Letërsia shqipe e këtyre tridhjetepesë vjetëve të fundit ka marrë një përmasë të re për nga pesha e rëndesës, dhe cilësi të re për nga origjinalizmi, nëpërmjet prozës së Zija Çelës. Të dhënat statistikore, mbi tridhjetë tituj librash: romane, novela, vëllime me tregime, në disa mijëra faqe, kanë rëndësinë e tyre, sepse, në to, shihet intensiteti, ritmi, aftësitë dhe frytshmëria e madhe krijuese, edhe këto të rralla, në letërsinë shqipe, për numërshmërinë, shpeshtësinë e daljes në dritë. Përmasa e re është edhe cilësi e re, pa të cilën nuk mund të jetë a të përbëjë përmasë. Vet cilësia e saj, përcaktuese e vlerave, është origjinalizmi, aq i theksuar dhe ndryshe, sa Zija Çelës nuk i gjendet asnjë paraardhës, në prozën shqipe, dhe, siç ndodh në raste të tilla, nuk shpresohet të ketë as pasardhës në llojin e vet, ngjashëm, bie fjala, me “fatin” e Becket-it. Edhe lloji i prozës së tij, një tërësi risore poetikash, është e pangjashme me asnjë tjetër, të krijuar para saj, apo, në të njëjtën kohë me të, e cila përbën një degëzim më vete në trungun gjenealogjik të letërsisë shqipe.
Në këtë ndërkohë, edhe romanet më të rëndësishëm, kanë një pikënisje dhe bazë lëndore, thuajse, dhe një këndvështrim të përbashkët: realitetin e të shkuarës së afërt pa liri mendimi, gjithashtu, pasojat e saj shoqërore, psiko-shpirtërore dhe morale në rrethanat e lirisë. Proza e tij është jashtë këtij uniformizmi, edhe pse gjysmën e jetës e ka kaluar në atë realitet, shoqërisht dhe psikologjikisht i rëndë, madje, me ndodhi të rrezikshme për vet atë. Jashtësia e saj ka ardhur, sepse, ai u shkëput nga koha dhe realiteti jetësor i mëparshëm dhe kaloi në kohën dhe realitetin jetësor tjetër, në të sotmen pluraliste. Shkëputjen e parë, dhe ylberin e censurës, e pati kapërcyer dukshëm me romanin atipik dhe paradigmatik Mali i tejdukshëm (1990). Ajo nuk ishte thjesht lëvizje mekanike në kohë, as në realitetin e jashtëm hapësinor. Ishte lëvizje e brendshme, shndërrim metafizik, botëkuptimor, psikologjik, mendësish dhe shpirtëror. Pikënisja e re, e jashtme, u bë realiteti i kohës së sotme, i perceptuar dhe i mishërur letrarisht jo më pak problematik dhe traumatizues, se i mëparshmi. Me shkëputjen nga e shkuara, u shkëput edhe nga gjedhja krijuese e përgjithshme dhe vetjake, që ishte përngjasim i realitetit shoqëror në ecurinë kauzale. Nga shndërrimi i tij psiko-mendor u përftuan marrdhënie të tjera mes objektit të krijimit, realitetit jetësor, dhe subjektit krijues, shkrimtarit prej të cilave ka dalë vepra e tij madhore në cilësi dhe autonomi arti, tepër e dallueshme në origjinalizëm. Parësor është krijimi prej imagjinatës, njëmendësia letrare, që është njëmendësia, e vërteta e shkrimtarit, krijimi i saj prej imagjinatës, metafizikes, abstraktes, që shndërrohet në shëmbëlltyra njerëzore, figura objektesh lëndore dhe realitetesh jetësore. E pa qena, abstraktja, e paperceptueshmja, fryt i imagjinatës, bëhet e qenë, konkrete, e perceptueshme, e ngjashme me jetësoren. Një simbiozë mes konvencionales dhe jetësores, që shpalos botën njerëzore në ngjyra dhe ngjyresa nga më të ndryshmet, prej errësirës së pavetëdijes, në të errtat, gritë dhe të çeltat e vetëdijes, te drita e besimit, e mira, e bukura njerëzore.
Imagjinata është e epërme, përmbi veprën dhe përmbi lexuesin, e vrullshme, progresive në vijimësinë e saj, herë-herë e “shfrenuar”, tejet e liruar, thyerse e logjikës së përditshmërisë, në çdo rast e pranueshme, kënaqësidhënse artistikisht, e cila e ka shpënë letrarësinë, sidomos groteskun dhe ironinë, në kufij të pabesueshëm, ndërsa, atmosferën, shëmbëlltyrat dhe marrdhëniet njerëzore, mjediset e veprimit janë të ngritura në shkallare dhe përmasa madhërisht letrare.
Në procesin tjetërsues të shkrimtarit dhe të veprës së tij, u tjetërsuan edhe marrdhëniet me lexuesin, i cili pranon dhe përshtatet me paktin e ri të leximit, i prejardhur nga vet lloji i prozës. Prandaj, në marrëdhënie të tilla, krahasimi vlerësues i saj me realitetin shoqëror, me jetën është i kufizuar, për të mos thënë, shpesh, përjashtues. Lexuesi tërhiqet fort emocionalisht në horizonte të larta imagjinate dhe perceptime të reja të një bote letrare, e pangjashme me ato, që ka përjetuar nga lexime të mëparshme të shkrimtarëve të tjerë. Realiteti shoqëror i shëmbëllyer, në të, është dytësor, plotësues i të vërtetës së shkrimtarit me të vërtetën e jetës. Edhe kur është i shëmbëllyer, nuk është plotësisht shëmbëllyes.
Rrëfim-përshkrimi i saj nuk ka asnjanësinë e realizmit, as objektivizmin e modernizmit, por subjektivizmin dhe subjektivizimin e një rrëfimtari autor nëpërmjet të cilit subjektivizohen, në trajta, mënyra dhe forma nga më të ndryshme, ngjarjet, ndodhitë, dialogjet, monologjet, introspeksioni a retrospeksioni. Këndvështrimet, gjendjet dhe qëndrimet emocionale, për nga subjektivizmi, vende-vende, përngjajnë me subjektin lirik të poezisë, një hiperndjeshmëri në të cilin rrëfim-përshkrimi shndërrohet në një lloj ligjërimi lirik. Mirëpo, nuk mbetet i tillë, sepse edhe ai ka objektivizmin dhe objektivizimin e vet, perin e hollë të sublimimit të humanizmit, i pashkëputur, i cili buthton si impuls vlerësimi gjallues, në situata rrëfimi dhe gjendje përshkrimi, i dukshëm dhe i padukshëm, përherë i ndjeshëm.
Në tablonë gjerësisht të shtrirë të problemeve, dukurive dhe konflikteve qeniesore/ ekzistenciale të shoqërive të sotme, në qendër dhe në tërësinë e saj, është dehumanizimi i njeriut, i jetës dhe i botës, në të cilën virtytet janë tjetërsuar në vese, mirësjellja në hipokrizi dhe hipokrizia në sentimentalizëm të shtirur, dashuria erotike në interes lëndor dhe karierë shoqërore, mediokri hero, i padituri superior dhe fitues, fisnikëria në pangopshmëri fitimesh, atdhetarizmi në megallomani protagonizmi, ngushtësia dhe inferioriorizmi provincial në “ndërkomunikim”, njohje dhe “lavdi” planetare. Tabloja e saj është kakofonia hiperbolike, e thënë me termin letrar, distopia e shoqërisë së sotme globale, që jeton në një delir hiperbolik të pangopshmërisë dhe kënaqësive vetjake, të keqdashjes dhe keqbërjes, ligësisë dhe cinizmit, të cilat gërryejnë marrdhëniet shoqërore, shkelin brutalisht mbi respektin dhe të drejtën e tjetrit.
Dukuritë, tiparet njerëzore të dehumanizuara, sikur kanë mbetur të vetmet, pa pasur më përballë në njëmendësi virtyte dhe tipare pozitive njerëzore. Mes të keqes universale, a ka ndonjë ideal të gjallë dhe besim tek ideali? Ideal është humanizmi, besimi te njeriu dhe bota njerëzore e pashpërbërë, prandaj, në mungesë të tyre, shkrimtari ka ngritur flamurin e humanizmit abstrakt dhe të përjetshëm, të strukur, duke sublimuar në të edhe dashurinë e vet për njeriun, jetën e virtytshme.
Trajtat dhe qëndrimet ndaj së keqes së tejzmadhuar, nëpërmjet hiperbolave, groteskut ironisë, që janë dhe përbërësit themelorë të stilit të tij, e kanë zanafillën, bazën mbështetëse dhe vlerësuese te humanizmi. Ato janë përftuar nga përpjekja për ta rihumanizuar njeriun dhe botën, aty ku mungon, dhe të ruhet aty ku është. Për nga shumëpërfshirja, madhështia e imagjinatës, herë ngjan me atë të botës rableane, dhe, herë me atë suiftiane, vetëm kur përmendesh prej leximit, kupton, se je në botën letrare, kaq origjinale të Zija Çelës. Duke pasur paraysh veprën e tij të bëhet të mendosh, se shtrirja letrare e madhe e hiperbolave, groteskut dhe ironisë është në përpjestim me humanizmin, prej të cilit janë përftuar, ose, anasjellas, humanizmit i është dhënë shtrirja dhe shkallarja e groteskut dhe e ironisë për të qenë mendimi në përputhje me shprehjen.
Autorët e hiperbolave, groteskeve, ironive të mëdha gjithmonë kanë qenë humanistë të mëdhenj (Dante, Servantes, Rable, Gogol, Kamy, Kafka, Markez, Kadare)
Proza e tij, edhe pse mes poetikave të modernizmit dhe pasmodernizmit, ka edhe disa veçori të tjera, dalluese, jashtë trajtave të tyre, prej të cilave është më dinamike, më e rrjedhshme, me lexueshmëri të madhe. Rrëfimi tregues, zakonisht, intensiv, me rrjedhë të shpejtë, këmbehet me rrëfimin introspektiv dhe ekstensiv, më tej kalon në një regjistër tjetër, përngjasues me rrëfimin legjendar, në përshtatje me groteskun dhe ironinë zmadhuese. Rrjedha e tij e shpejtë përftohet edhe nga një elokuencë dhe oratori ironike, e ngjashme me ligjërimin gojor të përditshëm, pa kaluar në retorikë.
Ndryshe nga poetikat e llojeve të modernizmit, në të cilat veprimi është i tkurrur, ose, mjaft i tkurrur, si lëmsh i mbledhur në vetvete, shtjellimi i historisë, dinamika strukturore dhe e zbulimit të shëmbëlltyrave njerëzore, e prirë nga veprimi, ndërpritet dhe priret nga rrëfimi, të cilët, duke hapur në dy mënyra horizontin e veprës, hapin, po në dy mënyra, dhe horizontin e perceptimit dhe të kuptimit të lexuesit. Edhe veprimi është bifunksional, shëmbëllim i veprimeve njerëzore të natyrshme, dhe konvencional, veprim skenik si në dramaturgji. Megjithëse, shpërfaqen drama të rënda të bjerrjes njerëzore, ato rrallë kanë konflikte të ndeshjeve, sepse, edhe në njëmendësinë e jetës, njeriu “pa cilësi” i të sotmes, dramën e bjerrjes së vet, nga që nuk e kupton, e luan si komedi, edhe pse pasojat janë dramatike. Zija Çela, përmes ironisë dhe groteskut, shpalos drama komike të tilla, paradoksale, në thelb, të absurdes.
Tiranë, prill 2026


