Mbasi Kisha e vjetër ishte boshatisë edhe prej thasëve të fundit të drithit, gra e burra kishin zhgreh kush e kush ma shpejt me fshesa, me kova me ujë e shtupa leckash në dorë, me fshi e me pastrue. Gratë, me zell të madh e me ngut, gjithësecila i gjente punë vetes. Dikush nga fundi pastronte dyshemenë e shtrueme me rrasa guri të gdhenuna, dikush tjetër aty te elteri e do djem ma t’ ri merreshin me dyer e me dritare, tue i qërue ma parë prej pluhnit të bamë koje e l’mashkut që i kishte mblue…
Kur ishin mbyllë kishat, ajo qe kthye në magazinë drithi e kështu kishte shërbye për 23 vjet rresht… Muret e trasha prej guri të gdhendun të lidhun me fugat e përdredhuna, që vizatonin format e lakueme të gurëve fasadës në interierin e kishës, nuk qenë tjetërsue. Po ashtu edhe së jashtëmi, me perjashtim të katër sipërfaqeve suvaje drejtkandëshe simetrike, të baraslargueme nga njena – tjetra që, me cepat e premë hark, ngjanin si brisqe rroje astra të stërzmadhueme . Mbasi qenë suvatue ishin lye me gëlqere dhe mbi to atëherë ishin shkrue parulla, të cilat, përgjatë dy dekadave të fundit kishin xhirue në kujtesen e vendasve si në një bobinë filmi dokumentar, tekstet e të cilave transmetonin thekset ideollogjike, që ishte dashtë t’u kumtoheshin atyne, në varësi të rrethanave që krijoheshin. E t’u nguliteshin thellë në nënndërgjegjen e tyne. Po parulla që s’kishte ndryshue asnjiherë aty, qysh se qe shkrue për së pari, ishte: ”Feja është opium për popullin”. Edhe tash mbas kthimit në idenditet të kishës, parullës ende nuk i kishte ardhë rradha me u heqë.
Përmbrenda, gratë që pastronin, ato më të moshuemet shqiptonin me kantilenë , po të intonueme Falemimarinë: Për herë të parë me za, të çlirëshme e pa kurrfarë droje. Si sfidë ndaj heshtjes së kamuflueme të shpirtit besimtar të ndrydhun.
T’falemi Mari hirëplote, Zoti me ty
E bekueme je mbi të gjitha gratë
e i bekuem asht fruti i barkut tand, Jezusi.
Deda, mocatar me tá i bashkëngjitej zanit të korit me të njéjten kantilenë veçse me tekstin në latinisht:
Ave Maria, gratia plena, Dominus tecum
est, benedicta es tu in omnibus mulieribus,
et benedictus fructus ventris tui, Jesus.
Deda kishte ndihmue priftin asokohe kur mesha thuhej përbotshëm në latinisht. E përposë se nostalgjia, shumëçka tjetër e kthente në atë kohë, edhe pse Konçili i dytë i Vatikanit, i cili mbyllet një vit përpara se me u mbyll kishat te ná, kishte pasë vendosë që mesha të mos kremtohet ma në gjuhën latine, por në gjuhët vendase.
Kurse, një grup i grave mâ të reja e vajzat që pastronin, ia kthenin lutjen në shqip, po ashtu me kantilenë tue i zgjatë fjalët e thekset:
Shejtja Marí nana e TenZot
lutu për ne mëkatnor’t,
tash e në fill të mordes sonë
Ashtu kjoftë!
Të çlirëshme, të përtrime si këndellja e gjithçkaje në muajin e parë të pranverës; gati në ekstazë…Ishte e marte dhe të djelën do të kremtohej mesha. Tre besimtarë, të primë prej Dedës i kishin shkue në Shkoder Pader Benardit, në shtëpinë e së motrës ku banonte me bisedue me té. Athue do ta kishte mundësinë me ardhë ?!… Ishte i vjetruem e ma fort i lodhun prej burgimit të gjatë e tash i xanun sa s’ka me shërbesat e reja sakramentare. U kishte thanë se do të vinte fill mbasi të kremtonte meshën në Suka. Ishte caktue ora 12. Ndërkohë, mbrenda kishet, gjithçka ishte pastrue, por , prapë ishin gjithë ato punë të tjera që duheshin me u bá. Dikush solli tavolinën e bukës, e e çuan në elter. Formati i saj me syprinën drejtkandshe i përshtatej vendit ku kishte me u vendosë. Përsipër i vunë një sofrabez, që e kishte sjellë Xhina, në thurjen e të cilit dominonte e bardha . Një e bardhë, pak e përlyeme me të verdhë, si në oker. Sofrabezi varej deri poshtë, nji shplakë përmbi dysheme, tue i dhanë kështu hijen e meritueshme elterit. E paprituna ishte kelk shejti, që solli Marija. Ajo kishte mujtë me e tërheqë atëhere prej remeve të tjera, që ateistat entuziastë i hidhshin rrëmujshëm asokohe, bashkë me librat e shejtë e gjithçka tjetër. E e kishte vendue në fundin e arkës së vet, poshtë teshave të dekës. Me fuguret e familjes së Shejtë, të Nanës së Këshillit të mirë e të Jezusit fëmijë, i kishte strukë edhe ato. Kurse Vojnat e Shejtë, i kishte mshehë diku që veç ajo e dinte. Ato të paktë që kishin mbetë, mbas sakramenteve që ajo i bante tinzash. Histori në vedi kjo e Vojnave. I kishte sjellë dom Deda me Tushin prej dom Ivos së Shëngjergjit. E kishin kalue lumin me lundren e vogël, pa ju hi ferrë në kambë, për fat. Ishin nisë pak mbas mesnate e për nji çerek ore kishin mrrit në bregun matanë, pa u vu re prej rojeve të këndejshme të kufinit. Edha atyne matanë nuk u kishin ra në sy e kështu , mbasi kishin ecë edhe ma pak se gjysë ore ja kishin behë te qela e dom Ivos. Ishte natë e errët e binte shi, si don Zoti.Kishin qëndrue jo ma shumë se një orë me té e pak para se me zbardhë morën rrugën e kthimit. Mrritën ende pa zbardhë, shëndosh e mirë deri sa hynë në katund. Kishin kalue nëpër birë të gjylpanës, po s’kishte qenë e thanë me shkue vaj deri në fund puna e Vojnave të Shejtë. Dikush i kishte vrojtue e kishte njoftue njësitin kufitar… Kishin shkue te Qela e kishin marrë së pari dom Deden. E kishin lidhë duarsh; prej aty te shpija e Tushit e të njejten gja kishin ba edhe me te.Mandej të dy i kishin marrë e plasë mbrenda në burg. Po Vojna kishin shpëtue…
“Tashma s’mund t’i besohej këmishës në shtat”- e përësëritte ritualisht Marija, qysh atëherë e gjithëherë atyne kohëve…
***
Erdhi e djela, një ditë me mot të kthjeshtë e të ngrohtë. Oborri i kishës i mbushun plot e përplot me njerëz. Të dalë prej dimnit të gjatë, të mpitë e të ngrysun, atë ditë fytyrat e tyre gjallnonin posaçe…Si vetë natyra e stina, që kaherë s’kishte sjellë kaq ndezullí në zemrat e tyne. Kel Parubi kishte ardhë shpejt, ndër katër a pesë të parët e kishte zatetë edhe ai në oborr krah tyne.
– Nadja e mirë – kishte përshëndetë – po si keni ndjeh ?
– Mirë se të bjen nadja, i ishin përgjigjë me një gojë ata, tue e pezullue për pak bisedën. E gjitha aty ngjante me një mizanskenë teatri të kohës së zanafillës së teatrit në oborret e shpijave të Shkodrës. Mandej mërritën njeni mbas tjetrit burra, gra, të rinj e fëmijë e oborri u mbush. Me të thanë mendja se s’kishte mbetë kush n’shpi. E me të vërtetë, përveç ndoj plaku e plake që nuk mund lëvizte s’kishte mbetë kush pa ardhë…
Ra kumbona për fillimin e meshës… Tingujt e kumonëve s’kishin prâjtë asnjiherë. Njisoj si cicërimat e zogjve e kangët e bylbylave në pranverë kur, degët e shelgjeve vareshin mbi ujin e kthjelltë të lumit e shumoheshin prej pasqyrës së tij. Në bregun tjetër të lumit që ndante dy botë kompanjeli i Kishës së Shëngjergjit ndihej njësoj edhe këndej...
Kumbonen e kishin kacavjerrë mbi degën e trashë të frashnit të madh, në oborr. Trungu i tij , që për fat s’e kishte kapë spata , nuk mund të qarkohej as prej dy pash burrash krahhapët. Askërkujt prej tyne nuk i kishte bâ zemra me përdorë spatën mbi té. E kishin rikthye dhe vendosë aty prej repartit ushtarak në kodër. Histori në vedi edhe kjo se si kumbona kishte shpëtue e nuk qe dërgue në fonderinë e shkrimjes, në uzinën e Rrencit, afër qytetit. Dikush e kishte çmue utilitetin e saj, kështu siç ishte, pa e prekë aspak . Ky kishte qenë komandanti i repartit ushtarak kundërajror, që ishte në majen e kodrës sipër katundit. Ai vetë kishte ardhë me tre ushtarë, e kishin ngarkue në zis dhe e kishin përcjellë në repart. Aty e mbasandej tingujt e kumbonës kishin zgjue rregullisht alarmet e repartit… Thuhej se ajo qe sjellë nga Venecia ma se njëqind vjet ma parë. Me material tunxhi të përziem e derdhun atje, me fuguren e Jezusit të kryqëzuem të vizatuem në faqen e jashtëme të harkueme e të lëmuet të saj, ajo lëshonte tinguj të zgjatun që përhapeshin me jehonë…Në rezonancë me tokën e qiellen…
Besimtarët kishin lëshue oborrin dhe kishin hy në kishë. Fillon mesha. Me paqe e përshpirtní e me lutje të përlotuna.Prej shpirtit të ndryshun e prej nostalgjisë. Në fund meshtari jep bekimin, riti përmbyllës: Mesha u krye, shkoni në Paqe !
– Falënderojmë Hyjin- përgjigjen njëzashëm besimtarët dhe meshtari ban me u largue nga elteri. Atëherë po ndigjohet nji za, që pezulloi lëvizjen e gjindjes:
– Me leje – shqipton ai, tue e shoqnue kërkesën me ngritjen e dorës. Asht Kel Parubi ! Meshtari ndalet, Keli ban disa hapa përpara e del në krye ; zen vend në njénen anë poshtë elterit, prej kah mund të komunikonte njiherësh edhe me besimtarët edhe me priftin:
– Vllazen e motra – e fillon Keli kumtin e vet. Besimtarët ndalin, bisedat e zhurmshme ndërpriten prejherit, bie aso heshtje, që nuk ndigjohet as miza. Hésht edhe meshtari.
-Unë i kam dy fjalë me i thanë sot para jush. Do e dinë se çka e do e marrin me mend…Tushi , pati ra puna me ba edhe burg… Kam kenë i shtërnguem o me ba ashtu , o me shku edhe unë si ata. E bashkë me ta… Me shpirt e me zemër nuk kam dashtë e jam ruejt me bâ sa ma pak dam. Per ket deshta me u rr’fye sot n’ket ditë të lume, të dashtun vllazen e motra. Para jush e para Zotit !- Mbasi përshkon me sy krejt njerzinë në kishë, çon pak kryet nalt me sy prej elterit, e zbret ngadalë e, masandej e shpërndan shikimin cep e n’cep të kishës. – I kërkoj të falun secilit prej jush në ket ditë të shêjte për ne. Megjith shpirt ju kërkoj të falun ! – e mbylli Keli fjalen e prap zu vend heshtja. As prifti nuk foli. Dy gra u panë tue fshi pikat e lotit…
– Falë kjosh e Zoti t’faltë, Kel ! – u ndigjue zani i Tushit.- Unë e kam ditë se atje e kam pasë vendin edhe pa padinë tande.


