μου, μη φοβάσαι…”

Vogëlushja ime, mos u tremb;
nata është një mantël i errët
që strehohet mbi ne.
Unë jam këtu,
dhe fryma ime
do të ruajë gjumin tënd
si vel drite.

  1. “Η θάλασσα απόψε…”

Deti sonte murmurit
si grua që kujton dashurinë.
Hapat e valëve
shkulin gurët,
por jo emrin tënd
nga goja ime.

  1. “Όταν γελάς…”

Kur ti qesh,
e gjithë toka hapet
si lule nën shi.
Edhe unë,
e lodhura,
gjej forcë të jetoj një ditë tjetër.

  1. “Ένας άνεμος σήκωσε τα μαλλιά σου…”

Një erë të rrëmbeu leshrat
dhe m’i hodhi mbi fytyrë
si perde drite.
U verbova pak
jo nga dielli,
por nga bukuria jote
që më rrëzoi.

  1. “Στη σιωπή ακούω το όνομά σου…”

Në heshtje dëgjoj emrin tënd,
si pëshpëritje mbi gjethe.
Të kërkon nata,
të kërkon shpirti im,
dhe çdo yll
më çon drejt teje.

  1. “Αν μπορούσα να σε κρατήσω…”

Sikur të mund të të mbaja,
dhe për një çast,
koha do të ndalej
si zog mbi dorë.
Por ti je hije drite,
vjen
dhe ikën fluturimthi
pa prekur tokën.

*)Titulli në greqisht është vargu i parë në shqip

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË