Ruzhdi Pulaha është një nga emrat më të shquar të dramaturgjisë bashkëkohore, letërsisë dhe skenaristikës shqiptare, një krijues që, për më shumë se gjysmë shekulli, i dha teatrit shqiptar dimensionin e një pasqyre të gjallë të realitetit shoqëror dhe të ndërgjegjes qytetare.
Me veprën e tij ai nuk ndikoi vetëm në zhvillimin artistik të skenës shqiptare, por edhe në mënyrën se si shoqëria mendon, reflekton, ballafaqohet dhe komunikon me vetveten.
Dramaturg, shkrimtar dhe skenarist me një profil të spikatur qytetar, Pulaha i përket atij brezi të rrallë krijuesish që arritën të kapërcejnë kufijtë e artit të kohës së tyre, duke u bërë pjesë e historisë së kulturës shqiptare.
Përmes dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe veprave televizive, ai ngriti në skenë njeriun me dilemat, përgjegjësitë dhe konfliktet e tij morale, duke e kthyer teatrin në një tribunë të së vërtetës dhe të ndërgjegjes shoqërore.
Më 21 qershor 2026, në 84-vjetorin e lindjes së tij, nderimi për Ruzhdi Pulahën është njëkohësisht nderim për një prej personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare dhe për një krijimtari që vazhdon të mbetet e gjallë, aktuale dhe frymëzuese.
Ky përvjetor nuk është thjesht një datë biografike, por një moment reflektimi dhe nderimi për një figurë dhe personalitet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në dramaturgjinë, kinematografinë dhe letërsinë shqiptare, duke ndërtuar një univers artistik ku njeriu, morali, përgjegjësia dhe e vërteta zënë vendin qendror.
I lindur në Korçë më 21 qershor 1942, në këtë qytet që prej më shumë se një shekulli ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të arsimit dhe kulturës shqiptare, Ruzhdi Pulaha u rrit në një mjedis ku tradita intelektuale dhe dashuria për dijen ishin pjesë e jetës së përditshme.
Korça nuk është vetëm vendlindja e tij. Ky qytet përfaqëson edhe një pjesë të rëndësishme të formimit të tij shpirtëror dhe kulturor. Fryma qytetare, respekti për arsimin, kultura e debatit dhe lidhja me traditat më të mira të mendimit shqiptar duket se kanë ushqyer botën krijuese të dramaturgut të ardhshëm.
Pas përfundimit të studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës në vitin 1964, ai nisi rrugëtimin profesional në Radio Televizionin Shqiptar, (RTSH), ku punoi për afro dhjetë vjet.
Asokohe, puna në median e vetme vizuale kombëtare e vendosi në kontakt të drejtpërdrejtë me pulsin e jetës shqiptare, me shqetësimet, ëndrrat dhe kontradiktat e njerëzve, duke i ofruar një pasuri përjetimesh e vëzhgimesh që më pas do të merrnin formë artistike në shumë prej veprave të tij më të spikatura.
Në vitin 1975 u emërua mësues në Pogradec, ndërsa katër vjet më vonë u rikthye në Tiranë si autor pranë ish Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Kjo periudhë do të ishte vendimtare për konsolidimin e tij si një nga dramaturgët më të rëndësishëm shqiptarë të kohës. Ai e ushtroi këtë detyrë deri në vitin 1986, kur vendosi t’i përkushtohej plotësisht krijimtarisë së lirë.
Që në krijimet e para do të vihej re prirja e tij për të parë përtej sipërfaqes së ngjarjeve, për të depërtuar në motivet njerëzore dhe për të kuptuar mekanizmat që formësojnë sjelljen individuale dhe kolektive.
Kur flitet për teatrin shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, padyshim që emri i Ruzhdi Pulahës renditet natyrshëm në majat e autorëve që i dhanë identitet dhe prestigj dramaturgjisë kombëtare.
Vitet ’70 dhe ’80 përbëjnë periudhën më të rëndësishme dhe më prodhimtare të krijimtarisë së tij. Ishte një kohë kur teatri gëzonte një ndikim të madh shoqëror dhe kur publiku e konsideronte skenën si një hapësirë reflektimi mbi jetën dhe problemet e saj.
Në këtë realitet, Pulaha arriti të krijojë një dramaturgji që komunikonte drejtpërdrejt me publikun. Ai nuk shkruante për një audiencë abstrakte, por për realitetin e jetës së përditshme, për njerëzit e zakonshëm, për shqetësimet e tyre, për dilemën morale të individit përballë padrejtësisë, për konfliktet që lindin mes ndërgjegjes dhe interesit.
Autor i angazhuar dhe me temperament të spikatur qytetar, Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve me tema të mprehta shoqërore. Në shumë prej veprave të tij, ngjarjet zhvillohen me intensitetin e një procesi gjyqësor, ku përplasen argumente, bindje, interesa dhe qëndrime morale. Përmes këtyre përplasjeve, ai synon të zgjojë te publiku reflektimin dhe reagimin ndaj padrejtësive të çdo lloji.
Në dramat dhe skenarët e tij nuk ka personazhe të ndërtuar mbi skema artificiale. Ata janë njerëz të zakonshëm: drejtues, mësues, nxënës, studentë, intelektualë, punonjës, bujk, fshatarë, prindër apo të rinj që përballen me sfida morale dhe zgjedhje të vështira.
Një nga tiparet më të rëndësishme të dramaturgjisë së Pulahës është guximi për të prekur dhe trajtuar plagët e shoqërisë.
Në një kohë kur kritika sociale duhej të fshihej pas finesës artistike, ai gjeti mënyrën për të denoncuar përmes skenës burokracinë, arbitraritetin, formalizmin, shpërdorimin e detyrës, trafikun e influencës përmes nepotizmit, korrupsionin administrativ e moral, servilizmin dhe indiferencën qytetare, duke i kthyer këto vese e plagë të shoqërisë në objekt reflektimi dhe ndërgjegjësimi kolektiv.
Por forca e veprës së tij nuk qëndron vetëm te identifikimi dhe denoncimi i problemeve shoqërore. Ai nuk mjaftohej me evidentimin e dukurive negative apo me stigmatizimin e individëve që i mishëronin ato. Përkundrazi, kërkonte të depërtonte në thelbin e tyre, të zbulonte shkaqet, përgjegjësitë dhe rrethanat që i ushqenin. Vëmendja e tij përqendrohej te mekanizmat psikologjikë e socialë, moralë dhe shoqërorë që prodhonin padrejtësinë, deformonin marrëdhëniet njerëzore dhe pengonin zhvillimin e një shoqërie më të drejtë e më të përgjegjshme.
Në këtë kuptim, personazhet e tij nuk paraqiten thjesht si bartës të së mirës ose të së keqes. Ata janë qenie komplekse, të vendosura përballë tundimeve, frikërave, interesave dhe dobësive njerëzore, duke u bërë kështu pasqyrë e kontradiktave të kohës së tyre.
Përmes tyre, autori herë pas here fton publikun jo vetëm të gjykojë fenomenet, por edhe të reflektojë mbi kushtet që i lindin dhe mbi përgjegjësinë individuale e kolektive për t’i ndryshuar ato.
Pikërisht kjo qasje e bën veprën e tij të qëndrueshme në kohë: ajo nuk kufizohet në kritikën e një realiteti të caktuar historik, por shtron pyetje universale mbi pushtetin, ndërgjegjen, etikën dhe raportin e njeriut me shoqërinë.
Ndaj edhe dramaturgjia e tij padyshim është një dramaturgji e pakohë e ndërgjegjes. Ajo nuk akuzon vetëm sistemet apo institucionet, por pyet vazhdimisht individin: Çfarë ke bërë ti përballë së keqes? A ke heshtur? A ke reaguar? A ke mbrojtur të vërtetën?
Këto pyetje e bëjnë veprën dramaturgjike të Pulahës dhe teatrin të mbetet aktual edhe sot.
Një tjetër vlerë madhore e krijimtarisë së tij, që dëshmon pjekurinë artistike dhe njohjen e thellë të natyrës njerëzore, është ndërtimi i personazheve. Pikërisht në këtë aspekt shfaqet një nga cilësitë më të spikatura të dramaturgut: aftësia për të krijuar figura njerëzore të gjalla, autentike, komplekse dhe thellësisht të besueshme.
Pulaha nuk u përpoq asnjëherë të ndërtonte heronj monumentalë, të përsosur dhe të pagabueshëm, as të krijonte personazhe skematikë që mishëronin vetëm të keqen.
Ai i qëndroi larg stereotipeve bardhë e zi dhe atyre të thjeshtëzuar, duke zgjedhur terrenin më të vështirë të artit: të vërtetën e njeriut me të gjitha kundërshtitë e tij.

Personazhet e tij janë organikë, të natyrshëm dhe njerëzisht të prekshëm. Ata jetojnë në kufirin e brishtë mes dritës dhe hijes, mes bindjes dhe dyshimit, mes guximit dhe frikës, mes idealit dhe kompromisit.
Në botën dramaturgjike të Pulahës, njeriu nuk paraqitet si një qenie e ngrirë në tipare të pandryshueshme, por si një personalitet në lëvizje të vazhdueshme, i vendosur përballë zgjedhjeve morale, sfidave të kohës dhe konflikteve të ndërgjegjes.
Personazhet e tij nuk janë heronj të pagabueshëm. Ata gabojnë, lëndohen, bien dhe ngrihen sërish, duke kaluar nëpër sprova që zbulojnë kompleksitetin e natyrës njerëzore. Lufta e tyre nuk zhvillohet vetëm me realitetin shoqëror, por edhe me ndërgjegjen, frikërat, iluzionet dhe zgjedhjet e tyre. Kjo është arsyeja pse ata mbeten të gjallë në kujtesën e publikut dhe vazhdojnë të flasin me të njëjtën forcë edhe sot, shumë kohë pas krijimit të tyre.
Forca e këtyre figurave buron nga realizmi i tyre psikologjik. Pulaha depërton me finesë në botën e brendshme të personazheve, duke zbuluar motivet, pasiguritë dhe kontradiktat që drejtojnë sjelljen e tyre. Ai nuk i gjykon nga lart, por përpiqet t’i kuptojë, duke i trajtuar me ndershmëri artistike dhe me një ndjenjë të thellë humanizmi. Për këtë arsye, edhe kur personazhet gabojnë, ata nuk humbasin dimensionin e tyre njerëzor.
Këtij realizmi psikologjik i bashkohet një dialog i gjallë dhe i drejtpërdrejtë, një kompozicion dramaturgjik i qartë dhe një ritëm dramatik që ruan vazhdimisht tensionin e veprimit. Falë këtyre elementeve, krijimtaria e tij arrin të komunikojë natyrshëm me breza të ndryshëm, duke ruajtur freskinë dhe aktualitetin e saj.
Besnik i parimeve të realizmit, Pulaha nuk u josh nga eksperimentet formale apo nga risitë e kërkuara për hir të risisë. Ai besoi se forca e vërtetë e teatrit buron nga jeta, nga konflikti njerëzor dhe nga karakteri. Prandaj ndërtoi një dramaturgji të mbështetur mbi vërtetësinë e përvojës njerëzore, mbi autenticitetin e marrëdhënieve shoqërore dhe mbi fuqinë e personazheve për të shpalosur, përmes fatit të tyre individual, të vërteta më të mëdha për shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojnë.
Krijimtaria e Ruzhdi Pulahës përfshin një numër të madh dramash dhe komedish që tashmë konsiderohen pjesë e fondit të artë të kulturës kombëtare.
“Nesër është vonë”, “Mësuesi i letërsisë”, “Përballë vetes”, “Maro Mokra”, “Doktori pacient”, “Shkallët”, “Denoncimi”, “Nën dritat e skenës”, “Djemtë e Bato Gorës” dhe shumë vepra të tjera dëshmojnë gamën e gjerë tematike dhe aftësinë e tij për të trajtuar realitetin nga këndvështrime të ndryshme.
Dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në teatrin “A.Z.Çajupi” në Korçë dhe në teatrot e qyteteve të tjera të vendit, duke e bërë emrin e tij pjesë të pandashme të historisë së skenës shqiptare.
Nëse ekziston një vepër që e lidhi kaq ngushtësisht emrin e Ruzhdi Pulahës me publikun e gjerë shqiptar, ajo është pa dyshim komedia “Zonja nga qyteti”, e jetësuar edhe në kinokomedi nga regjisori i mirënjohur Piro Milkani në vitin 1976.
Pak vepra artistike në Shqipëri kanë arritur të kenë një jetë kaq të gjatë dhe një ndikim kaq të madh.


Vlera e qëndrueshme e krijimtarisë së Ruzhdi Pulahës nuk qëndronte vetëm te humori i hollë, te dialogët e zgjuar dhe situatat komike që ndërtonte me mjeshtëri, por sidomos te aftësia për të sjellë në skenë dhe në ekran të vërtetën njerëzore. Në veprat e tij, publiku gjente vetveten, shqetësimet, dilemat dhe ëndrrat e kohës së vet, të pasqyruara me ndershmëri artistike dhe depërtim të thellë psikologjik.
Ruzhdi Pulaha e njihte në thellësi jetën shqiptare, psikologjinë e njerëzve të zakonshëm dhe kontradiktat e shoqërisë, ndaj personazhet dhe ngjarjet e tij nuk dukeshin kurrë të sajuara. Ato lindnin natyrshëm nga realiteti dhe publiku i pranonte menjëherë si pjesë të përvojës së vet të përditshme.
Në veprën e tij, përplasja mes mentaliteteve të vjetra dhe frymës së re, paragjykimet shoqërore, raportet mes qytetit dhe fshatit, burokracia, vaniteti njerëzor apo dëshira për t’u dukur ndryshe nga ç’je në të vërtetë, trajtohen me humor të ngrohtë dhe me shumë inteligjencë të rafinuar. Ai nuk qeshte me njeriun, por me dobësitë, veset dhe absurditetet e jetës, duke ruajtur gjithmonë respektin për dimensionin njerëzor të personazheve të tij.
Pikërisht kjo aftësi për të ndërthurur të qeshurën me reflektimin, satirën me mirëkuptimin dhe kritikën me humanizmin, e bëri krijimtarinë e Pulahës të mbetet e dashur për breza të tërë shqiptarësh. Humori i tij nuk ishte thjesht argëtim i çastit, por një mënyrë e mençur për të kuptuar më mirë shoqërinë dhe vetveten.
Kinokomedia “Zonja nga qyteti”, e realizuar mbi këtë vepër, si edhe vazhdimi i saj, “Shoqja nga fshati”, u shndërruan në fenomene të mirëfillta kulturore, duke fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm te publiku artdashës shqiptar.
Me personazhet e tyre të gjalla, humorin e hollë dhe pasqyrimin realist të marrëdhënieve shoqërore të kohës, këta filma kapërcyen kufijtë e suksesit artistik për t’u bërë pjesë e pandashme e kujtesës kolektive.
Edhe sot, pesë dekada pas realizimit të tyre, që prej vitit 1976, skenat, dialogët dhe personazhet e tyre mbeten të gjalla në kujtesën e publikut shqiptar.
Ato vazhdojnë të kujtohen me dashuri dhe afërsi të njëjtë si dikur, si dëshmi e vlerave të qëndrueshme artistike të veprës që i frymëzoi dhe e gjurmës së pashlyeshme që ajo ka lënë në kulturën shqiptare.
Përtej skenës teatrore, Ruzhdi Pulaha la gjurmë të rëndësishme edhe në historinë e kinematografisë shqiptare, duke dëshmuar se talenti i tij krijues nuk kufizohej vetëm në dramaturgji. Si skenarist, ai kontribuoi në formësimin e një pjese të rëndësishme të memories filmike kombëtare, duke sjellë në ekran histori, karaktere dhe situata që publiku i përjetoi si pjesë të jetës së vet.
Forca e tij artistike qëndronte në aftësinë për të ndërtuar personazhe të gjalla dhe të besueshme, larg skemave të ngurta apo tipizimeve artificiale.
Dialogët e Pulahës rridhnin natyrshëm, me gjuhën e përditshme të njerëzve, ndërsa konfliktet dramaturgjike zhvilloheshin në mënyrë organike, duke zbuluar tensionet, ëndrrat, zhgënjimet dhe kontradiktat e shoqërisë shqiptare.
Pikërisht kjo e bënte veprën e tij të funksiononte me të njëjtën fuqi emocionale si në skenën e teatrit, ashtu edhe në ekranin e kinemasë apo televizionit.
Një nga veçoritë më të rëndësishme të krijimtarisë së tij ishte aftësia për t’u përshtatur me kohën pa humbur identitetin artistik. Ndryshe nga shumë autorë që mbetën të lidhur me një epokë të caktuar, Pulaha dëshmoi se ishte një krijues i pakohë, i vërtetë dhe që arrin të komunikojë me publikun përtej ndryshimeve politike, shoqërore dhe kulturore.
Pas viteve ’90, në një realitet krejtësisht të ri, ai vazhdoi të ishte aktiv dhe krejtësisht novator. Bashkëpunimi me BBC-në për realizimin e radionovelës së parë shqiptare “Rruga me pisha” shënoi një hap të rëndësishëm në pasurimin e formave të komunikimit artistik me publikun.
Po aq domethënës ishte edhe angazhimi i tij si skenarist i telenovelës së parë shqiptare “Njerëz dhe fate”, një prodhim i RTSH që në vitet 2001–2002 u kthye në një fenomen të vërtetë televiziv.
Suksesi i saj nuk lidhej vetëm me risinë e formatit, por edhe me aftësinë e autorit për të kapur ritmin e jetës shqiptare në periudhën e tranzicionit, duke sjellë personazhe, drama familjare dhe konflikte sociale me të cilat publiku identifikohej lehtësisht. Në këtë kuptim, Pulaha ishte ndër autorët që kontribuoi në krijimin e një gjuhe të re narrative për televizionin shqiptar.
Rikthimi i tij në dramaturgji me veprat “Kohë e çmendur” dhe “Streha e të harruarve”, dëshmoi se energjia e tij krijuese dhe ndjeshmëria artistike mbetën të pandryshuara.
Në këto vepra, ai mbeti një vëzhgues i mprehtë dhe thellësisht human i realitetit shqiptar, duke pasqyruar dramën e vetmisë, lëkundjen e vlerave tradicionale, ndryshimet e thella shoqërore dhe fatin e individit në një kohë transformimesh të vrullshme.
Kjo vazhdimësi krijuese, e shtrirë në disa dekada dhe në disa gjini artistike, e vendos Ruzhdi Pulahën ndër personalitetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai nuk ishte thjesht dramaturg, skenarist apo autor humori; por më së shumti ishte një rrëfimtar i madh i jetës shqiptare, i cili arriti të pasqyrojë me shumë talent, ndjeshmëri dhe mençuri artistike ndryshimet e një shoqërie të tërë.
Veprat e mëdha dallohen nga aftësia për të mbijetuar përtej epokës së tyre.
Kjo është edhe arsyeja pse krijimtaria e Pulahës vazhdon të studiohet, të lexohet dhe të vlerësohet. Shumë nga temat që ai trajtoi mbeten ende aktuale: raporti me pushtetin, përgjegjësia qytetare, integriteti moral, guximi për të mbrojtur të vërtetën dhe lufta kundër indiferencës.
Në vitin 1992 ai u përfshi përkohësisht në jetën politike të vendit si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, por në përfundim të mandatit u rikthye te letërsia dhe teatri, duke dëshmuar se misioni i tij i vërtetë mbetej krijimtaria.
Në këtë kuptim, veprat e tij nuk i përkasin vetëm së kaluarës. Ato flasin edhe për të tashmen. Madje, në shumë raste, duket sikur flasin edhe për të ardhmen.
Në panteonin e dramaturgjisë shqiptare, Ruzhdi Pulaha zë një vend të veçantë.
Ai është ndër ata autorë që arritën të krijojnë një gjuhë artistike të vetën, një univers personazhesh të paharrueshëm dhe një teatër që nuk iu shmang kurrë pyetjeve të vështira.
Në 84-vjetorin e lindjes së tij, nderimi për Ruzhdi Pulahën është njëkohësisht nderim për një epokë të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe për fuqinë e artit për të ndikuar në ndërgjegjen e shoqërisë.
Në fund të fundit, kjo është trashëgimia më e madhe që mund të lërë një dramaturg: jo vetëm veprat që shkroi, por mendimet që vazhdojnë të jetojnë te publiku shumë kohë pasi është mbyllur perdja e shfaqjes.
Dhe për Ruzhdi Pulahën, ajo perde nuk është mbyllur kurrë. Veprat e tij vazhdojnë të flasin, të pyesin, të sfidojnë dhe të frymëzojnë, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk njeh moshë dhe nuk i nënshtrohet kohës.
Tiranë, e shtunë – 20 qershor, 2026


