Daniel Kehlmann – me mbi 20 tituj, me dhjetëra çmime letrare, librete teatrore dhe skenarë filmikë të librave të tij, ftesa të vazhdueshme në panaire librash dhe festival – është shkrimtari bashkëkohor më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i gjuhës gjermane.
Die Vermessung der Welt/ Matja e botës (2005) – është një nga romanet më të shitur gjermanë të shekullit XXI.
Shtëpia Botuese Toena ka sjellë në shqip tre nga romanet kryesore të Kehlmann-it: “F”; “Tili”, dhe së fundmi “Lojë dritash”,pjesë e listës për çmimin “International Booker Prize” 2026.
Shkrimtari gjermano-austriak, i lindur në Munih në vitin 1975, e ndan jetën mes Berlinit, Vjenës dhe Nju Jorkut.
“Autori më i mirë gjerman i brezit të tij tregon se si edhe një artist i madh mund të shkatërrohet nga kompromiset morale me të keqen. I shkëlqyer – një roman që të mban të mbërthyer faqe pas faqeje.”
Salman Rushdie
Lojë Dritash
Në romanin e tij më të fundit Lojë Dritash, Daniel Kehlmann tregon historinë e Georg Wilhelm Pabst, një prej regjisorëve më të njohur të Republikës së Vajmarit, i cili ua shet shpirtin nazistëve – edhe pse duke u përpjekur ta shmangë këtë me disa dredhi pothuajse komike.
Një nga titanët e kinemasë, ndoshta regjisori më i madh i epokës së tij, G. W. Pabst, gjendet përballë një bote që po shembet para syve të tij. Me ardhjen e nazistëve në pushtet, ai arratiset drejt Hollywood-it, duke shpresuar në liri dhe siguri. Por nën diellin verbues të Kalifornisë, gjigandi i filmit papritur duket i vogël, i pafuqishëm — si një xhuxh i humbur në hijen e vetvetes. As Greta Garbo, ylli që ai e ngriti në pavdekësi, nuk mund ta shpëtojë nga ndjenja e zhgënjimit dhe frikës që e kaplon.
Pa e kuptuar, Pabsti e gjen veten të rikthyer në atdhe, tashmë nën shtrëngimin e regjimit nazist. Familja e tij ndien tmerrin e diktaturës me gjithë ashpërsinë e saj, që nuk kursen askënd. Berlini ka vendosur: ministri i propagandës e kërkon gjeniun e filmit në shërbim të pushtetit — dhe nuk pranon refuzim. Premtime të mëdha dhe tundime të rrezikshme e presin në heshtje.
Ndërsa Pabsti ende beson se mund të rezistojë, se arti është e vetmja diktaturë që do të pranojë, hapi i parë drejt një udhe pa kthim është hedhur tashmë. Çdo zgjedhje, çdo kompromis, duket si lojë me zjarrin — dhe lexuesi ndien se si çdo çast mund ta shndërrojë legjendën e një mjeshtri në një tragjedi të pashmangshme.
Romani “Lojë Dritash” përbëhet nga tre pjesë me gjatësi të ndryshme: Jashtë, Brenda dhe Më pas. Këto tre ndajfolje lidhen njëkohësisht si me jetën e Pabstit, ashtu edhe me periudhën e nazizmit. Pjesa e parë, rreth 120 faqe, zhvillohet kryesisht në vitet 1920–1930, kur Pabsti – së bashku me Fritz Lang, Friedrich Wilhelm Murnau dhe Ernst Lubitsch – u bë një nga regjisorët e mëdhenj të Republikës së Vajmarit. Në momentin kur nazistët morën pushtetin, Pabsti po xhironte një film në Francë. Fillimisht ai vendosi të qëndronte atje, pastaj shkoi në SHBA, ku në vitin 1934 realizoi filmin A Modern Hero, i cili megjithatë rezultoi një dështim i madh.
Në pjesën e dytë, dhe njëkohësisht më të gjatë të romanit, Kehlmann-i rrëfen periudhën kur Pabsti jetonte dhe punonte në diktaturën naziste. Ai u kthye në Austri në vitin 1939 për të vizituar nënën e tij, por pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore nuk mundi të largohej më dhe më pas u përshtat me regjimin e Hitlerit. Pjesa e fundit e romanit, rreth dyzet faqe, tregon për jetën e Pabstit pas luftës.
Figura historike dhe të sajuara
Romani është i rrethuar në kapitullin e parë dhe të fundit nga figura e Franc Vilcek, një ish-asistent (fiktiv) i Pabstit, i cili tashmë jeton me demencë në një shtëpi pleqsh. Në roman, Vilceku kishte asistuar edhe në filmin e fundit që Pabsti xhiroi gjatë kohës së nazizmit, Rasti Molander, i cili mbeti i papërfunduar dhe u zhduk. Pabsti nuk arrin kurrë ta kapërcejë këtë humbje as pas luftës. Tek Kehlmann-i, regjisori dikur i famshëm shfaqet në vitet e pasluftës vetëm si një hije e vetvetes, që ëndërron gjithë kohës sikur kryevepra e tij e supozuar do të rishfaqet diku.
Në roman shfaqen shumë figura historike: Greta Garbo, Louise Brooks, Heinz Rühmann, Helmut Käutner ose Leni Riefenstahl. Megjithatë, Kehlmanni ka shpikur edhe disa personazhe. Përveç sfondit historik, ai ka shtuar edhe elemente të imagjinuara. Kështu, jo vetëm Vilceku është i trilluar, por edhe figura me tipare “mefistofeliane” e Kuno Kremer, punonjës në Ministrinë e Propagandës së Goebbels-it, që e mbron dhe e mbështet Pabstin. Edhe një djalë me emrin Jakob, i cili në roman bie nën magjinë e ideologjisë naziste në radhët e Rinisë Hitleriane, nuk ka ekzistuar në të vërtetë. Bashkë me këta personazhe të sajuar shfaqen edhe episode të imagjinuara, që e pasurojnë historinë. Për shembull, Kehlmann-i tregon se si torba ushtarake plot me bobinat e filmit Rasti Molander ngatërrohet gabimisht me torbën ushtarake me patkonj të një farkëtari të ushtrisë.
Shpirti i shitur dhe bobinat e zhdukura të filmit
Regjisori, i cili për shkak të filmave të tij kritikë ndaj luftës ishte quajtur edhe “Pabsti i kuq”, duhet të shkojë në Berlin, te ministri i propagandës së Rajhut Joseph Goebbels, dhe të kërkojë falje, që të mund të rikthehet në botën e filmit. Vizita shndërrohet në një bisedë surreale, pothuajse dadaiste. Fillimisht vazhdon gjatë një lloj loje fjalësh, se kush kërkon çfarë nga tjetri. Pastaj Goebbels-i humbet durimin dhe i kujton regjisorit se çfarë mund t’i ofrojë: “për shembull – kamp përqendrimi. Në çdo moment. Nuk ka problem.” Por mund t’i ofrojë edhe diçka krejt tjetër: “Çdo buxhet, çdo aktor, çdo film që dëshironi të bëni.” Pas shumë hezitimesh dhe fjalish të nisura e të lëna përgjysmë, Pabsti më në fund jep atë që kërkon Goebbelsi: ai distancohet nga veprat e tij të mëparshme. Menjëherë pas kësaj i jepet skenari i filmit Komedianët, me aktoren e famshme të shekullit XVIII Caroline Neuber, për të cilin Pabsti do të merrte çmimin “Regjisori më i mirë” në Bienalen e Venecias, në vitin 1941.
Një tjetër skenë e shkruar në mënyrë madhështore përshkruan xhirimet e filmit “Tiefland” të Leni Riefenstahl-it. Historia zhvillohet në Pirenej në fund të shekullit XIX, por xhirimet bëhen në Alpe. Xhirimet zgjasin shumë dhe Pabsti duhet ta ndihmojë në regji Riefenstahl-in, e cila njëkohësisht luan edhe rolin kryesor. Riefenstahl nuk është e mirë as si regjisore dhe as si aktore. Aq më pak si një figurë morale: pasi ka nevojë për figurantë me pamje “jugore”, ajo rekruton me forcë Sinti dhe Roma nga kampi i përqendrimit Maxglan që ndodhet aty pranë. Edhe pse Pabsti ndihet i shqetësuar kur e mëson këtë fakt, ai pajtohet me asistentin e regjisores, kur ky i thotë: “Nuk mund të ndryshohet asgjë.”
Kehlmann-i e rrëfen historinë e jetës së Pabstit me humorin e tij karakteristik. Shpesh ndodh që bashkëkohësit e lavdërojnë për filma që nuk janë të tijtë, për shembull për Metropolis të Fritz Lang ose për “atë filmin fantastik me vampirë”, që natyrisht është nga Murnau. Në fund, Pabsti kthehet në shembullin e i një artisti që, për hir të artit – edhe pse me hezitim dhe dyshime – e shet shpirtin e tij. Ndaj nuk e gjen më kurrë atë shpirt, ashtu siç nuk gjenden më kurrë as bobinat e humbura të filmit “Rasti Molander”.
* * *
Daniel Kehlmann – një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë evropiane bashkëkohore do të jetë mes nesh.
Autori i romanit “Lojë dritash”, botuar nga “Toena” dhe përkthyer nga Anna Kove me mbështetjen e Tradukit vjen personalisht për t’u takuar me lexuesit shqiptarë — në një bisedë me përkthyesen e tij mbi artin, kompromisin, historinë dhe dritën që zbulon gjithçka.
TIRANË
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
Sotir Kolea
30.03.2026, 17:30
GJIROKASTËR
Shtëpia Kadare
31.03.2026, ora12:00
Mos mungoni: Takim i drejtpërdrejtë me autorin, bisedë e hapur me publikun dhe nënshkrim librash.


