Balada e Bostonit
Në breg të oqeanit u ula dhe qava.
Përpara – ujë i paskaj,
Përmbi – qiell pafundësie.
Unë, me zjarrin e mallit, mes ujit, qiellit e tokës,
shoh zallin e kohës që bie.
Ja, i them vetes,
edhe ti u shkëpute nga kontinenti plak,
diçka që aq shpesh kishe dashur ta bëje;
kështu një ditë do të shkëputesh edhe prej botës,
mes teje dhe asaj do të shtrihet një oqean asgjëje.
Fus këmbët t’i lag me pak Atlantik,
ndërsa memorja bluan psalmin 137,
e zemra ngatërron Jeruzalemin me Kaçanik.
Sa sy e kanë parë këtë pafundësi?
Sa lot janë derdhë në të dy brigjet?
S’di a kam më shumë mall për të ardhmen,
a për të kaluarën që më ndjek e s’më hiqet.
Si një bard i ardhur prej Ballkani në Boston,
me lahutë të padukshme, hallet e mia i qaj.
Edhe pse nuk vij nga fushat e pambukut,
me bluz e sfidoj edhe zotin Buddy Guy.
Në këtë cep të Amerikës kujtoj vendin tim,
atë guvë e atë grykë, ku vetë Justiniani një ditë
kaloi me gjithë shkëlqimin e tij bizantin,
pa e kuptuar si ngrihen e bien perandoritë.
Kapitali që mban për kapistalli krejt botën,
tani shtrihet e ngrihet pas shpinës sime.
E nga një skutë e Evropës, me një vezë e pak kripë,
krejt shoqërinë e konsumit e sfidon nëna ime.
Kush di të ma thotë pse këtë natë qershori
sytë e mi shkëlqejnë më shumë se yjet e galaksisë,
ai mund ta kuptojë edhe dhimbjen e kësaj bote,
edhe lumturinë e Leopardit para pafundësisë.
Nuk e di a jam një pikë uji në oqean,
a një kokërr zalli në tokën e shkretë.
Ndoshta jam vetëm një pikë pikëllim
që mes katër elementeve ka zënë vend.
Në emër të atit, birit e shpirtit t’shenjtë, lutem,
sikur hodha hapin në dekadën e fundit të jetës;
dhe vazhdoj të sillem si një zar në duart e fatit
e t’i hakërrohem universit, oqeanit dhe vetes.
Halloween në Harvard
Edhe sot shkova në Widener,
lexova nga koleksioni i Milman Perry-t.
Dola nga arkivi, a nga arkivoli?
Te shkallët kishte nisë festa e tmerrit.
Më prisnin një lugat, një kukudh,
një shtrigë, një vampir…
thuajse ishin hapë krejt varret e Bostonit.
U mbështeta në një nga kolonat korintike,
i rrethuar si në Thriller-in e Michael Jackson-it.
Çava turmën e të vdekurve
duke shikuar përpara,
jo anash, as mbrapa, as lart.
Pse të kem frikë?
A s’jam edhe unë njëri nga ata
që merret me varre e legjenda në Harvard?
Ku shkon?
Më pyesin e më ndjekin si çakaj.
Më lini, u them,
se unë e kam dhënë besën dhe duhet ta mbaj.
Vetëm vdekja nuk gënjen
Datën e lindjes
e kishte leje për të gënjyer.
Thoshte: Do të bëhet mirë.
S’u bë.
Thoshte: Do të bëhemi të pasur.
S’u bëmë.
Thoshte, me kofer në duar:
Do të kthehem shpejt.
Prita tri ditë, katër muaj, pesë vjet…
U lodha nga gënjeshtrat e tij,
por kur një ditë më tha
se vdekja i trokiste në gjoks,
doja të ishte duke më gënjyer përsëri.
Heroi
Ai nuk e dëgjoi,
ai e ndjeu thirrjen për atdhe.
Shkoi në front
dhe u tregoi se me këmishë kishte le.
Pasi e mbrojti tokën tonë,
iu kthye tokës së vet.
Pushkën e vari në mur,
dhe nuk e preku më.
Kulloste lopët n’katund,
shiste tambël n’qytet,
shkulte lisa, hapte male, rrafshonte dheun.
Shokët e luftës s’pyesnin kurrë për të,
ishin shumë të zënë duke e mjelë atdheun.
Rrugët e Rrëshenit
Kujdes kur të shkoni në Rrëshen!
Pastroni këpucët, sandalet dhe shputat,
si kur hyni në një vend të shenjtë!
Ato rrugë i ka fshirë një shkrimtare.
Ndaleni hapin
dhe para se të vazhdoni tutje,
ndizeni një qiri,
ose, së paku, thuajeni një lutje!
Se aty ia përhitën fatin një princeshe.
Lexonte rrëfenja rreth vatrës,
e nuk e dinte se fati rren,
se kot merr dafina në Romë,
të gjitha rrugët të çojnë në Rrëshen.
Kur e di sa iu tunt jeta,
a s’të dridhet buza?
Më thuaj si ta fshijmë marren tonë,
e mos të na mallkojë Muza!
Burgu i Burrelit
Një ditë,
në një qeli,
një i burgosur
gjeti një letër duhani.
E mbushi, mbështolli, e lëpiu dhe e ndezi.
Kur poeti
ndërroi krah
mbi shilten e ndytë,
i tmerruar pa tjetrin me cigare në buzë.
Tjetri sa hap e mbyll sytë,
i ndjeu gishtat e poetit në fyt.
S’e kuptonte çfarë gabimi kishte bërë;
s’e kuptonte pse ish kaq e tmerrshme
me pi duhan.
Dhe rrinte aty pa e ditur,
duke e parë mikun të çmendur;
duke e parë mikun të mërzitur.
Heshtje.
Cigarja ishte fikur.
Në qeli qetësi dhe mërzi si pas një tragjedie.
Në njërën anë poeti,
në tjetrën shoku i qelisë.
Mes tyre jepte shpirt një gjysmë poezie.
Erotemë
Udhën kah ecje ti,
e mbështolla si qilim
dhe e hodha në shpinë;
do ta çoj ku të dua.
Si mund ta lë ta shkelin të tjerët
tokën që e preknin këmbët e tua?


