KreuLetërsiShënime mbi libraNikos Vlahakis: Nikos Kacalidha, “Lumenjtë e pëllëmbës sime”

Nikos Vlahakis: Nikos Kacalidha, “Lumenjtë e pëllëmbës sime”

Botimet Nikas, Athinë

Niko Kacalidas sjell një krijimtari dinjitoze që e shpalos mu në mes të ditës me diell në sheshmejdanin letrar të shkrimtarëve më të shquar ballkanikë, në kalimin nga shekulli i 20-të në shekullin e 21-të. Aty është pozicioni i vërtetë i këtij poeti dhe aty ai do të klasifikohet nga studiuesit e mëvonshëm.

“Dhe thashë: Më mirë ta shkrumbonin rrufetë, dhe nga hiri i saj të rilindej, se sa të fshiheshin kukudhët degëve pjellore ku pikon gjethi i fikut qumësht të bardhë, gjak harrese… shtëpi -arkë Noe midis gështenjave ankoruar.”

(Çarjet e Romiosinit, f. 105).

Guri i Epirit është i ashpër, i fortë, por nuk është ngurtësuar, plot tinguj, ngjyra, jetë të fshehura në një buthtim plot mite dhe mistere, dhe poezia që prodhon, është si uji gurgullues, që teksa buron dhe del në sipërfaqje, formohet si një lumë dhe në ecjen e tij vëllazërohet me lumenj të tjerë mbi pëllëmbën e një njeriu,  si “lumenjtë e fallit”, teksa ngjan me gjethe rrapi që rrjedh bashkë me ujërat e tyre, si varkë me vela, si pëllëmbë dore me vijat e saj, mbi të cilën leximi i fatit, nuk zbërthehet me orakuj por me vargje -magjie, me yshtje stërgjyshore, me pëshpëritje grash, përzier me fëshfëritje plepash, si një shprese që ndihet butësisht: “… të rihapen rrugët mbuluar me push, të mugullojnë bajamet majë humnerave, të mbushen  lumenjtë me borë, së mos gjejmë ujë gurgullues një ditë, të lajmë të vdekurit tanë ” (Harta e vendlindjes, f. 104).

Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë gjithmonë poezia e Nikos Kacalidas, një afresk i vendlindjes, i atdheut të tij të vogël dhe të madh, Epirit dhe Greqisë apo përsëri i dy vendlindjeve të tij të ndryshme, Greqisë dhe Shqipërisë, teksa ai vjen me një vëllim tjetër poetik nga njëzet e katër gjithsej në opusin e tij për të përmbledhur një rrugëtim të gjatë të jetës së tij krijuese në hapjen e një pëllëmbe metaforike,  e cila ngjan me një hartë origjinale udhërrëfyese, një guidë rrugore me shumë stacione shenuar në të, dhe është kjo metaforë sikur “shthur fillin e kujtesës”, “sikur tregon me dorë universin e ekzistences” siç do të thoshte Odiseas Elitis – i cili për Kacalidas është një nga fenerët udhërëfyese të udhëtimit të tij, së bashku me shumë fenerë të tjerë të krijimtarisë orale dhe traditës së kultivuar letrare, që nga Kristalis në Palamas dhe shumë të tjerë shndërruar në një diskurs poetik modern antologjik. Këta janë personalitetet që Kacalidas ka absorbuar dhe zotëron mjeshtërisht në formë, stil, strukturë poetike dhe morfologjike, por ai është vet poet dhe rikrijon një sintezë me një gjuhë të pasur dhe të larmishme origjinale, që e çon poezinë e tij në një formë të re eliptike, në një abstraksion të ri, e cila herë ndërtohet me brume mitike, herë alegorike realiste e herë të tjera meditative, ekzistencialiste, një  anatomi e simboleve dhe shenjave.

Një gjeratore figuracionesh

Siç shkruan me të drejtë poeti Jorgos Markopulos në kopertinën e pasme të librit të Nikos Kacalidas, me titullin e çuditshëm “Lumenjtë e pëllëmbës sime”: Një gjuhë brilante, një thesar gjuhësor pa kallëpe dhe caqe, nga të gjitha lulet e kopshtit gjuhësor, homerike e lashtë, e kultivuar, e folur demotike  veriore dhe jo si modë konjukturale, po si domosdoshmëri e brendshme, që në thurjen dhe qëndisjen e fjalës dhe stofit poetik në lojën e imazhit metaforik lirik të kujton Lorkën dhe Elitis…”. 

Është e padiskutueshme se kuota më e lartë e poezisë së Kacalidas është gjuha e tij, jo vetëm se kombinon gjithçka nga pasuria  e saj, siç e përmend Markopulos, por se në tërësi ai artikulon një univers poetik me konotacione kozmologjike dhe ekzistenciale në një lojë gjuhësore magjike rrjedhëse, e cila thuajse e ngre atë në një “gjuhë fiziologjike”,  thuajse një kod të lashtë simbolesh, si orakujt e Dodones, do të thoshte dikush, kod i cili evoluon në një (continuum) detajesh poetike, midis “atriumeve mëngjesore”, shkrimeve të shpellave, “asteriseve që pikojnë ambrozi” dhe kreshtave malore me pëllumba të egër, me shqiponja, me “frone të alabastra yjesh” dhe kryeengjëjt që duket sikur takohen dhe enden midis trumcakëve dhe zogjve të qiellit në një gjeratore imazhesh që – siç kam e pata  argumentuar dikur në një shkrim tjetër – të çojnë në një “Realizëm magjik poetik”, duke pasqyruar një memorje shekujsh.

Nëse dikush shkërmoq a çmonton pasurinë gjuhësore të Kacalidas dhe e zbërthen atë në shprehje dhe fjalë me vete – të cilat në vetvete përbëjnë imazhe të pavarura të ngarkuara me mite dhe legjenda – dhe pastaj i grumbullon dhe i mbledh përsëri, duke i rigrupuar në bashkësi dhe struktura të tjera të vogla apo edhe më të mëdha, atëherë këto do të përbëjnë përsëri një univers tjetër të ri poetik. Dhe kjo është e veçanta e kësaj dëshmie dhe prurje të re poetike, se vargjet përmbajnë vargje të tjera brenda tyre, si një lojë matriuskash: 

 “Ku janë kryqet e gurta të gjyshërve të pagjumë, mijra fragmente të memorjes stërgjyshore dhe si t’i ringjisësh ato?”, do të shkruajë poeti (f. 27, Kryqe dhe gurë varresh) dhe kjo nevojë kaq e thellë është esenca e këtij vëllimi të ri përfaqësues, i cili për mendimin tonë përmbledh në miniature gjithë karakteristikat kryesore të krijimtarisë së tij, kuintesencë strukturuar në një Suma poética që rrjedh si një lumë midis viseve të vendlindjeve, por edhe stacioneve onirike të një kthimi Odisean, i cili funksionon si një Nekia homerike. Sepse “në balloren e ngrirë prej stuhisë së borës të portës së lashtë stërgjyshore në mozaikun prej guri “ (f. 31), Kacalidas nuk lexon fatin personal të vetvetes, por fatin e së tërës, në të cilin vendos veten, një fat i ndërthurur me historinë dhe mitet, dhe ai vetë bëhet “shqiponja e orakujve okultë”,  heremiti që i interpreton ato, teksa kundron stuhitë e dëborës, vetëtimat, bubullimat, rrufetë e kohrave të trazuara që bien në pragjet e harruara atërore dhe shtëpitë aristokrate, bujare të tokës amtare.

Në këtë mënyrë, Kacalidas arrin atë që Jorgos Seferis e përcakton në poezi si “formën supreme të përdorimit emocional të gjuhës” që ndryshon nga forma e saj e përditshme utilitare, dhe për këtë arsye arrin një poetikë të eperme, gurgulluese, plot pulse dhe ndjenja lirike, teksa gërmon dhe hulumton thesaret në depozitimet shekullore të gjuhës greke,  duke mbartur shpirtin e një populli të tërë. Ai shpesh herë të jep idenë se është tradicional, por është iluzore kjo se format e tij strukturore janë të kultivuara me kombinime rigoroze, ai është krijues mitesh, por rrëfen realitete, ai është narrativ por nuk e lë asnjëherë ritmin e brendshëm muzikor të përfundojë në prozaizëm. Ai është koherent, por në të njëjtën kohë poezitë e tij janë fragmente të gjera të një afresku të madh, një thesar kujtese me një elegancë shprehjeje të fuqishme gjuhësore, që përfaqësojnë trashëgiminë stërgjyshore përmes detajeve të gurit rrethuar prej barit,  të vajeve  historike dhe të një universi të magjishëm të natyrës që regëtin dhe dridhet në pëllëmbën e autorit, këtij poeti-vëzhgues.

Një ‘Ekologji e heshtjes’

Rikrijim imazhinist i natyrës, përmes “ekologjisë së heshtjes”, do të guxoja ta karakterizoja si të tillë këtë vëllim të fundit të Kacalidas, që përbën kuotën më të lartë të tij, por kjo heshtje është vazhdimësia e një rrëfimi poliedrik, pa u shndërruar natyralizëm steril, por një bashkëbisedim i gjallë me hapësirën natyrore të Epirit dhe “tokës pa caqe”:  “Le të fishkëllenin dhe të dridheshin murlanet, duke nxjerrë brirët. Bredhat reshtuar mbi shtëpitë tona zinin pozicionet e tyre.” (Bredhat e Leshnicës, f. 119).

Përveç dimensionit imazhinist dominues të natyrës, karakteristikë tjetër e rendësishme kryesore e Kacalidas, është e gjithë kjo gjenealogji pothuajse papadiamantike e formave arketipike të një mnemosyne strukturuar në vargje në një fshehtësi okulte, e cila përfundimisht i bën ato të shenjta përmes shenjtërimit poetik: “… gratë zbrisnin me radhë nën llambadarin e yjeve dhe herë gjyshja bëhej ikona e Shen Marisë, herë nëna e Isuit nëna ime dhe ngjiteshin e zbrisnin në ikonostas, si Virgjëresha Mari të veshura me të zeza”. (Tempulli, f. 118). Lexuesi ndjen se hyn në një galeri të madhe figurash stërgjyshore, mitesh dhe legjendash, duke alternuar përmes një rrëfimi ku imazhet kërcejnë para syve të tij.

Korpusi letrar i Kacalidas është voluminoz, me njëzet e katër përmbledhje poetike, dy përmbledhje me tregime dhe pesë romane, një tregues ky që e bën atë zërin më përfaqësues të brezit të tij, i cili, duke u zhvendosur në Greqi, nuk kishte nevojë të përshtatej me mënyrat e të shkruarit të letërsisë bashkohore greke për të fituar  identitet. Ai e kishte këtë identitet që nga gjeneza, e solli si trashëgimi shekullore të gjuhës greke që jo vetëm nuk ishte e tjetërsuar, por dhe nuk pati frikë të komunikonte me mjedisin më të gjerë gjuhësor dhe gjuhët e tjera, në këtë rast me gjuhën shqipe. Kacalidas nuk vjen në Greqi t’u lutet për njohje “qarqeve autoritare letrare”, në fund të fundit, këtë njohje e kishte nga vendi ku jetoi dhe u rrit, pasi solli me vete vlerësimet dhe nderimet e të madhit Ismail Kadare dhe personaliteteve të tjera të letërsisë shqipe. Ai nuk erdhi si një “zog ekzotik” për të treguar krahët me pendë zbukuruese që të zgjonte interesimin e letrave neohelene urbane të Athinës.  Nikos Kacalidas sjell një krijimtari dinjitoze që e shpalos mu në mes të ditës me diell në sheshmejdanin letrar të shkrimtarëve më të shquar ballkanikë, në kalimin nga shekulli i 20-të në shekullin e 21-të. Aty është pozicioni i vërtetë i Nikos Kacalidas dhe aty ai do të klasifikohet nga studiuesit e mëvonshëm. Në hapësirën e gjerë të kodikut letrar ballkanik dhe në diversitetin e tij, duke përfaqësuar kështu një cilësi exelente të shpirtit grek, ashtu siç e ka trasheguar jo vetëm nga të moshuarit e vendlindjes apo nga babai folklorist por edhe nga shkrimtarët përfaqësues modern grek që ai përktheu në gjuhën shqipe para ardhjes së tij në “Klinon asti- Qytetin e famshëm”.

Kjo është ajo që e bën veprën e tij të rëndësishme, e kompletuar me të gjitha tiparet e saj. Sa herë para se të marr në dorë përmbledhjen e re poetike të Kacalidas, pyes veten se ku do ta vendosë pikën e fundit në këtë prodhim imazhesh mjeshtërore… Mbase do të pyes veten derisa të përfundojnë ato “urdhërimet e mbrëmësores”…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË