KreuLetërsiBibliotekëAli Aliu: Gjeniu krijues dhe frika që ai ngjallte sunduesit

Ali Aliu: Gjeniu krijues dhe frika që ai ngjallte sunduesit

Ismail Kadare, në librin Kur sunduesit grinden, pikënisjen e parë ka një ngjarje të vitit 1934 në Rusinë Sovjetike me tre personazhe: Josif Stalinin, Boris Pasternakun dhe Osip Mandelshtamin. Libri ka tri pjesë; e para dhe e dyta shtrihen brenda 70 faqesh, ndërsa e treta në mbi njëqind, dhe bën fjalë për një bisedë telefonike mes Stalinit dhe Boris Pasternakut. Edhe pjesa e parë, edhe e dyta sjellin ndodhi të njohura, që lidhen kryesisht me emrin e Pasternakut, të cilit Stalini i drejton pyetjen për Osip Mandelshtamin, poetin që ndërkohë ishte arrestuar dhe internuar në Siberi: “Çmendim ke ti për Mandelshtamin?”. Pikërisht në këtë pjesë të tretë të librit, Kadareja sjell dymbëdhjetë variantet e njohura për treminutëshin emblematik të kësaj bisede. Edhe dy pjesët e para, në sfond, kanë lidhje me këtë bisedë; ato janë më personale dhe Kadareja e lejon lexuesin të verë veshin në studion e tij krijuese dhe të ndjekë disa nga makthet e tij të brendshme më dramatike të jetës.

Në të vërtetë, bërthama embrionale e krejt librit Kur sunduesit grinden është pyetja historike e Stalinit drejtuar Pasternakut, poetit ndër më me ndikim të kohës, për poetin tjetër të madh, Osip Mandelshtamin. Ismail Kadareja, student në Institutin Gorki në Moskë, njëzet vite pas kësaj bisede, do të përfshihet, pa e ndjerë mbase, në vorbullën Pasternak; kureshtar i lindur, do të bëhet lexues i samizdateve të njohura të kohës, mes të cilave edhe i romanit Doktor Zhivago. Do të jetë dëshmitar sidomos i skandalit, siç u cilësua në Moskë, të çmimit Nobel për letërsi që “goditi” Pasternakun në vitin 1958. Ky tension letrar dhe politik do të shndërrohet gradualisht në një shqetësim të vazhdueshëm krijues, të cilin Kadareja do ta mbajë të heshtur për dekada, , deri në botimin e librit Kur sunduesit grinden (2018).

Që ishte i përfshirë në këtë xanxë, do të kuptohet shumë shpejt: qysh në fillim të viteve ’60, pas jehonës së madhe që bëri krijimtaria e tij letrare përtej kufijve shtetërorë, jehonë që rritej me hapa të shpejtë, kishte filluar të lakohej edhe emri i tij për çmimin Nobel. Po në ato vite, i punësuar në redaksinë e gazetës “Drita”, edhe atij i vjen një thirrje telefonike nga sunduesi në Tiranë:

Telefoni i Enver Hoxhës kishte ndodhur vërtet përpara ca kohe. Ishte mesditë, ndodhesha si zakonisht në Lidhjen e Shkrimtarëve kur zëvendëskryetari i gazetës “Drita”, duke më zgjatur telefonin, më tha se dikush më kërkonte. Jam Haxhi Kroi, tha zëri. Me ju do të flasë shoku Enver. Nuk arrita të them asgjë, veç fjalës “faleminderit”! Më përgëzoi për një poemë që sapo ishte botuar në gazetë. Unë thashë prapë “faleminderit”. Ai tha se i kishte pëlqyer shumë dhe, ndërsa u bëra një shenjë të tjerëve që të mos bënin zhurmë, pa qenë në gjendje të shqiptoja diçka tjetër, përsërita një “faleminderit” të tretë. Ç’janë këto katër falënderime rresht tha njëri nga redaktorët. Kur na qenke bërë kaq i sjellshëm? S’dija si  t’i paralajmëroja, veç bëra një shenjë tjetër me dorë, që vështirë se mund të kuptohej ç’donte të thoshte. Ishte Enver Hoxha. Ishin të vetmet fjalë që arrita të them, kur telefoni u mbyll. Vërtet? Si? Ai vetë? Po, u përgjigja. Po si? Ç’të tha? Po ti? Si nuk i the asgjë? U përgjigja: nuk e di. Siç duket, u hutova.”

Shto këtu edhe idenë për të shkruar një roman për Rusinë, sidomos në fillim të viteve ’70, gjë që ishte përfolur në kryeqytet dhe ku fenomeni Pasternak ishte i pashmangshëm. Që në fillim të viteve ’70, ideja e romanit për Rusinë shoqërohet te Kadareja me një ndjenjë pasigurie dhe rreziku politik, në ecje bashkë me romanin Muzgu i perëndive të stepës do të vazhdojë deri në fund të tij. Do t’i kthehet rishtazi, ndërsa vetë procesi krijues e shtynte romanin drejt një realizimi artistik gjithnjë e më të plotë, duke e ekspozuar njëkohësisht autorin ndaj një rreziku më të madh politik, drejt majave të artit – drejt humnerës. Në këto kredhje dilemash shekspiriane, Kadareja do të përmendë demonin e brendshëm, sovranin absolut të gjeniut, jo frikën nga humnera… Në diskursin ideologjik të Tiranës, Pasternaku dhe qëndrimi më pak agresiv i Moskës ndaj tij interpretoheshin si shenja devijimi ideologjik. I pari shihej si armik të sistemit, i dyti si i butë ndaj të parit; porosi e qartë për Kadarenë: kë do të mbështeste dhe kë do të mëkatonte në romanin Muzgu i perëndive të stepës:

Ishte e lehtë të thoshe se shumica e studentëve, ndërsa ulërinin në kor kundër tij (Pasternakut), nuk ëndërronin veç për të. Ndërkohë, s’ishte fjala për ta, por për mua vetë. Mos do të thosha se s’më kishte shkuar as në mendje? Natyrisht që jo. Mendja më kishte shkuar shpesh, sidomos më pas, shumë kohë më pas, kur u pëshpërit se mund të isha unë vetë… në atë listën.

Në vazhdim, rrëfimi lëviz mes kujtesës konkrete dhe projeksioneve të brendshme të autorit, sa në atmosferën e polarizuar moskovite, ku dënimi publik i Pasternakut bashkëjetonte me admirimin e fshehtë për të– aq edhe në atë tiranase, më të heshtur në dukje, por po aq shtypëse në thelb:

Aha, ndaj edhe zhurma kundër Pasternakut është përshkruar aq habitshëm, gjithsesi pangjashëm. Thua se s’është vetëm për të, por, veç tij, edhe për dikë tjetër. Ndoshta për ty vetë. Ndaj nervozizmi ishte i keq e njëherazi dehës. Ti, i vetëm, përballë vendit tënd, që të shan dhe të ulërin mu në fytyrë, me urrejtje dhe dashuri të bërë njësh. Ktheje atë çmim të nëmur, klithnin të gjithë studentët, gratë shtatzëna, minatorët e Tepelenës. Ndërsa ti, trillan që lëkundesh, ta marr a mos e marr, si të thuash, mëdyshje Hamleti. Dhe patriarku Sterjo Spasse, që ashtu si Kornei Çukovski, që i shkoi në daçë Pasternakut, të vinte tek ty, të kam si djalin tim, sot jam, nesër s’jam, për hir të kujtimeve të Moskës… ktheje atë helm, sa s’është vonë!

Në këtë ngjashmëri ambienti, historie dhe të dy personazheve, Pasternak–Kadare,  autori mëtonte të gjente jo vetëm ngjashmëri, por edhe të kundërtën; të gjente fijet e kuptimit:

Jo vetëm që s’isha i rastit në atë histori, por më shumë se kushdo isha i përzier në të.  Ishte  ndjesia se fati i shkrimtarit në sisteme të tilla mund të përsëritej në forma të ndryshme. Në çaste edhe më të rralla, kur mendja, për shkaqe që diheshin, s’kishte të drejtë të qëndronte gjatë, më dukej që unë gjithashtu kisha brenda vetes diçka të ngjashme: tmerrin tim kërcënues. Se ç’ishte ky tmerr, kur do të më hynte në punë, kundër kujt, nuk arrija ta kapja dot…”

Makthi që e përfshin me romanin për Rusinë, gjatë dhjetëvjeçarit të shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, është konstant për Kadarenë; është si një tmerr, siç do të thotë vetë ai, që të shfaqet befas dhe nuk fashitet, por të mban mbërthyer: “E ke me vete tmerrin e brendshëm, e ke në dhomë, e ke në shtëpi, në kafe”, një makth që ai do ta menaxhojë duke e mbajtur brenda, nën zë, por që atë e bën acarues, shpërfillës pa shkak, edhe në gjumë, në ëndërr, grindavec me bjellorusin në Institutin Gorki, që e ngacmon dhe e provokon:

Po ai sunduesi yt në Tiranë, që s’më kujtohet emri i tij tani, a të ka thirrur edhe ty në telefon?

Idiot, e shava prapë bjellorusin, po më shumë veten time, që shikoja ëndrra të tilla. Kjo s’më pengoi që një copë herë ta vrisja mendjen nëse mund të kishte ose jo tjetër version. Shoku Enver do të flasë me ju… Çmendoni për Mandelshtamin… Domethënë për Lasgush Poradecin, ose për Paskon, ose Markon qëburg… domethënë që ndonëse sapo kishin dalë nga burgu… mund të ktheheshin prapë atje… Ose më thjesht për Agollin, Qiriazin, Arapin… që… burg… domethënë që ndonëse ende burg s’kishin bërë. Që t’i biem shkurt, ç’mendon për veten tënde? Për këtë të fundit, domethënë veten time, mund ta kisha më lehtë”.

Në njëqind faqet e tjera, Kadareja shtrin dymbëdhjetë pjesët – variantet e tekstit treminutësh të telefonatës Stalin–Pasternak; edhe të trembëdhjetën, përmbyllësen, që në fakt e lë të pazgjidhshëm kuptimin dhe moskuptimin, misterin e krejt fenomenit: atë të aureolës së vdekshmërisë, përkatësisht të pavdekshmërisë së shkrimtarit të madh, gjurma e të cilit ka vulën e përjetësisë, që sunduesit, ata të botës reale, Stalin a Enver, nuk ta falin.

Lexuesi do ta ndjejë, ndër të tjera, se refleksionet përsiatëse të Kadaresë në librin Kur sunduesit grinden qëndrojnë në majat kadarejane. Ka raste kur shtron fenomenin e zilisë mes shkrimtarëve,: pse Stalini zgjedh Pasternakun, poetin numër një, për ta provokuar – “Çmendon për Mandelshtamin?”, të cilit i vë prangat e Sibirit për poezinë Maloku i Kremlinit. Ka kapituj kur autori përfshihet sfidueshëm në fatin e shkrimtarëve që, në përmbysje epokash, me emër e vlera të pranuara brenda një sistemi shoqëror, të themi borgjez a demokrat, përfshihen brenda sistemit komunist, me shembuj ndërkombëtarë, por edhe shqiptarë, siç ishte rasti i Nolit dhe Poradecit.

Në këtë kuptim, Kur sunduesit grinden nuk është vetëm një libër për Pasternakun, Stalinin apo një episod të njohur të historisë sovjetike. Ai është edhe një reflektim i thellë mbi pozitën e shkrimtarit përballë pushtetit, mbi frikën, kompromisin, heshtjen dhe përgjegjësinë morale të krijuesit. Duke e vendosur veten në një dialog të tërthortë me Pasternakun, Kadareja arrin të sjellë jo vetëm dramën e shkrimtarit në diktaturë, por edhe ankthin personal të krijimit nën hijen e kontrollit ideologjik. Pikërisht këtu libri fiton përmasën e tij më të gjerë: si një meditim mbi raportin mes letërsisë dhe pushtetit, mes gjeniut krijues dhe frikës që ai ngjall te sunduesit.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË