KreuLetërsiBibliotekëRei F. Hodo: Kush ta plogështon agun... det (Cikël me poezi)

Rei F. Hodo: Kush ta plogështon agun… det (Cikël me poezi)

21:44 

s’flet as valë 
as bregu flet 
tretet dhembja 
koha shket e tret 
 
një njollë si plagë 
melhemi është varg 
njomet si vjeshta në shi 
mbetur nga zjarrëshuari hì 
 
s’tret as fjalën 
dhembjen përkëdhel si mall 
 
vetëtimat zhvirgjërojnë valën 

22:00 

shtigje hëne 
si gjì nëne 
shtigjet e tua 
hëna i merr hùa 
 
në hënë s’di 
a bëhet shtrat 
a dashuri 
 
hëna ngjall plagën 
vetmi

zgjimi si kambana 

dhe zgjohem nga tik-taku i kishës 
sikur vetë zoti përkund 
kavon e leshtë të 
kambanës 
 
por zoti s’është aty 
unë kam bujtur me varg tek oda e tij 
dhe sikur më pa vëngër drejt e në sy 
kur dëgjoi se atë e kisha ngjallur  
në sa e sa vargje mëkatuar poezi 
 
dhe zgjohem nga tik-taku i kishës 
sikur vetë patër Bernardi lëkund 
butë kavon strikte të kambanës 
 
një natë më parë çeliku i saj 
binte në dashuri 
në prehër të hënës 
 
duart më dhembin si kallot e sakristanit 
dhe zgjohem për së dyti nga buçima e kishës 
 
ç’po ngjet patër Bernard 
zëri i kishës më bëhet si një vakt mëngjesi 
të ngop shpirtin që kullon rima 
 
unë nuk jam bariu juaj 
jam një tufë metaforash në stan prej dielli 
 
fjalët sikur kapen pas buçimave dhe shtegëtojnë larg 
në varshavë dublin  
lisbonë a madrid 
 
unë nuk jam bariu juaj 
jam një stan morfemash 
rrethuar nga hapa të lodhur 
që s’njohin sa e largët është kashta e kumtrit 
 
sikur të mundja të pagëzoja fjalët 
 
dhe zgjohem së treti nga kambana e kishës 
një zë që ushton ndanë veshëve të mi 
dallgë temjani sikur mbërrin 
nga sheshi i largët shën pjetër 
 
shën pjetër 
shesh i ri aspak i vjetër 
duart si lutje brinjët e tua në asnjë formë tjetër 
 
dhe bota zgjuar si një mëmë e kujdesur 
se bijtë të mundimshme e kanë jetën 
 
unë jam një zot zanoresh në një qelë alfabeti 
mbetur jetim nga padronët e qiejve 
 
sikur të mundja të jetoja si fjalë 
të përkundesha sikur vetë kambana 
në një lëvizje të pavullnetshme prej saj 
vajtje-ardhje në sportelin e perëndisë si valë

*** 
 
në qiellin fluturues 
krahët e tu janë vaporë 
ngarkojnë mallin për lirinë 
me një biletë 
të marrë në portin e ëndrrave 
 
supet e tua janë qiejt e ri post-modernë 
rrojnë me bukën prej erës tufanit flladit 
 
në një det me pulëbardha fle e qetë 
krahët e tu janë rrënjë 
të lirisë që mbjellur është diku 
në një ngastër të shpirtit tënd

21:32 

në det hëna 
mbështet 
hijen 
 
në dhomën me dallgë nis trazimi 
ç’fytyra të paqta 
 
në hijen e mbrëmjes një hije tjetër 
si në eros gurgullohen mendimet 
prej një bote të vjetër 
 
në dhomën e nimfave xhelozojnë 
grimohen algash 
ç’fytyra të ëngjëllta 

10:37 

unë nuk jam vdekja e vargut tim 
 
një krah mesatar 
të nderet mënga e tij prej rime 
 
frymëmarrja bukë mushkërish 
 
trà i pafundmë mbi pikë të !  
 
një tollon zanoresh të uritura 
rresht për një 
nën komandë të shitëses 
 
shtrati ku fërgon ajo rënkimë 
një pasthirrmë të zhbëjë virgjërinë 
 
izbë uji gjoksi im 
luhaten mbi to si mbi kaktus 
fëmijët e pikësimit  
 
gjoksi yt është një vetmi e shndërruar 
dy thumba trekëmbësha 
të varim çfarë në mos jetën 
grimohet si rinia me të vërtetën 
 
unë jam liria e vargut tim 
një valë që bie mbi syrin e metaforës 
 
mëmësi pakufij 
s’rritet dhembja ajo burrërohet 
 
shtrati metrikë e çrregullt si gjeografi erosi 
gishtërinj arkeologjikë 
gjëmime lëngjesh si prikë 
 
dy kodërza më tej 
jeshiluar kaçurrela 
një fushë e mbjellë ku luajnë harabela 
 
unë nuk jam vdekja e vargut tim 
udhë udhë udhë 
që zgjaten si nën hapa 
 
dy sy më tej 
një portret 
një kapitull pa fund e krye 

kush ta plogështon agun… det 
 
tek këmbët e shtratit diç kërkon intuita 
netët maten me një madhësi të çuditshme 
shtretërit ngrihen mbi lëngata 
 
kënaqësia lidhet fjongo në lotin e parë 
qerpikët si zogjtë 
shtegëtimi i kthen në të pandryshuarën 
 
dritëron një diell i vakët 
prilli një mëngjes në pubertet 
 
tek këmbët e shtratit diçka kërkon intuita 
këmisha e gjumit mban ende aromë buzëqeshje 
 
nga krahu i kodrës mbi det derdhen lotët 
kush ta plogështon agun det 
s’është fundi i botës 

07:49

në trupin e kohës
nga mitra e saj mbijmë

mëmësia
është udha që e gjitha nget
me sytë që s’lodhen
duke parë nga
përjetësia

në trupin e kohës mbijmë
gjethnaja që vyshkemi dita-ditës

12:05

më thanë se në atë pjergull
e pat fshehur nëna
përrallën

fjongo ia pat lidhur gërshetin
sytë picërron ende nga pushteti i diellit
përralla dhe nëna

të parën lehtë tjerr
ndërsa nëna
thur përralla të tjera
edhe tani
edhe në ëndrra

13:52 

atje më thanë 
po nuk ka varr 
 
trupi gjithkund iu 
përhap si plagë 
 
atje më thanë 
po varr nuk ka 
 
deti në zezonë 
ç›gjëmë 
ç›hatà

*** 
 
detit nuk kam se çfarë t’i lyp 
tjetërkund e gjejmë bukën 
për të mbajtur gjallë shpirtin 
 
po bregut ulem atëherë 
kur muzgu bie 
dhe i zgjas duart 
t’i lyp frymëzimin 
 
detit nuk kam tjetër se çfarë t’i kërkoj 

07:25 

sqepi i zi i një pëllumbi të bardhë 
trekëmbësh 
të varen ëndrrat apo të jetojnë të gjallë 
 
të vrarët në mortin e tyre frymojnë 
të gjallët diçka mes pakuptimësisë 
për t’u bërë të vdekur jetojnë 
 
sqepi i zi një pëllumbi të bardhë 
trekëmbësh apo një epitaf 
të mbajë zi për të gjallët e vrarë 

20:38 

qielli hedh retë mbi supe 
të trembë të ftohtin 
 
rè të zeza 
rè bardhoshe 
të përhimta rè 
 
mbi shpatulla s’na mbetet 
të hedhim gjë as ne

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË