More
    KreuLetërsiBibliotekëXheni Shehaj: Ne, banorët e ishullit gri (tregim)

    Xheni Shehaj: Ne, banorët e ishullit gri (tregim)

    Të shtunën, kafenë e pasdites e piva tek plaka e Gjonajve. Jo se kisha dëshirë të pija kafe me të, por ime më këmbëngulte që herë pas here të shkoja te plaka Shano që të më shihte filxhanin, se helbete vajta tridhjetë e ende nuk po dukej gjë në horizont. Nëna, sa herë vija nga rituali i filxhan parjes priste ti jepja ndonjë lajm të mirë, lajm të tipit: kam një rrugë për të bërë. Rruga për time më ishte rruga e nusërisë. 

    Edhe atë të shtunë, nënë Shanua pasi lexoi gjithë ç’kishte brenda filxhani, më tha:

    – Çupëë! Ke një rrugë, të afërt. Të tjerat janë gjepura

    Unë si përherë vura buzën në gaz, pagova, dhe mezi prita të dilja jashtë. Rrugës për në shtëpi mendoja fjalët e plakës. Të them të vërtetën nuk i besoja këtyre ritualeve, por në disa raste edhe kishin dalë ca gjëra. Për shembull, kur fallxhorja i lexoi nënës në filxhan se e shihte të veshur me të zeza. Në krye të tri ditëve, xhaxhai i nënës vdiq. Apo kur i tha fqinjës sime se do martohej me atë që donte, ia gjeti dhe me emër. Por mua, në gjithë ato tri – katër herë që kisha shkuar nuk më kishte gjetur gjë. Ndaj dhe nuk e besoja por shkoja vetëm për t’i bërë qejfin nënës.

    Në shtëpi gjeta vëllain dhe nënën që diç po gatuante. Im vëlla, kish vënë përpara një tas përshesh me kos dhe hante si i babëzitur. Për ta ngacmuar i thashë:

    – Mos ha ashtu se do na turpërosh. Shumë shpejt do bëhesh kunat. 

    Ai çapëleu gojën (as që e kishte idenë se ç›po i përrallisja) ndërsa nëna u kthye vrik, fshiu duart në përparëse dhe me sytë xixëllues më pyeti:

    – Rrugë? Lexoi rrugë Shanoja në filxhan?

    Mua më vinte për të qeshur por dhe nuk doja ta lëndoja nënën, ndaj i tunda kokën dhe u ula. Eh, veç ta shihnit se ç›gëzim pushtoi qenien e nënës sime. 

    Epo, nuk i thonin gjë e vogël, ti martohej çupa 30 vjeçe.

    Kaloi java, shendi i sime mëje ende nuk ish zbehur. Fallxhorja kishte thënë së shpejti, edhe një muaj, dy, tri shpejt janë. Prisnim. 

    Të martën vëllai erdhi herët në shtëpi. Ishte i zbehtë, i frikur. Mendova mos kish bërë fjalë me njeri. U ul, ma bëri me shenjë ti afrohesha. U ula pranë tij.

    – E di çka ngjarë? – më pyeti.

    -Jo. 

    – Dëgjova në kafene se ata emigrantët që kanë ardhur tek ne paskan sjellë dhe një sëmundje. Kishte zënë Tikun, Tikun e Bedriut. Ka dy ditë që nuk del, s’bëhet i gjallë. Doktori i shkon në shtëpi. Paska thënë që qenka ngjitëse. 

    – Edhe kjo duhej. Po si i bëhet? Nuk ka derman? – pyeta vëllanë.

    – Se di. Do shkoj njëherë te berberi se do qethem. Të shoh se ça mund të marr vesh aty.

    Kaq tha dhe doli. Unë mbeta ulur me mendjen tek rruga që parashikoi fallxhorja për mua.

    Mos do më zinte sëmundja dhe do merrja udhën e vdekjes?

                                                    ***

    Epidemia shpërtheu fuqishëm ditët në vazhdim. Njerëzit sëmureshin njëri pas tjetrit. Mjekët nuk po mundnin të gjenin zgjidhje. Spitalet plot, kishat plot, shtëpitë plot. Ishim mbyllur në shtëpi dhe dilte vetëm im vëlla për ndonjë gjë të ngutshme. Nëna qante orar pa orar. Unë ndihesha e trembur por prapë se jepja veten. Darka na mblodhi rreth televizorit. Nuk flitej për gjë tjetër veç epidemisë. 

    Mëngjes. Trokiti dera. E hapi nëna. Dy burra, mjeku dhe një furgon i izoluar. Duke ruajtur njëfarë distance, mjeku nisi të shpjegojë rregullat që kishte nxjerrë qeveria. Nëna as që përpiqej ta dëgjonte. Para se të ikte, ai i la në dorë një letër ku ishin shënuar disa pika. Nëna mbylli derën, e lëshoi letrën përdhe dhe u mbyll në dhomë. E mora letrën dhe nisa të lexoja.

    “I/e nderuar qytetar! 

    Në qytet ka shpërthyer epidemia ose siç njihet ndryshe Ethet gri. Po përhapet me shpejtësi dhe i sëmuri ka këto shenja:

    – temperaturë

    – flet përçart

    – të vjella

    – ndihet as në qiell, as në tokë

    – qan ose qesh

    – dridhet

    – bëhet i dhunshëm

    – ka dëshira vetëvrasjeje

    Do ju lutemi, që derisa gjendja të stabilizohet disi të qëndroni në shtëpi, qetë, pa panik. Në rast se një familjar ka ndonjë nga këto shenja atëherë duhet të raportoni duke telefonuar në numrin 003. Menjëherë do të vijë një staf i gatshëm për ta marrë të sëmurin. I sëmuri do të izolohet bashkë me të sëmurë të tjerë. Në këtë mënyrë po përpiqemi të parandalojmë përhapjen. Ju falenderojmë për bashkëpunimin!”

    E rilexova letrën dhe fiksova në mendje çdo simptomë. Tashmë isha tërësisht e panikosur.

    Pasdite kur nëna doli nga dhoma nisa ti flisja për përmbajtjen e letrës. Vëllai kishte kryqëzuar duart e më ndiqte me vëmendje. Mbrëmja kaloi në heshtje. Kaluan në gjendje ankthi dy ditë.

    U zgjova e mbytur në djersë. Jashtë ishte errësirë e plotë. Në dhomën ngjitur flinte im vëlla. U ngrita ngadalë, hapa derën dhe dola. Dera e tij ishte pak e hapur, ai flinte qetë. Nga dhoma e nënës dëgjohej tik taku i orës. Dola në oborr. Në grykë ndjeja një shtrëngim. Kisha frikë të merrja frymë normalisht. Më dukej sikur do të mbytesha. U ula tek shkallët por nuk po gjeja rehat. Befas, më erdhi të bërtisja, ta ngrija vendin më këmbë. U tremba. Preka fytin me duar, kapa flokët, fillova të numëroja deri në dhjetë. E ndieja veten në ajër, pa peshë, pa kurrgjë. 

    Prit… pa dale. Si ndihem kështu. As në qiell, as në tokë. Ku e kisha dëgjuar këtë? Ku? 

    Letra! Ndjesia sikur je në ajër, e kisha lexuar tek letra që solli mjeku. O Perëndi! Kisha marrë sëmundjen. Me të zbardhur dita, do vinin të më merrnin. Jo, nuk do vinte njeri. Vetëm nëse do i lajmëronte dikush. Po as nëna, as vëllai nuk e dinin, edhe po ta dinin ata nuk do tregonin, nëna do kujdesej vetë për mua. 

    Me këto mendime në kokë, me ndjesinë se nuk shkelja tokë u futa brenda. Nxitova për në krevat. 

    Mëngjesi erdhi dhe bashkë me të edhe një tjetër shenjë e sëmundjes. Isha mbyllur në banjo dhe po nxirja gjithë ç’kisha në stomak. Kur dola pashë nënën dhe vëllanë tek më prisnin. Të zbehtë, të trembur, ata m’i kishin ngulur sytë përvajshëm. 

    Iu afrova nënës dhe duke sajuar një buzëqeshje i thashë se nuk ishte asgjë. Buzët i dridheshin. Teksa më shihte në sy, largohej pa u ndjerë prej meje. Ajo kishte frikë. E ndërsa ne dialogonim me sy me njëra – tjetrën, vëllai pa u menduar dy herë i kishte rënë 003-shit. Sapo e kuptova se çfarë po bënte ai u bëra si bishë. Iu vërsula me vrull, e shtyva dhe nisa ta godisja. 

    Nuk më kujtohet se çfarë ndodhi më tej. U përmenda në një kapanon, rrethuar nga dhjetëra njerëz, të njohur e të panjohur. Afër kisha një vajzë që dridhej si ta kishte zënë korrenti. Pak më tej dikush çirrej e thërriste se do vriste veten, një tjetër fliste përçart. M’u mor fryma. Nxitova jashtë. Ku dreqin jam këtu? Hodha sytë rreth e qark. O Perëndi! Ndodhesha, ndodheshim në një ishull. Na kishin degdisur në një ishull. Larg nga familjet, nga shtëpitë, nga gjithçka. Sërish marrje fryme. Paniku kish mbërthyer qenien time. Mendimi im i parë, të mbytesha. Një hedhje drejt e në ujë. Oh, mendim vetëvrasjeje! Sëmundja po përparonte. Prek qafën, flokët, buzët, 1, 2, 3, 4, 5, merr frymë. Oh, s’mundem, jo nuk e bëj dot. Po mbytem. Jo, jo! 

    Hap sytë. Jam shtrirë, më saktë më kanë shtrirë në një shtrat druri. Mbi kokë qëndron një plak, vajza që dridhet dhe një djalë me fytyrën tërë puçrra. Plaku më sheh drejt e në sy dhe ende pa hapur gojën unë ai i përgjigjet pyetjeve të mia:

    – Ndodhemi në një ishull. Jam Ashiku, ndër të parët që sollën këtu. Jemi shumë njerëz, të gjithë të sëmurë. Ty të sollën dje. Kemi ushqim, ujë, krevate. Jemi të sëmurë por kemi edhe detin, edhe qiellin, edhe njëri – tjetrin. Në ishull nuk ka asnjë doktor apo tjetër njeri që të kujdeset për ne. Kështu që, ne ndihmojmë njëri – tjetrin, si dhe sa mundemi. Mirë se erdhe në ishullin gri e dashur! 

    Këto tha plaku dhe shtoi edhe një buzëqeshje, gjë që më xhindosi. Nuk u përmbajta dhe iu shkreha atij:

    – Po si mund të jesh kaq i qetë, ë? Na kanë izoluar, mbyllur, dënuar këtu dhe ti flet sikur jemi për pushime. 

    Plaku, për çudi nuk u trondit. Ashtu buzagaz, ma ktheu:

    – Epo boll më dha Perëndia sëmundjen, përse ti shtoj vetes edhe mërzinë? Pse ta mbush shpirtin me trishtim. Merre jetën si të vijë. 

    Më përshëndeti me kokë dhe u largua. Djali me fytyrën me puçrra e ndoqi pas. Ndërsa vajza me dridhje më shihte me përdëllim. Më vinte të ulërija. 

    Kaloi java, shenjat e sëmundjes po zbeheshin. Ndihesha më pak e këputur, por netëve vazhdoja të kisha ankth, frikë. Isha miqësuar me disa nga banorët e ishullit. Ditën e kalonim duke u kujdesur për të sëmurët, gatuanim, pastronim. Ishim bërë si një familje e madhe. Kishte pleq, të rinj e të reja, fëmijë. Çdo ditë që kalonte ne lidheshim më shumë me njëri – tjetrin. Përjetonim çdo dhembje, hidhërim, gaz të sho-shoqit. Kisha nisur të ndieja një qetësi shpirtërore që kurrë më parë s’ma kishte mbushur shpirtin. Ndoshta e kisha ndarë mendjen që ta vazhdoja jetën aty, në ishull.

    ***

    Një vit e dy muaj jetesë në ishullin gri. Shumë prej banorëve vdiqën gjatë atij viti. Varrosa me duart e mia Olin dhe Kenin, binjakët 6 – vjeçarë; vajzën që dridhej, plakun Ashik dhe shumë miq të tjerë. Ata, me të cilët vdekja tregohej e pamëshirshme, detyroheshim t’i hidhnim në det, ndërsa të tjerët i varrosnim në varrezën e ishullit, një vend i vogël, me pemë, i qetë e i këndshëm. Tashmë në ishull kemi mbetur shumë pak. Epidemia duket se është rralluar ndjeshëm edhe në qytet. Muajt e fundit sollën njëzet e shtatë të sëmurë. Të rinjtë u mësuan shpejt me regjimin ditor të ishullit. Prej tyre mësuam se epidemia ishte në rënie dhe në qytet flitej se shumë shpejt do vinin të na merrnin e të na kthenin nëpër shtëpitë tona. Disa prej banorëve mezi po e prisnin këtë rast.

    Sa për vete nuk dëshiroja aspak të kthehesha. Nëna dhe vëllai më kishin braktisur në çastin tim më të vështirë. Po ashtu dhe një pjesë e banorëve të vjetër të ishullit nuk donin të ktheheshin. Dhe në fakt nuk vonoi shumë derisa në ishull erdhi një varkë me disa persona. Ata zbarkuan dhe na mblodhën për të folur. U ulëm rreth e qark dhe dëgjuam me vëmendje diskutimin e tyre. Kishin ardhur për të na marrë. Qyteti tashmë ishte i sigurtë dhe ne mund të ktheheshim pa frikë. Banorët pas diskutimit u ndanë në dy grupe: ata që ishin gati të niseshin dhe ata që nuk donin të largoheshin. Unë bëja pjesë tek grupi i dytë. E kështu ndodhi që mbeta në ishull, bashkë me shumë të tjerë.

    ***

    Dje bëra pesë vjet në ishull. Thuajse çdo dy – tri muaj varka vjen, zbarkon, na pyet, merr ata që duan të ikin dhe kthehet pa zhurmë. Por janë të paktë ata që largohen. Jeta jonë tashmë i përket ishullit. Nuk bëjmë dot pa zhurmën e dallgëve, perëndimet e magjishme, mëngjeset plot diell, qiellin mbi kokë, shiun kur zbret në det. Dje, në pesëvjetorin tim në ishull, rastisi të vinte dhe varka. Sapo njerëzit brenda zbritën, unë e lashë bisedën me Drinin, të dashurin tim, dhe nxitova drejt tyre. Drini u zbeh. Më kapi dorën duke më ndaluar.

    – Mos ke ndërmend të ikësh? – pyeti i trembur.

    – As që e çoj nëpër mend, – iu përgjigja. – Dua vetëm t’u lë një porosi.

    Iu avita personelit të varkës, i përshëndeta dhe i pyeta për Shano Gjonajn nëse jetonte. Njëri prej tyre, më i vjetri, më tha se po, fallxhorja ishte gjallë. Kaloi epideminë më këmbë, mbushi 101 vite, pak e kërrusur por sheh ende mirë nga sytë. Më gëzoi lajmi se plaka rronte ende. Hoqa nga qafa kristalin tim turmalinë dhe ia zgjata burrit.

    – Këtë do ia japësh në dorë Shano Gjonajt. I thuaj se ta ka dërguar vajza e Rumanejve. Vajza që kohë më parë i pe filxhanin dhe i gjete një rrugë. Të doli fjala nënoke ti thuash. Vajza e mori rrugën, të gjatë, të gjatë.

    Burri mori varësen, më premtoi se do ta çonte porosinë time gjallë a vdekur. Dhe e kishte çuar. Pas disa muajsh, plaka më kishte nisur me varkën kuleçë, djathë, mjaltë dhe një libërth falli.

    Ditët i kaloj duke lexuar librin. Ndoshta, një ditë, do të bëhem fallxhorja e ishullit gri. Banorët po shtohen, qëkur gratë e burrat kanë nisur të kokolepsen me njëri – tjetrin, po shtohemi. Ku i dihet, mbase do kenë nevojë për parashikimet e mia. Uroj vetëm t’i kem të bardha si bora e maleve e të ëmbla si mjalti. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË