KreuArte pamoreZhan Renuar: Pier Ogyst Renuar

Zhan Renuar: Pier Ogyst Renuar

Nga regjisori, i biri i piktorit të famshëm impresionist

Përgatiti Zija Vukaj

Në kopshtin tim në Kaliforni, pranë portës së kuzhinës, është një portokall. E shikoj dhe i ndjej aromën. Është gjithë lule. Nuk mund të shoh një portokall në lule pa menduar për Cagnes; dhe mendimi për Cagnes sjell menjëherë tek unë imazhin e tim eti. Aty ai kaloi pjesën më të mirë të viteve të tij të fundit; aty edhe vdiq. Në shtëpinë e tij, në Collettes, aroma e portokajve është gjithmonë e njëjta dhe ullinjtë e vjetër nuk kanë luajtur. Ka shumë bar. Një bar i varfër, por i lartë dhe i dendur, gri edhe pse në mes të dimrit, i përbërë prej llojeve nga më të ndryshme e të përziera lulesh të egra që mund të merren me mend. Është diçka e thatë dhe e harlisur, e hirtë dhe me ngjyra njëkohësisht, siç janë shpesh gjërat në Jug të Francës. Aroma e saj nuk të përplaset vrullshëm në flegrat e hundës si bari në rrethinat e Aix-en- Provence. Është më e hollë, por e paharrueshme. Po të më çonin në Collettes me sy të lidhur, do të më mjaftonte të ndjeja atë aromë për ta njohur vendin.

Hija e ullinjve të dendur është ngjyrë mullage; është gjithnjë e lëvizshme, e ndriçuar, plot shend e jetë. Po të kalosh andej, ke përshtypjen se Renuari është akoma aty dhe për një çast mund ta dëgjosh duke kënduar teksa ia shkel syrin telajos. Ai është pjesë e peizazhit. Nuk duhet shumë fantazi për ta parë kapelën prej kanavace të bardhë të vendosur në mënyrë të çuditshme mbi kafkën e lartë. Fytyra e tij e dobësuar ka shprehjen e një ngacmimi të dashur. Gjatë javëve që i paraprinë vdekjes, trupi i tij aq i dobët dhe krejt i paralizuar, nuk i bënte fare përshtypje as Gabrielit, as mua apo vëllezërve të mi dhe të gjithë atyre që ishin përreth. Ishin mësuar, aq sa edhe Renuari vetë. Tashti, nga largësia e kohës e shoh akoma më mirë. Më vijnë në mendje krahasime të lehta: në Algjer, evropianët i quanin pleqtë arabë “trungje fiku”; në Francë, shkrimtarët që linin pas dore sjellje të shtirura fshatareske përdornin shpesh shprehjen “rrënjçe hardhie” për të përcaktuar një fshatar të dobët e të shtrembër. Imazhe të tilla shkrihen mbi analogji të pastra fizike. Për sa i përket Renuarit, mendimi mund të shtyhet përtej krahasimit, për të sjellë në mendje frutat e mrekullueshëm dhe bujarë që fiku dhe hardhia nxjerrin prej një toke shkëmbore.

Im atë kishte diçka prej një plaku arab dhe shumë prej një fshatari francez, me ndryshimin se lëkura e tij, e mbrojtur përherë prej diellit nga nevoja për ta mbajtur kanavacën jashtë reflekseve mashtruese, kishte mbetur e çelët si ajo e një adoleshenti.

Ajo që befasonte të huajt që takoheshin me të për herë të parë ishin sytë dhe duart. Sytë ishin ngjyrë kafe të çelët, që anonte nga e verdha; kishte një shikim shumë të mprehtë. Shpesh na tregonte në horizont një grabitqar që fluturonte mbi luginën e Cagnes apo një mollëkuqe që kacavarej gjatë një fijeje bari fshehur prej fijeve të tjera të barit. Me gjithë sytë tanë prej njëzetvjeçarësh, ishim të detyruar të kërkonim, të përqendroheshim, ta pyesnim, ndërsa ai e gjente menjëherë gjithë çfarë i interesonte, larg apo afër qoftë. Kaq për sa u përket karakteristikave fizike të syve të tij; ndërsa për shprehjen e shikimit të tij, imagjinoni një përzierje të ironisë e të butësisë, të ngacmimit e të argëtimit. Dukej sikur sytë e tij qeshnin gjithmonë, që vërenin para së gjithash anën zbavitëse të gjërave, por ishte një qeshje e dashur, e mirë. Apo mos vallë ishte një maskë; në fakt ishte tejet modest dhe nuk donte që tjetri t’ia vinte re emocionin, një emocion që njerëzit e tjerë ndjejnë kur prekin apo përkëdhelin, që e kapte vetëm duke parë lulet, gratë apo retë në qiell.

Duart i kishte të deformuara në mënyrë të frikshme. Reumatizmi ia kishte shkatërruar artikulacionet, duke ia përkulur gishtin e madh drejt pëllëmbës dhe gishtat e tjerë drejt nyjës së dorës. Vizitorët e pamësuar me këtë gjymtim nuk ia ndanin sytë; reagimi dhe mendimi që nuk guxonin ta formulunin ishte ky: “Nuk ka mundësi. Me këto duar nuk mund të pikturohen këto piktura; këtu ka mister!” Misteri ishte vetë Renuari. Një mister pasionant që në këtë veprën time mundohem, jo ta shpjegoj, por ta komentoj. Edhe po të shkruaja dhjetë, njëqind libra mbi misterin Renuar, nuk do të arrija ta shteroja këtë gjë.

Nga çasti që po flas për fizikun e Renuarit, më lejoni ta plotësoj menjëherë. Para se të paralizohej ishte i gjatë një metër e gjashtëdhjetë e gjashtë. Së fundi, po t’i duhej të ndreqej për t’u matur, duhej të ishte patjetër më i shkurtër, për shkak se kolona vertebrale i qe shkurtuar paksa. Flokët, dikur ngjyrë gështenje të çelur, ishin të bardhë, më tepër mbi zverk, ndërsa maja e kokës tashmë ishte krejt e shogët, por nuk i shihej sepse kishte marrë zakonin të mbante përherë kapelë në kokë, edhe në shtëpi. Kishte një hundë shqiponjë dhe energjike. Mjekra e tij e bardhë ishte shumë e bukur dhe e kuruar me kujdes nga njëri prej nesh; një palë e çuditshme i detyrohej faktit se i pëlqente të flinte me mbulesat e tërhequra shumë lart nën mjekër, i varej majtas.

Veshja zakonisht përbëhej nga një xhaketë me grykë të mbyllur dhe pantallona të gjatë që i lodronin përreth këmbëve në ngjyrë gri me vija. Kravata lavaliere, e kaltër me pika të bardha, ishte lidhur me kujdes rreth jakës së këmishës prej fanellate. Nëna ime i blinte kravatat në një dyqan anglez, sepse francezët kanë lejuar që pak nga pak e kaltra të shndërrohej në ngjyrë guri, “një ngjyrë e trishtë; dhe e bukura është se askush nuk e vë re, sepse njerëzit nuk kanë sy. Dyqanxhiu thotë: Është e kaltër, dhe ata besojnë.” Në darkë, megjithëse në mes të verës, ai shtonte mbi supe një mantel. Vishte shapka prej feltri, të gjera e të larta, ngjyrë gri me kuadrate kafe, me mbyllje metalike. Kur ishte jashtë, mbrohej prej diellit nga një kapelë e lehtë prej cope të bardhë; në shtëpi i pëlqente të mbante një beretë cohe me anë të përkulshme, të atij tipi të lashtë që katalogët e dyqaneve paraqitnin në fillimin e shekullit me emrin “kapelë shoferi”. Natyrisht, nuk kishte pamjen e një njeriu të kohës sonë; të sillte në mend një murg të Rilindjes italiane.

Një ditë Sezan po i ankohej babait për mendjemadhësinë e një borgjezi të pasur nga Provansa: jo vetëm ai individ kishte stolisur sallonin me një telajo të Besnard, “ai zjarrfikës që vë zjarr”, por ia lejonte vetes të këndonte pranë Sezan-it e të stononte. Renuari, i zbavitur, i kujtoi mikut se të gjithë të krishterët janë vëllezër. “Vëllai yt ka të drejtë ta dojë Besnardin madje edhe të stonojë. “A nuk do ta takosh në qiell” “Jo?”, u përgjigj Sezan. Dhe mes seriozitetit e shakasë shtoi: “Në qiell e dinë shumë mirë se unë jam Sezani!” Nuk ngulmonte se ishte më superior se borgjezi i Provansës, por e dinte se ishte ndryshe “siç është lepuri i egër nga lepuri i butë!…” Dhe vazhdoi: “Nuk jam i zoti as t’i shpreh vëllimet siç duhet… Nuk jam agjë!…” Kjo përzierje e lavdisë madhështore me përuljen jo më pak madhështore mund të shpjegoheshin vetëm tek Sezan. Gjashtëdhjetë vjeç, nuk kishte arritur ta njihte ndonjëherë suksesin e madh të shitjeve; nuk ishte pritur asnjëherë në sallonin “Monsieur Bouguerau”. Renuari, në fundin e ekzistencës së tij, aq sa kishte qenë i kritikuar, i nënçmuar, shpesh i sharë, kishte arritur të imponohej. Tregtarët e artit debatonin për veprat e tij; muzetë e mëdhenj të botës i kishin hapur dyert; të rinj nga të gjitha vendet, nga të gjitha racat shkonin në Cagnes me shpresën t’i afroheshin mjeshtrit për pak sekonda. Ai i pranonte këto nderime pa e ngritur kokën. Kur biseda që bëhej kthehej në lëvdatë për personin e tij, Renuari i vinte gjërat menjëherë në vendin e vet: “Unë gjeni? Çfarë budallallëku! Nuk pi opium, s’kam pasur kurrë sifiliz dhe nuk jam pederast! Atëherë?…”

Auto portret nga Pierre-Auguste Renoir (1841-1919), rreth 1875, vaj në kanavacë

(…) Renuari e njihte nevojën e qenësishme në botën moderne ta ndante punën mes specialistëve, por nuk e pranonte për vete. Dhemb këmba: thirret specialisti; dhemb dhëmbi? Shkohet tek dentisti. Të zë trishtimi? I rrëfehesh një psikanalisti. Në fabrikë një punonjës shtrëngon vidat, një tjetër rregullon karburatorët; një fashatar kultivon mollë, vetëm mollë, ndërsa një tjetër mbjell grurë. Rendimenti është shumë i mirë. Miliona karburatorë, kuintalë grurë. Mollat janë të mëdha si pjepra. Plotësohen me cilësi ushqyese, nuk kanë gjigantizëm për shkak të vitaminave që përftohen. Dhe gjithçka funksionon shumë mirë. Njerëzit hanë më shumë, shkojnë më shumë në kinema, dehen më shpesh. Jetëgjatësia e njeriut rritet dhe gratë lindin pa zor. Gjithë vepra e Renuarit, e mbushur me vitamina natyrale, është një thirrje proteste kundër këtij sistemi; edhe jeta e tij ashtu ishte.

Bota e Renuarit përbëhej nga një terësi. Ngjyra e lulekuqeve mbizotëron qëndrimin e gruas së re me ombrellë. E kaltra e qiellit mbështetet vëllazërisht mbi lëkurën e dashit që mbulon bariun. Pikturat e tij janë demonstrime të barazisë. Sfondet kanë të njëjtën rëndësi me planet e para. Nuk ka lule, fytyra, vende njëri pranë tjetrit, por një bashkësi elementësh që shkrihen, të ngjitur prej një dashurie më të fortë se dallimet e tyre. Kur mendojmë Renuarin, i kthehemi gjithmonë kësaj. Në botën e tij shpirti çlirohet nga lënda, duke mos e mohuar, por duke e depërtuar. Lulja e blirit dhe bleta që dehet prej saj duke ndjekur të njëjtën rrymë që përshkon gjaku që qarkullon nën lëkurën e vajzës së ulur mbi bar. Është e njëjta rrymë e ndjekur edhe nga “tapa” e famshme, të cilën e njohim mirë. Bota është një. Ai bli, ato bletë, ajo vajzë, ajo dritë dhe Renuari bëjnë pjesë në të njëjtin çast. Dhe me to, oqeanet, qytetet, shqiponja mbi mal, një minator në minierë, Aline Charigot (modelja, pastaj gruaja e Renuarit) që i jep gji Pierrit të vogël. Çdo veprim i yni, çdo mendim i yni gjen jehonë në këtë tërësi kompakte. Djegia e pyllit do të shkaktojë përmbytjen. Druri i shndërruar në letër e pastaj në fjalë, do t’i çojë njerëzit drejt një lufte ose drejt njohjes së asaj që është e bukur dhe e madhe. Renuari besonte në ndodhinë e mandarinit kinez që, edhe pse gjendej mijëra kilometra larg vritej nga gjesti i vrasjes së pavetëdijshme të kryer në Paris. Pak para luftës së parë të 1914-ës, në një kafe të Montparnasit, dy emigrantë rusë shkëmbejnë idetë e tyre; në 1960 gjithë sistemi shoqëror, që edhe pse dukej i fortë, u tund nga rezultatet e bisedave të këtyre dy burrave. Nën Çezarët, shumë larg prej Romës, një agjitator i Galilesë u dënua në kryq. Dhe kjo shënoi rënien e Perandorisë Romake, revolucionin universal, këngën gregoriane dhe katedralen e Shartrës. Si mund të besohet që Renuari të refuzonte të ishte dëshmitar, më mirë, të merrte pjesë në një botë që ishte më e lidhur se brendësia e një veze? Të mund të mbyllte kanatet e dritares, të ngulej përballë një muri të zhveshur dhe të prodhonte gjithçka vetëm, të pikturave në të cilat çdo prekje ngjyre është saktësisht një pohim i një varësie të tillë. Fakti është se stomaku i tij ishte si i një struci. Gëlltiste gjithçka, subjektin, temperaturën, presionin atmosferik, ftohjen, ngërçin e këmbës, muskujt, barkun dhe kockat, urinë dhe më vonë dhimbjet. Gjithçka tek ai dhe jashtë tij, përfshirë mësimin e mjeshtërve të vjetër, kontribuonte për t’i dhënë një formë sekretit të tij e për ta ndarë me ata që donin ta shihnin pikturën e tij. Edhe inteligjenca e tij ishte pjesëmarrëse në gjithë këtë, përderisa ai nuk zinte besë dhe e vinte nën perceptimin shqisor. Përsa i përket kujtesës, ai e konsideronte një veti shumë të dëmshme.

Po ta zëmë se ekziston diçka absolute që përmbledh në vete atë çfarë ekziston, duhet të besojmë se kushti themelor i këtij entiteti është ekuilibri. Është ekuilibri i rrotullimit të një sateliti rreth planetit të panjohur dhe psherëtimës së kënaqësisë së dashur të një vajze, mes therorisë së thertoreve dhe ca notave të Mozartit, mes shtegtimit të lejlekëve dhe një veprimi të pastër matematik, mes zbërthimit të atomit dhe ekstazës së San Françeskut të Asizit. Disa njerëz të mëdhenj e kanë prekur gjendjen e ekuilibrit mes materies dhe shpirtit dhe i janë afruar pikës ku thellësia e njohjes së materies lejon t’i iket materies vetë, edhe pse jo krejt, në rast të kundërt, do të dalim nga humania. Do të përsërisim aventurën e Luciferrit. Këtë kanë tentuar ta bëjnë jo pak intelektualë, që kanë thyer kokën për të harruar që jemi bërë pak nga balta. Renuari thoshte se ka njerëz që preferojnë më shumë masturbimin se çiftëzimin. Të gjitha shkaqet e jashtme kombinoheshin tek ai për të vënë në lëvizje mekanizmin e krijimit; mes atyre shkaqeve duhen pranuar edhe preokupimet e karakterit teknik. I kthehem problemit të teorive të tij nga i cili jam larguar, për shkak të shmangieve, për të cilat nuk më dhemb; këto teori, baraz me tentativat e tij teknike, i shërbenin edhe si trampolinë. Kërkonte të arrinte përmes kontrasteve një tonalitet të së kuqes? Apo, duke i shpallur luftë të zezës së fildishit tregonte hijet me kobalt? Ajo hije e kaltër mbizotëronte kompozimin e pikturës së tij. Ai zgjidhte një pikë dominuese në fshat, sepse aty hija ishte e kaltër dhe mesazhi që në fund kjo pikturë drejton, nuk ka qenë lëvizja fillestare e veprës; mesazhi ishte pikërisht ajo e kaltër kobalti.

Për ta kuptuar më mirë procedimin artistik që ndodhte tek Renuari, po citoj një prej frazave të tij: “Nuk jam Zoti i gjithëpushtetshëm. Ka qenë ai që e ka krijuar botën, që mua më mjafton ta kopjoj” Dhe për ta saktësuar më mirë se në fakt nuk ishte fjala për ta kopjuar në kuptimin e ngushtë të fjalës, na tregonte anekdotën e piktorit grek Apel: në një konkurs në Akropol, një artist, rival i mjeshtrit athinas kishte paraqitur një pikturë që dukej se do t’ua kalonte të gjitha veprave të ekspozuara. Piktura paraqiste disa bistakë rrushi të imituar kaq mirë sa zogjtë, duke i marrë për të vërtetë, shkonin t’i çukitnin. Apel-i me një shikim që donte të thoshte: “Do të shihni tani!” paraqiti kryeveprën e tij. “Është fshehur pas kësaj perdeje të valëzuar.” Gjykatësit morën të ngrinin perden, por më kot; ai ishte subjekti i pikturës.

Më vjen keq që nuk mund të dëgjonit të qeshurën me të cilën mbyllej kjo anekdotë. Ajo e këpucarit e argëtonte më pak. Edhe këtu heroi është Apel-i. Gjatë ekspozimeve mjeshtri fshihej pas pikturave të tij për të dëgjuar kritikat. Kur një këpucar vërejti se sandalja e njërës prej figurave nuk ishte e saktë, Apel-i u shfaq, falënderoi këpucarin dhe ndreqi gabimin. Të nesërmen, po ky këpucar gjykoi se këmba e së njëjtës figurë ishte e dobët. “Këpucar”, i tha Apel-i, “rri te këpuca jote” Renuari shtonte se grekët me gjasë njihnin vetëm pikturën murale dhe atë të statujave dhe aspekti argëtues i atyre historive është se ishin shpikje të letrarëve. Përveç kësaj thoshte se ditën që piktorët të arrinin të jepnin iluzionin e një nënpylli, një blacë, përfshirë aty edhe myshkun dhe murmurimën e përroit, nuk do të ishte më pikturë: në vend që të blinte pikturën, amatori do të shkonte të shëtiste në një nënpyll, blacë të vërtetë.

Pak më sipër përmenda dy emigrantët politikë rusë që patën folur me njëri tjetrin. Është fjala për Leninin dhe Trockin. Im atë nuk i njohu. Do të na fliste shpesh Gabrielle. Në fillim të 1914-ës ajo ishte martuar me Konrad Slade. Kishin ngrënë të dy te Rozalia në Montparnas, një lokal i frekuentuar nga Apolineri, Modigliani, Picaso, Braque, Zhan Marchand, Léger e shumë të tjerë. Sladët rrinin shpesh në të njëjtën tryezë me dy rusët. “Nuk flisnin shumë, kishin rroba të ngrëna, hanin pak dhe nuk pinin. Por dukej se ishin persona ‘chic’, sidomos biondi.” Biondi ishte Lenini.

Pohimi im në lidhje me rëndësinë e fakteve të jashtme në pikturën e Renuarit shtrihet në të gjithë artistët e mëdhenj, përfshirë këtu Picasson-n, Breque apo Klee. Kjo shfaqet në kundërshtitë e dukshme me ngjarjen e Toulouse- Lautrec; unë nuk e besoj dhe ngul këmbë se incidenti i tij djaloshar ka pasur një pjesë të dytë, mbase jo krejt inekzistente në botën e të shprehurit të atij piktori. Trampolina e hedhjes së tij qe para së gjithash personaliteti i jashtëzakonshëm i modeleve të tij; atij personaliteti ai u shtonte natyrisht të vetin, në shkallën më të lartë, pastaj rimerrte vërejtjet e tij duke i mbyllur në cikël dhe duke pohuar në mënyrë indirekte se kjo botë nuk është një bllok banesash borgjeze ku qiraxhinjtë e apartamenteve të ndryshme bëjnë sikur nuk njihen. Edhe pa telashet e ndodhura, do të gjente njësoj modelet e nevojshme të frymëzimit të tij. Do t’i gjente në kafe Tolosa apo në Moulin Rouge, ku dukej se e çonte fati i tij, “hiri” më shumë se deformimi i tij. Dua të them se, pa ato fytyra patetike do ta kishte pasur shumë më të vështirë ta gjente veten.

Për mendimin tim, kalimi nga beqaria në gjendjen e burrit të martuar, qe për Renuarin më e rëndësishme se teoritë. Ai burrë vazhdimisht në lëvizje, që s’dinte të rrinte kurrë, që kërcente mbi një tren me shpresën e vagullt t’i gëzohej dritës së mbytur të Guernsey apo të përhumbej në reflekset e kuqërreme të Blidas, kishte harruar, që kur kishte braktisur rrugën Gravijer, kuptimin e fjalës “vatër”. Dhe ja tek gjendet befas në një apartament së bashku me një grua; ngrënie në orë të caktuara, një shtrat i ndrequr me kujdes dhe çorape të rregulluara. Dhe të gjitha këtyre të mirave po u shtohej edhe ardhja e një djali. Ardhja e vëllait tim Pier do të paraqiste një revolucion të madh në ekzistencën e Renuarit. Teoritë e novelave athinase po tejkaloheshin nga një qukë e formuar prej një rrudhe në këmbën e vogël të foshnjës. Në vizatimin me rrëmbim të djalit dhe për t’i qëndruar besnik vetes, në nisjen e preokupimit të jashtëm për të përkthyer në pikturë atë lëkurë të kadifejtë të krijesës së sapolindur, Renuari po rindërtonte botën e tij të brendshme.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË