More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVaskë Bruko: Një udhëtim në botën e fotografisë shqiptare

    Vaskë Bruko: Një udhëtim në botën e fotografisë shqiptare

    Këto kohët e fundit doli nga shtypi në qarkullim libri i ri “Shkrepje të rralla fotografike” (sprova dhe artikuj për fotografinë) i studiuesit të fotografisë dhe publicistit Qerim Vrioni. Libri është një përmbledhje e artikujve të botuar në shtypin e shkruar gjatë 20 viteve të fundit, më saktë duke filluar që nga viti 2004. Në këtë botim studiuesi i njohur na ofron një udhëtim mbresëlënës dhe të pasur në historinë dhe artin e fotografisë shqiptare. Ky libër përmban analiza të thella dhe refleksione mbi fotografinë si art dhe dokument i kohës, duke paraqitur dhe komentuar punën krijuese të shumë fotografëve të shquar shqiptarë të traditës dhe të kohëve të fundit. Studiuesi Vrioni analizon imazhe historike dhe bashkëkohore, duke sjellë në vëmendje të lexuesit figura të njohura dhe momentet e zakonshme të jetës së tyre të përditëshme.

    Shkrimet për “Fotoportreti i Haxhi Shaban Domnorit” dhe “Figura e Skënderbeut në fotografinë shqiptare” janë analiza fotosh të caktuara, ku autori tregon nivelin dhe ndikimin historik dhe kulturor të subjekteve të portretizuara në letrën fotografike. Nga ana tjetër, në sprova si “Një foto e vjetër dhe qytetaria e një fshati” dhe “Një velë në lumin Buna”, përkatësisht të fotografit nga Dardha Thimi Raci (1886-1966) dhe studiueses anglezes Edith Durham (1863-1944),  eksplorohen peizazhet dhe jeta rurale, duke rikthyer lexuesin në kohë të shkuara dhe duke evidentuar bukurinë e detajeve të përditshme. Duket me vend përfshirja në botim edhe e fotosë së arrirë “Ura e Goricës” të fotografit symbol të qytetit të Beratit, Ilia Xhimitiku (1907-1977), që futet në peizazhet urbane. Fotografi të veçanta si “Mace e zezë në stadium” (Petrit Kumi, 1930), që ka fituar edhe një çmim ndërkombëtar në Moskë, ose “Një titull për një foto të Idomenos” (Kolë Idromeno, 1870-1940), apo “Kthimi i varkës në port” (Stefan Kaçulini), tregojnë se edhe momente më të zakonshme, në saje të fotografimit mjeshtëror, mund të kenë dhe shpërfaqin histori të mëdha dhe me emocione të veçanta vizuale. Për autorin e fundit, Stefan Kaçulini (1887-1947) dhe foton  e tij që daton vitin 1907, shkruhet për herë të parë kaq gjerësisht në shtyp.

          Vrioni përfshin në përmbledhje edhe informacione për jetën dhe krijimtarinë e fotografëve të njohur si Dedë Jakova (1915-1973), fotograf i shquar shkodran dhe  Filip Vito (1917-2004), i njohur si ikona e fotografisë në Gjirokastër. Po ashtu në libër shkruhet edhe për fotografin shumë pak të njohur nga Berati Naun Vruho (1913-1988), sidomos për peizazhet urbane të tij.  Në “Shkrepje të rralla fotografike” përfshihen edhe dy fotograf të dalluar bashkëkohor. Ata janë Ernest Baba, fitues i Çmimit të Parë në konkursin ndërkombëtar të fotografisë “Fokus Award 2024” dhe Adrian Fezollari, i cili shquhet si liriku i peizazhit natyror fotografik, duke evidentuar gjurmët e tyre në zhvillimin e artit vizual shqiptar.

         Një nga imazhet më të rralla dhe prekëse në libër është “Ndezja e cigares, një foto e rrallë e dy barinjve në 1956”, që dokumenton nëpërmjet artit të fotografisë jetën rurale dhe kulturën e një epoke të kaluar. Vrioni gjithashtu analizon imazhe të jetës së përditshme të shqiptarëve në fotografitë e Margaret Hasluck (1885-1948), në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, duke nxjerrë në pah detajet e qetësisë dhe të gjallërisë në qytete dhe fshatra të Shqipërisë. Gjashtë fotografitë e saj që trajtohen në libër janë shembuj të shkëlqyer të ndjeshmërisë dhe saktësisë së dokumentimit vizual, por edhe të dashamirësisë së fotografes ndaj njerëzve dhe vendit që e mbajti në gjirin e tij për rreth 13 vjet. Lënda brenda përmbledhjes dallohet edhe për burimet e shumta të të dhënave historike dhe dokumentare nga botime, revista dhe gazeta të ndryshme, por edhe për kujdesin e autorit ndaj gjuhës së shkruar, duke shmangur kështu mjaft fjalë të huaja.

    Ja vlen të shtojmë se “Shkrepje të rralla fotografike” përbën botimin e shtatë të studiuesit Qerim Vrioni kushtuar vetëm fotografisë. Ato kanë filluar në  vitin 2005 me përmbledhjen me shkrime analitiko-studimore të titulluar “Fotografia-një grusht diell”, që historikisht, është libri i parë për fotografinë në vendin tonë. Duhet përmendur këtu edhe cilësia mjaft e pëlqyeshme e shtypjes dhe lidhjes së librit (hard cover) nga enti “Arte Graphic Studio” në Tiranë. Po ashtu e goditur nga ana estetike, na duket ballina e parë e librit nga piktori Mustafa Lamaj dhe shumë e mirë cilësia e riprodhimit të fotografive.

    Përmes këtij libri, Vrioni ofron jo vetëm disa analiza studimore dhe  kritike, por dhe një reflektim të gjallë mbi fotografinë si art që kap jetën, natyrën, historinë dhe kulturën e një kombi. Libri është një thesar për studentë, studiues, koleksionistë dhe të gjithë ata që duan të kuptojnë fuqinë e këtij arti vizual dhe kujtesën që ai ruan. “Shkrepje të rralla fotografike” është një ftesë për të reflektuar, admiruar dhe kuptuar se fotografia nuk është vetëm pamje, por një udhëtim në kohë, kulturë dhe shpirt njerëzor.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË