Në të njëjtën kohë me Panairin e Librit në Tiranë, u mbajt edhe Panairi i Librit në Vjenë – i cili, pas atij në Frankfurt dhe në Leipzig, është i treti më i madhi në hapësirën gjermanofolëse. Me 72.000 vizitorë (duke pasur parasysh se bileta e hyrjes kushton 24 euro), ky edicion shënoi rekordin e pjesëmarrjes ndër vite.
Në këtë panair morën pjesë të gjitha shtëpitë botuese austriake, si edhe më të rëndësishmet gjermane dhe zvicerane. Po ashtu, të pranishme ishin edhe institutet kulturore të shumë shteteve të përfaqësuara në Vjenë.
Një nga momentet kulmore të panairit ishte prezantimi i romanit “KREUZTANNE” të Fate Velajt (autor i shtëpisë botuese “Onufri”). Për këtë ngjarje, organizatorët rezervuan skenën kryesore të panairit – atë të televizionit qendror austriak ORF.
Për të diskutuar rreth romanit, vlerave të tij letrare dhe risive që ai sjell në letërsi duke trajtuar rrëfimin midis ngjyrave dhe imazheve, në skenë u ngjitën Robert Menasse, shkrimtari i madh austriak dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, si edhe Katja Gasser, kryeredaktorja e kulturës në televizionin austriak.
Në një sallë me 400 pjesëmarrës, mes një dialogu të ngrohtë, plot emocione e reflektime mbi ngjarjet e librit, publiku duartrokiste herë pas here analizat dhe komentet mbi veprën.
Televizioni 3SAT (kanal gjermano–austriako–zviceran), në të vetmin reportazh që i kushtoi këtij edicioni të Panairit të Librit, u përqendrua pikërisht te risia e këtij viti: Fate Velaj.
“Kreuztanne” – romani që shtrin kufijtë e artit rrëfimtar
“Kreuztanne” është pjesa e parë e një trilogjie të bazuar në ngjarje të vërteta dhe në persona realë.
Romani i Fate Velajt shtrin kufijtë e formës së rrëfimit dhe dëshmon sa shumëplanësh mund të jetë romani: ndërmjet autobiografisë dhe fiksionit, historisë së migrimit dhe romanit të artistit, rrëfimit personal dhe vetëhulumtimit, studimit shoqëror dhe realizmit magjik. Teksti lëviz me një gjuhë të butë, poetike dhe njëkohësisht të kthjellët.
Kur i riu Fate vjen nga Shqipëria në Austri, fati i tij duket fillimisht si ai i shumë të rinjve migrantë. Nga kampi i refugjatëve në Traiskirchen, ai përfundon në një motel të humbur me emrin “Kreuztanne”, të fshehur mes maleve. Lexuesi njeh sfidat, vështirësitë, por edhe mundësitë që i shfaqen në këtë vend të ri.
Analizohet jo vetëm mënyra si e sheh shoqëria austriake të ardhurin, por edhe ëndrrat dhe shpresat e atyre që braktisin vendin e tyre për një jetë tjetër.
Por “Kreuztanne” është më shumë se një histori migrimi. Në një vend të panjohur, gjuhën e të cilit protagonisti fillimisht nuk e flet, pa miq e pa të njohur, ai nuk ka asgjë tjetër përveçse magjepsjes ndaj botës së re që e rrethon dhe nevojës për të “zhytur duart në ngjyra”.
Të shohësh botën me sytë e Fate-s do të thotë të ndjesh tonet, kontrastet dhe dritëhijet e saj. E gjelbra e pranverës dhe portokallia përvëluese e vjeshtës, e kuqja e gjakut të një kaprolli të aksidentuar në fillim të librit dhe grija e lagësht e një ëndrre ogurzezë nuk janë vetëm efekte stilistike. Ngjyrat janë simbole të kujtimeve dhe parandjenjave.
Përshkrimet shndërrohen në piktura impresioniste, forma abstrakte dhe peizazhe romantike. Piktura, në këtë roman, bëhet një mjet letrar.
Por ngjyrat e botës nuk janë vetëm mjete paraqitjeje. Në “Kreuztanne” ato shndërrohen në koncepte pothuaj mistike, të rrënjosura thellë në botë: ato lidhin ngjarje, pasqyrojnë intuita dhe i flasin lexuesit.
Kështu, ngjyrat shoqërojnë protagonistin nga ekspozitat e para, te shtatzënia e Klara-s, deri te vdekja tragjike e vajzës së tyre të parë gjatë lindjes.
Me lindjen e vajzës së dytë dhe me vdekjen e babait të autorit përfundon pjesa e parë e kësaj trilogjie, që rrëfen udhëtimin e Fate Velajt drejt të qenit artist.
“Kreuztanne” qëndron diku midis “Portreti i një artisti në rini” të James Joyce-it dhe autofiksionit modern.
Por mbi të gjitha, është historia e një njeriu që lë vendlindjen për t’i ndjekur ëndrrat; një njeriu që ëndërron një ditë të jetojë në një metropol, por që e gjen veten në një udhëkryq malor të Austrisë.
Aty ai detyrohet ta rigjejë veten, të bjerë dhe të ngrihet sërish, dhe në momente tragjedie, dëshpërimi e trishtimi, të mos e humbasë kurrë shpresën.
Është një histori e shkruar me imazhe të lindura nga gjak, djersë dhe lot.

