KreuLetërsiBibliotekëFeride Papleka: Takimi me sublimen (poema)

Feride Papleka: Takimi me sublimen (poema)

Takimi me sublimen

Poema ime është
Ai ag i shenjtë qershori:
Kur ca murmurima që vinin
Nga shtrati i bebes
Ku flinte im bir
Më zgjuan si një ndriçim –

Ritmi i mistershëm i gugurimës
Që shpërndahej nga fryma e tij
Krahët dhe këmbët që lëvizte në ajër
Si të donte të përvijonte
Rrugët e së ardhmes
Shkruanin një partiturë
Që asnjë orkestër në botë
Nuk mund ta ekzekutojë –

E fshehur nga vështrimi i tij
Dridhtuese dhe e magjepsur
Shpirti im u përmbyt
Me ndjesi të panjohura
Të pakthyeshme
Krejt qenia ime u lëkund
Dhe më pushtoi
Një lloj lumturie si një joshje
Për të vdekur –
Jeta ime po pasqyrohej
Ndoshta ka qenë takimi me sublimen…


Perëndim në bregdet

Dita mbaroi dhe dielli
Mbeti mbi ujëra
Si peshk i kuq që përpëlitet
Në rrjetën e madhe të muzgut
Korriku vjen përvit
Mysafir i përhershëm
Me plazhet dhe zërat rinorë

Syri im sodit, por mendja
Kujton të tjera plazhe
Që zemra i ruan si diamantet
E fshehura në guaskë

Ti je pranë meje
Si diell përherë i ri
Që ma ngroh zemrën
Edhe në dimrin e jetës.


Është „luftë kundër armikut“

Valët e ajrit dridhen
Dhe nuk e lënë dritën e diellit
Të bjerë si përkëdhelje
Mbi fëmijët që luajnë
Mbi qytete dhe fshatra
Mbi pemë dhe mbi zogj
Mbi çati dhe ujëra
Mbi dashuritë

Diçka e e zezë lëviz nëpër qiell
Zërat përplasen dhe shuhen
Eshtë „luftë kundër armikut“
Dikush mbërthen në një tabelë
Foto të rinjsh rënë në front
Foto fëmijësh dhe nënash
Foto pleqsh e të sëmurësh
Vdekur nën rrënoja bombardimesh
Eshtë „luftë kundër armikut”.


Ëndërr që përsëritej

Rrugë të shkreta
Male shkëmborë
Të vdekur që ecnin:
Të vdekur që i kisha njohur në gjallje
Ata nuk më shihnin në fytyrë
Edhe unë nuk i shihja

Ecja pa e ditur se ku
Ata vonoheshin si të vdekurit
Kjo është e kuptueshme
Sigurisht, dikush do të më pyesë
Ku rrinin të vdekurit
Po ti e gjalla ku rrije
Unë s’di të them gjë
Ishte një ecje e shpejtë
Dhe, nuk dua të flas për ato kohë
Kur e ardhmja ime mbahej në një fije.


Unë jam

Unë jam çelësi i Borges-it,
Që ka humbur derën;
Jam muza e Platon-it
Që e frymëzoi të krijonte
Figurën e madhe të Sokratit;
Jam kompozimi i fundmë i Mozart-it
Që u arratis bashkë me të
Në honin e vdekjes;
Jam statuja e Shekspirit
Që shqetësoi për shumë vjet
Me dhjetëra skulptorë në botë;
Jam deti i munguar i Uliksit të Joyce-it;
Dhimbja e pamatshme e Kafka-s
Në katedralen e ndjenjave njerëzore;
Jam planeti i çmendur i Max Ernst-it;
Koha e humbur e Proust-it;
Dhe ndoshta një hije që endet
Në veprën e Pascal Quignard-it.
Jam Mosqenia.


Pohim i hidhur

Akrepat formojnë pa mëshirë 
Nuk e di akrepat a ritmi i zemrës
Atë ekuacion me shumë të panjohura
Jetën time
Me vite të mjegullta,
Të strukura diku në nënvetëdijën time
Që presin zgjimin
Me vite të përgjakura
Që s’ua ndal dot agoninë
Me vite të pështjelluara –
Trëndafil Erërash në ndërrim stinësh
Shtojini shifrës fatale
Vitet e brezave që ikën
Vitet e Krishtit e të Parakrishtit
Kohën mitike të zotave sumerianë
Dhe atë kohë që nuk flet dot
Me një gojë të mbushur me natë
Shtojini luftërat
Që janë fytyra e këtij planeti egoist,
Paqen që është veç maskë
Dhe do të dalë një numër
Që nuk e nxë asnjë traktat aritmetik.


Tirana dhe unë

Tirana fle natën
Dhe ëndërron diellin pranveror,
Retë lundrojnë drejt pafundësisë,
Copëra të kaltra pështjellohen.
A është era,
Apo vala e trishtimit
Që bën një zhurmë të tillë
Mendja ime shfaq menjëherë
Një ekran të kujtesës
Që lë të shihet fëmijëria
Si një ëndërr që përsëritet
Kjo ëndërr e ëndrrave
Më dhuron përherë mahnitje
Sidoqoftë, lumturia e munguar
Merr formën e një ëngjëlli të zi
Jeta është një rrënojë qerthullore
E mbjellë me çaste jetëshkurtra.


Natyrë e qetë

Diell që perëndon
Qiell i portokalltë
Tinguj në dhomë
Puthjet tona të harruara
Vështrimet tona të hutuara
Dhe duart tona
Si dy pëllumba
Që kërkojnë të ngjiten në qiell.

Fytyrat tona megjithatë
Kundërshtojnë pasqyrën
Dhe gjërat e ndriçuara
Hapësira e pafund ka mbetur
Një mundësi e pamundur
Për të shkuar larg
Gjithsesi lulet që mblodhe për mua
Këtë ditë pranvere
Përgjojnë mbi tryezë.


Muzg kronologjik

I ndritshëm dhe frikësues qe ai muzg
Në Gare Montparnasse
Turma njerëzish nxitonin
Si një uragan shkonin dhe vinin
Nga të gjitha drejtimet
Një çast diçka e çuditshme i përndriti
Rrugët, njerëzit, ajrin
Mbase qe ideja e fuqishme e lëvizjes
Që ma përshkoi shpirtin
Unë shtanga
Dhe pastaj m’u mjegulluan
Kujtimet dhe shikimi –
Diçka e pakthyeshme po shkrinte –
Tërë e kaluara ime vogëlane
U shqye
Që atëherë unë i shoh gjërat ndryshe
Ja, pra, përse ndonjëherë
Kam brerje në ndërgjegje:
Po të mos ndodhesha atë çast në Gare Montparnasse
Mbase nuk do ta kisha këtë përhitje.


Larg dhe afër

Dje ti i kishe fjalët të lumtura
Që u futën në shpirtin tim
Kur isha e trishtuar nga imazhet e luftës.

E harruam gëzimin
Duke u strukur në shpirtrat tanë
Që kishin hyrë te njëri-tjetri
Dhe të heshtur qanin.

Unë ngrita krahët
Ti ngrite krahët
Me paaftësinë mizore
Për të ndihmuar.

Lufta ishte larg
Lufta ishte afër
Jetët tona donin të shtriheshin
Nën jetët e ikura

Ashtu ecëm të pikëlluar
Për të gjetur një qoshe
Ku lufta të ishte larg
Por ajo vetëm afrohej.


Parajsa nuk ka humbur

Engjëlli i jetës
Ndërton një labirint plot mistere
Parajsa nuk ka humbur
I pafundmë është fati yt
Qiellor zëri
Hapësira dhe Koha
Rrjedhin si një Gang i ri
Dhe trupi yt i ringjallur
I këndon gjestit jetësor.

Paris, korrik 2024


Përsiatje

Ka ditë të zymta
Po ashtu ka edhe net
Por fatlumërisht
Ka edhe ditë të qeshura, ajrore
Dhe net të bardha
Kur humbem
Duke lexuar dialogun « Banketi »
Të shkruar 2500 vjet më parë
Që e jep dashurinë
Si një gjendje të ndërmjetme
Midis vdekatares dhe të pavdekshmes
Midis paditurisë dhe dijes
Si një dëshirë për përjetësi
Dhe aspiratë për të Bukurën –
Ndërkohë unë kthehem tek e tashmja
Që është një përzierje e hollë
E vetëdijes me nënvetëdijen
Në një realitet të ashpër
Dhe, pastaj, kjo vuajtje e perhershme
Si një plagosje metafizike:
Toka ku kam lindur, Shqipëria.


Poema e manjolies

Manjolia është ende
Manjolia e dashurisë sonë
Ajo, në të cilën ti hipe
Këpute një lule e ma dhurove
Ishte muzg atëherë
Dhe ti ishe i ri
I ri si poema që po shkruaj
Për atë kujtim që e prodhon
Vetëm dashuria
Manjolia na priti me bujarinë e saj
Ngaqë e kuptoi
Se dashuria bën edhe marrëzira
Ajo sikur na uroi me zërin e saj të butë
Dhe na ushqeu idenë
Se dashuria mund të shfaqet
Edhe me një gjest të thjeshtë
Që në këtë rast
Mund të quhet antiekologjik
Por kështu ka ndodhur
Më kujtohet vegullia
Kur gjithë hapësira
U mbush me lule të bardha.


Peizazh apokaliptik

Vebdbanime të shkrumbuara
Fusha të zbrazëta
Pyje që i përpin zjarri
Ngjyrë e hirtë
Që shtrihet gjer sa nuk e nxë syri
Ngjyrë e lemerishme
Nuk është ngjyrë pikture
Futur në ndonjë tablo postmoderne
Toka aty lëngon
Nën një qiell legjendar
Dhe sytë e saj
Dikur krejt të blertë
Tani janë të shuar
Si të një zonje që ka humbur
Dashurinë e mbrame të jetës.


Nocturne

Ëndrra dhe prapë ëndrra
Për takime të pandodhura
Me njerëz të panjohur
Në net të bardha pagjumësie
Që lëkundeshin si gjethet në vjeshtë

Qielli ishte gjithnjë i yjezuar
Dhe hëna përherë e re

Në të vërtetë yjtë dhe hëna
Ishin mbushur si gjithnjë me heshtje
Por në një kohë të pakohë
Një melodi vinte ngadalë
Zëulët
Joshëse
Si dashuri e pamundur
A mos vallë
E gjithë kjo ishte një dhuratë
Që do të shndërrohej një ditë në poemë?


Dritarja

Natë e zezë.
Sytë e mi zhbirojnë errësirën
Poezia fluturon jashtë dritares
Ajo kërkon mes territ
Dritëra të shkuara
Papritmas në zemrën time
Ndizet një yll :
E qeshura jote e rinisë
Ambruazia e saj më deh
Dhe unë transformohem
Në një vajzë të re të druajtur
Që mbledh lule
Ashtu si vajzat e Terës së lashtë
Që mblidhnin lulëkuqe
Në kohën e Helenës dhe Uliksit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË