KreuLetërsiShënime mbi libraShefkije Islamaj: Pasuria dialektore e malësisë së madhe-kujtesë e gjallë e gjuhës...

Shefkije Islamaj: Pasuria dialektore e malësisë së madhe-kujtesë e gjallë e gjuhës shqipe

Leksikografia dialektore, si fushë e rëndësishme e gjuhësisë shqiptare, ndër vite është pasuruar ndjeshëm. Numri i fjalorëve dialektorë të botuar sidomos në dy-tre dhjetëvjetëshat e fundit është i madh dhe paraqet pasuri të madhe jo vetëm leksikografike e gjuhësore, por edhe etnografike e etnokulturore.

Fjalorët dialektorë të shqipes përmbajnë thesar të vlefshëm leksikor e gjuhësor të të gjitha arealeve gjeografike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë këtyre dy shteteve, përfshirë edhe arealet arbërishte të ngulitura ndër shekuj jashtë trojeve autoktone shqiptare, të cilët bashkërisht u bënë burim i rëndësishëm edhe për hartimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, tashmë i përfunduar me mbi 125 mijë fjalë e frazeologjizma dhe me mbi 10 mijë faqe, që do të materializohen në dhjetë vëllime fizike, gjatë vitit 2027.

Një Fjalor i tillë, një fjalor i madh dialektor, një fjalor i rëndësishëm, i titulluar “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” që është shfrytëzuar si burim lëndor edhe për hartimin e Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe, një fjalor që përmbledh pasurinë e madhe leksikore-gjuhësore dhe etnolinguistike të Malësisë së Madhe ka autor akademikun, pedagogun, studiuesin e shquar e të palodhshëm, Profesorin Emeritus Gjovalin Shkurtaj, i mbarënjohur në shkencën gjuhësore shqiptare, i cili është, njëkohësisht, bashkëhartues i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, përfunduar më 2025.

Dialektologu dhe leksikografi Gjovalin Shkurtaj dhe Malësia e Madhe

Të kesh vend të lindjes Malësinë e Madhe e mos të ndiesh e mos të përjetosh krenari për hapësirën dhe njësueshmërinë e saj gjeografike, identitare e historike, për pasurinë e madhe shpirtërore, mendore e gjuhësore që ka lindur dhe që është  mbrujtur e shtresëzuar ndër shekuj në ato lartësi e shkrepa, në ultësira e butësi toke, domethënë të mos jesh malësor i mirëfilltë.

Malësia e Madhe, kjo krahinë emërmadhe, zonë gjeografike dhe historike, identitare dhe gjuhësore, njëra ndër krahinat ndërkufitare që shtrihet në veriun shqiptar këtej e andej kufiri me Malin e Zi e populluar në të dy anët me shqiptarë, është hapësirë e njësishme në shumë pikëpamje, pavarësisht kufirit politik. Andej e këtej kufiri gjuha shqipe flet me një zë të vetëm, ashtu siç flasin me një zë edhe historia, mendësia, filozofia popullore, etnografia, malet, fushat, lumenjtë, brigjet dhe fatkeqësisht edhe mërgimi. Gjuha e përbashkët, historia dhe fati i përbashkët i një tërësie fizike dhe shpirtërore kanë përcaktuar edhe mendësinë, psikologjinë, shpirtin, dashurinë dhe krenarinë e banorëve ndaj tokave të tyre, kanë përcaktuar edhe vetë historinë.

Akademik Gjovalin Shkurtaj, bir fisnik i kësaj krahine të pasur shpirtërisht dhe fizikisht, pas një jete të tërë me fjalën dhe ligjërimin shqip, me fjalën dialektore dhe ligjërimin dialektor, duke i gjurmuar, duke i zbuluar e duke shprushur shtresat e moçme leksiko-frazeologjike e filozofike, duke i vjelë si thesaret tona më të vyera, me fletoren e çantën në krahë, ka shkelur e shtegtuar pothuajse në të gjithë gjeografinë shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë dhe shumë nga ato i ka studiuar hollësisht, për t’iu kthyer sërish Malësisë së madhe me një Fjalor të madh. A ka dhuratë më të madhe e një biri për vendlindjen, shtëpinë e lindjes, oxhakun e djepin, gjuhën e nënës, të babait e të gjyshërve.

Studiuesi, gjuhëtari, pedagogu akademik Gjovalin Shkurtaj në jetën e tij të gjatë e të përmbushur kushtuar gjuhës shqipe e dialekteve të saj e ka njohur e ndier mirë vlerën dhe rëndësinë e këtij thesari gjuhësor të shqipes që gjallëson në Malësinë e Madhe prandaj 82 vjetorin e tij të lindjes e ka kurorëzuar në mënyrën më të mirë duke i dhuruar asaj dhe leksikografisë shqipe një Fjalor të madh leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik (2021).

Studiuesi Gjovalin Shkurtaj i ka falur gjuhës shqipe jetën, mundin, djersën e punën e tij të çmueshme, të lëndëzuar jo vetëm në veprat e tij të shumta tematikash të ndryshme gjuhësore por edhe në veprimtarinë e tij shumë të dendur praktike gjuhësore, arsimore e kulturore. Që nga fillimet e tij në fushën e studimeve gjuhësore e deri sot është shquar si zelltar i madh i fjalës dhe i ligjërimit shqip duke shfaqur interesim dhe pasion të veçantë për dialektet, për gjuhën popullore, për pasurinë dhe larminë e saj të pashtershme dhe për etnografinë gjuhësore shqiptare shumë të veçantë, sidomos veriake, por edhe me vëmendje të spikatur e të pandalshme për gjuhën standarde në përgjithësi, për kulturën gjuhësore, për sociolinguistikën e etnolinguistikën, për gjuhën shkrimtarit e të letërsisë.

Kontributi i akad. Gjovalin Shkurtaj në fushën e studimeve dialektologjike është i madh e i shquar dhe ka një histori të gjatë e të pasur. Si fryt i punës së tij të palodhshme, i interesimit të vazhdueshëm dhe pasionit të fuqishëm që s’ka reshtur gjatë gjithë jetës për gjuhën shqipe, janë një numër i madh tituj veprash, studimesh, monografish shkencore, përmbledhje shkrimesh nga disa fusha të gjuhësisë shqiptare, që paraqesin të arritura të rëndësishme në shkencën shqiptare.[1]

Shqyrtimet, analizat, të dhënat dialektore, që i gjejmë në studimet më të hershme të dialektologut Shkurtaj, ndjekin trajtimet klasike dialektologjike të përvijuara edhe në studimet e pararendësve dhe të bashkëkohësve të tij por edhe të atyre të pasardhur. E kuptueshme. Por, studiuesi Shkurtaj e ka kuptuar me kohë se e gjithë lënda e mbledhur dialektore, të gjitha të dhënat e grumbulluara gjuhësore e jashtëgjuhësore, studimet e analizat e shumta të kësaj lënde, të ngushta dhe të gjera, sintezat pak a shumë të kufizuara a të përgjithësuara për të, nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar rrugën zhvillimore të dialektologjisë shqiptare në pajtim me zhvillimet e sotme në të gjitha shkencat gjuhësore.

I vetëdijshëm se këto studime duhet të përparohen, të zgjerohen, të pasurohen me përvoja e disiplina të reja, pra të ndryshojnë jo vetëm metodat por edhe pikëvështrimet dhe ndërlidhjet me fusha e nënfusha të përafërta siç janë etnolinguistika, sociolinguistika, pragmatika e të tjera, autori Gjovalin Shkurtaj, u bë prijatar në çeljen dhe në zgjerimin e hullive të reja për zhvillimin e dialektologjisë shqiptare për çka dëshmojnë studimet dhe botimet e tij të mëvonshme siç janë  “Onomastikë dhe etnolinguistikë”, “Etnografi e të folurit të shqipes”, “Kundrime gjuhësore (sociolinguistikë, etnografi e të folurit, kulturë gjuhe)” etj. Së këndejmi, hartimi i veprës “Fjalor leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” duke pasur parasysh vjeljen e lëndës gjuhësore në një hark të gjerë kohor në terren e nga burime të tjera të pasura dialektore (sidomos fjalorë të shumtë) si dhe hulumtimet dhe studimet e shumta dialektologjike e përligjin këtë fjalor si me vëllimin, si me cilësinë dhe sidomos me pasurimin e zërave të tij, me të dhëna, shënime, analiza, ilustrime, konkretizime dhe krahasime, duke e bërë kështu fjalorin e tij një burim njohurish jo vetëm dialektore-gjuhësore, por edhe kulturore–ligjërimore, etnografike, sociologjike, etnopsikologjike, folklorike, etj. Por “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i Gjovalin Shkurtajt, si kryevepra e tij, që përmban 1015 faqe, është edhe dokument dëshmues për dashurinë e pasionin ndaj gjeografisë fizike shqiptare dhe ndaj gjeografisë gjuhësore shqiptare. Ai i ndërtoi monument të folmes së Malësisë së Madhe, vendlindjes së tij që i ka dhënë aq shumë ndjenjësi, pasuri shpirtërore, mendore e gjuhësore.

Tërësia e mikrosistemeve gjuhësore të një krahine siç është krahina e Malësisë së Madhe, e shtrirë në arealin verior shqiptar, krijon një makrosistem që është përmbledhje e veçorive për atë makrosistem në tërësi dhe të atyre veçorive që e bëjnë atë makrosistem të dallueshëm prej makrosistemeve te tjera të araealit  gjuhësor gegë. Siç dihet areali verior gjuhësor nga ana dialektore është mjaft i degëzuar, kurse brenda dy makrostrukturave të rendit më të lartë (dialektit gegë dhe dialekti toskë) përfshihen shumësi makrostrukturash edhe brenda këtyre dy makrostrukturave të rendit më të lartë dhe brenda çdo makrostrukture të rendit më të ulët. Në studimet dialektore të Gjovalin Shkurtaj kushtuar të folmeve veriore: të folmes së Kastratit, të folmes së Hotit, të folmes së Kelmendit dhe të folmes së Rranxave të Mbishkodrës, të Bregut të Matës, të qytetit të Lezhës dhe të një numri të folmesh të arbëreshëve të Italisë, që prej fillimeve të tij studimore, janë gjurmuar, hetuar, analizuar dhe studiuar veçoritë e tyre jo vetëm përdalluese por edhe veçoritë e tyre përbashkuese, të moçme e të reja, sidomos janë trajtuar risitë fonetike e morfo-sintaksore pa lënë anash në asnjë rast pasurinë e tyre të madhe leksikore, të shpjeguar e të konkretizuar gjithmonë mjaftueshëm me lëndën e vjelë nga terreni. Nga këto gjurmime, hetime, analiza, dialektologu Shkurtaj ka pjekur mendimin se “Studimet e reja (dialektologjike Sh. I.) tashmë kanë shkuar mjaft më larg, si në gjerësinë e njohjes së materialit faktik (nga fusha të ndryshme), të këtyre të folmeve, ashtu edhe në gjetjen e caktimin e vendit që zënë ato brenda dialektit të Veriut. Megjithatë, sa më thellë të hyhet në njohjen dhe studimin e tyre, aq më e qartë bëhet se Malësia e Madhe (pavarësisht nëse do ta quajmë një grup të folmesh apo një e folme e vetme) është një truall ku vërehen një varg tiparesh e dukurish dialektore me interes të veçantë, falë të cilave, ajo dallohet prerazi nga të folmet e tjera të gegërishtes veriperëndimore (apo grupit perëndimor të gegërishtes veriore),[2] për të cilat autori na sjell mjaft të dhëna e shembuj konkretizues në Hyrjen e Fjalorit, duke u mbështetur sidomos në veprën madhore “Atlasi dialektologjik” I, II[3], bashkautor i të cilit është edhe dialektologu Gjovalin Shkurtaj.

Fjalori – kujtesë e gjallë e gjuhës

Fjalori dialektor i Gjovalin Shkurtaj është kujtesë e gjallë e së folmes së Malësisë së Madhe.

Çdo dialekt është një mënyrë e veçantë për ta parë e për ta përjetuar botën, është një përpjekje për ta shpëtuar nga harresa këtë botë. Horhe Luis Borhes thotë mençur e bukur: “Çdo gjuhë, (dialekt a e folme – Sh.I.) paraqet mënyrën si përjetohet bota ose si kuptohet ajo”. Shqipja jonë e lashtë dhe e pasur si me historinë, si me pasurinë e zhdërvjelltësinë e saj ruhet e frymon përmes dialekteve dhe fjalorëve dialektorë. Studiuesi Gjovalin Shkurtaj e di mirë këtë fakt prandaj nuk i është ndarë asnjëherë degëve amë të gjuhës shqipe nga të cilat është brumosur, zhvilluar, pasuruar e ngritur edhe gjuha jonë e autoritetshme zyrtare – shqipja standarde. E dëshmon vepra e tij e gjerë, e pasur e larmishme studimore, e dëshmon edhe ky fjalor i madh dialektor.

Studiuesi Gjovalin Shkurtaj e ndien dhe e di mirë se shpirti i fjalës gege vjen nga gurët e lartë shkëmborë të veriut shqiptar, prandaj kumbon e fortë dhe e prerë, e ngarkuar me histori që kanë kaluar brez pas brezi në oda burrash dhe në këngë epike, fjalë që mbart ndjeshmëri të thellë njerëzore dhe strukturë të lashtë të mendimit shqiptar.

Por, studiuesi Gjovalin Shkurtaj e ndien dhe e di mirë,  po kështu, se shpirti i fjalës toske rrjedh më butë, më shtruar dhe se åshtë po aq e pasur, po aq e zhdërvjellët dhe po aq artistike dhe lind aty ku punohet toka dhe ku adhurohet dielli e uji e ulliri; lind nga ligjërimi i përditshëm dhe nga tradita e shkrimit që ka ushqyer edhe vetë standardin, duke dëshmuar vazhdimësinë e pandërprerë midis dialektit dhe gjuhës së përbashkët.

Studiuesi Gjovalin Shkurtaj e ndien, e di dhe e njeh mirë edhe shpirtin e fjalës arbëreshe, sepse ka jetuar jo pak vite në mjedisin arbëresh. E di dhe ndien mirë se ky shpirt është më i ndjeshmi, më i prekshmi dhe më i lëndueshmi sepse frymon nga kujtesa e largët disashekullore; arbërishtja ruan shpirtin dhe fjalën, ende të paharruar dhe ende të mbajtur gjallë, si relikt të shenjtë identitar, duke dëshmuar kështu se fjala, gjuha, mund të mbijetojnë edhe larg atdheut, nëse ka kujtesë, nëse ka vetëdije dhe nëse ka dashuri. Jo rastësisht, profesori Gjovalin Shkurtaj e ka titulluar një vepër të tij “Shpirti i Arbërit rron” që përmban shënime e të dhëna për arbëreshët e Italisë (1984).

Ashtu si fjalorët dialektorë të popujve të tjerë, edhe fjalorët dialektorë të shqipes të të gjitha krahinave shqiptare dhe ata nuk janë pak dhe po shtohen çdo ditë, nuk janë vetëm lista fjalësh, aq më pak është i tillë “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i Gjovalin Shkurtaj, që në të vërtetë është një arkiv i jetës së malësorit verior, ku fjala shoqërohet, pos me treguesit e domosdoshëm fonetikë, morfologjikë, semantikë, stilistikë, me shpjegimet, por edhe me ilustrime e shembuj nga ngjarje të përditshme, të vogla, me fjali e shprehje të thëna në shtëpi, në ara, në udhë, por edhe nga ngjarje të mëdha e nga figura të rëndësishme të historisë së saj. Shembujt që shoqërojnë këto fjalë nuk janë vetëm ilustrime gjuhësore; ato janë copëza jete, fjali të thëna dikur në oborre, ara, kuzhina e oda, ku gjuha ishte e lirë, pa kufizime, pa “norma”, dhe thellësisht njerëzore, çdo kuptim është një dëshmi e mënyrës si e ka ndërtuar njeriu shqiptar jetën e vet dhe marrëdhënien e vet me botën. Prandaj, në këtë fjalor, një ndjenjë, një ndjesi, një përfytyrim ka shumë emra, një dukuri, një gjësend i zakonshëm a i rrallë ka disa forma, një gjendje a një veprim i thjeshtë merr ngjyra të ndryshme, një zog a një bimë emërtohen me sinonime të shumta. Kjo shumësi nuk e copëton të folmen a ligjërimin e malësorëve veriakë, përkundrazi, e bën më të pasur, më të thellë dhe më njerëzore.

Fjalorët dialektorë gegë, toskë dhe arbëreshë së bashku janë pasqyra ose më mirë të thuhet shprehja e së njëjtës gjuhë, janë dëshmi e bashkëjetesës, sepse siç dihet gjuha shqipja nuk jeton vetëm në normë dhe rregull, por edhe në liri, në kujtesë e përvojë, siç ndodh në gjuhët e tjera. Këtu qëndron rëndësia e hartimit dhe ruajtja e këtyre fjalorëve, e fjalorëve dialektorë, sepse kështu ruhet vetë shqipja, sepse aty, mes fjalëve që tingëllojnë ndryshe, por që kuptohen njësoj, gjuha jonë dëshmon se njësueshmëria  e saj nuk qëndron në një formë të vetme, por në aftësinë e saj për të mbajtur brenda vetes gjithë larminë e pasurinë e saj. Prandaj me të drejtë thuhet se për aq kohë sa do ketë dialekte e të folme do të ketë thesar e pasurim të gjuhës shqipe dhe pasurim të gjuhës standarde. Këtu qëndron, pos të tjerash rëndësia e fjalorëve dialektorë, prandaj edhe e fjalorit të madh të akademik Gjovalin Shkurtajt.

Leksiku i një gjuhe ashtu si dhe i një të folmeje, siç është e folmja e Malësisë së Madhe, shpreh jetën shpirtërore dhe materiale të njerëzve në një makro ose në një mikrobotë të caktuar, në të vërtetë leksiku është shprehje qeniesore e jetës dhe e veprimtarisë së tërësishme të folësve të saj. Kjo mikrobotë gjuhësore përmbledh në vete shtresa të larmishme leksikore jo vetëm në vijën vertikale, të kushtëzuara nga hapësira, gjeografia, tradita, mendësia, psikologjia, historia dhe kultura. Në këtë shtresëzim dalin në pah edhe ndikimet nga kontaktet me gjuhët e tjera. Çdo e folme e një gjuhe në mënyrën e vet është e veçantë dhe interesante, prandaj edhe studimi i tyre zbulon pasuri gjuhësore të rëndësishme, të vlefshme dhe interesante. Në hartimin e këtij fjalori dialektologut Gjovalin Shkurtajt i kanë ndihmuar jo vetëm studimet e tij të shumta e të vlefshme dialektore, por edhe ato të dialektologëve të tjerë, të hershëm e të mëvonshëm dhe ato nuk janë pak, i kanë ndihmuar edhe fjalorët e shumtë dialektorë nga shumë areale gjeografike shqiptare dhe këta janë shumë.

Çdo dialekt dhe çdo e folme sado e përshtrirë ose sado e kufizuar territorialisht paraqet pasuri më vete. Disa nga ato ruajnë më shumë moshë ose vjetëri, ndërsa të tjerat më shumë risi, kurse  bashkë paraqesin pasuri të madhe gjuhësore. Fjalori i Gjovalin Shkurtajt shpërfaq jo vetëm vjetërinë e shumë formave leksikore e gramatikore por edhe pasurinë shpirtërore e materiale të Malësisë së Madhe.

Fjalori – ruajtës i gjuhës së gjallë

Fjalorët dialektorë, si Fjalori i Gjovalin Shkurtajt, janë ruajtës të gjuhës së gjallë, të gjuhës që nuk rregullohet me norma, por nga ndjenja, intuita gjuhësore, nga zakoni dhe nga përvoja, të gjuhës që nuk i bën hije standardit, por që ushqen atë në vijimësi. Brenda faqeve të këtyre edhe fjalori i Shkurtajt ruan traditë, mënyrën jetese, botëkuptimin dhe historitë e vogla personale që së bashku ndërtojnë historinë tonë të madhe.

Fjalorët dialektorë, si Fjalori i Gjovalin Shkurtajt, janë më shumë se libra me fjalë. Ata janë harta të shpirtit gjuhësor, ku çdo zë, çdo tingull dhe çdo kuptim mban gjurmë jete, kohe dhe përvojë, ku mblidhet dhe ruhet leksiku i një mjedisi të caktuar, jo si relikt, i harruar a i vdekur, por si dëshmi e një gjuhe që ka jetuar, që është folur e që është ndier, nga një popull i lashtë e deri sot. Prandaj mund të thuhet se ky Fjalor ruan dhe jetëson të folmen e Malësisë së Madhe, ruan një pjesë pasurisë së madhe gjuhësore të shqipes ndër vitet e shekujt e saj e deri sot.

Fjalorët dialektorë, si Fjalori i Gjovalin Shkurtajt, nuk janë vetëm burim shumë i rëndësishëm lëndor për hartimin e fjalorëve gjuhësorë tipash të ndryshëm (të mesëm, të mëdhenj, tematikë, terminologjikë, të përgjithshëm ose tezaurus), por në rend të parë janë ruajtës të të folmeve popullore, të gjalla dhe natyrore, çka i bën burime të pashtershme të dhënash të çmuara për njeriun shqiptar, mendjen, vetëdijen dhe shpirtin e tij, të shkuarën dhe të tashmen e tij, mënyrën e jetesës dhe botën që e rrethon. Në to ruhen tradita, kultura dhe historia kombëtare, prandaj janë burime të pashtershme për kërkime e studime jo vetëm gjuhësore, por edhe etnologjike, folkloristike, kulturore, antropologjike – ndërsa për kureshtarët e thjeshtë janë një burim i pafund njohurish për popullin dhe gjuhën popullore.

“Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i Gjovalin Shkurtajt sjell jo vetëm fjalën, thjesht vetëm fjalën dialektore, por sjell gjuhën dhe ligjërimin e malësorit e të malësores përmes bekimeve, betimeve, mallkimeve, fjalëve të urta, frazeologjive, lojërave të fjalëve, gjuhës së grave, përmes fjalës së mençur e fjalës së sertë të malësorit, fjalës së butë e të epshme të fusharakut, përmes historive, gojëdhënave e kallëzimeve popullore, pleqnive e filozofive, humorit, por edhe të besës, dokeve e traditave, veshjeve e ornamentikën së moçme shqiptare; Fjalori na sjell leksik, shprehje, frazeologji përmes ligjërimit që zhvillohej e zhvillohet në shkuesitë, dasmat e dollitë, në vdekjet e gjamët, në kullat e kasollet e në shtëpinë e oxhakut ku piqej buka mbrume, buka kollomoqe e bukën(d)orja, e ku gatitej maza e zieme e ku zihej djathi, kosi i kulluem e kjumshti, por edhe në arat, fushat e sidomos në bjeshkët e krojet, pa lënë anash ngjarje, beteja historike e emërtime të armëve e sidomos shprehjet gjuhësore për fisnikërinë e ndershmërinë e njeriut të Malësisë. Fjalori, natyrisht, zbulon edhe vështirësitë e varfërinë të përcjella nëpër kohë në rrethana e kushte të vështira të jetës shqiptare, shkurt gjejmë njeriun, shqiptarin e Malësisë së Madhe, gjejmë historinë e tij e historinë e vendit të tij, gjejmë historinë tonë.

“Fjalorit leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i Gjovalin Shkurtajt nuk është një përmbledhje e thjeshtë fjalësh që paraqet fondin leksikor të një të folmeje ose të një krahine të caktuar. Në konceptin leksikor për fjalorin, nuk është e lehtë të përcaktohet saktësisht ç’është fjala dialektore, ç’është leksiku dialektor, më në fund ç’është fjalori dialektor, prandaj ndeshim kuptime të ndryshme në përpjekjen për të përkufizuar qartë përmbajtjen e këtyre emërtimeve. Njësitë leksikore dialektore janë fjalë që i përkasin dialekteve, të folmeve ose idiomave të caktuara, që kanë lindur si rrjedhojë e shtresëzimit territorial të gjuhës, thuhet përafërsisht kështu në teorinë gjuhësore. Por, ka studiues që mendojnë se emërtimi fjalë dialektore nënkupton vetëm fjalët që nuk trajtohen si të normës, pra fjalët “jo normative” dhe të pa përfshira në gjuhën standarde ose në fjalorët standardë, pra fjalë që me formën e tyre shmangen nga forma e pranuar në gjuhën standarde, dhe studiues të tjerë, të cilët i konsiderojnë dialektore të gjitha fjalët që janë pjesë e sistemit dialektor, edhe nëse kanë të njëjtën formë me fjalët që janë përfshirë në fjalorët standardë. Fjalori i Gjovalin Shkurtajt ka marrë parasysh ose është drejtuar nga koncepti i dytë.

Fjalorët dialektorë nuk janë gjithmonë vepra të gjuhëtarëve ose të akademikëve. Më së shpeshti ata janë fryt i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj fjalës shqipe e ndaj gjuhës shqipe, i njerëzve të thjeshtë, të pasionuar ndaj të folmes së tyre amtare. Sa e sa mbledhës e zelltarë anonimë, me durim dhe përkushtim, kanë gjurmuar, vjelë e ruajtur në blloqet e shënimeve të tyre fjalë e frazeologji që ndryshe do të ishin harruar, bjerrë a zhdukur bashkë me brezat që i kanë përdorur e krijuar për të ndërtuar ngrehinën tonë të madhe gjuhësore, Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe. Me këtë punë të heshtur, ata i kanë bërë një shërbim të madh jo vetëm fjalës shqipe, gjuhës shqipe, gjuhësisë shqiptare, por edhe vetë kujtesën sonë historike e kulturore. Por, akademiku, gjuhëtari, pedagogu Gjovalin Shkurtaj, autori i këtij fjalori, nuk është vetëm zelltar, mbledhës a dashamirës i vjeljes së fjalës shqipe, por është studiuesi i shquar i fjalës shqipe, i ligjërimit shqip, i dialekteve të shqipes dhe i gjuhës standarde, është gjuhëtari i shumanshëm, është sociolinguisti e etnolinguisti, tashmë edhe leksikografi, i ndërtuar si i tillë fal pasionit për fjalën shqipe dhe falë zellit të tij madh si hulumtues i saj në terren. Dhe dashuria e zelli i tij nisën kur ai mbaroi studimet e larta dhe kur si 26 vjeçar, më 1969, nisi punën në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë në Tiranë dhe më pas një kohë të gjatë pedagog edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Që nga mosha fare e re ai qe dhe mbeti mbledhësi i hershëm e i përhershëm i fjalës shqipe, i frazeologjisë shqipe dhe i ligjërimit shqip; ai qe e mbeti durimtari, i palodhshmi dhe gjurmuesi i kujdesshëm i pasurisë gjuhësore të shqipes anë e anë zonave shqiptare, malore e fushore, pasuri të cilën e ka “arkivuar” jo vetëm brenda gjithë atyre studimeve gjuhësore, të shkruara e të botuara brenda më shumë se 50 vjetëve, por tashmë edhe brenda Fjalorit të Madh të Malësisë së Madhe. Së këndejmi mund të thuhet se “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” sendërton një punë të shtrirë në një kohë të gjatë, rreth 60-vjeçare.

Përshkrim i përmbledhët i Fjalorit

Në krye të Fjalorit gjejmë fjalën e autorit të titulluar Fjala paraprijëse në të cilin shpalosen rrugëtimi i Fjalorit që nga ideja, projektimi dhe fillimi i punës si dialektolog e deri në botimin e tij. Fill pas saj gjejmë Hyrjen – “E folmja e Malësisë së Madhe dhe vlerat e saj dialektologjike e etnolinguistike”, që mund të quhet edhe studim gjuhësor, në të cilën autori sjell dhe përmbledh të dhëna të shumta gjeografike, etnografike, historike, kulturore etj., të dhëna për studimet e tij dialektologjike, të dhëna për dialektet e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e tyre historik, dhe sidomos për afritë dhe dallimet e të folmeve brenda gegërishtes veriore gjithnjë duke i konkretizuar me shumë shembuj ilustrues.  Autori na e thotë edhe vetë se në këtë parashtresë hyrëse, sjell të dhëna që nxjerrin në pah afrinë shumë të madhe që kanë këto të folme njëra me tjetrën. Kjo afri, sipas tij, “është e tillë që rrëfen se në Malësi të Madhe, me gjithë shtrirjen e saj të gjerë tokësore, më fort se për një grup të folmesh mund të flitet për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje brendapërbrenda. Natyrisht, kjo afri nuk është aspak e rastit, por buron nga ajo përbashkësi e gjatë ekonomiko-shoqërore dhe politiko-administrative që i ka karakterizuar përherë “malet” e Malësisë së Madhe”[4].

Në këtë kontekst studiuesi Valter Memisha, në recensionin e tij kritik për “Fjalorin leksiko-frazeologjik të Malësisë së Madhe” në të cilin nxjerr në pah jo vetëm rëndësinë dhe vlerat e Fjalorit por edhe pasurinë e madhe të të folmeve të Malësisë së Madhe duke u pajtuar me mendimin e autorit të fjalorit për afrinë e madhe gjuhësore të të folmeve të pjesës më veriore të Shqipërisë, që shtrihet qysh nga fushat në breg të liqenit të Shkodrës dhe në krejt malësinë veriperëndimore të Kastratit, Hotit, Kelmendit, Shkrelit, Reçit e Lohes, si dhe të pjesës përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në Mal të Zi (Grudë, Triesh, Rapshë e Traboin të Hotit). Kjo afri, siç shprehet studiuesi Memisha, është e tillë sa “mund të flitet më fort për një të folme të vetme se për një grup të folmesh.”[5].

Përmes një përshkrimi të përmbledhtë mund të thuhen edhe këto: “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i autortit  Gjovalin Shkurtaj, i cili ka 1015 faqe dhe përmban pasuri të madhe gjuhësore dhe kulturore, ku shquhen me sasinë më të madhe dhe mbizotëruese njësitë leksikore që kanë të njëjtën formë fonetike dhe të njëjtin kuptim e përdorim. të cilat i gjejmë në të gjitha të folmet e gjuhës shqipe dhe natyrisht pasuri të madhe gjuhësore dialektore ku shquajnë: fjalët thjesht dialektore, fjalët e rralla e të moçme, shprehjet frazeologjike (idioma, proverba, thënie popullore), elementet etnolinguistike, që ndërlidhen me kulturën, zakonet dhe jetën tradicionale të banorëve të kësaj krahine dhe njësi leksikore me kuptime konkrete e abstrakte që i përkasin botës mendore, shpirtërore dhe materiale të Malësisë së Madhe. Më konkretisht Fjalori sjell: njësi leksikoreme vlera te reja kuptimore, vlera emocionuese, vlera shprehëse, vlera stilistike dhe të tilla me aftësi të shprehur fjalëformuese etj.; njësi leksikore shumë të rralla të ligjërimit bisedor; njësi leksikore me veçori terminologjike, ku shquajnë njësitë nga fusha etnokulturore dhe fjalëterma me kuptim konkret nga jeta materiale e shpirtërore, fjalëterma për veshjet popullore, për shtëpinë, kuzhinën dhe orenditë shtëpiake, për mjeshtërinë e artet popullore, për zakonet e shprehitë, për lojërat popullore, njësi leksikore që lidhen me jetën familjare, me natyrën, me punën e mjetet e punës, me bujqësinë e me blegtorinë, me shtazërinë e me bimësinë etj.; njësi leksikoreqë shënojnë nocione e kuptime abstrakte nga bota shpirtërore dhe marrëdhëniet njerëzore të këtyre trevave e më gjerë, etj; emërtime të pathjeshta me vlerë shënuese; njësi leksikore të ashtuquajtura karakterizuese për njerëz dhe përgjithësisht për frymorë që shquhen me pasuri, larmi dhe me ngjyresa negative, etj.; fjalëformime të shumta me prapashtesat e shqipes: -ar, -are; -or, -ore, -tor, -tar, sidomos me -ak dhe -an, por edhe formime me mbaresat sllave: -nik, -icë, etj.,; njësi leksikore me prejardhje turke e sllave, që vazhdojnë të jenë pjesë aktive e fjalorit të këtyre te folmeve dhe numri i tyre nuk është i vogël; njësi antroponimike (emra e mbiemra të moçëm njerëzish, patronimet e femrave me parashtesën -ja, karakteristikë për Rrafshin e Dukagjinit në të dy anët e kufirit etj. deri në Dukagjin të Kosovës) dhe njësi toponimike (emërvende etj.); fakte të etnografisë së të folurit në Malësi, me të cilat është marrë autori edhe më herët në disa shkrime të tij që janë përfshirë edhe në librat e tij, si Onomastikë dhe etnolinguistikë (2001), Etnografi e të folurit të shqipes (2004), etj.

Veçori të tjera të fjalorit

Hartimi i fjalorit nuk parakupton vetëm trajtimin e vlerën semantike të një fjale dhe as shpjegimin e plotë të kuptimit të një njësie leksikore a të një njësie frazeologjike, por kërkon edhe përfshirjen e elementeve fonologjike, morfologjike, fjalëformuese madje edhe sintaksore, që do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e gramatikës hyn në detyrën e punës së leksikografit. Në këtë anëvështrim, fjalori dialektor i Gjovalin Shkurtajt paraqitet si fjalor i kompletuar dhe si burim i rëndësishëm për të kuptuar jo vetëm pasurinë leksikore të përfshirë në fjalor, por edhe strukturën e tij të brendshme funksionale dhe marrëdhëniet e ngushta midis kuptimit dhe formës, përfshirë këtu edhe të kuptuarit e marrëdhënieve sintaksore përmes formave foljore (trajtimi i formave të ndryshme të pjesoreve, si ato veprore dhe pësore) e çështje të tjera, të mikrostrukturës. Me të drejtë thuhet se përfshirja e treguesve gramatikorë është njëra ndër çështjet themelore në hartimin e një fjalori dialektor dhe një punë aspak e lehtë. Leksikografit tonë Gjovalin Shkurtajt në këtë punë, përkatësisht në përcaktimin me saktësi të kritereve për përfshirjen e të dhënave gramatikore dhe për mënyrën e organizimit të tyre, i ka ndihmuar njohja e gjerë e së folmes së Malësisë së Madhe, por edhe e të folmeve të tjera përreth saj. Hartimi i një fjalori dialektor, edhe nga ky aspekt, nuk ka qenë punë e lehtë për autorin, sepse përcaktimi me saktësi i kritereve për përfshirjen e të dhënave gramatikore dhe mënyra e organizimit të tyre nuk është vetëm një çështje teknike, por një sfidë teorike më vete që prek vetë thelbin e përshkrimit gjuhësor. Me të drejtë studiuesi dhe leksikografi Memisha thekson se Fjalori i Gjovalin Shkurtajt “vlerësohet për përpunimin e formësimin bashkëkohor e të lëvdueshëm edhe nga ana strukturore[6].

Rëndësia e fjalorit

“Fjalor leksiko–frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i Gjovalin Shkurtajt është njëri ndër botimet e rëndësishme bashkëkohore në fushën e leksikografisë, të dialektologjisë dhe të gjuhësisë shqiptare në përgjithësi. Fjalori ka tregues të një studimi të thelluar mbi gjuhën dhe kulturën e kësaj treve shqiptare.

“Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i akad. Gjovalin Shkurtajt konsiderohet me të drejtë nga studiuesit, gjuhëtarët dhe të interesuarit si thesar leksikor dhe kulturor, sepse paraqet pasurinë e dialektore të gjuhës shqipe, pasurinë gjuhësore e kulturore të një zone me traditë të fortë siç është Malësia e Madhe, sepse dëshmon gjuhën e gjallë popullore të Malësisë e Madhe dhe sepse përmban të dhëna të rëndësishme për sociolinguistikën dhe etnografinë shqiptare. Kështu në një shkrim kritik për këtë fjalor studiuesi e leksikografi, akademik Valter Memisha, njëkohësisht recensues i Fjalorit, mes të tjerash thekson: “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” për vlerat dhe cilësimet që përmendëm, për kompetencën shkencore dhe akribinë me të cilën është hartuar e përpunuar, vjen e zë vend të rëndësishëm në fondin leksikografike të shqipes.” [7], ndërkaq studiuesi, stilistikani dhe pedagogu Tefë Topalli, po kështu recensues i këtij Fjalori, ka veçuar: “Vepra “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” synon të jetë dëshmi e pasurisë së madhe leksikore e frazeologjike dhe etnolinguistike të një krahine kaq tipike të Shqipërisë veriperëndimore, po edhe të jetë si mbështetje për studime të ndryshme që mund të bëhen në të ardhshmen për krejt të folmet e shqipes…”[8]: Studiuesi, pedagogu dhe shkrimtari Bardhosh Gaçe përplotëson mendimet e dy të parëve: “Prof. Shkurtaj ka kontributin dhe punën më të njohur hulumtuese dhe studimore në fushën e dialektologjisë shqipe, një studiues i cili ka një njohje të madhe për të folmet shqipe, gjendjet dialektore dhe nëndialektore në Veri dhe në të gjithë Shqipërinë, por edhe në vendet e tjera të gadishullit ku jetojnë apo kanë emigruar shqiptarët që para shekullit të XV-të dhe në vijim[9].

Me këtë rast vlen të thuhet se çdo studim dialektologjik është kontribut i llojit të vet për gjeografinë dialektore dhe leksikografinë dialektologjike, sepse në të dyja rastet merren në vështrim të dhëna të një zone të ngushtë a të gjerë ligjërimore dhe për faktin  se fjala është njësia kryesore e vëzhgimit dialektologjik. Por, një fjalor i madh dialektor, siç është  “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i akad. Gjovalin Shkurtajt nuk është vetëm një sendërtim praktik i dashurisë për fjalën shqipe, i pasionit për të gjurmuar e për mbledhur pasurinë fjalësore e shprehjesore të mbarë shqipes, një sendërtim praktik i njohjes e i studimit, i përzgjedhjes e i përpunimit dhe në fund i materializimit të kësaj pasurie në një botim të madh me 1015 faqesh, por është edhe një dëshmi e madhe e dashurisë së tij për vendlindjen dhe krahinën e tij të vendlindjes Malësinë e Madhe.

Njësia leksikore ka veçori tingullore, theksore, trajtore, fjalëformuese dhe burimore, ka kuptim, strukturë kuptimore të gjerë ose të ngushtë, përmban ngjyresa ta shumta kuptimore, burimore, historike, stilistike e stilore dhe hyn në përbërje të njësive të rendit më të lartë si në: togfjalësha, frazema, fjali, ligjërim, siç dëshmohet edhe në Fjalorin i Gjovalin Shkurtajt. Rëndësia e këtij fjalori, në këtë kontekst, qëndron edhe në faktin se në të përshfaqet qartë shumëvlerësia dhe shumëkuptimësia e fjalës shqipe në rrafsh makrostrukturor e mikrostrukturor, si dhe përmasat e përdorimit të njësive të caktuara leksikore, marrëdhëniet kuptimore të tyre dhe të dhëna të tjera gjuhësore dialektologjike. Ky fjalor zgjeron kufijtë e një fjalori standard dialektor duke i pasuruar dhe plotësuar përmbajtjesisht, tematikisht dhe konkretisht me informacione gjuhësore e jashtëgjuhësore jo vetëm në studimet e tij dialektore-gjuhësore, por edhe në studimet e dialektologjisë shqiptare në përgjithësi. Në të vërtetë, të dhënat leksikografike dhe informacionet gjuhësore të lëndës leksikore dialektore të përfshira në Fjalorin e Gjovalin Shkurtajt janë trajtuar në atë mënyra sa na lejon të themi se ai tejkalon leksikografinë tradicionale dialektore dhe gjeografinë dialektore me çka krijon pamje më të plotë e më të qartë për gjendjen dialektore të një areali gjuhësor siç është Malësia e Madhe.

Si përfundim

Historia e gjuhës shqipe sikundër edhe e gjuhëve të tjera ka dëshmuar se gjuha standarde nuk mund të jetojë pa dialektet, ashtu siç e tashmja nuk mund të ekzistojë pa të shkuarën. Ruajtja e pasurisë dialektore, prandaj, nuk është kthim prapa, por kusht për të ardhmen. Fjalorët dialektorë si “Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe” i Gjovalin Shkurtajt, janë burim i thellë dhe i gjerë i pasurimit të gjuhës standarde, janë thesar i pashtershëm i saj, janë burim studimi për gjuhëtarin e etimologun, etnologun dhe folkloristin, janë dëshmi kulture, kurse për lexuesin kureshtar janë një dritare që zbulon shpirtin e popullit. Fjalorët dialektorë, si Fjalori i Gjovalin Shkurtajt, përmes fjalëve të moçme, të “fshehura” ose të harruara dhe kuptimeve të veçanta e të panjohura, dëshmojnë kush jemi sot, kush kemi qenë dje dhe kush mund të jemi nesër.

Qershor 2026


[1]E folmja e Kastratit (1967). E folmja e Hotit (1974, E folmja e Kelmendit (1975), E folmja e Rranxave të Mbishkodrës (1985, për të vazhduar më pasme: Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran (1983), Shpirti i Arbrit rron, Shënime dhe të dhëna për arbëreshët e Italisë (1984), Sociolinguistika (1996), Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut (1996), Dialektologjia, bashkaut., (1997), Ta duam dhe ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur (1998), Onomastikë dhe etnolinguistikë, 2001), Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe (2003), Etnografi e të folurit të shqipes (2004), Kadareja dhe fjala shqipe, bashkaut. (2004), Kultura e gjuhës (2006), Ligjërimet arbëreshe, (2006), Kundrime gjuhësore (2007), Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe I, II, bashkaut., (2007, 2008), Si të shkruajmë shqip (2008), Pesha e fjalës shqipe (2009), Shqipja e sotme (Kulturë të shkruari dhe të foluri, baza të gramatikës së shqipes standarde) (2010), Shqipja e sotme (2010), Dialektet e gjuhës shqipe, (2012, Sociolinguistikë e shqipes (2013), Urgjenca gjuhësore (2015), Enigma e emrave (përzgjedhja e emrit, ledhatimet dhe nofkat, Fjalor shkurtimesh dhe emrash të pëlqyeshëm), Tiranë,( 2017), Ligjërimet arbëreshe – Gjuha e bukës dhe Gjuha e zemrës (Shqyrtime dialektologjike dhe sociolinguistike) (2020), Teori drame (2024), E folmja e qytetit të Lezhës, ASHSH, Tiranë, 2026, etj.

[2]  Gjovalin Shkurtaj, në Hyrjen e “Fjalorit leksiko-frazeologjik të Malësisë së Madhe”, f. 14.

[3]  “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”. I, II, AShSh, IGjL (Jorgji Gjinari, drejtues; hartues, Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj, Xheladin Gosturani; bashkëpun. Anastas Dodi, Menella Totoni), Tiranë, 2007, 2008.

[4]  Gjovalin Shkurtaj, Hyrja … f. 8.

[5]  Valter Memisha, “Recension për veprën “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” të akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj”, botuar në fund të Fjalorit të Gjovalin Shkurtajt, f. 1002.

[6]  Valter Memisha, Po aty, f. 1010.

[7]  Valter Memisha, Po aty, f. 1002.

[8]  Tefë Topalli, “Recension për veprën “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” të akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj”, f. 1012.

[9]  Bardhosh Gaçe, “Gjovalin Shkurtaj dhe vepra e tij “Fjalori leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe”, Gazeta “Dita”, 21 korrik 2022, Tiranë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË