Ky tregim i kushtohet mamit tim të dashur dhe të paharruar, me emrin e veçantë Servet — gruas që mbante zjermin në duar dhe dritën në shpirt.
Ajo nuk ishte vetëm nënë, por edhe këngë. Kur niste të këndonte jaret shkodrane me atë zërin e saj hyjnor, dukej sikur melodia zbriste nga qielli. Me atë zë magjik, bënte të dridheshin edhe qelqet.
Tregonte se kur ishte vajzë e re, një i panjohur i këndonte çdo natë poshtë dritares:
“Pse më le, mori Servet…”
Me melodinë e saj të pastër, që shpërthente si një burim në qetësinë e mbrëmjeve tona, ajo përmbushte dëshirën e babit, i cili ngulmonte që çdo natë të këndonte nga një jare shkodrane. Këto këngë e mbushnin shtëpinë tonë në Shkodër me mall, dashuri dhe ngrohtësi.
Ne, katër motrat e vogla, rrinim të heshtura kur ajo këndonte, sikur frikësoheshim se mos një fjalë e vetme do të prishte magjinë. Oda e oxhakut merrte një dritë tjetër. Edhe shporeti dukej sikur digjej më fort kur zëri i saj kumbonte nëpër muret e larta të shtëpisë.
Ishte një zjerm i brendshëm, i butë e i pastër, që nuk na ngrohte vetëm trupin, por edhe shpirtin.
Babi e dëgjonte si i përhumbur, me qepallat e syve gjysmë të mbyllura, i qetë në dukje, po i humbur në mendime të trazuara. Nuk ishte një humbje e dukshme — rrinte aty, mes nesh, i qetë — por vështrimi i fluturonte diku tjetër, në një kohë që vetëm ai e njihte.
Ndoshta kujtonte rininë e tij, kur shalonte kalin e bardhë dhe galoponte drejt liqenit të Shkodrës, në nje plazh ekzotik, ne “Bregun e Ranës”, ku të dy të pandarë prisnin perëndimin e diellit — aty ku dielli puth tokën. Një vend mistik, me një emër të çuditshëm, Bisht Içinia, laguna ku edhe historia ndalet të shoh këtë mrekulli të krijuar nga dora e zotit. Nuk i dihet, ndoshta njeriu dhe kali prisnin të shihnin dallandyshen faqebardhë, një specie e rallë që përshkonte shkretëtirën e Saharasë, për të mbërritur në këtë vend magjik për të ndërtuar folenë.
…Hipur mbi kalin e bardhë, ai dukej si një figurë e dalë nga një kohë tjetër. Kali, miku dhe shoku i tij besnik, e shoqëronte edhe në ujërat e ftohta e të kthjellta të liqenit. Kur hynte në të, dukej sikur zhdukej për një çast nga bota e tokës, për t’u bërë pjesë e një qetësie më të thellë.
Babai im quhej Qemal. Ai rridhte nga një familje fisnike nga Podgorica. Emrin ia kishte dhënë gjyshi, Shyqo Lukacevic, si një amanet dhe si shenjë nderimi për Ismail Qemalin. “Gjyshi donte patjetër të shkrihesha me Shkodrën”, tregonte babi.
Familja jonë kishte ardhur nga larg, pas një përplasjeje të madhe me kushëririn e tij, Krajl Nikollën e Malit të Zi. Lanë pas gjithçka dhe u shpërngulën në Shkodër, brenda një nate pa hënë.
Jo rastësisht ishte pagëzuar me këtë emër. Kishte lindur më 28 Nëntor 1928 — ditën kur Shqipëria feston frymën e saj më të thellë. Që në lindje, dukej sikur mbante mbi supe një emër dhe një datë që nuk i përkisnin vetëm atij, por një historie më të madhe.
Dhe ndoshta, në ato çaste, ai nuk ishte vetëm babai ynë që rrinte pranë nesh, por ai djaloshi që kalëronte drejt ujit në agim — i lirë, i heshtur, i mbështjellë nga drita e një kohe që nuk kthehej më.
Por ai nuk e linte atë kohë të dukej si dobësi. E mbante brenda, si një zjarr të fshehtë — të njëjtin zjarr që, pa fjalë, na mësonte edhe neve si të qëndronim, si të donim dhe si të kujtonim pa u thyer.
Mami nuk ia prishte kurrë qejfin. Çdo natë ulej përkrah tij në minder, pranë zjarrit, dhe i këndonte me zërin e saj magjepsës këngët e tij të preferuara:
“Për mu paska qenë kismet…”“Po të bëj be, pash Perëndinë…” “Turtulleshen..”
Edhe pse sot nuk është më pranë nesh, zëri i saj kumbues jeton në kujtimet tona, si një këngë e përjetshme, si një zjerm që nuk shuhet kurrë.
Sa herë kujtoj fytyrën e saj të qeshur dhe shallin e kuq mbi flokë, më duket sikur dëgjoj përsëri jaret që shpërthenin nga zemra e saj e dlirë. Kur vinte dikush për vizitë, ajo hapte derën me buzëqeshje dhe përshëndeste me dashuri: “Hajde, ardhsh i bardhë.”
Ky tregim është për të, për zjermin e saj, për këngën e saj, për dashurinë që na la si trashëgimi.
Ishte një ditë e ftohtë dimri. Dritaret e odës së oxhakut ishin mbuluar nga avulli i frymës sonë, jashtë, era e fortë tundte pemët e zhveshura, duke ulëritur sikur donte të thyente muret e shtëpisë.
Ne, katër motrat, rrinim të mbledhura pranë sobës që mezi ndizej dhe që më shumë tym nxirrte tym se flakë. Lëviznim me kujdes nëpër dhomë, duke hedhur herë pas here sytë nga dera. Prisnim. Prisnim atë që sillte ngrohtësinë më të madhe në jetën tonë.
Papritur, dera u hap — dhe një flakë e vogël hyri brenda: mami ynë.
Në kokë mbante një shall të kuq mëndafshi, që dukej sikur mbante brenda gjithë dritën e botës. Ecte me hapa të lehtë e të qetë, që fshihnin forcën e pranverës që sfidon dimrin.
Atë çast, dhoma u mbush me jetë. Zjermi nuk vinte vetëm nga soba që filloi të bubulojë, por nga prania e saj dhe buzëqeshja që shpërndante për secilën prej nesh.
Ajo nisi të përgatiste darkën. Aroma e bukës së sapopjekur u përzie me aromën e saj — me dashurinë, me qetësinë që vetëm ajo dinte ta sillte.
Ne u ngritëm njëherësh, si zogj që hapin krahët drejt dritës. Çdo lëvizje e saj ishte një mësim i heshtur — një mësim dashurie që nuk kërkonte asgjë tjetër veç pranisë sonë.
Kur u ulëm në tryezë, na vështroi me ata sy që kishin parë shumë, por nuk e kishin humbur kurrë butësinë.
Na tregonte histori të vogla nga jeta e saj, dhe ne i dëgjonim sikur çdo fjalë të ishte një përqafim i padukshëm — një zjerm i brendshëm që na mbante ngrohtë.
Fytyra i merrte një hije të lehtë melankolie, dhe zëri i mbushej me mall sa herë fillonte të rrëfente për fëmijërinë e saj.
“Jetonim në një shtëpi të madhe, poshtë mureve të kalasë së Rozafës…” — tregonte ajo, dhe ne ngjisheshim edhe më shumë pranë saj. Shtëpia qëndronte e heshtur, e mbështjellë nga legjenda e vjetër që dukej sikur merrte frymë nëpër gurë. Muret nuk ishin thjesht gurë — ishin kujtesë, ishin flijim, ishin histori që nuk pushonte së treguari veten në heshtje. Në mbrëmje, kur hija madhështore e kalasë binte mbi oborr, gjithçka bëhej më e rëndë. Era sillte një fëshfërimë të lehtë, si zëra të largët që përziheshin me ajrin.Në dimër, kur stuhitë tundnin dritaret, dukej sikur dëgjoheshin hingëllima kuajsh, gjëmime topash, kushtrime luftrash, tringëllime shpatash…
Por në pranverë gjithçka ndryshonte. Nga bedenat e kalasë, thoshin se ndonjëherë përhapej në ajër një ninullë e lehtë.
“Ishte Rozafa që i këndonte të birit…” — pëshpëriste mami.
Ne e dëgjonim të mahnitura.
Por, vazhdonte ajo, brenda asaj shtëpie jetonte një tjetër botë.
Oda e Qitapeve ishte më e heshtura dhe më hijerënda nga të gjitha odat. Libra të vjetër, të shenjtë, qëndronin të rreshtuar si dëshmitarë të një kohe tjetër. Fletët e tyre mbanin aromën e viteve dhe një solemnitet që të detyronte të flisje me zë të ulët.
Aty jetonin historia, mistikja dhe legjendat. Ishte biblioteka e famshme e Jusuf Tabakut, e njohur në gjithë Ballkanin. Gjyshi im, Musa Tabakui ishte pinjoll i asaj familje të njohur shkodrane.
Koha dukej sikur ndalonte sa herë që ajo fliste për atë shtëpi.
“Kisha frikë të hyja në Oden e Qitapeve,” — thoshte ajo me një buzëqeshje të lehtë — “e megjithatë shpesh futesha vjedhurazi në majë të gishtave, ngadalë pa u ndjerë.”
Hapat e saj mezi dëgjoheshin mbi dysheme. Drita e zbehtë prekte faqet e librave dhe për një çast gjithçka dukej sikur ndalej. Jashtë, kalaja qëndronte si një roje e heshtur. Brenda, ajo ndjente një tjetër prani — diçka që nuk rrokej me sy.
Dhe pikërisht aty, në atë heshtje të thellë, ja merrte këngës me zërin e saj gurgullues. Në fillim ngadalë… si një frymë, pastaj më fort. Kënga përhapej nëpër shtëpi, prekte muret, ngjitej drejt dritareve me kangjella — dhe dukej sikur edhe qelqet dridheshin lehtë.
Nuk ishte thjesht këngë. Ishte thirrje. Ishte mall. Ishte dhimbje që kërkonte qiellin.
Dhe kur këndonte, nuk ishte më vetëm një vajzë. Ishte një zë që dilte nga thellësia e kohës — nga librat, nga muret, nga vetë toka.
Ishte zjerm që digjej mes tokës dhe qiellit.
Dhe sot, kur e kujtoj, gjithçka më duket si një këngë që nuk ka mbaruar kurrë.
Sepse zëri i saj nuk lindi rastësisht. Ai erdhi nga rrënjë të thella — nga një trung që kishte mbajtur gjallë muzikën dhe shpirtin brez pas brezi.
Ajo ishte bijë e asaj shtëpie… poshte kalase, por edhe mbesë e një dere tjetër të madhe — e Hoxhajve të Shkodrës.Nga ajo derë ku lindi ahengu shkodran, ku kënga nuk ishte vetëm art.
Mbesa e Sait Hoxhes, një gjigand i muzikës popullore shkodrane, që hodhi themelet e “Ahengut Shkodran” dhe i dha shpirt këngës se qytetit. Mami me dashuri e respekt, e quante “Axha Plak”
I kishin thënë për mamin që këndonte bukur, por duke qenë shumë autoritar…” — tregonte mami me një buzëqeshje të lehtë — “dridhesha kur këndoja para tij.”
Ai mbante në dorë shkopin e dirigjentit, ndërso ajo këndonte në një dhomë që quhej “Oda e Xhamave”, në mes të shtëpisë, si një sallon pritjeje, me zërin që kumbonte nëpër shtëpi. Të gjithë e dëgjonin të mahnitur, me sytë e mbushur me lot — ndoshta nga kujtimet, ndoshta nga dhimbjet që mbartnin brenda.
Ndoshta kujtonin dajë Brahimin…
I cili kishte vdekur në burgjet e komunizmit, me fajin e vetëm se kishte studiuar në Vjenë dhe kishte qenë pronar i fabrikave të para të Mëndafshit dhe Tisazhit në Shkodër.
Nuk u gjet kurrë se ku e kishin varrosur.
“Diku nga Varri i Bamit…” — thoshin.
Por eshtrat nuk iu gjetën kurrë.
Mami e tregonte këtë me sytë e mbushur me lot — një dhimbje e thellë që nuk ishte shuar kurrë. Daja im, Selami Tabaku, vëllai i madh i mamit, e kishte kërkuar gjithandej, kur ishte student në Tiranë, por kjo enigmë nuk u zgjidh deri në fund.
Por ajo mbante brenda vetes një trashëgimi që nuk shkruhej vetëm në libra — ajo dëgjohej në zëra, në melodi, në dridhjen e shpirtit.
Dhe ndoshta prandaj, kur këndonte, ajo dukej sikur nuk ishte vetëm.
Sikur pas saj qëndronin breza të tërë.
Sikur zëri i saj sillte me vete jehonën e Shkodrës — të kalasë, të oborreve te vjetra me lulebore, të netëve ku kënga ndizte zemrat.
Sepse disa zëra nuk lindin vetëm nga një njeri. Ata lindin nga një histori.
Nga një rrënjë.
Në sytë e saj shndriste një dritë e veçantë kur me zerin qe i dridhej tregonte për ditën kur ëndrra e saj mori krahë.
“Isha vetëm një vajzë e re…” — tregonte ajo — “por kisha një zë që mbante gjithë shpirtin tim.”
Kur fitoi konkursin, bota për një çast u bë më e madhe. Emri i saj u thirr mes shumë të tjerëve, dhe ajo ndjeu se po i afrohej jetës që kishte ëndërruar.
“Tirana nuk ishte më thjesht një qytet…” — thoshte — “ishte porta e së ardhmes.”
“Kur më thirrën emrin, më dukej sikur nuk isha në tokë. Kisha fituar. Do të shkoja të studioja kanto.”
Ai moment ishte si zjarr — një zjarr i bukur që i ndizte sytë.
Por jeta nuk i lë gjithmonë ëndrrat të bëhen realitet.
Pas çdo drite të fortë, vjen një hije.
Pa kaluar shumë kohë, erdhi lajmi që e ndau jetën e saj në dysh.
I ati i saj — gjyshi im, Musa Tabaku — nuk ishte më.
Ai nuk ishte vetëm babai i saj. Ishte një burrë i nderuar, intelektual, patriot. Mik i ngushtë i Luigj Gurakuqit. Nga ata njerëz që nuk jetojnë vetëm për veten. Kishte mbaruar Normalen e Elbasanit dhe në vitin 1926 kishte themeluar shkollën e parë laike për vajza në Shkodër, në Ajasëm, një akt guximi në atë kohë kur vajzat nuk dilnin nga shtëpia, për të cilin pas viteve 90-të, u dekorua “Mësues i Popullit”.
E nisi shkollën në oborrin e shtëpisë. Vajzat vinin një nga një, me frikë, duke parë majtas e djathtas, me gjergjef në dorë, sikur do të qendisnin. Futeshin të ndrojtura në oborr, ku i priste mesuesja e ardhur enkas nga Turqia qe fliste shqip. Kështu filloi ajo shkolle, në një oborr të mbushur me lule, dhe me vajza te reja të etura për të mësuar shkrim e këndim, për të mësuar gjuhënbubulgu e bukur shqipe.
Në dërrasën e zezë, shkruhej shkronja “A” — për Atdheun.
Dhe shkronja “D” — për dijen.
Dhe kështu, nga një oborr i vogël, lindi një shkollë, e cila sot mban me krenari emrin e Musa Tabaku.
“Ishte sikur zjarri brenda meje u përplas me erën…” — tregonte mami.
“Nuk u fik… por dhembi më shumë.” Dhe kjo dhimbje e shoqeroi gjithe jeten.
Ishte ende vajzë e vogël, por atë çast, gjithçka ndryshoi.
“Isha ende fëmijë…” — thoshte — “por atë ditë u bëra e madhe.”
Në atë shtëpi të madhe, poshtë kalasë së Shkodrës, gjithçka ra në heshtje.
Dhe ajo… duhej të bëhej shtylla e shtëpisë
Midis mureve që ruanin bibliotekën e vjetër të Jusuf Tabakut — rafte të mbushura me libra që mbanin brenda kohë të tëra — ajo u rrit më shpejt se mosha e saj.
Çdo hap i saj nuk ishte më i një vajze që ëndërronte të këndonte, por i një bije që duhej të mbante shtëpinë, të ndihmonte gjyshen, të ruante kujtesën dhe të mos lejonte që zjermi i asaj shtëpie të shuhej.
“Isha ende fëmijë…” — na thoshte — “por nuk pata kohë të jem.”
Ëndrra për të kënduar nuk u zhduk.
Ajo vetëm ndryshoi.
U bë më e thellë, më e heshtur — si një zjarr që nuk shpërthen me flakë të mëdha, por digjet brenda, i fortë dhe i qëndrueshëm.
Dhe ndoshta, në çdo këngë që ajo këndoi më vonë, kishte diçka nga ajo shtëpi, nga ata libra, nga ai çast kur një vajzë la pas fëmijërinë dhe mori mbi vete një botë të tërë.
Zëri i saj na magjepste, por ajo nuk mjaftohej vetëm me këngën.
Një mbrëmje dimri, ndërsa ne rrininim të mbledhura pranë saj, duke pritur një tregim apo një këngë, ajo befas ngriti kokën lehtë dhe, me buzëqeshjen e saj të ëmbël, tha:
“Ejani … le të kërcejmë.”
Të shastisura po vështronim njëra-tjetrën. Të kartërta ne, vajza të vogla që kurrë nuk kishim vallëzuar dhe nuk po kuptonim çfarë na kërkohej.
Por ajo nuk priti përgjigje.
Hapi gramafonin e vjetër — dhe dhoma u mbush me tingujt e parë të valsit.
Mami u ngrit lehtë. Nuk ecte — rrëshqiste mbi derrasat e dyshemese. Shalli i kuq i mëndafshtë i valëvitej mbi supe, sikur mbante ritmin e muzikës.
U ngritëm edhe ne njëra pas tjetrës, duke qeshur, duke u shtyrë mes nesh, të ngathëta në fillim.
“Jo, jo…” — tha ajo butë — “Valsi do të thotë të marrësh frymë me muzikën…
Një, dy, tre… Një, dy, tre…”
Dhe ne filluam të lëviznim. Të kapura dorë për dore, me hapa që pak nga pak bëheshin më të sigurt, u përfshimë në ritëm.
Oda e oxhakut mori një tjetër zjerm — zjermin e muzikës, të vallëzimit, të gëzimit.
Kur muzika ndryshoi në një tango të ëmbël e argëtuese, ajo na mbërtheu në krahët e saj të lehtë e nisi të na rrotullonte, duke na kthyer si flutura rreth dritës.
Qeshjet tona u përzien me ritmin, dhe për një çast harruam dimrin, erën, botën e ashpër jashtë.
Ishte sikur shtëpia jonë e vogël ishte kthyer në një sallë të madhe balloje…
dhe mami ynë me zërin hyjnor dhe lëvizjet plot hijeshi ishte mbretëresha, qe na udhëhiqte. Mami na rrëfente shpesh copëza nga jeta e saj si nuse e sapomartuar, dhe ne shquanim buzeqeshjen e bute qe i ndriconte fytyren sa here rikthehej ne kujtime.
Ishte viti’48. Babi punonte në Banken e Shkodres dhe qyteti jetonte ende nën hijeshine e mbrëmjeve gala që organizoheshin te “Kafja e Madhe”, ku mblidhej e gjithe paria shkodrane.
“Kisha vetem dy dite nuse…”- tregonte mami,duke qeshur lehte.-“Dhe atë mbrëmje shkuam në festë”.
Salla gumëzhinte nga muzika, ndersa ajo, e re dhe plot hir, e mahniti sallën me kercimin e saj, me levizjet e lehta, të sigurta, të shkrira me muziken.
Kur erdhi çasti që damat të ndërronin rolet e të merrnin vendin e kavalierit, nje nga shoket e babit iu afrua me miresjellje:”Mos u mërzit, se të drejtoj unë…”
Nuk e dinte se përballë kishte një nuse që jo vetem ndiqte ritmin, por e zotëronte atë. E luajti rolin e kavalierit me një elegancë që la pa fjalë gjithë sallën.
“Kur e ke mësuar nusen të kërcejë kaq bukur?”- e pyetnin babin, plot kurreshtje. “Mbrëmë…”- pergjigjej ai i qetë e serioz, por mjaft i habitur edhe ai vetë. Në fakt as ai nuk e kishte pasur idenë se gruaja e tij kërcente me aq finesë, me aq dritë e hijeshi, sa të rrëmbente vëmendjen e një salle të tërë.
Dhe unë, sa herë e dëgjoja këtë rrëfim, mendoja se ndoshta bukuria më e madhe e asaj kohe nuk ishte vetëm eleganca e një mbrëmje gala, por surprizat e vogla që njerëzit i dhuronin njëri- tjetrit pa e ditur. Sepse ndonjëherë njeriu që ke në krah, fsheh brenda vehtes një bote që prêt vetem nje çast të thjeshtë për t’u zbuluar.
Shpesh, kur mbrëmja binte e qetë dhe soba kërciste me gjuhët e saj të zjarrta, ajo na ftonte sërish të kërcenim. Na mësoi hapat e parë të tangos dhe të valsit, sikur të ishim katër princesha të vogla që fluturonin mbi dërrasat e vjetëra të Odës së Oxhakut..
Shalli i saj i kuq i valëvitej mbi flokë, dhe çdo lëvizje ishte më shumë se vallëzim — ishte një mësim elegance, një mësim jete. Ne e ndiqnim pas, duke qeshur, duke u rrëzuar e duke u ngritur përsëri, ndërsa ajo na mësonte ritmin me durim dhe dashuri.
Tangoja e saj ishte zjerm. Valsi ishte ëndërr. Dhe në shtëpinë tonë të vogël, dimri tretej ngadalë…
Në ato çaste, ne vraponim të vishnim fustanet tona të bukura — ato që i kishim qepur te Çiluku, rrobaqepësja e famshme e lagjes Gjuadal.
Prisnim me padurim në sallon që ajo të dilte e të na merrte masat. Ishte gjithmonë elegante, e buzëqeshur dhe plot dashuri. Na jepte katalogë mode italiane dhe ne zgjidhnim modelet si të ishim zonjusha të mëdha. Copat i kishim dhuratë nga teze Hasije, që atë kohë ishte në ambasadë në Rumani.
I ruanim ato fustane, që ishin plot ngjyra dhe fantazi.
Kur i vishnim, ndiheshim si princesha.
Motra e madhe, Sabi, kishte një fustan rozë me jakë shall. Ishte e qetë, e hijshme, si një princeshë që e dinte rolin e saj.
Unë dhe motra e dytë, Bali, vishnim fustanet kuqezi, me jaka të bardha si bebe — si dy xixëllonja të vogla që lëviznin nëpër dhomë. Kur rrotulloheshim fustanet hapeshin si petale trëndafilash te kuq.
Bali ishte shpërthim gëzimi. Qeshte pa pushim dhe na shtynte të gjithave në një argalisje gazmendi.
Ndërsa Zana, më e vogla, shkëlqente me fustanin e saj të qendisur me qershi. Rrotullohej pa pushim, si një balerinë e vogël në botën e saj.
Dhe unë… unë nuk isha thjesht aty.
Unë jetoja magjinë.
Çdo rrotullim, çdo ngjyrë, çdo tingull i zërit të mamit ishte si një përrallë që ndodhte vetëm për ne.
Në mes të dhomës, ne rrotulloheshim pa pushim.
Fustanet hapeshin si lule në mes të dimrit.
Qeshnim më fort, shtrëngonim duart dhe vallëzonim sikur bota të ishte vetëm ajo dhomë dhe ajo dashuri.
Në ato çaste, nuk ishim thjesht vajza —ishim mbretëresha të një bote të vogël, ku dashuria ishte ligji i vetëm.
Ishte ajo që na mësonte edhe gjërat më të vogla — si të zbrisnim shkallët, jo thjesht duke hedhur hapat, por me një hijeshi të lehtë, si një lojë e bukur që fshihej brenda një mësimi të madh.
Poshtë shkallëve lulezonte shermasheku, i gjelbër dhe i dendur, me degë që përqafonin muret sikur donin ta mbanin shtëpinë gjithmonë në një përqafim të ngrohtë. Në pranverë, ai mbushej me lule të vogla dhe aroma e tyre ngjitej lart, duke na shoqëruar në çdo zbritje.
Dhe kështu, nga ato shkallë ku mami na mësonte hijeshinë, ne mbërrinim në oborrin tonë — zemrën e vogël të botës sonë.
Muret e larta na mbronin, në privatesine tonë, ndërsa në mes të oborrit, unë dhe Bali kishim krijuar një yll me lule.
Petal pas petali, me durim dhe gëzim, kishim thurur mbi bar një formë që nuk ishte thjesht zbukurim — ishte një ëndërr. Trëndafilat, lulet e bardha dhe ngjyrat e tjera të oborrit tonë ishin bërë pjesë e atij ylli që dukej sikur rrezatonte në heshtje.
Rreth tij, ne katër motrat kapur dorë për dore, nisnim e vallzonim. Mes nesh, mami- zjermi ynë.
Ajo na udhëhiqte pa komanduar, na mësonte pa folur, dhe ne e ndiqnim sikur të ishte vetë ritmi.
Rrotulloheshim rreth yllit dhe, për një çast, dukej sikur nuk ishim më mbi tokë, por në një hapësirë të mbushur me dritë dhe aromë.
Fustanet hapeshin si petale në lëvizje.
Flokët valëviteshin lehtë. Të qeshurat përziheshin me aromën e luleve dhe me gjelbërimin e shermashekut që na rrethonte.
Mami na shikonte dhe vallëzonte me ne. Ishte brenda rrethit dhe mbi të — si një forcë e padukshme që mbante gjithçka të bashkuar.
Në ato çaste, ajo nuk ishte vetëm mami ynë.Ishte drita që ndizte yllin. Ishte fryma që i jepte kuptim çdo rrotullimi tonë.
Dhe ai yll në mes të oborrit nuk ishte vetëm prej lulesh — ishte bërë një shenjë e dashurisë sonë, një vatër e vogël ku digjej zjermi i saj, duke na mbajtur të bashkuara, të lehta, të gjalla.
Dhe sot…
kur kujtimet kthehen si një zjarr i butë në zemrën time, i shoh ende ato katër vajza — duke qeshur, duke u rrotulluar në oborrin tonë të mbushur me trëndafila, duke marrë me vehte aromën dehese te luleviles që kundërmonte në gjithë lagjen.
Ato çaste, shtëpia jonë bëhej një mbretëri e vogël. Dhe ai zjarr i butë që ndizte mami në zemrat tona… nuk është shuar kurrë.
Ende digjet brenda meje.
Shalli i saj i kuq valëvitet ende në mendjen time. Dhe unë ndjej aromën e saj në çdo frymë, në çdo kujtim.
Dhe kur e mendoj sot, gjithçka më duket si një këngë që nuk ka mbaruar kurrë.
Një këngë që nisi në një shtëpi të madhe, poshtë kalasë së Shkodrës — mes librave të vjetër dhe hapave të lehtë në oborr.
Një këngë që u rrit mes ëndrrave të një vajze të vogël dhe dhimbjes që e bëri të rritej më shpejt se koha.
Malli ka mbetur. Për ata që ikën shumë shpejt. Për fjalët që nuk u thanë.
Për ëndrrat që u prenë në mes.
Por bashkë me mallin ka mbetur edhe diçka tjetër —një mall i ëmbël që dhemb…
dhe një zjerm i heshtur që nuk shuhet kurrë.
Sepse disa ëndrra nuk vdesin. Ato thjesht kthehen në dritë.
Dhe ai zjerm… zjermi i saj — i jetës, i shpirtit — do të digjet përherë.
Si një dritë që vjen nga larg
dhe na ruan,me mall dhe me dashuri.
Tiranë, 2026


