KreuLetërsiBibliotekëRoland Gjoza: Një milion arka me birrë (tregim)

Roland Gjoza: Një milion arka me birrë (tregim)

Ishin shtatëmbëdhjetë afishe që u ngjitën te muri me kangjella i hotel Rogner-it. Në fillim nuk bënë përshtypje: gjithfarë afishesh mbinin përditë në atë qytet të kaosit. Dikush, një emër i panjohur, Pric Zask, bashkë me agjentin e tij letrar, shefi i prozës klasike amerikane në shtëpinë botuese: Arlekin, ftonin artistët e kryeqytetit në një mbrëmje gala ku do të njiheshin me Balzakun modern, nominuar dy herë për çmimin Nobel. Turma e stërmadhe, si një përbindësh që hiqej branë natë e ditë, një masë amorfe si e përzishme, i tundi bishtin asaj afisheje pa një grimë interesi dhe shkoi e humbi në kafenetë e pafundme dhe në lotosportet e pafundme që gumëzhinin hareshëm e herë-herë llahtarshëm prej grindjeve dhe vrasjeve. Ishte një qytet i turmës, jo i artistëve që kishin marrë arratinë. Po, veç, aty kishin mbetur një grusht ambiciozësh delirantë që ia kishin arritur të krijonin pushtetin e trembëdhjetë. Një pushtet i tmerrshëm që mund të rrezonte qeveritë. Kishin vila, automobilë, dashnore, kishin pothuajse gjithçka, po ja, që iu mungonte kjo afishe, që i tronditi fund e majë. Një nga ata të ikurit e dikurshëm, kthehej fitimtar. Me një agjent letrar, që ia bënte stampën solide: me një fjalë, djali plangprishës, kthehej në shtëpi, si Ulisi. Mëtuesit u mblodhën rreth asaj afisheje dhe shikonin njëri-tjetrin në sy. Ç’ishte kjo? Pyetën në hotel, një nga më të shtrenjtët, ku rrallë ua sillte rasti të hynin dhe morën vesh se zoti Zask s’kursente as para, as dashuri, se s’kishte më simpatik dhe dorëshpuar se ai. Në ç’orë? Në gjashtë. Po ku? Të salla gold, pra, më e shtrenjta. E pse të mos shkojmë? Po a e keni dëgjuar këtë emër? Ncuk. Pyetën përsëri: ç’gjuhë flasin? Anglisht. Ka koktej? Është i veçantë. Ashtu? Po tjetër? Të tjerat janë sekret. Po keni për të mbetur të kënaqur. Le të shkojmë.

U mbush salla gold cit më cit me të shquarit e pushtetit të trembëdhjetë: as edhe një qime në jakat dhe supet e xhaketave të pastruara me merak prej një vesi sqimatar që më shpesh fitohet kur emri tingëllon. Ashtu si me marifet iu turrën pijeve gjithfarëshe, gjer dhe tek ato më të rrallat, si, bie fjala, rumi i Tanganikës. Me vonesë erdhi zoti Pirc Zask, i ndjekur nga një shulak që merrte frymë me zor, i cili mbante në cep të buzëve një puro havane të saponisur. Të gjithë shikonin me fort agjentin me sy blu, të shogët, tejet energjik, që gjithsesi bënte përshtypje të veçantë, ngaqë iu ngjante fort zotërinjve të zot që trokasin me zhurmë nëpër faqet solide të romaneve të Balzakut. Platitja që erdhi si me një ankth kapitës, ia la vendin shpërthimit të beftë të një shampanje që u hap diku nga fundi si një e shtënë pisqolle. Të gjithë ngrinë, po kur Pirc Zask qeshi dhe duartrokiti, të gjithë qeshën dhe duartrokitën.

Zask, bëri një shenjë me dorë se do të merrte fjalën dhe tha: Faleminderit që erdhët. Ju s’më njihni, padyshim, jam Pirc Zask, shkrimtar, kolegu është agjenti im letrar, i cili ka meritën se e spikati, e çoi atje ku duhej, e mbrojti veprën time… me një fjalë, është ai që pothuaj më dha famën. Ndoshta fati, zotërinj, jo se të ndjek, po ti rastësisht je ndodhur në vendin e duhur, ku ai pati kohë të merrej me ty. Amerika, miq, Amerika e ëndrrave që duhen punuar. Atë bëra: zura një bodrum në lagjen më të keqe, ku të zinjtë rriheshin dhe hispanikët kishin probleme me atësinë, ngaqë shumë gra pillnin me burra të ndryshëm. Pse qëndrova atje, mund të pyesë dikush. Sepse themelet ndërtohen nën tokë. Isha dhe jam dishepull i Balzakut.

Këto fjalë po bënin përshtypje të madhe dhe Zask shikonte në dritën e syve të grave që filluan t’i rezervojnë parte të vogla sekretesh. Ndërsa burrat e tyre kishin ndezur pishtarë te

sytë e tyre ambiciozë dhe kishin nisur qëkur kryqëzatat për Jerusalem.

Zotërinj të nderuar, unë ju njoh të gjithëve, sepse këtu e nisa shkrimin, nëpër këmbët tuaja, që më shkelmuan… Ato shkelma më ndihmuan, sepse më hodhën matanë, atje ku ëndrrat ndërtohen, nuk jepen.

Një tjetër shpërthim shampanje si e shtënë pisqolle. Një grua lëshoi një ulërimë, jo aq të frikshme, po më fort ankuese, sepse shkumat e shampanjës ia ndynë fustanin më të preferuar që e vishte për herë të parë.

Unë këtu isha i dështuar, fare e natyrshme, sepse këtu të gjithë ishin të mëdhenj dhe të mëdhenjtë, si ariu, bie fjala, s’kanë faj që i shkelin me putra mizat e dheut. Edhe kjo më bëri mirë. Sepse atje shkova i shkelur dhe e dija ç’donte të thoshte poshtërim dhe fyerje. Kjo i bën mirë çdo krijuesi. Kishin faj? Aspak. Veçse më dhanë mësime. Gjithmonë i kam pasur qejf flokët. Hyra në një sallon bukurie dhe shumë shpejt u bëra i njohur. Aty u njoha me zotin Richardson, mirëbërësin tim, i cili nuk e di shqipen dhe ju kërkon të falur. Ky burrë është shumë i njohur në West: producent filmash, aktor, financier, sepse familja e tij ka një seri bankash në Amerikë. Erdhi një ditë, duke fshirë shogën e tij dhe më tha se isha shkrimtar i madh. Unë nuk e besova, natyrisht, sepse kur s’më përfillën në vendin tim të vogël, si të më vlerësonin kaq shumë në vendin më të shquar të botës? Pra, aty tek ai sallon mode ishte ulur fati, që priste radhën për të prerë flokët dhe u bëmë miq. Isha në vendin e duhur, po jua përsëris, fati gjithmonë është në vendin e duhur, po ne a jemi atje? Kjo është çështja. Më botoi pesë romane radhazi dhe kritika u shpreh shumë mirë. Më kanë quajtur Balzaku modern. Jam nominuar dy herë për çmimin Nobel. Po për këtë do të thotë dy fjalë zoti Richardson, Majkëll Richardson.

Ky djalosh që shikoni, e mori fjalën shulaku, fare i qetë, duke vazhduar të pijë uiski, është një fenomen letrar. Ai është krenaria e shtëpisë sonë botuese. Na e ka rritur prestigjin në fushën e letrave amerikane që s’të pranojnë kollaj. Që në fillim shkëlqeu, ashtu papritur dhe bujshëm, aq sa  gati na dukej i pabesueshëm. Ky t’i shkruajë këto? Po Amerika është mësuar me sensacionin, ajo e ka atë si tre vaktet. Dy filma janë bërë me romanet e tij. Dy filma të nominuar për Oskar dhe ju s’dini asgjë. Asgjë fare. Nuk është mirë. Aspak mirë. Unë nuk kam ardhur këtu për të lidhur kontratë me ndonjërin prej jush, po për t’iu thënë, se në Amerikë keni një shkrimtar të madh, që ju ende s’e njihni. Gjithashtu dua t’iu them se ai është kthyer këtu prej nostalgjisë: për t’iu treguar juve që s’ia pikasët talentin, se ai megjithatë ju do dhe do t’iu ndihmojë. Jo, nuk erdha për të bërë ndonjë kontratë, sipas sugjerimit të mikut tim, po ama, jam i shtrënguar të veproj, nëse ai më urdhëron.

U bë heshtje e madhe, aq e ankthshme ishte kjo heshtje që ra, si prej një vullneti jashtë trupave të ngrirë të këtyre njerëzve që s’donin të besonin kurrsesi se po flitej për një tjetër, në gjuhën aq të lakmuar që ai tjetri ua përkthente me kaq siguri dhe hir ngashënjyes. Eh, ç’fat! Gjithsesi kjo psherëtimë u shpëtonte kur e kur me dhimbje të madhe.

Zask u fut në turmë dhe zoti Richardson iu afrua zonjave që nuk ia ndanin sytë. Rreth tij u bë një grumbull i madh, tërë ai zhgan kostumesh me taft parfumesh eksitues, morën një duhmë të rëndë prej puros që ai e thithte dhe e shfrynte me shtëllunga. I kërkonin autograf, donin të njiheshin me të, zonjat gati u bënë të konsumueshme nën atë vështrim të trazuar që iu hidhte si me sekret ngacmues, shulaku gjakftohtë, që nuk premtonte asgjë, tregohej i rezervuar, mosbesues, i trishtë.

Nuk i keni sjellë romanet me vete? e pyeti një zonjë plakë, tejet e rrudhosur, që mbante bastun dhe i kishte sytë si prej vajze. Dora që mbante bastunin i dridhej. Jo, erdha thjeshtë për mall. Me ketë rast takova ata që kam adhuruar dikur. Më dilnin në ëndërr, e çuditshme kjo. Sa dëshirë kisha t’ju lexoja ndonjë roman, tha zonja plakë dhe fshiu sytë, ju jeni dhe i bukur. Sa m’u bë qejfi që ju kanë botuar atje! Unë kam shkruar dikur, po për çështje biografie, nuk më botuan gjë, pastaj vdiqa nga kanceri në moshën 20 vjeçare dhe, sa herë ka ndonjë ngjarje si kjo e sotmja, unë vij. Të gjithë këta që sheh janë gjallë. Nuk vdesin. Atij iu dhimbs kjo plakë që fliste me zë vajze. Kam qenë e bukur, tha ajo. Merrja leje në polici kur vija në ketë qytet, vetëm për të bërë rrezet. Nuk më lejohej të shikoja ndonjë film, apo operë. Atëherë kisha shumë qejf të shikoja Traviatën e Verdit, po s’më lanë. Vdiqa pa e parë. Ajo nuk i ndahej. Dikush i vuri dorën në sup: ishte një fytyrë e pagdhendur, të cilit i linte një shenjë prej gjaku kravata e mbërthyer fort në fyt. Jam më i shquari, unë kam një zakon, kur s’më marrin vesh, nuk e hap gojën për t’i bindur, po ua këpus me grusht. Ha, ha, ha…! Nuk do të më ndihmoni të botoj andej? Patjetër, në qoftë se jeni më i shquari. Po, po, të gjithë të tjerët, kot sa merren me letërsi, po ç’t’i bësh, duhet dhe qielli i mbushur me yje… Ha, ha, ha!… Do t’i ndihmoj më të mirët! Jo, mos bëni gabim! Edhe ata e pranojnë, cilido prej këtyre pafatësve, çmimet e para vetëm unë i marr. Patjetër! 

Zask e dinte se do ta kapnin nga xhaketa, supet, qafa, krahët dhe ashtu ndodhi, ai të gjithëve iu premtoi ndihmën e tij gjer në pamundësi. Mos u bëni merak, ju jeni vëllezërit e mi. Ç’fat! dëgjonte të pëshpëritej. Po si nuk ndau një roman? A nuk të vjen çudi? A vihet pa veprat në një takim si ky? Ç’thotë agjenti i tij? Zask nuk dashka t’i publikojë romanet e tij këtu, se nuk do të lëndojë shumë zemra të dashura. A e kupton ti këtë? Do të lëndoka zemra. Po, ka të drejtë, shkrimtari nxjerr të fshehtat e familjes, fisit, farefisit. Jo, jo, unë i jap të drejtë. Ec e merru me gjyqet tona pastaj! Mirë kjo, po të del ndonjë hundëlesh e të këput plumbin, se këtu të vrasin për një fjalë gojë, jo më për…

Zoti Richardson po korrte sukses të madh me firmën e tij si këmbë pate. Jepte autografe dhe ç’i propozonte Zask, ai nënshkruante kontrata fillestare vetëm për të lexuar dorëshkrimin, pasi të përkthehej dhe t’i dërgohej me email.

Pastaj Zask ngriti dorën dhe tha me zë të lartë:

Zotërinj, jeni të ftuar për darkë në sallën matanë. Askush nuk e priste këtë darkë, e cila nuk ishte shënuar në afishe. Jashtë ndërkohë shkrepnin rrufe dhe në xhamat e mëdhenj dhjetëra vetëtima si gjarpërinj të ngrirë shfaqeshin dhe zhdukeshin si në festat pagane. Të gjithë u shtynë nën atë vërshim të qiellit të madh që breronte furishëm dhe u futën në sallën tjetër, që quhej Platinum dhe zunë vende në tavolinat me lule dhe shandanë të mëdhenj ku ishin ndezur qirinjtë me ngjyra.

Ngriheshin dolli për nobelistin e ardhshëm, po më fort për Richardsonin që dalëngadalë nga një njeri i paafrueshëm, u bë çakërrqejf dhe s’i pushonte goja, ndonëse pjesa më e madhe nuk e kuptonte ç’kuturiste me ata sytë blu përplot shkëlqim. Nuk i ndahej dorës se tij të tultë dhe leshtake ajo gota me uiski, që i tundej e i derdhej prej gajasjes e humbjes së ekuilibrit. Ç’thotë? i pëshpëriti plaka me bastun Pirc Zaskut. Asgjë, iu përgjigj ky, e ka zakon, sa herë dehet, bën kështu. Ti, iu kthye Zask asaj, nuk do të nënshkruash një kontratë për t’u botuar në Amerikë? E, ç’ta dua. Unë do të kthehem përsëri atje. S’vuaj për këto unë, po kam kureshtje të di e të shoh kur ndodhin këto ngjarje, se, siç ju thashë, vdiqa në moshë të re dhe më mbeti peng që s’pashë dot Traviatën.

Mbaroi mbrëmja dhe të gjithë u puthën me Richardsonin që vërtitej gjithandej me një qese të madhe të zezë në dorë. Me Pirc Zask, megjithatë e kishin një fije ndrojtjeje prej Nobelit dhe një përçmim e fyerje që ai iu kishte dhënë një pritje e një darkë kaq të kushtueshme në sy të grave, që s’po i bënin kurrsesi të lumtura deri në fund. Ah, ky çmimi Nobel!

Jashtë shiu i kishte qullur afishet, një pjesë e madhe kishte rënë mbi trotuar dhe ujërat e furishme i shqyenin dhe i merrnin me vete.

Edhe kur ata të dy hynë në dhomë, plaka me bastun nuk iu nda për asnjë hap, i ndoqi edhe kur u hap qesja e zezë plot me para. Nuk ua kërkova, m’i dhanë vetë! tha Richarson. Janë mbi njëqind mijë euro e dollarë. Plaka qeshi: ah, ah, ah… Unë s’kam një dysh! tha dhe nuk pushoi se qeshuri, me zërin prej vajze, e kuptoj, e kush nuk e di këtë!… Ah, ah, ah… Po kjo kush është? pyeti Richardson, po nuk mori përgjigje.

Edhe kur u nisën për Amerikë, ajo i ndoqi pas. Po ti ku po shkon? e pyeti Richardson. Unë jam e vdekur, shkoj kudo. Po ju kush jeni? Aman, dua të di se kush jeni ju. Zoti Pirc Zask më tregoni kush jeni, ju lutem!… Unë pastrues në një hotel Marriot në Manhattan, ky, shefi im, që më mban në punë, se darkave vonë unë zbres poshtë, marr një arkë me birra dhe e thajmë atë deri në mëngjes. E di pse e bëra? Po hë, këtë dua të di, tha plaka. Një peng i vjetër: nuk u bëra dot shkrimtar, sepse qysh atëherë të gjithë ishin nobelistë dhe po të mos ishe nobelist nuk bëheshe dot shkrimtar. Unë doja t’ua përkëdhelja ketë ëndërr! Me kishte hipur! Se ëndërr është kjo e djallosur jetë. Një milion arka me birrë! shtoi Richardson i lumtur duke treguar paratë.

New York, 2017

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË