Të dashur miq,
Sot bëhen dy vjet qysh kur Ismaili është larguar nga ne.
Që nga ajo ditë, pyetja e vjetër që sfilit të gjithë ata që kanë humbur njeriun e dashur s’më ndahet e nuk më lë të qetë.
Ku ndodhet Ismaili tashti?
E njoh përgjigjen cliché se shkrimtari ikën, por vepra e tij mbetet me ne, lexuesit e tij. Por kjo përgjigje më duket gjithsesi e mangët, e zgavërt, skematike, si çdo ide e stërthënë dhe, tekefundit, aspak ngushëlluese.
Të më kuptoni, miq të dashur, unë si njeri i shkencës them se kam racionalitetin e mjaftueshëm për ta pranuar këtë të vërtetë të pamohueshme. Por kjo vetëm në sipërfaqe! Lidhja ime me Ismailin është shumë më komplekse se kaq dhe vështirë të kopsitet e disiplinuar në kuadrin e drunjtë të një arsyetimi kaq strikt.
Dhe prapë pyetja torturuese, herë e shurdhër, herë e mprehtë, më sillet e përsillet në kokë pa fund, si një lëngatë.
Para do kohësh më merr në telefon Mark Marku, për të më dhënë lajmin e gëzuar se Bibliotekës së Filologjikut do t’i jepej emri Kadare.
Atë çast m’u kujtua thënia e Borgesit, që e imagjinonte Parajsën si një lloj biblioteke. Ky vegim i shkrimtarit të verbër befas m’u duk se kishte lidhje direkte me pyetjen time dhe bile, propozonte një përgjigje.
Vendosa, pra, t’i besoj këtij vizioni.
Fundja, kush më mirë se një shkrimtar i njeh zakonet, huqet e sojit të shkrimtarëve, rrugëtimet e tyre andej apo këndej, vendet që u pëlqejnë të frekuentojnë?
Ideja e Markut, kombinuar me vizionin e Borgesit, u mpiksën bashkë në një si melhem zbutës, që m’u duk se fashiste disi pyetjen gërryese.
Më pëlqen, pra, të mendoj se Ismaili, bashkë me personazhet e tij, hera-herës shëtit dhe endet në këtë bibliotekën këtu, nga raftet e saj në kokat e lexuesve dhe anasjelltas, siç e mbaj mend ndër vite të vërtitej në bibliotekën e Rrugës së Dibrës apo në atë të Bd “St-Michel” në Paris.
Siç e ka cilësuar studiuesi Elidor Mëhilli, Ismaili ishte një “botëndërtues”. Botëndërtues e njëkohësisht arkitekt, me fjalë e me gurë.
Përgjatë veprës së tij shohim një pafundësi ndërtimesh: kështjella, ura, kulla, pirgje, piramida, pallate, mure, mure e të tjera mure…
Ngrehina sa reale aq imagjinare.
Nganjëherë duket sikur ai nxjerr gurë nga një ngrehinë për t’i përdorur në një tjetër ndërtim, që shfaqet në një tjetër vepër.
Ka një fill konduktor që lidh këto imazhe, fije që Ismaili, si arkitekt i zoti që është, i tërheq e i luan me lehtësinë më të madhe, me një liri absolute.
Kështu, tek tregimi Muri i Madh dëgjojmë të komentohet muri kinez nga dy personazhe njëherësh: nga brenda, me një gjuhë të mëndafshtë, na flet mbikëqyrësi perandorak, nga ana tjetër e murit, pra nga jashtë, me një gjuhë të çakërdisur, flet nomadi Kutluk.
Por nga fundi shfaqet një tjetër narrator, shpirti tashmë i nomadit Kutluk, që e quan murin kinez veç një gardhiqe qesharake, shëmbëllim i zbehtë i një muri tjetër, Murit-Amë, apo Murit Mortor, ai pra që ndan jetën nga vdekja. Kufiri i pakapërcyeshëm midis botës së këtejshme dhe asaj të andejshme.
Kalimi është përherë me një kah: vetëm që andej për këndej. Kurse e kundërta, kurrë.
Me kot mizëria e shpirtrave shpreson një zbutje të rregullave të moskalimit. Çdo dhjetë a njëzet mijë vjet përhapet pëshpërima se do të lejohet kalimi matanë, se muri mund të hapet qoftë për një çast të vetëm, pra do të bëhet dykahsh.
Moria e shpirtrave vihet atëherë në lëvizje drejt Murit të Madh, tundin ftesat, tregojnë brimat e plumbave, të gozhdëve, çjerrjet e telave me gjemba … me shpresën e kotë se dikush prej tyre e meriton një leje kalimi.
Por portat nuk hapen për askënd – thotë autori. Ligjet janë të pashpirtë, rojet e Murit janë të verbër.
Megjithatë, plot personazhe të Ismailit, nga shtigje që veç ata i dinë, kalojnë qetësisht nga bota e andejshme në botën e këtejshme.
Por personazhet s’janë veç zgjatime të mendjes së shkrimtarit, ata jetojnë brenda po asaj perandorie ku shkrimtari, citoj, “është njëherësh edhe kryezot e skllav, edhe sundues e rebel”. E nëse është kështu, s’më duket e ndaluar të përfytyrosh Ismailin në secilin prej tyre, në secilin kalimtar të murit.
Çka na shpie përsëri në këtë vend të përkryer pikëkalimesh: tek Biblioteka. Desha ta mbyll fjalën time me një pasazh më shpresëdhënës. Është pjesë nga Nata e Sfinksit, një nga ato që Ismaili i quante “tregime të tejkohshme” e që, paradoksalisht, më tingëllon kaq aktual këto ditë në Tiranë.
Monologu i Sfinksit:
Të gjithë e dinë se gjithkush dridhet frikë prej meje. Po ndoshta askujt s’i shkon ndër mend se si dridhem unë vetë. Ashtu si ata, nga frika.
Është ankthi që unë krijova vetë, duke kujtuar se, sa më shumë t’i shtyp njerëzit me të, aq më tepër do të çlirohem prej tij.
Po fati deshi që të ndodhte e kundërta.
Të dashur miq, asnjëri nuk e di se si do të jetë e ardhmja, veç dimë se do të jetë ndryshe nga e sotmja.
Faleminderit për vëmendjen.
Fjala në përurimin e bibliotekës “Ismail Kadare”


