Parathënie e librit dygjuhësh shqip-italisht,
Rrëfime / Confessione, të autorit Vehbi Miftari
*Universiteti i Rhode Island, SHBA
Poezia e Vehbi Miftarit zë vend të rëndësishëm brenda një yllësie poetike, në të cilin kujtesa, rrëfimi, përkatësia dhe vizioni përmblidhen në forma shprehëse të një shkëlqimi të rrallë. Rrënjët kulturore e vendore të autorit me prejardhje nga Vushtrria, në veri të Kosovës, nuk përbëjnë ndonjë kufizim, po, përkundrazi, burim të vazhdueshëm frymëzimi që shtrihet në dimensione më të gjera, duke përfshirë historinë, gjuhën dhe fatin e një hapësire të tërë kulturore gjithëshqiptare, që shtrihet nga Ballkani deri në kolonitë e Arbërisë, në Italinë Jugore.
Poezia e tij shtrihet në një lloj përqafimi të përhershëm, që njëkohësisht ruan shenjën e këtij areali, por e tejkalon përvojën ballkanike: në vargjet e tij artikulohet përkatësia shqiptare, e përjetuar në trajtë thellësish, pyetjesh e hapjeje ndaj botës perëndimore, veçanërisht ndaj Italisë.
Në të njëjtën kohë, imagjinata poetike e Vehbiut vepron në një lloj ballafaqimi të vazhdueshëm midis realitetit dhe ëndërrimit. Përditshmëria shndërrohet në metaforë, ndërsa malli, mungesë-prania dhe kujtesa bëhen shtytës të njohjes. Vargjet e tij ndonjëherë ne e kujtojnë Lavorare stanca (“Puna është e lodhshme”) të Pavezes, sado që në vargun e tij mund të ndihet edhe frymëzimi i veprës së thjeshtë, por të thellë të Vislava Shimborskës (Wisława Szymborska), fituese e Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1996: stili prozaik dhe ikastik,[1] e në të njëjtën kohë edhe drithërues i Vehbiut është stili i dikujt që e zotëron mirë filologjinë, që i jep peshë çdo fjale e çdo tingulli, duke e mbushur kuptim e emocion.
Në vargjet e tij, realiteti ndërthuret e bashkohet me mitin (dhe anasjelltas), jeta tokësore hap shtigje drejt qiellores e metafora vepron si forcë shtytëse dhe zhdrivilluese e misterit të ekzistencës. Kësaj i shtohet pastaj një ndërgjegje e theksuar qytetarie: poeti nuk është vëzhgues i largët e i pandjeshëm, por subjekt që vë në pikëpyetje marrëdhënien midis gjuhës, etikës dhe përgjegjësisë publike. Liria konceptohet si koncept politik, si vlerë demokratike (fryt i pushtimit), si e drejtë shprehjeje.
Poezitë e librit Confessioni / Rrëfime e hapin vetëm pjesërisht, qoftë udhëtimin jetësor të njeriut, qoftë itinerararin e tij shpirtëror. Poezia e parë, Rrëfimi për ngjitjen në majë, përshkruan përpjekjen njerëzore për t’i arritur qëllimet e tij, për ta përmbushur fatin e vet, për të evokuar përkatësinë e vet, për të qenë vetvetja. Lodhja, dhimbja dhe krenaria bashkohen në një shëmbëlltyrë në të cilën maja është njëkohësisht zbulim dhe rënie, lavdi dhe zhdukje, siç na kujton miti i Sizifit, të cilin poeti e përdor për të shprehur tensionin ngjitës të natyrshëm në shkrimet e tij dhe në jetën e tij (dhe tonën). Maja, në këtë kontekst, nuk përfaqëson vijë përmbyllëse, por një prag epistemik: një vend ku identiteti kapet në shkëlqimin e tij më të madh dhe cenueshmërinë e tij më të madhe.
Në majë shkrepash
qeshë më i lumtur se çdo njeri tjetër
…
sikur ai ta shënjonte kthimin e fundit në fillim”
(Rrëfimi për ngjitjen në majë)
Rënia përfundimtare, larg të rënit, në mënyrë paradoksale shndërrohet në përmbushje të kërkimit: “ia arrite qëllimit, ngjitjes në majë”, pohon zëri i brendshëm: ky është, me fjalë të tjera, “kthimi i parë në fillim dhe në përngjasimin me vetveten”.
Rrëfimi i dytë, Rrëfimi për zotat, kushtuar perëndive, shpërfaq hybris-in[2] e qenies njerëzore, që beson se e ka në dorë dhuratën e zjarrit, një hyjni e aftë të vendosë midis së mirës dhe së keqes, por që në realitet duket e paaftë të shpëtojë nga mashtrimi i besimeve të veta. Pasi njohën natyrën e tij (që është edhe kufiri i tij), perënditë vendosën të tërhiqeshin në Olimpin e tyre, përveç “perëndisë krimb”, figurë ironike dhe e fuqishme që tregon mjerimin njerëzor në tokë, ose ndoshta vendin e duhur të tij në planetin e vet.
Madje ai ende beson në ëndrrat e pashpjegim
megjithëse sojesh kanë hequr dorë të gjithë zotat
me përjashtim të atij që është zoti i vërtetë
i jetës së tejdheshme: zotit krimb”
(Rrëfimi për zotat)
Në rrëfimin e tretë: Rrëfimi për gjërat përreth, poeti lëviz në sferën e rëndomtësisë së përditshme. Objektet që na rrethojnë, kujtesa për to, natyra përreth nesh dhe pasqyrat bëhen pikënisje të vetënjohjes, hapësira në të cilat realiteti i shtrohet fantazisë, ndërsa kujtesa ngre vazhdimisht pikëpyetje të tjera. Përvoja nga jeta e përditshme shndërrohet në thellim të vazhdueshëm të vetëdijes: ajo që koha e zbeh mbijeton si element i brendshëm i përkatësisë, si një fije që lidh veten me metamorfozat e saj (të shumta). Mesazhi i fuqishëm që poeti dëshiron ta përcjellë duke gërmuar brenda vetes dhe duke e shikuar atë në pasqyrë përçohet në vargjet e mëposhtme:
Askush nuk e dinte se çfarë kisha ndërmend
derisa një ditë e takova veten time në pasqyrë
ngulmimin për të mos i ikur përditshmërisë
i cili më bindi se përkushtimi për jetën kushton
(Rrëfimi për gjërat përreth)
Udhëtimi shpirtëror: Nga udhëtimi augustinian te vertikaliteti i Dantes
Në morinë e bërthamave tematike, poezia e Miftarit duket se përshkohet nga një rrëfim që, me analogji të thellë, ta kujton udhëtimin augustinian nga Rrëfimet te Qyteti i Zotit (De Civitas Dei). Edhe te poeti ynë, fëmijëria, kujtesa, dëshira dhe mundimi i brendshëm përbëjnë pragun e parë të udhëtimit: por udhëtimi nuk kufizohet vetëm në përvojën tokësore ose autobiografike. Përkundrazi, ai ngjitet progresivisht drejt një tjetërsimi metafizik, duke u shndërruar në një udhëtim përposh që t’i rikujton tri botët e Dantes.
Kalimi nëpër Ferr, Purgator dhe Parajsë – të theksuara shumëfish në rrëfimet e tij – nuk është një evokim i thjeshtë dantesk, por një rrugë e vërtetë ngritjeje drejt një gjendjeje qetësie dhe lehtësimi pas kalimit të dhimbjes. Vetja lirike lëviz nëpër gjendje të qenies, të cilat ruajnë gjurmë të njerëzores dhe të botës tjetër, deri në kufirin përfundimtar: pragun e së hyjnishmes. Në këtë kuptim, kulmi i udhëtimit merr formën e një Civitas Dei personale: vepra poetike bëhet kështu një riinterpretim bashkëkohor i projektit augustinian, në të cilin Jerusalemi tokësor – i bërë nga mishi, historia, dhimbja, dëshira, shpresa – pasqyrohet në Jerusalemin qiellor, një vend plotësie e së padukshmes, që i jep kuptim të dukshmes. Udhëtimi i Miftarit shndërrohet kështu në shtegtim të brendshëm, në të cilin fjala poetike shndërrohet në urë lidhëse midis botës njerëzore dhe së tejkohshmes.
Si fëmijë e kam pasur një ves të pakapërcyeshëm
dëshirën për të luajtur me gjëra të mëdha.
një fashikull drite e kërkoja aty ku zotat bënin be
se nuk ekzistonte prej shekujsh.
Kështu jeta ime vazhdoi në kërkim
derisa drita më verboi dhe nuk dalloja më asgjë.
(Rrëfimi për dritën)
Të trija poezitë e përshkruajnë një hark simbolik, që ta kujton strukturën shpirtërore të Komedisë hyjnore: në Ferr, poeti nga dritarja (duka na e kujtuar Emily Dickinson-in) sheh një peizazh të dominuar nga era dhe stuhia, një stuhi e fuqishme i godet trupat e mendimet, duke na e rikujtuar stuhinë e burrave epshorë të Dantes në Këngën V; përreth kësaj bërthame mblidhet vazhdimisht shi i fortë, qepalla ftohëse, goditje të papritura, aq sa parmaku i dritares nuk na mbron më – të gjitha këto janë elemente që e kapërthurin shpirtin në një gjendje hutimi dhe mundimi (mëkatar).
Në Purgator atmosfera ndryshon: aty shohim mundësinë që stuhia të shuhet, që akulli të shkrihet, që poeti të mund të arrijë në breg, duke lundruar “në varkën e syve”: këto janë imazhe që i bëjnë jehonë mbërritjes në malin e Purgatorit, kalimeve pastruese përmes ngricës, përmbytjes dhe zjarrit të brendshëm, ndërsa qielli që shikon mbi majë dhe mungesa e mureve evokojnë një prani “Kush mund të jetë?” që tregon shpresë dhe rilindje.
Në Parajsë skena ndriçohet: një engjëll të cilin bardi (aedi) do ta mirëpriste në kopsht nëse do të ishte i aftë për “një dëshmi të kohës”, pëllumbi që ngre lart poetin dhe bashkë me të edhe poezinë (këtu më kujtohet pëllumbi i Anakreontit i përmendur nga Jeronim de Rada në fillim të Këngëve të Mlosaos), (ri)lindja ndërsa ngrica shkrin dhe lulet e marsit kthehen – gjithçka ta kujton dimensionin e hirit dhe harmonisë së Dantes (do të thoja më shumë si parajsë tokësore në majë të Purgatorit sesa si mjedis mes sferave qiellore); koha që kalon, poezia që bëhet dëshmi dhe muret që nuk janë më të mjaftueshme aludojnë për zgjerimin përfundimtar, për një hapësirë të brendshme pa kufij. Së bashku, të trija tekstet e përshkruajnë një udhëtim përmes stuhisë, pastrimit dhe dritës, lexim modern i udhëtimit të Dantes, që pasqyron rrugën e vetë poetit dhe atë të të gjithë njerëzimit që e ka humbur tashmë rrugën.
I njëjti tension midis fillimit dhe fundit, midis kujtesës dhe shpërbërjes, gjendet në pjesën e fundit të përmbledhjes poetike, duke kulmuar në poezinë: “…dhe grali që e harrova”. Këtu, motivi i kërkimit shpirtëror merr formë meditative dhe vizionare. “Grali” nuk është objekt, por simbol i dijes së humbur ose të braktisur, i një detyre të papërfunduar që kthehet ciklikisht në vetëdije. Në pjesën e parë, subjekti lëviz midis dritës dhe gjumit, midis kujtesës individuale dhe pranisë hyjnore me të cilën bie në kontakt përmes figurës së një përkëdheljeje të butë:
Kam me e shtrue veten në gjumë
me dorën teme e t’Lumit (…)
Asgja s’kam me kujtue nga rruga
t’cilën u përpoqa me e përshkue n’letra
(… dhe grali që e harrova)
Përvoja e kohës shkërmoqet dhe dëshira për t’u përjetësuar përplaset me valën e lumit Drin, një metaforë për rrjedhën që gëlltit dhe rikthen gjithçka. Ndërkohë, hëna, një figurë e lashtë e zhdukjes ciklike,
do të gëlltisë kufomën e të vdekurve
në udhëtimin më të madh pa kthim.
Kthimi në fillim shndërrohet në kthim në të përtejmen, në të papërcaktuarën, në arketipin që i paraprin jetës individuale.
Poezia e parë dhe ajo e fundit e përmbledhjes, të lidhura me njëra-tjetrën, zbulojnë koherencën e thellë të veprës: i gjithë libri shfaqet si lëvizje harkore, nga maja në humnerë, nga ngjitja mitike në shpërbërjen metafizike, nga dëshira për vetënjohje në vetëdijen për kufizimet njerëzore. Udhëtimi poetik shndërrohet kështu në një proces qartësimi simbolik, kërkim për “përngjasimin me vetveten”, që nuk synon krijimin e një identiteti të qëndrueshëm, por gërmimin në ndyrshueshmërinë e vetes dhe vetëdijen për ekzistencën e një pranie metafizike me të cilën të gjithë ne, besimtarë ose jo, duhet të përballemi.
Të marra së bashku, këto poezi zbulojnë një zë që transformon përvojën individuale në një laborator antropologjik, filozofik dhe shpirtëror. Gjuha e vendosur dhe largpamëse e Miftarit hedh poshtë sentimentalitetin dhe ia beson kuptimin fuqisë së imazheve dhe shtresëzimit simbolik. Faqet e librit e ftojnë lexuesin në një udhëtim që përshkon fatin, vë në pikëpyetje perënditë, eksploron jetën e përditshme dhe në fund të fundit arrin drejt Zotit: një itinerar që rikompozon mitin, kujtesën dhe transcendencën në një arkitekturë të vetme dhe të fuqishme të semës (shenjës dhe të shënjuarit).
Këtu, poezia e përmbush detyrën e saj më të lartë: ta bëjë të kapshme atë që është përtej nesh, t’i japë formë asaj që përndryshe do të mbetej e padukshme dhe t’u ofrojë qenieve njerëzore një vend ku ata mund ta masin brishtësinë e tyre, por edhe madhështinë dhe dinjitetin e tyre të patkurrur.
[1] Stili ikastik nënkupton të përshkruarit ose të pasqyruarit e realitetit në mënyrë thelbësore, jehuese dhe skajshërisht efikase, duke përthekuar vija të qarta e të sakta, që përmbledhin thelbin e asaj që pasqyrohet, duke i kthyer gjërat e pasqyruara në diçka të qartë, të fuqishme dhe pothuajse të prekshme.
[2] Hybris (ose ὕβρις në greqishten e lashtë) do të thotë mendjemadhësi, arrogancë, tepri krenarie ose paturpësi; është koncept themelor në kulturën greke, që përshkruan shkeljen e kufijve njerëzorë, abuzimin dhe sfidën ndaj rendit hyjnor ose moral, e cila çon në mënyrë të pashmangshme drejt shkatërrimit dhe ndëshkimit (nemesis), siç është trajtuar gjerësisht në tragjedinë greke me personazhe si Akili dhe Agamemnoni.


