Shkolla “Ndrec Ndue Gjoka” u hap në vitin 1951. Në këtë institucion arsimor erdhën fëmijë nga zonat më të thella dhe të largëta të Shqipërisë, pasi në atë periudhë nisën mësimin në mbarë vendin dhjetra shkolla, kështu që nevojat për arsimtar ishin urgjente dhe të domosdoshme. U pranuan nxënës edhe me arsim fillor që kishin mbyll të katër vitet me vetëm nota 5 dhe të tjerët me shtatvjeçare. Nuk mund të harroj shokët e mi, por edhe nxënës të shkëlqyer, Nikoll Rama e Nikoll Progri nga Nikaj Mërturi, Zenel Vidricën, nga Bujani i Tropojës, Ismet Bala po Tropoja, Ramije Tasha nga Bllaca, Bulqizë dhe Aqif Doku nga Dibra e që më vonë këta edhe u martuan së bashku. Trifon Dafa e Vangjel Nakuçi nga Përmeti, Enver Suçi nga Mati, Shaban Stafhasani, Gani Shehu, Hasan Dalti nga Zall Dardha, Mexhit Prençi, Qazim Xhelili, Zeqir Prapa nga Peshkopia, Ruzhdi Bakalli nga Novosej, Ramazan e Ali Shira nga Kukësi.
Shkolla dy vitet e para qëndroi në plazhin e Durrësit, në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” dhe mësimi fillonte me 1 Shtator dhe mbyllej në prag të sezonit veror, kur pionerë nga i gjithë vendi , me turne, kalonin pushimet verore në plazhin kombëtar të Durrësit. Unë shkova në shkollë një muaj me vonesë, pasi qeshë vullnetar për ndërtimin e rrugës automobilistike Shëmri – Kolgecaj. Fillimi i shkollës qe mjaft i vështirë, pasi mungonte infrastruktura, duke filluar me klasat, bankat, e pastaj dhe me kushtet në konvikt, që deri në semestrin e dytë, flenim nga dy vetë në një krevat, dhe vajzat me trup të vogël, si Hasija, Fatmira dhe Ramija edhe nga tri, me një batanie e një jastëk të vetëm. Ndonëse kushtet qenë shumë të vështira, ato u përballuan nga ne pa asnjë ankesë, pa asnjë fjalë. Mbaj mend që kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, Beqir Laçi, dibran, vazhdimisht pati ardhë mes nesh, pati takime me nxënës e mësues, por asnjëherë nuk dëgjoi një ankim dhe ai habitej me qëndrimin tonë. Mësonim me pasion ditë e natë, librin nuk e lëshonim nga dora, edhe kur hanim bukë, kur uleshim buzë detit në kohën e lirë. Në studim, që ishte i detyruar dhe me shumë përgjegjësi për çdo konviktor, krahas përgatitjes individuale, grupe grupe përsëritnim mësimet, vështërsitë që hasnim në detyrat e në çdo lëndë, i diskutonim mes shokëve, kështu nuk kishte nxënës që vinte i papërgatitur. Në fillim patën edhe ndonjë lëndë që na mungonin tekstet dhe me një libër mësonim dy tre nxënës. Të kënaqur gjithashtu ishin edhe mësuesit, të cilët kudo edhe në Këshillin Pedagogjik, ku merrja pjesë edhe unë, si kujdestar klase, flisnin dhe diskutonin me konsideratë të lartë, jo vetëm për rezultatet e mira në mësime, por edhe për sjelljen dhe edukatën e këtyre fëmijve, që kishin zbritur e ardhë në shkollë nga malësitë më të prapambetura e të largëta të Shqipërisë.
Transferimi i shkollës pedagogjike në Tiranë.
Pas dy vitesh, në Shtator të vitit 1953, Ministria e Arsimit, duke parë kushtet që kishte shkolla “Ndrec Ndue Gjoka”, vendosi që ajo të transferohej në Tiranë, pikërisht në kazermat e Ali Rizait, ku bënin mësim dhe disa shkolla të tjera profesionale si ajo e ndërtimit, ekonomike. Këtu krahas klasave të tjera, qe edhe e jona me 40 nxënës, gjithashtu edhe konvikti para atij rrapi të madh, rrapi treshit, sa mali i Gjalicës. Këtu kushtet qenë më të mira, veçanërisht në konvikt, ushqimi më i bollshëm. Ndonëse kujdestari i konviktit Halim Subashi, na jepte nga një herë ndonjë shpullë pas qafe, na donte si fëmijët e vet. Në Tiranë edhe aktivitetet jashtë klase qenë më të gjalla dhe të vazhdueshme. Vendin e parë e zinin mbrëmjet e dëfrimit, pasdite letrare, ditëlindjet e shokëve e shoqeve, por edhe ato sportive qenë të këndëshme dhe të bukura. Gjithsesi nuk mungonin ndeshjet sportive edhe mes shkollave të tjera. Numri i klasave dhe i nxënësve u rritë shumë me ardhjen në Tiranë, por edhe interesimi i shtetit qe më i dukshëm. Në shkollën tonë u emëruan mësues të shquar si Petro Marko, Kolë Xhumara, Astrit Bozgo Lumnie Shedila, Hamit Mneri.
Shkrimtari i shquar, Petro Marko, mësuesi jonë i letërsisë dhe gjuhës shqipe.
Me trasferimin tonë nga Durrësi në Tiranë, disa mësues qëndruan në qytetin bregdetar, kështu tani kuadri mësimor u plotësua me arsimtar nga kryeqyteti. Në Durrës lëndën e letërsisë dhe të gjuhës na e patë dhënë Nazmi Gurmani nga Elbasani. Në Tiranë , në klasën e tretë tashmë, nuk na shoqëroi më ai, por një tjetër, Petro Marko, shkrimtari i shquar dhe me një emër të lartë, jo vetëm në atë kohë të trazuar, por edhe në të gjithë epokën e tij që kishte përcjellë.
Ka qënë 1 shtatori i vitit 1953, shkollat në atë kohë hapeshin vetëm në këtë date dhe pas ceromonisë së zakonshme para shkollës, në rrjesht shkojmë në klasën tonë. Ora e parë e mësimit ishte në lëndën e letërsisë, sejcili në bankën e tij e me librat e vet, presim si zakonisht mësuesin. Pa pritmas hynë në klasë Drejtori i Përgjithshëm i shkollave të qytetit të nxënësve Siri Shapllo dhe një tjetër pas tij, që ne nuk e njihnim. Ngrihemi në këmbë, si me pas shtyp një buton dhe titullari na bën me dorë që të uleshim. Ai, pra drejtori, veç të tjerave, na tha se jam informuar, se ju jeni një nga klasat më të mira dhe për këtë ju uroj që gjithnjë të mbeteni shembullor dhe krenaria e shkollës tonë. Duke ardhë në kryeqytet edhe mësuesi i ri i letërsisë dhe gjuhës do të jetë një tjetër dhe pikërisht ky është Petro Marko, që e kam në krah. Foli shkurt dhe bukur, një fragment nga biografia e profesorit tonë të letërsisë: Petro Marko është shrimtar i shquar dhe me emër, personalitet i veçantë, pjestar i Brigadave Internacionale në luftën e Spanjës, shok i ngushtë i Mehmet Shehut, vigan e trim i harbuar edhe i pakrahasuar, gjithashtu edhe mësues i mirë, zemër gjërë e patriot pa kufi, nga Vunoi, Himara jonë, në brigjet e detit Jon. Pas fjalës së drejtorit ne u ngritëm në këmbë dhe duartrokitëm si asnjëherë tjetër. Të gjithë e shikonim drejt e në sy profesorin e mësuesin tonë, me atë portret si një yll i veçantë në planetin e rrumbullakët, me ato flokë si valët e detit, me fije gajtani rreth e rreth ballit. Profesori ynë foli shumë pak e po t’i peshonim gati tri fjali. Jam shumë i lumtur që do tu mësoj letërsinë dhe gjuhën shqipe juve fëmijve që vini nga skajet më të largëta por të bukura të atdheuat tonë. Unë do të jem mësuesi juaj, por edhe ju do të më jepni pjesë nga rinia juaj, energjinë e freskinë e zonave nga vini, malet e bjeshkët e Lumës, Labërisë, Dibrës, Kolonjës e Tropojës. Me kaq u mbyll takimi dhe ora e parë e letërsisë e asaj dite Shtatori. Profesor Petro u largua së bashku me drejtorin dhe tani prisnim mësuesin tjetër për të zhvilluar rregullisht mësimin sipas orarit. Ato vite e shtuna ishte ditë pune e mësimi. Ne kishim gjithësej 5 orë mësimi gjuhë e letërsi në javë, qenë 3 orë letërsi dhe 2 orë gjuhë, vetëm të enjten nuk kishim as gjuhë dhe as letërsi.
E nisëm kështu vitin e tretë me profesorin tonë të shquar Petro Marko. Ai jepte po këtë lëndë edhe në disa klasa të tjera, duke plotësuar orët javore. Letërsinë ai e zotëronte në të gjitha anët në mënyrë të shkëlqyer, ora e mësimit, nuk di si ta them, se si kalonte, bile kishte raste që mbaronin 45 minutat e orës së zakonshme, ai vazhdonte shpjegimin e komentin e herë pas here pyeste – a ka ra zilja? Ne vinim buzën në gaz dhe vazhdonim ta dëgjonim me shumë vëmendje. Me sa mbaj mend në programin e letërsisë, në dy javë kishim një temë hartimi. Profesori, ashtu si për letërsinë edhe për hartimet, temat i zgjidhte vetë, I pëlqente shumë, duke na i përshtatur edhe nga vinim ne dhe origjinës tonë. Ka qënë hartimi i parë që e bëmë nga mesi i shtatorit. Në fillim na tha profesori, ende pa përmendur dhe shkruar temën e hartimit në dërrasë të zezë, se hartimet tuaja unë do ti vlerësojë e pëlqej shumë, pasi mes tyre zbuloj aftësitë dhe talentin tuaj. Në dërrasë të zezë, bukur dhe qartë shkroi, Tema: “Një natë dimri në fshat”. E kam zgjedhur këtë titull e temë, pasi të gjithë jeni nga bjeshkët, lëndinat e pyjet mes maleve, pastaj andej nga vendlindja juaj dimri është i gjatë dhe bora e ujqërit së bashku me arushat janë të përhershme, të frikshme e të rrezikshme. Ishte pra hartimi i parë me profesor Petro Markon. Filluam të gjithë punën. Unë me mendjen time arrita në vendlindjen time, në Buzmadhe. Shkrimin e kisha aq të bukur dhe të qartë sa habiteshin dhe mësuesit e lëndëve të tjera. Në fillim si hyrje shkrova pozicionin gjeografik të Buzmadhes, mes tre maleve, ku e më i madhi, ai i Tërfojës ishte 2050 m mbi nivelin e detit. Pastaj pa harruar edhe atë lumin e fshatit, me ujë të bollshëm e të rrëmbyeshëm, si kristali, që tash në dimër ishte i mbuluar me borë, gurgullima e tij dëgjohej si një violinë me tinguj magjik. Në pjesën themelore që ishte dhe kryesorja, e shtriva më gjërë biografinë e vendlindjes time, duke e mbyllur hartimin me fjalët, “Ka disa muaj që nuk jam atje dhe malli më ka marrë shumë”. E lexova edhe një herë, rregullova dhe i bëra më të qarta disa shkronja dhe e çova te tavolina e mësuesit, duke e bashkuar me ato të shokëve të mi. Profesori, i sistemoi të gjitha, i futi në atë çantën prej meshini dhe pasi na përshëndeti, duke u ngritur të gjithë në këmbë, u largua për në klasën tjetër, që ishte ngjitur me tonën. Pas një jave, por seicili nga ne duke e pritur me shumë interes të veçantë korigjimin e hartimeve, profesori si në orën e zakonshme, nisi analizën e tyre. Ishte i kënaqur përgjithësisht dhe hartimet tuaja, u shpreh ai, më kanë dërguar edhe mua , duke i lexuar dhe korigjuar, atje ku keni lindur, mes bjeshkëve të bukura dhe honeve madhështorë. Në tavolinën e vet, tre hartime i ka ndarë veçmas, po edhe dy të tjerë, ndërsa pjesën tjetër ishin të gjithë së bashku. Duke qënë se ishte hartimi i parë, na porositi, që edhe me këto shkrimet tuaja unë zbuloj shumë gjëra, veçanërisht edhe si krijim, por edhe gjuhësor, duke nënvizuar dhe gabimet gramatikore. Gjatë bisedës, kaq të bukur dhe të këndëshme, si dinte dhe i bënte ai, duke marrë në dorë hartimin tim dhe lexuar emrin në kapakët e tij, pyeti se kush është Zylfi Tola. Unë menjëherë u ngrita në këmbë duke i pohuar që unë jam Zylfi Tola. Ai vazhdoi : Ta kam lexuar me shumë vëmendje hartimin, më pëlqeu shumë, u njoha me një fshat shumë të largët, atje thellë në skajet e Lumës, por edhe të bukur. Të porosit që të shkruajsh, ndonëse je në hapat e para, ke talent e prirje. Edhe kaligrafinë e ke të qartë e të saktë, shokët më vështronin dhe Vehap Ademi, që e kisha në bankë, zgjati krahun dhe më dha dorën, pa na pa profesori. Gjithashtu ai veçoi si hartim të bukur atë të Mexhit Prençit, Ndue Pjetrit dhe Vangjel Nakuçit të cilët pjesërisht i lexoi vetë, dhe atë të Ramijes ja dha ta lexonte ajo vetë. Gjatë orës së mësimit përmendi që dy hartime nuk kishte mundur ti korigjonte pasi nuk lexoheshin dhe shkronjat diku diku ishin dhe të deformuara. Ato hartime që nuk kuptohen, tha ai, nuk do ti korigjoj, e që do të ndihmohen edhe ato që të ecin me shokët e shoqet e klasës. Ishte ora e parë që viheshim përballë profesor Petro Markos, në analizë, korigjimet dhe vrejtjet për çfarë kishim shkruar në hartime për vendlindjet tona. Gjatë vitit, këtë orë e prisnim me shumë dëshirë dhe gëzim dhe hartimet më të bukura profesori i lexonte vazhdimisht përpara klasës. Në të gjithë klasat e tjera të shkollës sonë, nxënësit flisnin me admirim e respekt të jashtëzakonshëm për profesor Petro Markon, jo vetëm si mësues me nivel të lartë në fushën e letërsisë e të gjuhësisë, por edhe më gjërë, shkrimtar e patriot kontribues. Ne patëm fatin që profesor Petron ta kishim edhe mësues kujdestar, një lidhje e dyfishtë mes nesh, por edhe unë si kujdestar klase isha edhe më i afërt. Kur mbaronte hartimet në klasat e tjera, por edhe tonat, mi sistemonte të gjitha veç e veç dhe unë ia dërgoja në shtëpi, që e kishte në katin e dytë, në bulevardin e madh, karshi “Zërit të Popullit”. Edhe pasi i korigjonte shkoja dhe i merrja, ndonjëherë edhe në këmbë, nga rruga e Kavajës së bashku me ndonjë shok timin, Zenel Vidricën, Ramazan Shirën etj. Atje së bashku me profesorin, nganjëherë qëllonte dhe e shoqja e tij Shetila, një piktore e talentuar.
Në atë Qershor të vitit 1955, por edhe në atë mbrëmje të magjishme të maturës së parë të Shkollës Pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” u ndamë me mall e lot me shokët, shoqet dhe mësuesit, me profesorin tonë të mrekullueshëm Petro Marko, shkrimtarin dhe publiçistin stoik.
U nisëm për në trojet e viset tona të praruara. Gjithsesi Petro Markon do ta kishim gjithnjë pranë e do ta kujtonim edhe mes romaneve me ngjyra ari si “Hasta La Vista”, “Qyteti i fundit”, “Ara në mal”, “Nata e Ustikës” e të tjera pa mbarim.

