Përktheu nga origjinali suedisht: Shqiptar Oseku
***
Mos qaj më!
Mos rënko!
Mblidhe veten!
Bëj vetullat!
Zgjat qerpikët!
Mbaj nervat!
Ndreq flokët!
Pastro hundët!
Rruaj mustaqet!
Merr një sedativ!
Pse rri aty si e marrë
Fikalle e kërrusur,
Mos qaj më!
***
Ky Patriku është kaq i mrekullueshëm.
Nganjëherë më duhet ta përplas kryet në derë frigoriferi dhe nganjëherë
më duhet t’i prej thithkat me gërshërët e vjehrrës
dhe nganjëherë më duhet të hidhem hopa nën makina mu në mes të ditës
Por ai s’do të bëjë seks megjithatë.
Në asnjë rrethanë.
As seks oral, as gjenital, as anal.
Absolutisht jo sa e kam këtë shprehje në fytyrë.
Ai s’bën kurrë seks me gra që kujtojnë
se mund të kenë një jetë të dytë pas menopauzës.
S’ia ka ëndja, më thotë.
As intelektualisht, as emocionalisht.
Është çështje parimi, më thotë.
***
Së pari përbiva njëmijë pilula
pastaj preva damarët
pastaj u futa flakën flokëve
pastaj kërceva theqafesh
nga dritarja në kat të tetë
pastaj u zgjova në shtëpi
në dhomën e gjumit me lulka në mure
dhe burri më ish ulur pranë
e zgërdhihej si dash
e po më thonte
se gjithçka do të ndihej shumë më mirë
sa të bëhej verë
se do të kënaqeshim me njëri-tjetrin
në Las Palmas
***
Provo të kuptosh
se për çfarë po të themi
është shumë më vështirë
se sa tingëllon
se tingëllon bukur vërtet
por provo të flasësh
me ne, provo të tingëllosh
sikur të ishe një nga ne
mut i vogël
ne dukemi aq të njerëzishëm
të hedhim sheqer në çaj çdo mëngjes
të ofrojmë çokollatë të ngrohtë çdo mbrëmje
edhe të puthim nganjëherë
mut i vogël
por provo të kuptosh se çfarë
të kemi mësuar!
***
Njeriu me të cilin ndaj jetën
vallëzon
në dhomë të gjumit
një njeri i poshtër
po kënaqet atje tej
atje në brendësi atje në largësi
jashtë rrezes përjashta
fushës së shikimit tim i ndryrë
filli vetëm
kërrusur
më pret një qenie e gjallë
durueshëm
e pëshpërit
***
Vajza e vogël
nuk më njeh
ime bijë e bukur
s’është imja
ky burrë i njerëzishëm
që ia mban dorën
në dorë të veten
shihet se është
i panjohur
***
Në një shtëpi flakë të verdhë me qira
përballë një pallati flakë të verdhë
pranë një pallati flakë të verdhë
në një tridhomëshe moderne
me kthinë flladi frigorifer friz me ngrirje të thellë
dhe banjo me bidé
në një stol në kuzhinë
rri ulur një burrë simpatik
e lexon gazetën
ka veshur çorape të murrme
ka veshur brekë flakë të kuqe
mbi të cilat shkruan Las Vegas
prapa kokës së tij është një pikturë
që shfaq një fëmijë tek e ndjek
një brumbull
nëse i shtroj çarçafë të pastër
në shtratin dysh nëse ia vendos
një Coca Cola të ftohtë mbi komodinë
ai bëhet shumë qejfli ai shtiret
se nuk m’i sheh
qimet e bezdisshme në fytyrë
***
I dashuri u lodh e u largua
mori valixhen e u largua
pasi i kish hapur lulet
aq bukur mbi trup tim
i dha fund e më la
ndërsa isha ende shtrirë me lulet
nderë në shtrat tek po i këndoja
kërdhokulla llërë kofshë e buzë
i këndonin, i ngrenin në qiell
lulet e tij, shpirti tim, zemra ime
dridheshin e i këndonin oda
e policë në parzmore antiplumb
ruajnë tashti
hyrjen e daljen time
***
në një çast të pavërejtur
qëllova mbi të në fakt
në një qast të pavërejtur
i dhashë zjarr më në fund
në një sekond krejt të bardhë
ku ishte krejt vetja ime
e bëra copash të tërin
e i urdhërova tërë kujtimet e tij
që të zhbëheshin
ashtu që të miat të rronin
***
Netët janë bërë më të mëdha
e vazhdonë të rriten
së shpjejti s’do të ketë më vend
për to në kokën time
e pra ka kaluar shumë kohë
qyshkur janë ndier fëmijët
ka kaluar shumë kohë
qyshkur isha vajzë e prapë
e shumë e llastuar
në shtëpinë e prindërve me tulla të kuqe
gjithçka që prekja me dorë
i takonte dikujt tjetër
dhe prindërit e mi ishin të bindur
se më donin fort
***
Nuk jam përdhunuar kurrë
në një mapo vërtet ekskluzive me zonja
në lejla e me shishe të vogla e pasqyra
me korniza ari e kuti rozë
e detektivë tmerrësisht diskretë, me yje
mbi qepalla, dritë hëne mbi sutjene, me çizme
e makina me luks të hatashëm e me ulëse
ku njeriu fundoset
e vdes
***
Kryet plot
me qetësi artificiale
e Mpirë dhe e Lumtur
një puthje e prehjes e paqes e dashamirësisë
një Kiss of Fire dhe një Fuck Forever
dhe shumë zanafilla të lumtura
më qeshin në bark
***
Tashti shtrihu këtu
e mos shqetëso më
shtrëngo duart fort
rreth fshehtësive e buzëve tua
ato duhet të heshtin
– fëmijët flejnë dhe nata ka rënë
si në përralla vdekja është këtu
e ti duhet të mbash gojën
***
Në zgjohesh
edhe mund të vdesim
por nëse të rri pa luajtur
e shtirem se s’di
sa e vetmuar që jam
por nëse mbyll sytë fort
e s’lëviz fare
nën trupin tënd
ndoshta ti kujton
se jam grua e mirë
nëse s’lëviz fare
përfundi gjumit tënd
***
Gra të shëmtuara
heroina të përgjumshme të së përditshmes
nëna që duan dhembshurisht
përpiqen e mundohen e bien copë
heshtin e heqin sa munden
mëmëgjyshe tatëgjyshe vjehrra
nënqeshin të kënaqura në fotele
në divane në ulëse me rrotë në arkivolë
babai s’është as sot në shtëpi
babai ka ikur me punë edhe sot
fëmija e ëmbël si sheqerkë rozë
është e nderë e gjëmon
në dhomën e vet të bardhë dhe fqinjet
punonjësit socialë ndihmësit
mësuesit priftërinjtë infermierët
vrasësit profesionistë piromanët
e presin të gjithë çastin
atje në dhomë të ditës
***
Gratë zhvendoseshin më afër Burrave
të cilët vinin krahët
mbi supe të Grave
dhe Gratë i mbronin Burrat
me flokët e buta, i hapnin
flokët mbi fytyra të Burrave dhe Burrat
i hapnin trupat e vet të fortë
mbi trupa të Grave
e rrinin aty të shtrirë pa u ndier të gjallë
në heshtje të plotë, të puthitur,
ndërsa unë, me vëmendje të madhe
u shkoja përskaj
***
Kam lyer muret në dhomën tënde
rrobat tua i kam dhënë, librat t’i kam shitur
shtratin ta kam fshehur në qilar
ta kam ngrënë ushqimin
ta kam ngushëlluar plakën
Mungesa jote po nis të zbutet
Uroj që edhe ti të ndihesh mirë
mos u mërzit pa nevojë!
***
Si ishim më së miri
duke shetitur nëpër rrugë fshati
kolegu im e unë dhe errësira
po rritej disi përreth nesh
kur atij befas i mbaroi durimi
e më përdhunoi
unë ngela aty në tokë të ftohtë e po rënkoja
rrobat copë e çikë
menjëherë mbas krimit ai ia kish mbathur
më kish lënë vetëm në errësirë
unë rënkoja villja qaja më dilte gjak
pas disa orësh m’u ndal një Mercedes i zi
pranë, një mësues në fillore 30 vjeç
e uli dritaren e më bëri zë:
a mund të të ndihmoj gjë
unë iu ula ngjitur në ulëse të parme
e pak kohë më vonë
tingëlluan këmbanët e dasmës
***
Gjithçka është më e rrezikshme se ç’mendon
është koha e fundit
që t’i shpiesh fëmijët në vend të sigurt
jashtë rrezeveprimit tënd
duhet ta kesh mendjen fort
duhet të jesh shumë e kujdesshme
qenie të shfrenuara
të fshehen
në garderoba pas perdesh nën shtrat
nën sqoll pas tapetash në shkallare
në anën tjetër të gjumit
–duhet të ruhesh fort
të mos ua zbulosh emrin tënd!
***
ty që më thua Dashuri
unë ta kthej Gënjeshtër
ndonëse do të doja shumë
të të mbes e brishtë në krahë
por rrugët e mia po ikin tash gjithmonë
larg prej poezive tua
as unë s’po kam më vend për folklorin tënd
brenda netve të mia
e s’marr vesh as vetë sa lodhshëm
kalëroj mbi kuajt e mi
kalëroj mbi shpinat e të dashurve të mi
pi pështymët
pi pështymët
pi
pështyj shpesh në kisha
e Hyu s’ka më asgjë të re
për të më thënë
për Dashurinë këtu
***
Tashti që të Dashuruarit
kanë lënë shtëpinë
një nga një
tashti fëmijët
janë ngjitur nëpër pemë
dhe janë bërë të sjellshëm
tashti gjithçka është e këndshme
nën qiell
në igloon e babait
koleg i dashur
tashti që lamë rrobat
një nga një
i kemi adresuar letrat e dashurisë
dhe jemi shtrirë
një nga një
me duart mbi mbulesë
***
Vdekja e ka
një veti të habitshme
që kujdeset për të vegjlit e vet
ua ha ushqimin
e ua tremb shokët
e kur ata ankohen ajo e shpërfaq
dorën e vet të ftohtë
dhe ua shkruan
emrin e vet të ftohtë
mbi buzë që u ngelin përherë
të paputhura
***
Vdekja e ka një veti të habitshme
që të ulet befas në divan nga IKEA
e të duket si çlirim
kur janë mbyllur të gjitha shitoret
edhe vajza ime e vogël do të jetonte më mirë
te një amvise e urtë
jashtë katundit Månkarbo
***
S’do mend se ka fenomene të cilat
as janë komerciale për treg
as janë interesante në të tjera aspekte.
S’do mend se ka probleme të cilat
as ua ngarkon dot të tjerëve as pretendon
t’u kërkosh vëmendje.
S’do mend se ka një pikëllim
që është aq i ndjerë
sa të ngjall neveri.
***
Duhet ta gjej veten para se të shkoj.
Do të kem këpucë.
Këpucë shetitjesh.
Me sholla kauçuku.
Them se do të quhet martirizim.
Më shiko tashti.
E shoh se po vi me thikë.
E shoh se po vi me litar.
Një herë do të shkrehet kjo armë.
Kam llafosur për të pesë dekada.
E do të marrë një gjysëm sekondi.
Pse më shikoni tashti?
Dashuria s’është përgjithmonë.
Vdekja, ndërkaq.
Vdekja, ndërkaq, është e përjetshme.
Lamtumirë, qofshi mirë!
***
Tashti po flej
në një qytet shumë të bukur
shumë të lashtë.
Tashti po flej
për herë të parë
me duar të mbërthyera.
E dikush që s’e njoh
më ka hequr flokët
nga fytyra.
Tashti s’jam më
goca e askujt.
Ndaj tash s’kam më pse
të ndihem e braktisur.
Kur njeriu të vdesë
ka vdekur përnjëmend
e s’i ha më palla sa keq ndihej
ndërsa endej nëpër botë
e dukej si e marrë.
***
(poezi e lënë amanet për në varrim)
Mbi të vetmuar e të dashur
po i njëjti ligj sundon:
do të ndahemi nga vetja
një ditë të bukur si rëndom
kur I Panjohuri të vijë
afshin nga sytë të na fshijë
e t’u mëshojë vizë me harresë
skenave me mua e ty.
Por ai s’ma heq këtë gëzim
që më vjen nga ti, përsëri,
teksa hyj në atë errësim
ku këndoj për mikun tim
ia them natës anekënd
të bukurin, të fortin emrin tënd
e ky malli im lubi
bëhet fëmi’ në krahun tënd.


