Mbresë në 11 copa
Kur po lexoja romanin e ri “Droja” nga Andreas Dushi
…një si çështje, ashtu vagëllimthi, m’u përshfaq, që ndoshta është dhe çështja apo njëra nga ato më kryesoret që pse është shkruar ky roman:
E ç’na përbën ne më shumë, dija apo ndjenja? – dhe desha të zbuloja qasjen ndaj kësaj. Ç’fshihte teksti, që po mbaja ndër duar?
Ashtu i qartë dhe i rrjedhshëm, me copëzime e retrospektiva herë të pakta e herë të gjata, gjithsesi do të kishte të fshehtat e veta.
Romani m’u dha në një mbrëmje rrugëve të Shkodrës, aty ku ai dhe ndodh, i treguar nga një fëmijë në kapërcyell të adoleshencës së tij. E shkrimtarit? Mbase, s’ka rëndësi… por autografi është i tij, edhe sinqeriteti marramendës, rrjeti i ndjesive, krerët, por trama është e jetës, e realiteve që e formësojnë dhe që krijon përreth e brenda vetes më shumë.
Lexova për gjithë natën dhe aty nga mëngjesi i vonë romanin e kisha mbaruar. Kisha mbajtur dhe ndonjë shënim, të cilat nuk po i kuptoj
dhe aq tani, por unë i jap më rëndësi mbresës dhe po përpiqem t’i përmbledh.
Qyteti gjatë gjithë natës sime kishte qenë pjesë e romanit dhe gjatë ditës, kur po endesha nëpër atë, ishte romani që që bërë phesë e tij.
Thashë, për mua ka më rëndësi përshtypja estetike që më shkakton një vepër letrare, pastaj të tjerat.
Po përpiqem t’i rëndis:
1.
Ashtu si vetë droja, – kisha shkruar, – që s’e di se ç’mund të jetë plotësisht, në vjen prej ndjesive dhe ajo apo prej edukimit a prej të dyjave bashkë, një pëzierje me dritë-hijet e tyre, që janë dhe tonat në fakt dhe…
Është një familje e zakonshme, prindërit, jo nr. 1 e nr. 2, por nëna e dhembshur e babai disi nevrik, jo i keq, por që s’di të dojë, madje që dhe s’dimë të jemi të mirë. E ç’mund të sjellë shembulli, modeli? Por qendra e vorbullës, protagonisti është djali, ka dhe një motër, vogëlushe dhe ajo, pak ngacëse, është dhe gjyshja, tradicionale dhe hije, gjithë ofshama e paragjykime, do të tjerë përtej portës, fqinjët, më tej axha, kërshërira e kushërira, hallë e halle e bestytni e besime, kryqe e minare, fëmijë të tjerë e lodra serioze e seriozitete si lodër e dëshira që thyhen si qelqe e humor shqetësues, pjata, shtrati, mbuluarja e kokës me batanie, drithërimat aty, etj, datëlindje, pa kronologji, një herë festohet 11-vjetori, pastaj 9-vjetori, s’ndodh asgje e shumëçka, vdekje e më pas rrëfime të para saj, në gjallje, thyerje të llogjikës, vetmi e buzëqeshje të trishtuara e fillime dashurish dhe druajtja… si qendër e një cikloni të paqenë… droja si gjendje ekzistence.
2.
…nga këndvështrimi psikologjik, droja shpesh lind aty, kur ndien se po vëzhgohesh ose gjykohesh, kur duan të të edukojnë dhe formëzohet nga temperamentet e brendshme dhe po aq nga përvojat jashtë tyre, gjithsesi të jetës.
3.
Ç’e solli drojën e protagonistit, ndjesitë apo edukimi? – pyes. Apo ndërveprimi mes predispozitave vetanake dhe trajtimet nga mjedisi i tij si person?
Droja nuk na shfaqet si frikë, sepse frika ka objekt, romani i Andreas Dushit nuk është objektiv, as ankth nuk është, sepse ankthi shpërndahet në të panjohurën, teksa në roman gjithçka na shfaqet si e njohur deri në vanitet. Droja qëndron diku në mesin e artë, e dhimbshme dhe e bukur, është vetëdija e brishtë përballë botës, që nuk e zgjodhëm, përballë tjetrit që na është dhënë dhe vetes, që duhet ta ribëjmë po vetë.
4.
Protagonisti tregon tërheqshëm, të gjithë flasin një shkodranishte po ashtu tërheqshëm, aq sa romani po më ngjante i një realiteti gjuhësor, ndërkaq mëkëmbej një filozofi e zhurmëshe heshtjeje.
Kur shpesh kërkohen ngjarjet rrëmbyese, konflikte të forta apo kthesa dramatike, “Droja” përzgjedh dhomat e lëvizjeve të vogla të shpirtit. Aty ku duket se nuk ndodh asgjë e në të vërtetë ndodhin dhe ato që të bëjnë për të qarë e ato që të bëjnë për të qeshur, apo që të lënë të ftohtë, që edhe të nxehin, që do të doje dhe të mos ishe më e megjithatë pret me padurim të nesërmen, por aty po ndodh më e madhja: formimi.
Dhe ato ngjarje që nuk i merr historia, madje që as dhe nuk ndodhin, por janë pasojat e pashpjegueshme të tyre. Të jetë romani i asaj që nuk po ndodh?
5.
Kemi një qytet që më shumë duket se është sasi se sa cilësi, që të bën të palumtur, fëmijë gjithnjë e më pak, por naiv si ai, me tepri madje.
Fëmijëria këtu nuk është si epokë e ëndërrt, as si një e kaluar, që të do,
por si metafizikë, si një truall ontologjik i qenies tënde. Njeriu nuk largohet kurrë prej saj, ai vetëm shton vite mbi të, me dashuri të druajtur dhe absurd të detyruar.
E shkuara në roman nuk rikujtohet për të rindërtuar faktet, por për të kuptuar se çfarë mbetet ende e gjallë brenda nesh. Në këtë kuptim, kujtesa nuk është arkiv, por lëndë, substancë romanore.
6.
Andreasi autor tregon për Andreasin personazh si në romane të tjerë të Andreasit. Dhe vepra çuditërisht ka zë. Nuk do t’ia dijë për ato që thotë, por se si i thotë. Baballarët p.sh. kishin vdekur para se të vdisnin. Dhe pret të ndodhë diçka e s’ndodh asgjë.
7.
… ka mbaruar Pjesa I, Nisja me copëzat e saj pa numra dhe nis II: Ura. Ura është e padukshmja. Krerët shkojnë mbrapsht, nga kreu i 20-të deri te i 13-i dhe pastaj Pjesa III ende më e pakët: Mbërritja, me numërimin prapë mbrapsht, nga 13 deri te 1. Arrijmë atje ku nisi… dhe e ndodh më e rëndësishmja: Rritja. Ky është roman i rritjes, do të thosha, por rritja është kuptim dhe romani është i ndjenjës…
8.
Estetika e të papërfillshmes duket se e përshkon veprën, ku identiteti nuk ndërtohet nga ngjarjet e mëdha. Sfidues ndaj prirjeve që e tregojnë jetën tonë përmes kthesave vendimtare, se në të vërtetë jemi produkt i detajeve: i një fjalë të dëgjuar rastësisht, i një turpi të hershëm, i një heshtjeje, i një humbjeje të vogël, i një pakënaqësie, i një puthjeje të lënë përgjysmë siç janë puthjet, i një buzagazi braktisës. Jemi në një estetikë që e zhvendos vëmendjen nga sublimja apo heroikja te e zakonshmja, te e rëndomta, në densitetin maksimal të tyre deri në metaforë. Romani, në këtë kuptim, sipas gjasave duket se kërkon të tregojë se jeta nuk përbëhet nga kulmet, por nga sedimentet.
9.
Në epokën e ekspozimit të vazhdueshëm, në këtë fillim të shekullit XXI. ku individi nxitet të shfaqet, të deklarohet dhe të projektojë vazhdimisht një version publik të vetes, droja fiton një vlerë të tjetërsojtë etike. Ajo bëhet një formë qendrese ndaj dukurive të spektaklit. Një mënyrë për të ruajtur thellësinë në një botë që shpesh shpërblen sipërfaqen.
10.
Po të gjykohet nga koncepti dhe drejtimi tematik, “Droja” duket si një roman që nuk kërkon të mahnisë lexuesin, por ta shoqërojë atë drejt një njohjeje më të qetë të vetes. Forca e tij nuk gjakon të qëndrojë te intriga, por te atmosfera, jo te ndodhitë, shpesh të kota, por te përsiatja si vlerë.
Romani mund të lexohet si një meditim mbi mënyrën se si njeriu bëhet ai që është, – kam shkruar. – Dhe kjo ndodh jo përmes fateve të mëdha, por përmes mbresave, vragave, qoftë dhe të vogla e sidomos këto, që koha, edhe ashtu e ngrirë, lë në shpirt.
Dhe romani duket se mbaron kur protagonisti, tashmë i pamoshë sipas meje, arrin te vetja.
11.
Dhe teksa ktheja faqen e fundit, pa habi, por me një si joshje dëshpëruese plot prarime, “Droja” duket se më nxiti të shtroj pyetjen, të thjeshtë në dukje si romani e të thellë njëherësh si ai:
Mos vallë ajo që na formon më shumë në jetë nuk është ajo se çfarë kemi bërë, por se ç’kemi ndierë dhe nuk kemi ditur ta themi?
Dhe këtu përmblidhen të gjitha shënimet e mia.
Mendoj se Andreas Dushi na e tregoi bukur me sigurinë magjepse të një fëmije e me pjekurinë estetike të shkrimtarit. Gjithsesi i gjithë ky marramendth, që quhet roman, është dhe “droja” ime.


