KreuMuzikëStefan Çapaliku: Pse Rozafa frymëzon kaq shumë?

Stefan Çapaliku: Pse Rozafa frymëzon kaq shumë?

“Si j’avais pu choisir ma mère, j’aurais choisi Rozafa”. (Po të mund ta zgjidhja nanën time, athere kjo do ishte Rozafa).

Marguerite Yourcenar

Pse Rozafa frymëzon kaq shumë?

Sepse ban bashkë disa nga temat universale të artit, si sakrificën individuale për të mirën e përbashkët, amësinë, besën, tradhtinë dhe besnikrinë. Kjo e ban Rozafën të krahasueshme me figura mitike si Antigona, Alkesta apo Ifigjenia, por me një tipar të veçantë, që ka lidhje me faktin se flijimi i saj nuk lidhej me nji fat të paracaktuem nga hyjnitë, por me sakrificën për ngritjen e një vepre njerëzore dhe vazhdimësinë e jetës.

Asht interesant fakti se Marin Barleti, i cili shkruan gjatë e gjanë përmbi themelimin e Shkodrës, nuk shkruen asnji fjalë mbi legjenden e murosjes, duke ba kështu tërthorazi me dije se nuk e njeh. Përkundrazi ai na flet për dy motra, Roza dhe Fa si themeluese të kështjellës.

Ndërkaq lufta për t’i ba të vetat këto mite nisi me epokën e nacionalizmit, përkatësisht Rilindjes, kur motive të ngjashme u gjetën dhe u lidhën me objekte të tilla si kështjella, ura, manastire, nga Greqia e Veriut e deri në Francën e Jugut. Kësisoj miti i Rozafës nuk është vetëm shqiptar. Ai i përket familjes së të ashtuquajturave “legjenda të murosjes” (immurement legends), të njohuna në gjithë Ballkanin, por varianti shqiptar konsiderohet ndër më poetikët dhe më të zhvilluemit. Janë gjasat që etërit franceskanë të jenë sulë për ta shpallë tonën kangën e kalasë së Shkodrës dhe mbas tyne edhe studiues si Edith Durham, Milman Parry, Alan Dundes dhe Robert Elsie, të cilëve duhet t’ju jemi mirënjohës.

Më vonë në botën artistike shqiptare janë krijuar me dhjetra vepra artistike mbi këtë motiv: Opera, balet, poema simfonike, korale, kompozime për orkestër. Kështu p.sh në vitet ’50, Rozafa vjen si muzikë baleti për piano. Vepra i përkiste nji tjetër artisti shkodranë pianistit Tonin Guraziu.

Figura e Rozafës asht trajtue nga shumë artistë pamorë shqiptarë gjithashtu, si dhe janë xhirue filma dokumentarë, artistikë, të animuem. Janë shkrue gjithashtu drama. Unë vetë në vitin 2001 kam shkrue nji dramë me titull “Utopos” në të cilën ritrajtoj ato motive, vue në skenë në Teatrin Kombtar nga Rikard Ljarja.

Por mendoj se deri më tash ka qenë vetëm Marguerite Yourcenar (1903–1987) ajo që ia ka dalë ta bajë legjendën shqiptare pjesë të letërsisë universale përmes novelës “Le Lait de la mort” (“Qumështi i vdekjes”), të botuar në përmbledhjen Nouvelles orientales më 1938, duke e parë Rozafën mbi të gjitha si një figurë e amësisë, dhe jo thjesht e sakrificës, dhe duke e vendosë qendrën emocionale të tregimit jo te ndërtimi i kështjellës, sesa te marrdhania midis nanës dhe foshnjës, ku qumështi bahet simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen.

Momenti i dytë dhe ma i randsishëm ku personalisht e kam pa figurën e Rozafës së mishnueme artistikisht, ka qenë me kontaktin përsëgjalli që pata në premierën e operas “Rozafa” të Ndoc Pistulli me libret të Zef Zorbës, mbramjen e së  merkurës më 22 korrik 2026 në Teatrin e Operas në Tiranë.

Gjini i Rozafës si mëkuese e përjetshme e talenteve shkodrane.

Gjithmonë kam mendue se Shkodra i kultivon artistët me të njajtën lehtësi që kultivon mullagat (dhe këtu më duhet të shpreh xhelozinë ndaj muzikantëve, që më duket se i përkdhel ma shumë se të tjerët), por kur përpiqem të imagjinoj sesi në epokën opake të diktataturës shqiptare të fundviteve gjashtdhjetë, të molepsun prej mësimeve të revolucionit kulturor kinez, (viti i vetvrasjes së Prenk Jakovës) dy xhentelmenë si Zorba e Pistulli guxojnë dhe ia dalin të shkruajnë nji opera, dorëzohem si përpara nji mrekullie dhe veçse i admiroj.

Dhe padyshim që kjo asht nji mrekulli. Dhe mrekullitë ndodhin se duen me i dëshmue të tjerëve se s’duhet asesi me u dorëzue. E drejta, e mira, e bukura, vonon, por nuk harron. Aksioni qytetar dhe artistik i këtyne dy zotnive asht kaq frymëzues sa edhe vetë akti heroik i Rozafës. Dhe sigurisht që për ta plotësue treshen do na duhet të përmendim patjetër edhe shembullin frymëzues të Prenk Jakovës, i cili e bën ogni trinum perfectum. 

Padyshim që dramaturgjia e ofrueme nga Zorba me gjithë eksperiencat e tij të fshehta poetike duhet t’ia ketë shndritë rrugën këtij djaloshi të talenduem dhe guximtar. Personalisht nuk mendoj se ka në botën shqiptare një libret ma të kuruem opere se ky i “Rozafës” sonë, të shkrueme nga Zef Zorba. Ai për herë të parë ofron vargun e tij të lirë mbushë me kadenca të thyeme dhe sporadike, me nji pasuni të jashtzakonshme metaforike dhe leksikore, me lema dhe stilema si shkreptima verbuese, të cilat i ofrojnë një koleksion sfidash kompozitorit të ri, që i mbushun përplot me melodi, i përballon me nji spontanitet mahnitës.

Unë nuk jam ekspert muzike, madje as edhe njohës i mirë i saj, ndaj edhe po frenohem me dhanë konsiderata të matejshme edhepse në atë kontakt të parë me ato arie, korale dhe dialogje muzikore, më kanë ofrue ngushëllim dhe më kanë zgjue lidhjet e mia ma të thella e të fshehta me përvojat jetësore. Vecanërisht akti i dytë i veprës solli një material muzikor ma të pasun me arie, duete, terce, ndonji kuartet dhe korale, duke e ruejtë edhe ma shumë kompaktsinë dhe unitetin stilistik.

Dhe dy fjalë për produksionin.

Duke e falenderue sinqerisht nga zemra Andis Gjonin për gjithë çka na ka sjellë, me kujdes dhe me përulje para syve tanë, nuk mundem me ndejë pa folë dy fjalë edhe për regjinë skenografinë dhe interpretimin, me shpresën se kjo ka me u kuptue veçse nji vështrim individual, subjektiv dhe dashamirës.

Mendoj se të dyja këto elemente esencial për spektaklin e teatrit muzikor nuk kanë qenë as në nivelin e muzikës dhe aq më pak të dramaturgjisë.

Shfaqja na ka ofrue nji atmosferë skenike sempliciste duke pasë të bajmë me një skenografi Kitch, butaforike fund e majë, kabahe e të vendosun si një mullar në qendër të skenës dhe e avancueme deri te vija e siparit. Kjo përveç efektit të randuem optik, ka pengue kësisoj të gjitha mizanskenat, që gjatë gjithë shfaqjes mbeten veçse horizontale, me aktorë që mbulonin njeni tjetrin dhe që nuk ia delnin në shumicën e rasteve të krijonin marrdhanie fizike. Dalja në fund e fëmijës duke vrapue qe gjithashtu nji tepri ilustrative.

Po t’i shtojmë kësaj situate skenike ndricimin e bardhë, koreografinë infantile, videoprojeksionet e sheqerosuna dhe të kënduemit “aparte”, atëhere kishim me thanë se vënia në skenë nuk mbarte shenjat e kohës sonë, të mileniumit të tretë.

Marrdhaniet me “sikur” të cilat na privuene nga zhurmat e çekicëve, gurëve dhe vringëllimat e shpatave, qënë gjithashtu gjuhë e teatrit të kukullave.

Ashtu siç me humor thuhet për operen, se ajo nuk asht gja tjetër vec dashnija midis nji sopranos dhe nji tenorit që e prish nji bariton, edhe në këtë rast në shijen time, shndritën baritonët Armando Likaj dhe Solen Alla. 

Komplimentat ma të mira gjithashtu për punën e madhe profesionale në orkestrimin dhe dirigjimin e veprës nga Gridi Kraja, si dhe kostumografes kryesisht për kostumin e korit dhe atij të protogonistes.

Post scriptum

Falenderoj Teatrin e Operas për produksionin dhe bashkëpunimin me Andin. Mbetem i çuditun jo për herë të parë sesi Bashkia e Shkodrës nuk e ka mbështetë produksionin. Do dëshroja që mbas disa ritukimesh kjo opera të mbetej në repertor dhe të shfaqet me domosdo edhe në qytetin tonë.

Na ana tjetër, falenderimet ma të mëdha i shkojnë spektatorit të asaj darke magjike, që me duartrokitjet frenetike dhe lulet mbuluen të gjitha mangësitë e tjera të këtij produksioni të dëshruem.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË