Më 12 maj Galeria e Artit Bashkëkohor “GOCAT”, Tiranë përuroi ekspozitëe e qeramikës artistike të artisteve shqiptare: Mira Kuçuku, Llambrini Dëna Bojaxhiu, Laura Sllamniku Kryeziu, Blerta Syla Surroi dhe Gresa Kurti e kuruar nga historiania e artit Suzana Varvarica Kuka.
Ekspozita u mbështet nga Fondacioni Mane, Tiranë duke u ofruar pesë artisteve të gjitha hapësirat e Galeriseë së artit Bashkëkohor “GOCAT”, Tiranë.
Fondacioni MANE dhe misoni i tij mbi Kulturën & Artin
“Mane Foundation” është një fondacion kulturor dhe filantropik i themeluar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane. Fondacioni ka si qëllim mbështetjen e artit, kulturës, edukimit dhe projekteve sociale në Shqipëri dhe rajon. Një nga nismat më të rëndësishme të tij në fushën e kulturës është krijimi i galerisë së artit bashkëkohor GOCAT në Tiranë. Galeria e filloi aktivitetin e saj në maj 2024. Hapja e saj u shoqërua me ekspozitën e artistit Driant Zeneli. Galeria ndodhet në ambientet e Piramidës së Tiranës. Emri GOCAT vjen nga inicialet “Gallery Of Contemporary Art Tirana”. Galeria u krijua si një hapësirë e hapur për artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, kuratorë, studiues dhe publikun e gjerë. Një element i rëndësishëm është fakti që hapësirat ekspozuese u ofrohen artistëve dhe kuratorëve pa kosto, ndërsa hyrja për publikun është falas. Galeria organizon ekspozita personale dhe kolektive, projekte multidisiplinare, instalacione, video-art dhe aktivitete edukative. Drejtorja artistike e Galerisë znj.Ena Bulku na informon se:.. “GOCAT ka realizuar që nga krijimi në programin e saj 15 ekspozita arti, bashkëpunime me artistë ndërkombëtare dhe projekte edukative, duke u konsoliduar si një nga qendrat më aktive të artit bashkëkohor në Tiranë dhe Shqipëri…” Gjatë këtij viti (2026), në galerine GOCAT janë programuar të çelen 7 ekspozita të artit bashkëkohor si: Ekspozita me titull “XXXVI” – Bledar Gramo (01.01.-31.01.2026) me kurator Alban Kardashi; ekspozita me titull: “Lakuriq / Nude”, e artistit Oltsen Gripshi (09.02-15.03.2026) me kurator: Massimo Scaringella; ekspozita vetjake e artistit Shuk Orani me titull “SHIFT”(25.03 – 03.05.2026), me kurator: Elton Koritari dhe aktualisht qëndron e hapur për publikun ekspozita kolektive me titull: “Dione of the Earth” / “Diona e dheut “(12.05-28.06.2026) me kuratore Suzana Varvarica Kuka.
“Diona e dheut” / DIONE OF THE EARTH
Në pesë hapësirat e galerisë GOCAT, kuratorja Suzana Varvarica Kuka ka sjellë një prezantim artistik të kuruar me finesë të veçantë, duke shpalosur krijimtarinë në qeramikën artistike të pesë artisteve shqiptare – pesë individualitete të spikatura, të cilat i bashkon materiali i përbashkët i shprehjes: balta e pjekur në teknikën Terrakotë, Raku, Naked-Raku. Bëhet fjalë për artiste profesioniste, me një përvojë të konsoliduar dhe një gjuhë të formuar në fushën e qeramikës bashkëkohore.

Në një vështrim të parë, ekspozita të imponon ndjesinë e një organizimi të menduar me kujdes dhe inteligjencë kuratoriale nga Varvarica Kuka. Në tekstin kuratorial, ajo shpjegon me një gjuhë elegante dhe të komunikueshme lidhjen konceptuale të titullit “DIONA E DHEUT”/ “DIONE OF THE EARTH”, me krijimtarinë e pesë artisteve pjesëmarrëse. Ajo thekson – citoj: “… Në kanavacën e hyjnive, Diona, nëna e Afërditës, perceptohet si një figurë titane me fuqi femërore të mbinatyrshme, e lidhur ngushtësisht me tokën, si simbol i fuqisë krijuese dhe vazhdimësisë së jetës. Roli i saj mitologjik përmendet nga Homeri në librin e pestë të Iliadës. Ajo adhurohej në Orakullin e Dodonës në Epir dhe u trashëgua si një figurë e rëndësishme në besimet epiriote.
Imazhi simbolik i “Dionës së Dheut” përfaqëson ndërthurjen e mitit të gruas-hyjni me gruan-njeri me dhunti krijuese, e cila ushtron fuqinë e saj me butësi, e ngarkuar me nuanca dëshire dhe arti. Në këtë ekspozitë, misticizmi i saj më shtyn t’i shoh pesë artistet qeramiste shqiptare si “Dionat e dheut”, të lidhura me materialin që ato transformojnë, duke lënë gjurmë të qëndrueshme që nga koha e Venusit të Dolní Věstonice…”
Në hapësirat e gjera, të ndriçuara dhe të ajrosura të galerisë “GOCAT”, janë vendosur me elegancë postera vertikalë të realizuara nga kuratorja Varvarica Kuka, ku paraqiten në gjuhën shqipe dhe angleze karakteristikat krijuese të secilës artiste. Ky element i thjeshtë, por bashkëkohor, krijon një urë të qartë komunikimi me publikun dhe i jep ekspozitës një dimension informues dhe të aksesueshëm.
Të 118 veprat, e ekspozuara në mure dhe në podiume të përshtatura sipas natyrës së tyre formale, krijojnë një ritëm vizual të harmonizuar. Pavarësisht dallimeve në gjuhën shprehëse – reliev, skulpturë e rrumbullakët, figura njerëzore e shtazore, vazo apo pjata – ato ndërtojnë një tërësi koherente, ku diversiteti material dhe konceptual shndërrohet në harmoni kuratoriale. Përballë kësaj përzgjedhjeje veprash, vizitori përjeton qartë pasionin, përkushtimin dhe nivelin e lartë profesional të autoreve, të cilat dëshmojnë një standard të konsoliduar të qeramikës artistike shqiptare. Në secilën prej tyre lexohet individualiteti krijues, zgjedhjet estetike dhe kërkimi personal – qoftë në përdorimin e një ngjyre të vetme, qoftë në eksplorimin e një koloriti të fuqishëm, apo në seritë e vazove me trajtime konceptuale të ndryshme: nga tonalitetet e errëta, te portretet dhe motivet dekorative etj. Në tërësi, ekspozita “Diona e Dheut” përfaqëson një nivel të lartë artistik dhe kuratorial, duke iu drejtuar jo vetëm publikut artdashës, por edhe artistëve, studentëve dhe nxënësve të arteve pamore, si një shembull i qartë i dialogut bashkëkohor mes mitit, materialit dhe krijimit artistik.
Mbi pesë artistet dhe kuratoren e ekspozitës
Artistja Mira Kuçuku në ekspozitë paraqitet me një cikël prej 23 punimesh të ndryshme, ku vërejmë vepra arti të stilizuara bukur të figurave njerzore, pjata apo realieve të dekoruara me fantazi, me larmi ngjyrash që shoqërohen me imazhet e portreteve femërore të stilizuara me mjaft elegancë. Kuçuku është një artiste e njohur shqiptare në fushën e skulpturës dhe qeramikës artistike. E diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1977), Kuçuku ka ushtruar për vite me radhë profesionin e skulptores pranë ndërmarrjes artistike “Migjeni”, përpara se të krijonte studion e saj të pavarur krijuese. Krijimtaria e saj dallohet për një trajtim poetik të baltës, për format organike dhe për një lidhje të ndjeshme me motivet mitologjike dhe etnografike shqiptare. Një vend të veçantë në veprën e saj zë figura femërore si dhe simbolika e natyrës, të interpretuara në një gjuhë plastike të rafinuar. Mira Kuçuku është ndër artistet e para në Shqipëri që ka eksperimentuar me teknikën japoneze “Raku” në qeramikë. Veprat e saj janë prezantuar në një sërë ekspozitash të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, duke dëshmuar një qëndrueshmëri të konsoliduar artistike.

Artistja Llambrini Dëna Bojaxhiu paraqitet me ciklin e 7 kuajve të stilizuar, duke ruajtur formën e madhe të interpretuar e të pasuruar me dekoracione të lehta lineare e të prekuar diku – diku me ngjyrë të bardhë. Mendoj se ky është një nga ciklet e veçantë kushtuar figurës së kalit që të jep ndjesinë dhe dëshirën e realizmit pse jo dhe të një monumenti me përmasa të mëdha të njerës prej këtyre figurave të dekoruara me mjeshtri dhe inteligjencë. Artistja është një skulptore dhe qeramiste e njohur nga Berati, e cila ka ndërtuar një profil të veçantë në artin bashkëkohor shqiptar. E diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për qeramikë (1978), ajo ka zhvilluar një krijimtari të frymëzuar nga folklori, historia dhe tradita shqiptare, të cilat i rikthen në një gjuhë moderne artistike përmes qeramikës, terrakotës, drurit dhe materialeve natyrore. Krijimtaria e saj vlerësohet për ngrohtësinë estetike dhe për lidhjen e qëndrueshme me traditën shqiptare.

Artistja Laura Sllamniku – Kryeziu shpalos në 23 punimet e saj forma plastike të interpretuara përmes një fantazie interesante. Punimet e saj ruajnë këtë unitet koloristik, qoftë si plastikë apo dhe në tonalitetet ngjyruese që krijojnë vepra të ndryshme, ku ndjehet prirja grafike dhe lëvizje delikate të formave. Laura është një artiste bashkëkohore nga Kosova, e njohur për krijimtarinë e saj në qeramikë dhe art pamor. E formuar fillimisht në pikturë në Universitetin e Prishtinës (1999), ajo e zhvilloi më tej praktikën e saj artistike përmes studimeve dhe eksperimenteve në Tiranë, në studion e artistes Mira Kuçuku (2003). Veprat e saj ndërthurin traditën, mitologjinë dhe simbolikën shqiptare me një gjuhë moderne vizuale dhe një ndjeshmëri të theksuar plastike. Artistja Sllamniku është themeluese e studios “URA Ceramics”. Krijimtaria e saj karakterizohet nga përdorimi i teknikës “Raku” dhe nga një qasje poetike ndaj baltës

Artistja Blerta Syla-Surroi shpalos në 38 punimet e saj në reliev (terrakotë) në përmasa të ndryshme – harmoni uniforme plastike, duke përdorur dekoracione elegante gjeometrike (rrathë, gjysëm rrathë) dhe imazhin e peshkut nga bota ujore që krijojnë sëbashku struktura që ndërthuren me njëra tjetrën me mjaft fantazi. Uniteti i dekoracioneve brenda çdo vepre të jepin ndjesinë e një muzike të lehtë klasike që të mbajnë para veprës për ta shijuar atë. Blerta është një artiste bashkëkohore nga Kosova, e angazhuar në qeramikë, pikturë dhe art skenik. E diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë (2002), ajo ka zhvilluar një gjuhë artistike të dallueshme, të frymëzuar nga kultura ilire, arkeologjia dhe simbolika shqiptare. Veprat e saj në qeramikë karakterizohen nga forma skulpturore, relievet dekorative dhe një përdorim ekspresiv i ngjyrës. Ajo ka ekspozuar në vende të ndryshme si Franca, Kroacia, Japonia dhe Italia, Blerta është gjithashtu bashkëthemeluese e galerisë “Monet” në Prishtinë, Kosovë.

Artistja Gresa Kurti në ciklin e 27 punimeve të saj të pjatave dekorative rrethore apo kuadratike të realizuar me ngjyrë të errët, shpalos një qëndrim grafik të fuqishëm e të papritur. Brenda hapësirave të brendëshme të punimeve ajo ka krijuar me shumë guxim struktura në reliev të ulët që janë të papritura, por që shpesh janë realizuar me nuanca me të qarta dhe rastësore që të jep teknika Raku. Kurti është një artiste bashkëkohore nga Kosova, e angazhuar në fushën e artit pamor dhe qeramikës artistike. Në vitin 2014 ajo nisi një praktikë trevjeçare formuese në studion e artistes Mira Kuçuku, ku u njoh dhe u formësua në teknikat e pjekjeve alternative si Raku, Naked Raku dhe Pit Firing. Krijimtaria e saj karakterizohet nga një qasje eksperimentale, ku ndërthuren forma organike, tekstura të punuara me dorë dhe një simbolikë personale e ndjeshme. Ajo ka marrë pjesë në ekspozita kolektive dhe aktivitete artistike në Kosovë dhe rajon.

Kuratorja Suzana Varvarica Kuka është një nga figurat më të rëndësishme të studimit, kritikës dhe kurimit të artit bashkëkohor shqiptar. Me një veprimtari të gjerë në fushën e kërkimit shkencor, ekspozitave dhe botimeve artistike, ajo ka dhënë një kontribut të çmuar në dokumentimin dhe promovimin e arteve pamore në Shqipëri dhe më gjerë. Ajo është autore dhe bashkëautore e mbi 30 botimeve mbi artin dhe artistët shqiptarë (monografi, albume dhe katalogë). Botimin e parë monografik ia kushtoi skulptores së parë shqiptare Kristina Koljaka (2002), ndërsa më pas ka realizuar një sërë monografish të rëndësishme mbi figura të artit shqiptar, si: Kristaq Rama (2004), Alush Shima (2009), Andrea Mano (2010), Vangjush Mio (2014), Gjelosh Gjokaj (2014), 51 piktorë shqiptarë – koleksioni Shehaj (2016), 20 mjeshtrit e hershëm shqiptarë (2019), Simon Rrota (2019), Jakup Keraj (2019), Faruk Basha (2020), Faton Kryeziu (2021), Xhevdet Xhafa (2021), Fatmir Haxhiu (2024), Vasil Rakaj (2025) etj. Qasja e saj kuratoriale në mbi 20 ekspozita të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërthur kërkimin shkencor me ndjeshmërinë estetike, duke krijuar ura dialogu mes artistëve, publikut dhe historisë së artit. Përmes ekspozitave të kuruara ndër vite, ajo ka kontribuar në zhvillimin e artit bashkëkohor dhe në afirmimin e identitetit kulturor shqiptar. E njohur për gjuhën analitike, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj edukimit artistik, Zana Varvarica Kuka mbetet një figurë referenciale në studimin, kritikën dhe kurimin e artit shqiptar bashkëkohor.


