More
    KreuLetërsiBibliotekëFrano Kulli: Fletëkampi (tregim)

    Frano Kulli: Fletëkampi (tregim)

    Ka qenë vera e vitit 1990. Pesëmbëdhjetëditëshi i parë i gushtit.

    Ne me dy fëmijët tanë dhe kunati, Angjelini, vetë i katërti me të vetët kishim zanë një kabinë në plazhin e Shëngjinit. Kishim ba gati rropullitë që duheshin, pjata e tenxhere, lugë e piruj, ushqimet e lana mënjanë për këto ditë; aq mish, djathë e burofresko sa kishim mujtë me kursye prej kater pesë tollonave[1] të  fundit, perimet e freskëta nga kopështi i shpisë, aq sa mund t’i rezistonin vapës së gushtit e kishim marrë trenin , që nisej nga Shkodra heret në mëngjes. Ashtu rrezgabezga[2], sikur do të na e zinte dikush atë furrikun kabinë ku do të përmblidheshim për pesëmbëdhjetë ditë tetë frymë, që mezi e kishim gjetë e ia kishim pague paret.

    Simoni me Luçien, që shkurt e thirrshin Luçi, kishin një javë që kishin zanë vend te kampi i Punëtorëve. Në Shëngjin kishte dy kampe pushimi, oborret e jeshilueme të të cilëve ishin ngjitë e ngjitë; ai i puntorëve dhe ai i pionierëve. (Kampe quheshin asokohe shpitë e pushimit, njëlloj si vendvuajtjet e dënimeve për të burgosunit). Ishin burrë e grua. Luçit i kishte ra me ndejë në dhomë me një grua dhe Simonit me Rrustemin. Ashtu  kishin mujtë me i gjetë fletët e kampit, veçmas. Luçi, bante si bante; ajo ishte mësue gjithmonë me njerëz gjithëfarësh e familjarizohej gjithësesi, po për Simonin ishte tjetër gja. Bashkëbujtësi i tij për këto ditë pushimesh ishte krejt i përkundërti i tij. Ai kishte qenë e, ende aty gjindej, në një zyrë hijerandë të qytetit, ku përziheshin e luheshin fate njerzish. Por, si i mirëinformuem për kohët që po ndryshonin ai ishte hedhë dukas në krahun e të revoltuemve…

    Simoni, ai burrë i pashëm, me fytyrën e lëmuet e të buzëqeshun, , duke përshkue e soditë pothuaj krejt bregun, në orët e herëshme të mbasdites vinte tek ne, që ishim te hotel “Flutura”, në krahun tjeter, jo larg portit. Njerëzit pushues të shtrimë në ranën e nxehtë nën çadrat e vjetrueme, në atë orë çonin përpjetë antenat e radiove “Iliria” të gatëshme me përpí zanin kumbues të spikerit, që vinte nga valët e “Zërit të Amerikës”. Rrjeta e zhurmuesve ishte shprishë prej ngjarjeve të Ambasadave të Tiranës[3] e lajmet për hapje-thyerjen e portave dhe hyrjen e  míja shqiptarëve në interieret e tyne ishin bá lajme të përbotëshme.

    Simoni kishte qenë nxënës në Seminarin Papnuer. E kishte ndërpre rrugën e thirrjes meshtarake dhe prej andej kishte hy në rrugën e mësuesisë. E asaj rruge nuk i ishte nda mandej për rreth katërdhjetë vjet. Me atë ekzigjencë që kishte përftue në vitet nistore të rrugës së formimit të tij ndër jezuitë. Aq serioz kishte qenë me mësuesínë sa na e thoshte si pengun e vet, se dy herë , vetëm dy herë ishte paraqitë në orën e mësimit pa bá ditar edhe pse ato dy herë kishin qenë të justifikueshme.

    Nejse… Tashti ai ishte në pension, kishte pesë vjet që ishte në pension dhe, ngjarjet e atyne ditëve që pasononin njéna tjetrën me një ritëm të hatashëm  ai i komentonte shkurt, po me aq adrenalinë sa e banin burrin të fluturonte edhe kur ishte ndejun.

    Mbasi fëmijtë tanë , të katërtit, që ishin në mosha të përafërta, ishim mbledhë rreth tij, ai ngrihej në gjunjë të mëdhenj e fillonte:

    Unë prej Zotit jam i kshtenë
    e gjithmonë kështu du me kenë…

    Mandej Puna e pendimit…

    O Zoti jem, po më vjen keq megjith zemer
    për mëkatet që kam ba
    kam bjerrë Parrizin, kam fitu ferrin,
    por ma fort se t’kam fye ty.
    O e mira e pambarueme,
    Mëshirë o Zot, m’fal o Zot !
    Po t’jap fjalen, me ndihmë tande
    s’kam me t’fye mâ kurrë
    Ashtu kjoftë !

    Sapo kishte fillue uratën, që ua këndonte plot kantilenë e pasion fëmijve, prej larg, siç ishim ashtu grumbull, kush ndejë e kush në gjunjë, ndigjojmë zanin kumbues të Luçit:

    -Simon, Simon…

    -Urdhno, hajde Luç, hajde se këtu jam, a të thashë se po shkoj te Angjelini ?!

    -Po, mor po, po u vonove fort se…

    -Po na me pushime jena, moj Luç…

    -A na duhet me u ba gadi, me shku…, a ke harrue , â ? Gruja e huaj asht e sëmurë e m’pret me i ba bâ inxheksionin e mbasdites.

     Ata ishin martue vonë.. Edhe Luçia fillimisht kishte qenë nxanëse në Kuvendin e Murgeshave Stigmatine. Mbasi i paten qitë me forcë prej aty në fillimvitet ‘50, ajo kishte fillu punë në spitalin e qytetit, në fillim si sanitare, mandej si infermiere. Zoti s’ju kishte falë fëmijë. Tashti edhe ajo ishte në pension po, në spital, atje ku kishte shërbye prej katërdhjetë vjetësh, shkonte ditë për ditë. Në të njëjtën orë. Gjithmonë pak minuta para se të fillonte orari i punës. Kurse për kthimin nuk kishte orar. Ashtu sikurse nuk kishte pasë kurrë. Asgjë s’kishte ndryshue nga e përditëshmja  e përherëshme e saj; kishte ndryshue vetëm dita e firmosjes së listëpagesës , nga dy herë në muaj në një herë në muaj. Dhe vendi i listëpagesës, nga Spitali i qytetit në Sigurimet Shoqërore…

    Luçi e kishte mbyll aty bisedën e , duke na përshëndet ne ishte nisë përpara drejt “rezidencës” së tyre, drejt kampit pra. E bindur se Simoni po i shkonte mbas. Mirëpo ai, ende nuk ishte shkëput prej nesh.

    -Gjithmonë kështu ka kenë Luçi, tuj ngá vrap. Më kujtohet njiherë, nuk ka shumë vjet, erdhi vonë fort prej spitalit . E i kthehem:

    -Çká buna asht kështu, moj Luç, kaq vonë. Mandej, ti edhe ndoj ditë mundesh mos me shku moj burrneshë se ti tash në pension je. Po ajo, pa prit qortimin tem të përvujtshëm m’u kthye:

    -Joo Simon, si mundem me ndejë pa shkue, ata njerëz kanë nevojë për mu e unë baj sevap për ta.

    – Po, moj po, ban sevap për ta- i thashë- por po hin në gjynah me mu. E niset përmbas Luçit. Prej larg sheh Rrustemin, bashkëbujtësin e dhomës. Antenat e radiove “Iliria” tashma ishin ulë njiherëshi në të gjithë plazhin. Kishte mbarue edicioni i orës 6 të “Zanit të Amerikës” e ai mezi pritte me ja komentue Simonit, i cili gjindej në udhëkryq; me ndjek Luçin në ngutin e saj apo me durue të shamet e rregjimit prej Rrustemit…

    Por e zhdavariti shpejt mëdyshjen, tue vijue në drejtimin për ku ishte nisë.


    [1]  tolloni – autorizimi për të blerë ushqime me të cilin racionoheshin ushqimet e munguara në treg.

    [2]  rrezgabezga-shpejt e shpejt, ik të ikim.

    [3] ngjarjet e 2 korrikut 1990, kur mijëra qytetarë të Tiranës hynë në Ambasadat e vendeve perëndimore.

    Piktura nga Pashk Përvathi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË