Nga Alex Ross
The New Yorker
“Gjithçka që rrethon takimin tim me të ka ngjyrën e turpit”. Kështu nis tregimi i Susan Sontag-ut “Pelegrinazhi”, botuar në këtë revistë më 1987. Takimi është me romancierin gjerman në mërgim Thomas Mann, në shtëpinë e tij në Pacific Palisades, Los Anxhelos. Viti, thotë Sontag-u, është 1947; ajo është katërmbëdhjetë vjeçe. Romani i saj i parapëlqyer është “Mali magjik”, panorama e Mann-it për një Evropë në muzg, e cila pasqyron në mënyra të çuditshme jetën e vet Sontag-ut, sidomos përvojën e kurimit të astmës në një sanatorium në Arizona. Bashkë me mikun e saj Merrill, me të cilin bashkëndan pasionin për çdo gjë moderne e të thellë, Sontag-ut i shkon ndër mend t’i telefonojnë pa paralajmërim laureatit të Nobelit dhe t’i kërkojnë një intervistë. E gjejnë në numëratorin telefonik: 1550 San Remo Drive, SM5-4403. Për habinë e tyre, ai pranon. Biseda që pason është e sikletshme dhe nuk rrjedh. Mann-i ka për të ofruar “vetëm formula si sentenca”. Sontag-u i bëlbëzon përgjigjet e thjeshta. Zhgënjimi pas gjithë asaj pritjeje është dërrmues. “Vite më vonë, kur u bëra shkrimtare, kur njoha shumë shkrimtarë të tjerë, do të mësoja ta pranoja me më shumë tolerancë hendekun midis njeriut dhe veprës. E megjithatë, edhe sot, ai takim vijon të më duket si gjë e palejuar, e pahijshme… Me kalimin e viteve e kam ruajtur të fshehtë, sikur të ishte diçka për të cilën duhej të më vinte turp.”
Turp? “Nuk mbaj mend asgjë të tillë”, më tha këto ditë Merrill Rodin. Miku i fëmijërisë së Sontag-ut është nëntëdhjetë e pesë vjeç dhe gëzon shëndet të shkëlqyer; sytë i ka të ndritshëm, ndërsa mustaqet e gjera, si abazhur, hijerënda. Rrinim në kabinetin e Shtëpisë së Thomas Mann-it, e cila sot është pronë e qeverisë gjermane dhe shërben si qendër rezidencash kulturore. Rodin-i kishte qenë atje për herë të fundit më 28 dhjetor 1949—data e vërtetë e vizitës. (Departamenti ynë aq i lavdëruar i kontrollit të fakteve nuk ka faj; tregimi u botua si trillim, jo si kujtim autobiografik.) Kur doli “Pelegrinazhi”, Rodin-in e habitën disa qasje të shlirëta me të cilat Sontag-u i kishte trajtuar faktet, sidomos fshirja e një miku tjetër, Gene Marum-it, i cili kishte qenë bashkë me to. Megjithatë, tregimi iu duk i këndshëm. Në fund të fundit, ai përshkruhet si “i qetë, magjepsës, aspak budalla”, goxha lavdërim në leksikun e Sontag-ut. Jenny, e bija e Rodin-it, e cila e kishte shoqëruar të atin në rikthimin në San Remo Drive, kujtoi sa krenare qe ndier: “E lexova dhe thashë: ‘Ky është im atë.’” Ajo e pyeti të atin: “A nuk të quante ndonjë ‘Adonis’ a diçka të tillë?” Rodin-i u përgjigj me drojë: “Një ‘djalë ëndrrash’.”
Sontag-u u përpoq çuditërisht shumë për t’u pajtuar me takimin e saj, në dukje të parëndësishëm, me Mann-in. Fillimisht e rrëfeu në ditar, në një shënim që nis kështu: “Merrill-i, Gene-ja dhe unë morëm në pyetje Zotin sonte në orën gjashtë.” Më pas, diku në fillim të viteve pesëdhjetë, shkroi një tregim paksa të trilluar me titullin “Te Thomas Mann-i”. Si ditari, ashtu edhe tregimi gjenden në arkivin Sontag në UCLA. Mora me vete kopje të tyre dhe u përpoqa të sqaroja disa mospërputhje me Rodin-in. Për shembull, të tria versionet thonë se vizitorët mbërritën herët dhe qëndruan jashtë, në makinë, duke bërë prova për bisedën. Po sa zgjati kjo: katërmbëdhjetë minuta, sipas “Te Thomas Mann-i”; njëzet e pesë minuta, sipas ditarit; apo dy orë, sipas “Pelegrinazhit”? Rodin-it iu duk se rreth gjysmë ore ishte më pranë së vërtetës. Me një buzëqeshje të matur, shtoi: “Sinqerisht, nuk jam i sigurt nëse disa gjëra i kujtoj vetëm pse Susan-a i shkroi.”
Nga ditari del se Niko, pudëlli i madh e i pabindur i Mann-it, lehu teksa adoleshentët sypatrembur po i afroheshin derës së shtëpisë. Katia Mann, gruaja e shkrimtarit, i priti dhe i përcolli në kabinet. Kabineti i Mann-it nuk duket më si atëherë (shumica e librave dhe e orendive ndodhen në Arkivin Thomas Mann në Zyrih) por aty ruhet ende një botim në njëqind e dyzet e gjashtë vëllime i Goethe-s, i cili ndodhej në dhomë edhe më 1949. “Kam ndjesinë se ishim ulur pikërisht aty”, tha Rodin-i, duke treguar vendin ku dikur kishte qenë një divan me motive lulesh. “Ai rrinte te tryeza e punës, me gjithë librat pas shpine. U përpoqëm të lexonim titujt në kurrizet e tyre, por ishin tepër larg.”
Nga të tre, Rodin-i kishte më shumë përvojë në takimet ballëpërballë me personalitete imponuese. Ish-aktor fëmijë, ai kishte luajtur në disa filma të Hollywood-it. Ishte ai që mori përsipër t’ia nxirrte Mann-it mendimet. Ditari i Sontag-ut riprodhon disa vërejtje të autorit për “Malin magjik” (“A nuk ju dukej se ishte shkruar me frymë njerëzore—se kishte optimizëm në të?”), “Doktor Faustusin” (“Njërën këmbë e ka në shekullin e gjashtëmbëdhjetë”) dhe Helen Lowe-Porter-in, përkthyesen e tij të palodhur (“Botuesi im, Alfred Knopf, ushqen një besim gati fetar në aftësinë e zonjës Lowe për të më përkthyer”). Rodin-i mori guximin të përmendte James Joyce-in, një nga autorët e tij të parapëlqyer. Mann-i pranoi se anglishtja e tij nuk ishte aq e mirë sa t’i lejonte ta vlerësonte Joyce-in. Megjithatë, ai “besonte se kishte një ngjashmëri midis Joyce-it dhe vetes, në hapësirën që zinte miti në veprat e tyre”.
Dialogu që Sontag-u jep në “Pelegrinazhi” përputhet fare pak me atë që raportohet në ditar. Rodin-i nuk e kupton si mund ta ketë mbajtur mend gjithë atë. Megjithatë, ai pohon se u fol për Hemingway-n. Sontag-u citon Mann-in të ketë thënë: “Marr me mend se ju pëlqen Hemingway. Ai është, të paktën kështu më duket mua, shkrimtari më përfaqësues amerikan.” Të rinjtë, të zënë në befasi, mërmërisin se nuk e kishin lexuar kurrë. “Mirë pra, tha Thomas Mann-i, cilët autorë ju pëlqejnë?” Ata përmendin Joyce-in, Kafka-n, Tolstoin, Romain Rolland-in dhe Jack London-in. Më pas vjen fjalia më qesharake e tregimit: “Ai tha se qenkëshim të rinj shumë seriozë.”
Benjamin Moser e intervistoi Rodin-in për “Sontag: Jeta dhe vepra e saj”, biografinë e shkrimtares që botoi më 2019; aty edhe e përvijoi shkurt prejardhjen e tij. Por ky njeri i butë e i thellë meriton një portret më të plotë. Ai lindi në Kansas më 1930. Nëna dhe babai ishin emigrantë hebrenj nga Evropa Lindore, përkatësisht nga Hungaria dhe Bjellorusia. Për ca kohë, i ati i Rodin-it i binte violinës dhe këndonte në skenat e vodevilit në Çikago, ndërsa xhaxhai i Merrill-it, Gil Rodin, u bë saksofonist në orkestrat e drejtuara nga Ben Pollack dhe Bob Crosby, vëllai i Bing-ut. Kur Rodin-i i vogël shfaqi dhunti për muzikë dhe teatër, familja vendosi të shpërngulej në Los Anxhelos për t’i hapur rrugë karrierës së tij.
Gil Rodin e dërgoi nipin në Reinhardt Workshop, shkollë e arteve skenike e drejtuar nga regjisori i madh austriak në mërgim Max Reinhardt, i cili ishte vendosur në Los Anxhelos. Reinhardt-i kishte realizuar një përshtatje magjepsëse të “Ëndrrës së një nate vere”, ku Olivia de Havilland bënte debutimin e saj kinematografik dhe Mickey Rooney luante Puck-un, rolin që e bëri të njohur. Por projektet e tij të mëvonshme kishin ngecur njëri pas tjetrit dhe shkolla mezi mbahej në këmbë. Megjithatë, Rodin-i lulëzoi nën kujdesin dashamirës të Reinhardt-it dhe të së shoqes, Helene Thimig. Kur, më 1941, Rodin-i interpretoi në një mbrëmje me skena nga Shakespeare-i, gazeta e emigrantëve Aufbau shkroi gjithë entuziazëm se Puck-u i tij ia kalonte atij të Rooney-t. Pas vdekjes së Reinhardt-it në Nju-Jork, më 1943, në Los Anxhelos u mbajt një ceremoni përkujtimore. Mes folësve ishin Mann-i, de Havilland-i, Edward G. Robinson-i, Marlene Dietrich-u dhe Rodin-i trembëdhjetëvjeçar i cili recitoi një poezi për nder të mësuesit të vet.
Rodin-i nisi të siguronte role në filmat e Hollywood-it. Në filmin Pied Piper të vitit 1942 luajti një djalosh refugjat holandez të traumatizuar; filmi, rastësisht, kishte marrë edhe një vlerësim pozitiv në ditarin e Mann-it: “gut” (“mirë”). Rodin-i u shfaq gjithashtu në The Song of Bernadette, Hail the Conquering Hero dhe në prodhime antinaziste si The Strange Death of Adolf Hitler dhe The Master Race. Një nga paraqitjet e tij më të paharrueshme ishte në filmin me metrazh të shkurtër të Mervyn LeRoy-t, The House I Live In, një thirrje për tolerancë që u shfaq më 1945 dhe fitoi një Oscar nderi. Frank Sinatra luan aty veten e vet. Pasi regjistron në studio këngën If You Are But a Dream, Sinatra del jashtë për të ndezur një cigare dhe gjen një grup djemsh që po rrahin një fëmijë hebre. Rodin-i luan njërin prej dhunuesve. Zhvillohet ky dialog:
Sinatra: Ju duhet të jeni një tufë prej atyre ujqërve nazistë për të cilët kam lexuar.
Djali: Ore, zotëri, mos ke luajtur mendsh?
Sinatra: Unë jo. Unë jam amerikan!
Rodin-i: Po ne çfarë mendon se jemi?
Sinatra: Nazistë!
Sinatra ua jep djemve mësimin dhe u këndon këngën që i jep titullin filmit e cila qe shkruar nga radikalët e flaktë të së majtës Abel Meeropol dhe Earl Robinson:
“Fëmijët në sheshin e lojërave,
Fytyrat që shoh,
Çdo racë e çdo fe—
Kjo është Amerika për mua.”
Sinatra e këndon mirë, por Paul Robeson-i e këndonte më mirë.
Rodin-i hoqi dorë nga aktrimi në fund të adoleshencës, duke parapëlqyer të zhytej në libra dhe në muzikë. Një e afërme e tij që banonte përballë familjes Sontag në Luginë, e kishte pikasur Susan-ën si një shoqe mjaft të mençur për të. Të dy i bashkonte jo vetëm pasioni për gjithçka moderne: ata ndiqnin rregullisht ciklin Evenings on the Roof, ku edhe Stravinsky ishte frekuentues i rregullt, por edhe tërheqja ndaj të njëjtit seks. Bashkë eksploruan skenën gej të Los Anxhelosit, duke u futur fshehurazi në Flamingo Club në West Hollywood dhe në Tropical Village në Santa Monica. Në arkivin Sontag gjendet një fjalorth simpatik, prej pesë faqesh, i zhargonit gej, me shpjegime për “bi”, “drag”, “butch”, “daisy chain”, “rim” dhe “69”. Një herë, Sontag-u, Rodin-i dhe Marum-i, i cili ishte heteroseksual por aventurier, provuan atë që e quajtën një “orgji”, me rezultate të sikletshme dhe aspak erotike. Kjo ndodhi afërsisht në të njëkohësisht me vizitën te Mann-i. Fakti që edhe vetë Mann-i kishte shkruar tregime me tema homoseksuale e bënte takimin edhe më pikant. Tregimi i parë i Sontag-ut për vizitën thotë, me një eufemizëm të këndshëm: “Ishim të dashuruar me Thomas Mann-in, jo me njëri-tjetrin.”
Rodin-i dhe Sontag-u u larguan nga njëri-tjetri në fillim të viteve pesëdhjetë, kur të dy studionin në Universitetin e Çikagos. (Sontag-u e kishte mbaruar shkollën e mesme në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare dhe ajo e Rodin-i e kishin vizituar Mann-in kur ishin kthyer nga universiteti për pushime.) Një nga burimet e tensionit ishte martesa e beftë e Sontag-ut, më 1951, me Philip Rieff-in, një nga pedagogët e saj në Universitetin e Çikagos. “Të dy e mbanim goxha të fshehtë orientimin tonë”, më tha Rodin-i, “dhe kjo e shtonte fërkimin mes nesh.” Ajo dekadë ishte, sigurisht, një kohë makthi për të qenë homoseksual. Vetë Rodin-i u martua më 1961 me psikologen Jill Schwab dhe rriti katër fëmijë. Ai ndoqi një karrierë akademike duke dhënë filozofi dhe letërsi në institucione të ndryshme; drejtoi gjithashtu një kinema të filmave artistikë në Grand Rapids, Miçigan. Më vonë u kthye në Kaliforninë Jugore dhe u bë dekan i Weekend College në Universitetin Mount St. Mary’s. Për tetëdhjetëvjetorin e tij, e bija dhe djemtë morën me qira Silent Movie Theatre në Los Anxhelos dhe organizuan një festival Merrill Rodin.
Më 1990, tre vjet pas botimit të “Pelegrinazhit”, Rodin-i dhe Sontag-u u takuan sërish, në San Francisko këtë herë. Mospajtimet e vjetra u tretën dhe të dy u kuptuan mirë këtë. Megjithatë, Rodin-i i tha se Marum-i ishte zemëruar që ishte fshirë nga tabloja. Sontag-u pretendoi se e kishte harruar, por zhdukja e tij shpjegohet më mirë me nevojat e konstruktit letrar. Boshti i “Pelegrinazhit” është ideja se dy të rinj amerikanë kryeneçë guxojnë të trokasin në një strehë të shenjtë të kulturës evropiane. Rodin-i paraqitet duke bërë një telefonatë “të paimagjinueshme”, ndërsa Sontag-u ia mbath nga dhoma prej tmerrit. Në të vërtetë, telefonatën e bëri Marum-i dhe, për të, ajo nuk ishte aspak një qitje në errësirë. Ai kishte lindur në Gjermani dhe kishte ardhur refugjat bashkë me prindërit në Shtetet e Bashkuara më 1939. Për më tepër, kishte një lidhje me familjen Mann: e afërmja e tij, psikologia Olga Marum, e kishte njohur Katia Mann-in në Mynih. Më vonë, Marum-i u bë asistent-regjisore në Hollywood, duke punuar në The Graduate, Rosemary’s Baby dhe në tridhjetë e dy episode të The Incredible Hulk. Ajo vdiq më 2021.
Pasardhësit e komunitetit të emigrantëve gjermanishtfolës në Los Anxhelosin e viteve tridhjetë dhe dyzet janë shpërndarë në të gjitha shtresat e kulturës së qytetit. Njëri prej tyre, Justin Reinhardt, është tastieristi dhe producenti muzikor dhe ka punuar në një numër albumesh klasike të hip-hopit të hershëm, përfshirë The Chronic të Dr. Dre-së. Ai është stërnipi i Max Reinhardt-it dhe unë e ftova në Shtëpinë Mann që të takohej me bashkëpunëtorin e fundit ende gjallë të Reinhardt-it. Bashkë, ata vështruan një send që Rodin-i e kishte marrë nga Helene Thimig tetëdhjetë e tre vjet më parë: një kronometër ose, më saktë, një Gallet Yachting Timer, të cilin regjisori e kishte përdorur për të matur kohën e secilës skenë. Nuk punon më, por është një objekt i hijshëm dhe shkonte më së miri me atë ndjesi të çuditshme se në kabinetin e Mann-it, koha kishte ngecur.
Cili ishte, saktësisht, burimi i “turpit” që Sontag-u ndiente për takimin me Mann-in, po të pranojmë se tregimi i saj gjysmë i trilluar pasqyronte qëndrimin që kishte pasur në jetën reale? Ditari, rrëfimi i parë, jep fare pak shenja të ndjesive të tilla. Përkundrazi, ajo duket paksa e dehur nga ngazëllimi i gjithë asaj aventure: jo vetëm regjistron komentet e Mann-it, por përshkruan edhe çfarë kishte veshur (“kostum bezhë, kravatë bordo, këpucë të bardha”) dhe mënyrën si fliste (“ngadalë dhe saktë”). Një shënim anësor në ditar lë të kuptohet se Mann-i kishte kërkuar falje për “përgjigjet që s’të kënaqnin”, duke ia hedhur fajin “njohjes së dobët të anglishtes”. Megjithatë, në krye të njërës faqe gjendet një gjykim shumë më i prerë: “Komentet e autorit, me banalitetin e tyre, e tradhtojnë librin.” Ky shënim është bërë me një bojë tjetër dhe duket qartë se është shtuar më vonë.
Edhe tregimi i pabotuar “Te Thomas Mann-i” shqetësohet fare pak nga “formulat si sentenca” të Mann-it. Madje, pothuajse nuk e citon fare; tregimi merret tërësisht me pritjen e ethshme para takimit. Megjithatë, ai përmban një vëzhgim domethënës për dinamikën e skenës. Me të mbërritur në shtëpi, Sontag-un e trondit zbulimi se Mann-i i kishte pritur. Ai ishte “aq i vëmendshëm, aq i tendosur”. Ajo kishte menduar se njeriu i madh do të bezdisej nga ndërhyrja, por gjithsesi do t’u “falte disa çaste nga koha e vet”. Do të thoshte: “Po, po, kalamaja, çfarë doni të dini?” Përkundrazi, ai dukej “edhe vetë jo pa njëfarë tensioni”. Edhe Katia Mann ishte nervoze. “Ishte e tmerrshme, ishte më shumë se e tmerrshme.” Mann-i nuk e kishte luajtur rolin e gjeniut perandorak; ishte treguar një njeri tepër i zakonshëm.
Është krejt e besueshme që Mann-i të shqetësohej për mendimin që këta adoleshentë mendjemprehtë kishin për të. Përmendja e Joyce-it mund t’i ketë zgjuar frikën se po mbetej pas vijave të para të modernizmit letrar. Në të vërtetë, vlerësimi i vetë Sontag-ut për Mann-in nisi shpejt të binte. Në qershor të vitit 1950, ajo shkroi në ditar: “‘Mali magjik’, më vjen keq ta them, po fillon të më tregojë penjtë me të cilët është qepur. Mbase, në fund të fundit, nuk është romani më i madh!” Në vitet e mëvonshme, Sontag-u e mënjanoi Mann-in me një ngritje supesh, duke u dhënë vlerësim më të lartë Proust-it, Kafka-s dhe Beckett-it. Në “Kundër interpretimit”, ajo kritikonte mungesën e forcës së zhveshur te Mann-i: “Nganjëherë një shkrimtar ndihet aq i pasigurt përballë fuqisë së zhveshur të artit të vet, saqë vendos brenda vetë veprës, ndonëse me pak ndrojtje, me një prekje të shijes së mirë të ironisë, interpretimin e saj të qartë dhe të shprehur. Thomas Mann është shembulli i një autori të gatshëm të bashkëpunojë më shumë nga ç’duhet.” Shumë lexues të veprës labirintike të Mann-it do ta gjejnë të çuditshëm këtë formulim, por ndoshta ai i bën jehonë sjelljes së tij atë ditë në Pacific Palisades.
Shqetësimi i Mann-it mund të kishte rrënjë më të thella. Në ditarin e tij për 28 dhjetorin 1949, takimi me Sontag-un dhe të tjerët përmendet shkurt: “Pasdite, intervistë me tre studentë të Çikagos për ‘Malin magjik’.” E brenin çështje të tjera. “Dje përfundova esenë e zjarrtë ‘Me rastin e një reviste’”, shkroi ai. “Botimi i saj kërkon shumë mendim, sepse mund të më rrënojë këtu.” Ky artikull, i frymëzuar nga periodiku zviceran Extempore, ishte konceptuar si një denoncim i fuqishëm i histerisë antikomuniste, sipas modelit të J’Accuse të Zola-së. Vetë Mann-i ishte sulmuar se ushqente simpati “të kuqe” dhe prirje prej “bashkudhëtari”. Vreri i këtyre sulmeve i kujtonte Gjermaninë e viteve përpara 1933-shit. “Me rastin e një reviste”, me gjasë i destinuar për Aufbau, vajtonte “rënien tronditëse morale” të Amerikës, dënonte “mjegullimin fashist” në media dhe kritikonte përkrahjen ndaj Shahut të Iranit. Artikulli nuk u botua kurrë. Më 1952, Mann-i u largua sërish në mërgim, duke i kaluar vitet e fundit të jetës në Zvicër. Kur pudëlli Niko vdiq, pasardhësin e tij e quajtën Alger, sipas Alger Hiss-it.
Në rastin tejet të pamundur që Mann-i t’ua kishte zbuluar vizitorëve betejat e veta të fshehta, a do ta kishte parë Sontag-u me sy më të mirë? Jo medoemos. Në “Pelegrinazhi”, ajo flet me njëfarë përçmimi për angazhimin politik të shkrimtarit: “Mann-i kishte autoritetin e një orakulli në Amerikën bien-pensante të Roosevelt-it, duke shpallur të keqen absolute të Gjermanisë së Hitlerit dhe fitoren e afërt të demokracive. Mërgimi nuk ia kishte zbehur as shijen, as talentin për të mbajtur rolin e figurës përfaqësuese.” Sontag-u, përkundrazi, po shkonte drejt një estetizmi të erotizuar. Në “Shënime mbi ‘camp’-in”, të vitit 1964, ndjeshmëria gej që ajo kishte eksploruar bashkë me Merrill Rodin-in lartësohet si “e paangazhuar, e depolitizuar, ose, së paku, apolitike”. Më vonë ajo i rishikoi qëndrimet e veta ndaj artit politik, por Mann-i nuk e rifitoi kurrë shkëlqimin e dikurshëm në panteonin e saj të të mëdhenjve.
Nuk është e pamundur të përfytyrohet çfarë mund të kishte thënë Mann-i po t’i ishte paraqitur enigma e turpit të Sontag-ut. Prej kohësh ai përsiatej mbi problemin e artistit karizmatik, mbi rreziqet e fshehta të kulteve estetike. Kjo temë përshkon romanin që asokohe Sontag-u e kishte më të dashur, “Malin magjik”, dhe e pushton “Doktor Faustusin”, historinë se si një gjeni dhe një komb çmenden. Mann-i mund të kishte argumentuar se të dukesh nga jashtë i mërzitshëm dhe banal është jo vetëm virtyt moral, por edhe artistik. Është një mbrojtje kundër dalldisë. Adhurimi i madhështisë çon, në rastin më të mirë, në zhgënjim dhe, në më të keqin, në çmendurinë që lëshoi pa fre Hitleri wagnerian. Çdo pelegrinazh është i dyshimtë: pikërisht për këtë arsye Mann-i e përçmonte faltoren e Wagner-it në Bayreuth. “Vetëm për më të rinjtë e më”, shkroi ai, “admirimi dhe adhurimi janë e njëjta gjë.”
Përktheu: © ExLibris


