KreuArte pamoreZake Prelvukaj: REVOLUARTI

Zake Prelvukaj: REVOLUARTI

E lindur në vitin 1961 në Martinaj të Plavë-Gucisë – është artiste multidisiplinare dhe profesoreshë e pikturës, me bazë në Prishtinë. Prelvukaj ka ekspozuar punën e saj në galeri të panumërta kombëtare dhe ndërkombëtare, veprat e saj janë pjesë e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Grave në Art në Washington D.C., Galerisë NW në Cambridge dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ka kuruar ekspozita, shkruan shkrime kritike për artin, disa prej tyre të botuara në gazeta vendore. Po ashtu, ka realizuar murale, kostumografi dhe skenografi, art publik dhe ekspozita.

Bisedoi: Fatlum Meholli

F. M.: Vitet ’90 në Kosovë ishin kohë izolimi, pasigurie dhe mungese të hapësirave institucionale për kulturën. Si i kujtoni ato vite si artiste? Çfarë ju shtyu të vazhdonit të krijonit në një realitet aq të vështirë?

Z. P.: Mendoj se njeriu, e sidomos artisti, ka nevojë të provokohet nga koha në të cilën jeton. Ajo që kemi përjetuar ne në vitet ’90, në moshë të re, ka qenë një realitet krejt i veçantë dhe kjo është reflektuar natyrshëm edhe në artin që krijonim. Duke e parë sot nga distanca kohore, mund të them se shumica e shprehjeve artistike të asaj kohe kishin një dimension të fortë konceptual. Krijonim performanca, ekspozita dhe forma të ndryshme të shprehjes që lindnin drejtpërdrejt nga rrethanat në të cilat jetonim.

Vitet ’90 ishin një rrëmujë e madhe në kuptimin politik e shoqëror, por paradoksalisht ishin edhe vite me energji të jashtëzakonshme krijuese. Kishte gazetarë të huaj, kishte lëvizje, kishte komunikim dhe, mbi të gjitha, kishte vende ku arti merrte frymë. Një fat i madh për ne ishte ekzistenca e kafiterive, sepse aty ndodhte gjithçka. Ato u shndërruan në qendra të jetës urbane dhe kulturore. Nuk bëhej fjalë për art digjital apo për format që njohim sot. Ishte art i pastër, me të gjitha shprehjet e tij multidisiplinare.

Më kujtohet veçanërisht periudha kur, rreth viteve 1995–1996, u hap “Hani i 2 Robertëve”. Ishte një hapësirë e vogël, një kafene-restorant, por aty zhvillohej një pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore. Aty diskutonim, ekspozonim, eksperimentonim me ide dhe ndërtonim forma të reja të mendimit artistik.

F. M.: Kur galeritë dhe institucionet mungonin, arti gjeti strehë në hapësira alternative dhe forma të improvizuara ekspozimi. A e përjetuat këtë si kufizim apo si një lloj lirie të re krijuese?

Z. P.: Sinqerisht, nuk e kam përjetuar si kufizim. Përkundrazi, mendoj se ajo periudhë na dha një liri të jashtëzakonshme krijuese. Në vitin 1997 realizova një performancë para Shtëpisë së Mallrave, ku e lyva trupin tim me ngjyrë të zezë. Shumë njerëz e kanë parë atë vepër vetëm si art feminist, por për mua ajo ishte shumë më tepër. Natyrisht që reagimet nuk munguan. Kishte njerëz që thoshin: “Nuk të merr kush për grua”, apo komente të tjera të ngjashme. Por pikërisht ajo forcë e brendshme për të cilën folëm më herët të shtynte të krijoje edhe më shumë. Sa më i madh presioni, aq më e madhe dëshira për të bërë art.

Arti i asaj kohe nuk ishte vetëm art revolte apo rezistence. Edhe kur trajtonte këto tema, ai e bënte në mënyra origjinale, pa kopjuar askënd. Kishte individualitet dhe karakter. Sot informacioni qarkullon me shpejtësi dhe gjithçka mblidhet në një vend, ndërsa atëherë secili formësohej më shumë nga përvoja e vet.

F. M.: Në veprat tuaja, trupi nuk paraqitet vetëm si figurë, por si një hapësirë ku ndërthuren kujtesa, politika dhe përvoja njerëzore. Çfarë ju ka tërhequr drejt këtij mediumi?

Z. P.: Një nga simbolet që më ka provokuar më së shumti gjatë krijimtarisë sime është X-i, të cilin e kam trajtuar pothuajse si një ekuacion filozofik dhe artistik. Forma që kam përdorur shpesh lidhet me këtë simbol, sepse trupi i femrës për mua nuk duhet të shihet vetëm si një trup i bukur për t’u vizatuar. Ai është natyrë, përvojë, kujtesë dhe bartës i shumë kuptimeve të tjera.

Zake Prelvukaj, Sexibition 1, 2005

Në këtë qasje ndërthuren disa koncepte. Njëri prej tyre lidhet me aktin performativ si formë revolte, një proces që e kam rikthyer herë pas here, zakonisht çdo tre deri në pesë vjet. Arsyeja është e thjeshtë: çdo njeri në këtë planet lind për të vdekur. Edhe trupi i femrës, pavarësisht të gjitha metodave moderne që synojnë ta sfidojnë kohën, ndryshon vazhdimisht. Një ditë i themi mirëseardhje jetës, ndërsa gradualisht mësojmë t’i themi edhe lamtumirë.

F. M.: A ju ka ndodhur ndonjëherë që publiku të fokusohet më shumë te trupi sesa te mesazhi artistik? Si e përjetoni një keqlexim të tillë?

Z. P.: Po, e kam pritur një gjë të tillë dhe është e vërtetë që shumë njerëz i kanë parë disa prej veprave të mia pikërisht në atë mënyrë. Megjithatë, ata që merren me art, që vizitojnë ekspozita, lexojnë dhe e ndjekin procesin artistik, zakonisht e kanë kuptuar mesazhin që kam dashur të përcjell.

Kam qenë shpesh e keqkuptuar, por në të njëjtën kohë jam befasuar pozitivisht nga reagimet e publikut. Më kujtohet një ekspozitë për të cilën do të flasim më vonë, ku në mesin e vizitorëve ishte një burrë i moshuar, i veshur me tesha kat dhe me plis. Në fund të ekspozitës ai erdhi dhe më përqafoi. Kishte jetuar për vite të tëra në Gjermani si punëtor krahu dhe reagimi i tij më la mbresë të jashtëzakonshme. Kjo më ka bindur se arti mund të komunikojë me njerëz shumë të ndryshëm, pavarësisht prejardhjes apo profesionit të tyre. Asnjëherë nuk kam krijuar për t’iu përshtatur pritjeve të të tjerëve. E kam bërë atë që kam ndjerë, pa u ndikuar nga paragjykimet apo nga presioni i jashtëm, kam thënë thjesht: “Dua ta bëj”, dhe pastaj e kam bërë.

F. M.: Pas luftës duket se në krijimtarinë tuaj ndodh një zhvendosje nga urgjenca e rezistencës drejt eksperimentimit artistik. Si e përjetuat atë periudhë dhe çfarë ndryshoi në mënyrën se si iu qasët artit?

Z. P.: Pas luftës filluam të punonim edhe me mediume të reja, përfshirë në një masë edhe kompjuterin. Për mua, kthimi pas luftës ishte një moment shumë i veçantë. Në atë kohë kisha punuar për organizatën “Save the Children” në Mal të Zi, si mbikëqyrëse, dhe kisha qëndruar edhe në Sarajevë. Vitet ’90 i kam të dokumentuara me kujdes dhe gjithmonë kam ndjerë nevojën t’i ruaj jo vetëm ngjarjet, por edhe peizazhin vizual të asaj kohe.

Kur u ktheva, doja të dokumentoja gjithçka: natyrën, ambientin, ndryshimet që kishin ndodhur. Fotografitë e para që realizova ishin në Pejë. Më kujtohen disa lule të verdha, peizazhe dhe fragmente të jetës së përditshme që më tërhoqën vëmendjen menjëherë pas kthimit. Por ajo që më provokoi më së shumti ishin grafitet. Shprehje si “Mo e prek!” dhe “Shpija jeme” më ngacmuan thellë si artiste.

Menjëherë pas luftës dola në terren, fillimisht në Drenicë dhe më pas në shumë zona të Pejës. Pashë grafite nga më të ndryshmet. Disa prej tyre ishin jashtëzakonisht domethënëse, ndërsa të tjera pasqyronin revoltën e njerëzve. Megjithatë, ajo që më interesonte ishte të mos binim në të njëjtin mentalitet të dhunës. Kam besuar gjithmonë se, edhe kur përjeton tragjedi, nuk duhet ta humbësh humanitetin. Prandaj në shumë prej punëve të mia u përpoqa ta shndërroj revoltën në reflektim artistik, duke përdorur grafitet dhe satirën si elemente të pikturës.

Më vonë politika filloi të merrte një vrazhdësi që na pengonte. Nuk kam pasur dëshirë të përfshihem në ato struktura dhe role që nuk më përkisnin. Më interesonte më shumë të vëzhgoja dhe të reagoja përmes artit. Edhe aty ku shfaqej ironia, satira apo kritika, ajo vinte natyrshëm nga përvoja ime.

Zake Prelvukaj, Fytyrat tona në të ardhmen

Në të njëjtën kohë, nuk iu largova asnjëherë artit erotik dhe as frymës së revoltës, megjithëse pas luftës ato morën forma të tjera. Në fakt, edhe para luftës arti nuk ishte vetëm rezistencë; ekzistonin shumë gjuhë dhe qasje të ndryshme artistike. Pas luftës fillova të vërej dimensione të reja që më parë nuk i kisha menduar, ndaj shpesh krijova art të angazhuar, me synimin për të vetëdijësuar përmes imazhit dhe dokumentimit.

Shumë nga fotografitë që realizova në terren i përdora më vonë në ekspozita. Njërën prej tyre e zhvillova në Shqipëri, duke trajtuar pikërisht gjurmët e revoltës dhe nevojën për reflektim. Njerëzit kishin kaluar përvoja të rënda dhe kjo ndihej në çdo shenjë të lënë pas.

Pas luftës fillova të punoja më lirshëm, sepse edhe vetë ndihesha më e lirë. Megjithatë, në thelb, ajo energji krijuese kishte ekzistuar edhe gjatë viteve ’90. Besoj se politika kulturore është mbi çdo politikë tjetër të një shteti. Nëse Italisë, për shembull, do t’ia hiqnim kulturën, do të mbeteshin vetëm gërmadhat.

Një kritikë që e kam shprehur shpesh lidhet me idenë se arti bashkëkohor në Kosovë paska filluar vetëm pas luftës. Nuk pajtohem me këtë. Përkundrazi, mendoj se një keqkuptim i artit bashkëkohor i ka dëmtuar shumë artistë. Në përpjekje për t’u dukur modernë, disa kanë humbur identitetin e tyre krijues, ndërkohë që mund të kishin zhvilluar një art konceptual shumë të fuqishëm, të lidhur organikisht me pikturën dhe me përvojën e tyre autentike.

F. M.: Zifti u bë një nga materialet më karakteristike të një cikli të rëndësishëm të punëve tuaja. Çfarë ju tërhoqi te ky material dhe çfarë mundësish të reja ju hapi në shprehjen artistike?

Z. P.: Fatlum, gjithçka filloi në një takim artistik në bjeshkët e Kërçovës. Ishim dhjetëra artistë nga vende të ndryshme të Evropës, secili i suksesshëm në fushën e vet: skulptorë, piktorë e krijues të profileve të ndryshme. Ishte një ambient i jashtëzakonshëm. Dilnim në natyrë, vallëzonim, këndonim, diskutonim për artin dhe herë pas here pinim edhe nga një gotë raki.

Përballë vendit ku punoja unë ndodhej një shtyllë e vjetër elektrike (bander), të cilën të gjithë e njihnin si “vendi i Zakes”. Në vapën e verës, kur temperatura arrinte rreth 36 gradë, nga ajo shtyllë kullonte zift. Kisha me vete disa hamera gjermanë me përmbajtje të lartë tutkalli dhe, e nxitur nga kurioziteti, mora disa shkallë të gjata dhe u ngjita lart. Të tjerët më shikonin të habitur.

Aty lindi një teknikë që më vonë do të bëhej pjesë e rëndësishme e punës sime. Përmes atij materiali nxora grafika që më pas ngjallën interes të madh edhe jashtë vendit. Punime të këtij cikli përfunduan në koleksione dhe institucione të rëndësishme, përfshirë Galerinë NW në Cambridge dhe Muzeut Kombëtar të Grave në Art në Washington.

Zifti më provokoi jashtëzakonisht shumë si material. Më vonë nuk u mjaftova vetëm me përdorimin e tij të drejtpërdrejtë. Në studio fillova të eksperimentoja me kombinime të ndryshme: ngjitës këpucësh, bitumen, betulin, vaj dhe ngjyrë. Këto përzierje nuk thaheshin për muaj të tërë, por krijonin një patinë të veçantë dhe i jepnin pikturës një cilësi që nuk mund ta arrija me materiale të zakonshme.

Arsyeja ishte edhe teknike. Zifti thahet, plasaritet dhe çahet. Prandaj kërkova mënyra që lidhshmëria e materialit të ishte më e fortë dhe më e qëndrueshme. Kam punuar edhe me neostik në sipërfaqe të mëdha, deri në dy metra e gjysmë, duke krijuar piktura ku materiali derdhej dhe bëhej pjesë organike e kompozimit.

Nuk kam kërkuar kurrë të di nëse dikush tjetër i ka përdorur apo jo këto metoda. Thjesht kam ndjerë nevojën t’i zhvilloj vetë. Ishte një kërkim personal.

Grafikat e para që realizova në Kërçovë vazhduan të jetojnë dhe të zhvillohen me kalimin e viteve. Edhe sot punoj nëpër shtylla të vjetra elektrike, në vende të ndryshme. Shpesh shkoj në Mal të Zi me motoçikletë, herë me ekip e herë vetëm, dhe kërkoj shtyllat e vjetra për të realizuar grafikat e mia. I bëj sepse ato janë ‘grafikat e Zakes’. Nuk kam parë askënd t’i realizojë në këtë mënyrë, në këto sipërfaqe dhe në këto kushte.

Ka një atraktivitet të veçantë edhe vetë procesi i realizimit. Ndonjëherë shtylla ndodhet në mes të malit, larg çdo njeriu. Herë të tjera terreni është i vështirë ose shtyllat janë të rrëzuara. Është një proces që kërkon përkushtim, durim dhe ndonjëherë edhe sakrificë. Ka raste kur më digjen duart nga materialet. Megjithatë, zifti dhe të gjitha këto eksperimente teknike zënë një vend shumë të rëndësishëm në identitetin tim si artiste.

F. M.: Në veprat e kësaj periudhe shfaqen shpesh fjalë, shkronja dhe referenca që lidhen me identitetin, kujtesën dhe përvojën kolektive. Sa ndikuan vitet e mëparshme në formësimin e këtyre cikleve artistike?

Z. P.: Vitet që kemi jetuar nuk zhduken kurrë. Ato shtresohen në kujtesën tonë, ashtu si unazat e drurit. Çdo përvojë lë një gjurmë dhe, në një moment të caktuar, ajo rikthehet në krijimtari. Arti lëviz vazhdimisht mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.

Zake Prelvukaj, New Rules, 2021

Kur e kthej kokën pas te cikli “X-at flasin”, ndjej një kënaqësi të veçantë, sepse aty janë përmbledhur shumë prej ndjenjave dhe përvojave të asaj kohe. Ai cikël u realizua në Galerinë Dodona dhe simboli i X-it nuk duhet parë vetëm si një ekuacion matematikor. Për mua, X-i është revoltë, target. Është njëkohësisht shpirtëror dhe fizik. Për këtë arsye kam përdorur shprehje si “Unë jam kurban i Ballkanit”, apo më vonë “Unë jam viti 1999”. I kam shkruar qëllimisht në gjuhën shqipe, e më pas janë përkthyer. Ka qenë e rëndësishme që ato të ruanin karakterin e gjuhës që më lidhte drejtpërdrejt me përvojën e asaj kohe.

F. M.: Profesoreshë, si një lexuese e rregullt, cilët autorë do t’i veçonit dhe a kanë ndikuar veprat letrare e filozofike në krijimtarinë tuaj?

Z. P.: Leximi ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i rëndësishëm për formimin tim si njeri dhe si artiste. Që nga koha e studimeve kam lexuar filozofi, histori dhe letërsi, sepse besoj se arti nuk mund të zhvillohet i shkëputur nga mendimi dhe njohja.

Kam lexuar me interes të veçantë autorët ekzistencialistë, si dhe letërsinë moderne të shekullit XX. Këto lexime kanë ndikuar në mënyrën se si e kuptoj njeriun, kohën dhe krijimtarinë.

Ndër autorët që do të veçoja, një vend të veçantë zë Osho. Veprat e tij kanë pasur ndikim të rëndësishëm në formimin tim estetik dhe artistik. Ato më kanë ndihmuar të reflektoj ndryshe mbi jetën, lirinë dhe procesin krijues.

Natyrisht, nuk mund të lihen anash as shkrimtarët tanë. Duke filluar nga Kadareja e më tej, kemi autorë me identitet të fortë krijues, të cilët i çmoj shumë dhe që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në kulturën tonë.

F. M.: Pothuajse paralelisht me rrugëtimin tuaj si artiste, keni ndërtuar edhe një karrierë të gjatë në mësimdhënie. Si kanë ndikuar këto dy role te njëri-tjetri gjatë viteve?

Z. P.: Mund të jesh një artist i shkëlqyer, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se mund të jesh edhe pedagog i mirë. Po ashtu, është shumë e vështirë të jesh pedagog i mirë nëse nuk e njeh artin në përgjithësi.

Që nga fillimi i viteve ’90, kur diplomova dhe fillova të punoja si docente me studentët në hapësira të improvizuara, jam përpjekur të mos krijoj kurrë një distancë artificiale mes vetes dhe tyre. Nuk kam vepruar sikur jam mbi studentët e mi; përkundrazi, kam qenë me ta. Kur e shihnin se dëgjonim të njëjtën muzikë – blues, jazz apo rock – krijohej menjëherë një afërsi e natyrshme. Dilnim bashkë, vinin në studion time, diskutonim për artin dhe mbi të gjitha u jepja liri.

Kam besuar gjithmonë se studenti nuk duhet të traumatizohet nga procesi i të mësuarit. Nëse dikush nuk dinte diçka, nuk e shihja si problem. Flisnim, diskutonim, ndanim ide dhe përvoja. Shpesh më pyesnin: “A guxoj, profesoreshë?” Dhe përgjigjja ime ishte gjithmonë e njëjtë: “Bëje!”

Shumë herë ata e kanë realizuar një ide edhe më mirë sesa e kisha imagjinuar vetë. Kjo është bukuria e mësimdhënies. Ti ua hap një derë të vogël dhe ata hapin një derë shumë më të madhe.

Kur i shoh sot, ndihem krenare për rrugëtimin e tyre. Studentët e mi kanë korrur suksese në fusha të ndryshme të artit, sepse kanë pasur guximin të eksperimentojnë dhe të gjejnë zërin e tyre. Edhe në organizime artistike ndërkombëtare ku kemi marrë pjesë së bashku, kemi qenë ndër grupet më të vlerësuara.

Një nga përvojat më të rëndësishme për mua, si koordinatore kryesore, lidhet me aktivitetet artistike ku ka marrë pjesë edhe Albin Kurtin, me konceptet e tij. Një moment kyç ishte kur e mbyllëm “Boro e Ramizin”, i cili u shndërrua në një hapësirë artistike. Pas muajsh përgatitjesh me studentët, ngjarja bashkoi performanca, instalacione, kujtesën e luftës, simbolikën “bukë, krypë e zemër”, konceptin “past, present, future” dhe kritika ndaj UNMIK-ut, duke mbetur një nga projektet më domethënëse të pasluftës për mua.

Më kujtohen edhe ekspozitat që organizonim në kushte të vështira, kur i ftohti ishte aq i madh sa hapjen e ekspozitës e bënim nën dritën e qirinjve. Ishin kohë sfiduese, por edhe jashtëzakonisht frymëzuese. Ishin gjenerata të arta studentësh, prej të cilave sot kanë dalë emra të dëshmuar të artit bashkëkohor.

F. M.: Çfarë keni mësuar nga brezat e rinj të artistëve që ju ka ndihmuar të vazhdoni të sfidoni veten dhe praktikën tuaj krijuese?

Z. P.: Kam mësuar shumë prej tyre. Ka pasur shumë raste kur studentëve u kam dhënë një ide, një sugjerim apo një drejtim fillestar, ndërsa ata kanë shkuar shumë më larg se sa e kisha parashikuar. Shpesh kanë qenë më kreativë se ne profesorët. Pikërisht kjo më ka frymëzuar vazhdimisht.

Hulumtimet, projektet dhe punimet që kanë realizuar studentët gjatë viteve më kanë nxitur edhe mua të vazhdoj të punoj më shumë për veten. Më kanë dhënë energji, motivim dhe një vullnet të veçantë për të mos ndalur kurrë së kërkuari forma të reja shprehjeje.

Do të ishte e pamundur të flisja për secilin student veç e veç. Shumë prej tyre sot janë aktivë në Kosovë dhe jashtë saj, duke ndërtuar karriera të suksesshme artistike. Por ajo që më gëzon më së shumti është fakti se ata janë formuar këtu. Janë shkolluar këtu, janë zhvilluar këtu dhe kanë dëshmuar se talenti dhe cilësia nuk kanë nevojë të vijnë domosdoshmërisht nga jashtë.

Për mua, mësimdhënia është një proces i vazhdueshëm shkëmbimi. Është një marrëdhënie që funksionon mbi parimin “merr dhe jep”.

F. M.: Në një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë suaj trajtohen tema që për një kohë të gjatë konsideroheshin tabu në shoqërinë tonë. Çfarë ju shtyu të hapni këto tema përmes artit? Po ashtu, ekspozita “Sexibition” solli një diskutim të drejtpërdrejtë mbi trupin, seksualitetin dhe dhunën ndaj grave. Sa e rëndësishme ishte për ju që këto çështje të trajtoheshin përmes artit dhe jo vetëm përmes debatit publik?

Z. P.: Nuk është e lehtë, sidomos për një pedagoge, ta përdorë trupin e vet si medium artistik, aq më pak kur ai trup paraqitet pa rroba. Në një nga punët e mia kam trajtuar pikërisht këtë fenomen: shikuesi shpesh e drejton vëmendjen menjëherë tek organi gjenital, ndërsa harron ta shohë gruan si tërësi, si mendje, si qenie, si identitet.

Unë nuk i kam parë kurrë raportet mes gruas dhe burrit si një përballje. Nuk i përkas asaj qasjeje që e sheh tjetrin si kundërshtar. Për mua, gruaja dhe burri janë si dita dhe nata, të ndryshëm, por plotësues të njëri-tjetrit. E dua mashkullin në mashkulloren e tij dhe e shoh këtë raport si pjesë të natyrës njerëzore.

Megjithatë, përvojat që kam përjetuar gjatë punës sime në terren, para dhe pas luftës, më kanë tronditur thellë. Kam takuar dhe kam dëgjuar histori të shumë grave të dhunuara. Dhuna që kam parë nuk ka qenë vetëm ajo e luftës dhe e ushtarëve; ajo ka ekzistuar edhe brenda shoqërisë, brenda familjeve dhe në situata të ndryshme ku gruaja shpesh nuk është pyetur as për jetën e vet.

Pikërisht për këtë arsye lindi “Sexibition”. Përmes kësaj ekspozite kam dashur t’i jap fuqi gruas, t’i jap zë përvojave që zakonisht heshten. Në të janë trajtuar tema si skamja, ofshama, prostitucioni, përdhunimi, por edhe dhunimi ndaj burrave. Sepse lufta nuk ka kursyer askënd. Ka pasur edhe burra të dhunuar dhe mendoj se këto histori meritojnë të dëgjohen.

Megjithëse ekspozita lindi nga përvoja jonë, ajo kishte një karakter universal. Nuk fliste vetëm për gratë e Kosovës, por për çdo grua të dhunuar në botë. Në të njëjtën kohë, ajo përfshinte edhe burrat që kishin përjetuar dhunë. Për mua, ishte një ekspozitë për dinjitetin njerëzor.

“Sexibition” mbetet një nga ekspozitat më të rëndësishme të krijimtarisë sime. Në të morën pjesë njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, nga figura të larta institucionale deri te qytetarë të zakonshëm. Ishte një projekt i madh, ku kontribuuan edhe artistë të tjerë, secili me pjesën e vet. Nuk është rastësi që e realizova në muze. Kam dashur që ajo të shihej jo vetëm si ekspozitë, por si një histori e dokumentuar, si një dëshmi që ruhet në kujtesën kolektive.

F. M.: Sipas jush, a kanë sot gratë artiste më shumë hapësirë dhe liri krijuese sesa gjenerata juaj, apo sfidat thjesht kanë marrë forma të tjera?

Z. P.: Sot gratë artiste kanë shumë më tepër hapësirë dhe liri se sa kishte gjenerata ime. Në vitet ’90 kushtet ishin krejtësisht të tjera, ndërsa pas luftës dhe sidomos në vitet e mëvonshme janë krijuar më shumë mundësi, më shumë platforma ekspozimi dhe më shumë kuratorë që kanë punuar me artistët.

Besoj se shumë prej sakrificave dhe përpjekjeve që kemi bërë para luftës janë bërë pikërisht që brezat e rinj t’i gëzojnë frytet e asaj pune. Më gëzon fakti që sot të rinjtë kanë më shumë liri, më shumë mundësi dhe më shumë hapësirë për të qenë produktivë.

Megjithatë, ka diçka që më shqetëson. Nuk mendoj se një artiste duhet të vlerësohet apo të trajtohet para së gjithash si grua. Në momentin që arti fillon të shihet vetëm përmes gjinisë, rrezikojmë të humbim vetë artin. Për mua, para së gjithash ekziston artisti si njeri. Një qenie që bart emocion, revoltë, guxim, ndjeshmëri dhe ide. Këto janë kriteret që duhet të na interesojnë më shumë sesa gjinia.

F. M.: Ekspozita e vitit 2017 me titull “Ofshamë”, ndër të tjera, përfshinte edhe elementin e vajtimit. Për çfarë vajtohej?

Z. P.: Në ekspozitën “Ofshamë” kam përfshirë vajin sepse është një element që më ka lënë gjithmonë përshtypje të jashtëzakonshme. Jam rritur në Prishtinë, e rrethuar nga muzika, kitara dhe kultura urbane, por njëkohësisht kam qenë gjithmonë e vetëdijshme për traditat tona dhe për mënyrën se si shqiptarët e kanë shprehur dhimbjen ndër shekuj.

Në një punim përdora edhe kufizimin +18. Përmes tij shpreha pakënaqësinë time ndaj mënyrës se si shoqëritë, jo vetëm te ne por kudo në botë, vazhdojnë t’i përdorin të rinjtë sapo mbushin moshën madhore. Për mua, një tetëmbëdhjetëvjeçar është ende fëmija i dikujt. Nëse dikush duhet të dërgohet në luftë, pse të jetë ai që sapo ka hyrë në jetë?

Në videon e kësaj performance shfaqen duar të mbuluara me gjak. Sa herë që duart lahen, gjaku rikthehet sërish. Është një metaforë për fajin, kujtesën dhe plagët që nuk zhduken lehtë. Disa gjurmë mbeten, pavarësisht përpjekjeve për t’i pastruar apo harruar.

Më vonë, ky kufizim +18 dhe temat që trajtohen në “Ofshamë” u ndërlidhën konceptualisht edhe me projektin tim “New Rules”, duke vazhduar të njëjtin reflektim mbi përgjegjësinë, dhunën dhe mënyrën se si shoqëria ndërton rregullat e saj.

F. M.: Cikli “New Rules” lindi në një periudhë kur pandemia dhe zhvillimet teknologjike ndryshuan mënyrën se si jetojmë dhe komunikojmë. Çfarë ju shtyu të reflektoni mbi këto ndryshime përmes artit?

Z. P.: Gjatë pandemisë, në vitet 2020–2021, fillova ta kuptoj jetën ndryshe. Papritur u gjendëm duke komunikuar përmes një ekrani të vogël, ndërsa sëmundja prekte njerëzit pa dallim. Një nga gjërat që më la më së shumti përshtypje ishte zhvillimi i jashtëzakonshëm i teknologjisë dhe i botës digjitale. Në këtë proces, shpesh kam ndjerë sikur humanizmi fillon të zbehet. Natyrisht, kjo epokë sjell shumë të mira. Nuk mund ta mohojmë zhvillimin, as mundësitë e reja që ai krijon. Por, njëkohësisht, sjell edhe shqetësime të shumta. Në veprat e këtij cikli kam përfshirë edhe temat që më kanë preokupuar prej kohësh, siç është përdorimi i të rinjve në konfliktet dhe strukturat ushtarake. Kam përdorur elemente të ndryshme vizuale dhe instrumente simbolike, duke u përpjekur të krijoj një kundërpeshë pozitive ndaj frikës dhe pasigurisë që ndjeja gjatë asaj kohe.

E them hapur se pandemia më frikësoi. Ishte një periudhë kur u detyruam të pajtoheshim me rregulla të reja, pavarësisht nëse i dëshironim apo jo. Pikërisht ky transformim i përditshmërisë sonë më shtyu të krijoj ciklin “New Rules”.

Në fakt, historia e artit ka qenë gjithmonë e lidhur me risitë. Kështu ka ndodhur me fotografinë, me filmin, me kompjuterin dhe me çdo shpikje tjetër që ka ndryshuar mënyrën tonë të të parit. Mjafton të kujtojmë filmat e Charlie Chaplin-it, që në kohën e tyre sollën një mënyrë krejt të re komunikimi artistik, apo më vonë zhvillimet teknike që e bënë të mundur një film si Avatar. Edhe në artin shqiptar kemi shembuj të tillë. Shpesh më vijnë ndër mend krijimet e veçanta të Gjelosh Gjokajt, të cilat në shumë raste të japin ndjesinë e një bote fantashkencore.

Prandaj, përmes “New Rules”, kam dashur të theksoj se edhe arti po hyn në një territor të ri. Një territor që sjell mundësi të mëdha, por edhe pyetje të reja për njeriun dhe të ardhmen e tij.

F. M.: A mendoni se arti ka ende fuqinë të na bëjë të ndalemi dhe të reflektojmë në një kohë kur jemi të rrethuar vazhdimisht nga imazhe dhe informacione?

Z. P.: Po, arti e ka ende këtë fuqi, por forma e tij ka ndryshuar. Veprat që kemi krijuar ne, por edhe ato të artistëve të tjerë para nesh, do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të hulumtohen nga brezat e ardhshëm. Nuk po flas vetëm për krijimtarinë time, por për artin në përgjithësi. Çdo periudhë lë pas gjurmët e veta dhe ato bëhen pjesë e historisë kulturore.

Po e përmend sërish Charlie Chaplin-in, sepse ai është një shembull i mirë. Veprat e tij nuk kishin vetëm vlerë artistike, por edhe edukative. Sot filmat e tij duken të veçantë dhe të papërsëritshëm. Askush nuk mund t’i rikrijojë më në të njëjtën mënyrë, sepse ato lidhen me kohën kur u krijuan, me realitetin historik, me përvojën dhe me rrethanat që i prodhuan.

Kështu ndodh me çdo vepër të rëndësishme arti. Ajo nuk është vetëm objekt estetik; është dëshmi e një kohe, e një mendësie dhe e një mënyre të caktuar të të jetuarit. Pikërisht për këtë arsye besoj se arti do ta ruajë gjithmonë fuqinë e tij për të na bërë të ndalemi, të mendojmë dhe të reflektojmë.

F. M.: Gjatë gjithë rrugëtimit tuaj keni folur për rëndësinë e kujtesës, dokumentimit dhe dukshmërisë së grave në art. Çfarë do të dëshironit të mbetej si gjurma më e rëndësishme e punës suaj për brezat që vijnë?

Z. P.: Do të dëshiroja që nga puna ime të mbeteshin karakteri i ekspozitave, fryma e revoltës, rezistencës, vetëdijesimit dhe lirisë krijuese. Në të gjitha ciklet e mia artistike kam kërkuar të trajtoj tema që lidhen me njeriun, shoqërinë, kujtesën dhe kohën në të cilën jetojmë. Një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi ka qenë edhe hapja e derës për gruan artiste, jo thjesht si një çështje kuotash apo përfaqësimi formal, por për gruan që di, mundet dhe ka guximin të shkojë përtej kufijve që i vendosen.

Edhe sot vazhdoj të kërkoj dhe të eksperimentoj. Aktualisht po merrem me një studim që e quaj Our New Faces, ku trajtoj transformimet e mundshme të paraqitjes njerëzore në të ardhmen. Janë reflektime që lidhen me evolucionin, teknologjinë dhe mënyrën se si mund të ndryshojë vetë qenia njerëzore. Në këto vizione shfaqen edhe forma të reja trupore, njerëz me pesë, gjashtë apo shtatë gishta, si pjesë e një imagjinate që përpiqet të mendojë përtej së tashmes.

F. M.: Çfarë këshille do t’i jepnit një artisteje të re që sot po përpiqet të gjejë zërin e saj në art dhe në shoqëri?

Z. P.: Para së gjithash, do ta këshilloja të hulumtojë. Të studiojë me kujdes gjithçka që është bërë para saj, jo për ta kopjuar, por për ta kuptuar. Çdo medium artistik ka historinë, gjuhën dhe mundësitë e veta. Sa më shumë të njohësh atë trashëgimi, aq më e fortë bëhet mundësia për të krijuar diçka tënden, diçka të re.

Një artiste e re nuk duhet të dorëzohet kurrë përballë vështirësive. Vetëbesimi është thelbësor. Gjatë rrugëtimit tim kam përjetuar kritika, paragjykime dhe fyerje të ndryshme, por pikërisht ato më kanë shtyrë të punoj më shumë, të jem më këmbëngulëse dhe më e guximshme në atë që bëj.

Sfidat nuk duhet të të thyejnë. Përkundrazi, ato duhet të shndërrohen në energji krijuese.

Dhe një gjë tjetër që e konsideroj shumë të rëndësishme: kurrë nuk duhet të përbuzet mashkulli. Arti nuk ndërtohet mbi përjashtimin e tjetrit, por mbi mirëkuptimin, dialogun dhe respektin. Për mua, krijimtaria është një hapësirë ku njerëzit takohen si qenie njerëzore, me dallimet, ndjeshmëritë dhe përvojat e tyre.

Në fund, ajo që ka më shumë rëndësi është të jesh e sinqertë me veten dhe me artin tënd. Nëse arrin ta ruash atë sinqeritet, zëri yt do ta gjejë rrugën vetë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË