mrekulli bijash
në ç’mote kaltërohet qielli
veçse syve tuaj kur ngrihet
nis udhën për te mrekullia
buzëqeshja që fle tek fytyra
vocërrake ç’ndrit mbi diell
a një rreze që përshkon tej
mollëza kuqalashe si në një
përrallë për fëmijë
~
në ç’mote lodron qielli
në një valë zëri femëror
nis udhën për tek shpirtërorja
buzagazi fle në një karajfil të bardhë
e prej andej ngjiz një zemër
ngjiz dhe një tjetër që
bashkë të ngasin
udhën për në
mrekulli
marshi funebër i erës
mpakesh si nëna plakë në gjumë
s’di e trembin ëndrrat a dhimbja
duart e saj kanë mbetur tek pragu
në karficën e vjetër
lidhur fryma e saj
ushtima e erës rimon
një poezi të pakuptimtë
ç’fytyrë ka epshi e nën hënë
strukesh në hijen e këmbëve
të tua që u ngjajnë galaktikat
ajmè mot funebër
ajmè hënë lakonike
në flokëartat e
tua si t’Venusit
nget frymëzim
karficë e lashtë
erotikë rinore
në giruse të globit
luhet marsh funebër
i erës
mpakesh si gjumi në kollitjen e mbrëmjes
lëmon gjinjtë diademën më të femërortë
ngrihesh mbi vullnetin e lirisë tënde
mbi hartën e një shtrat ballkani
përgjak erën virgjëri hëne
për ku – nisemi pulëbardha
territor i paprekshëm detar
në pendë pulëbardhash
buzëqeshjen plak një rè
në barka jetë luspash
ngadalë mënxyrë e kohës
më tremb dremitjen detit
në shpirtra jetë morfemash
sy të stërlashtë guaskash
gjinj të epshëm sirenash
kurm i lavdëruar i femrës
bën shtrat me Poseidonin
në ëndërr ëndërrimtarët
ç’velë madhështore qielli
mëndafshor për të zezën
e reve që qerpikët ngjyejnë
dhe ti që mëson alfabetin e qiellit
për të mbërritur te e padukshmja
që horizonti gatit në zarf të qepallës
pret hapat e tu
çudia e vdekjes
gjethishta heshtohet si vajzë me turp
buzët e gurit ftohen si dimër të qe
çudi e vdekjes
e heshtur si je
çudi e vdekjes
çuditshëm si je
qull qerpikë mëngjesi
ç’tjerr qiell
varg lotësh
nga hyjnitë
qerpikë mëngjesi
rinojnë natën dhe
bëhet agim
zanafillore
vala shtëpi e lindjes
mëkon tamël
kërthia e lotëve
peng guriçkash
pse si duron e hapat e mi
kur mb’rrij si ati gëzimtar
dhimbalindja ngjeth të rënët e detit
ç’peng të mbesë prej këtij momenti
~
vala shtëpi e lindjes
mëkon të ardhmen
për fate a varg-a-varr
(romancë izohorike)
në sulm për-ku
a përçmueshëm
varg-a-varr
destin poet
gusha hollake
nuhat puthjen
ajo s’di ku lartohet
në porta të buzëve
~
gjinjtë ngurtësuar
tradhëtojnë sytë
varg-a-varr
shtrat poeti
ç’kurm elastik
fat fluturakeje
erotika s’di ku epohet
në drynët e afshit tënd
~
ç’ishullore
mrekullore
për ku nisemi
ç’fate trazohen
murgjër qiejve
virgjëria ku rron
në sulm për ku
a përçmueshëm
pullaz blu qetësie
maraz a vesë gjinjtë e tu
kush dremit puhi mbi ta
erotika e të priturit
pullaz pambarimisht
falëmeshëndet terrinë
të shkuarën të ikurve
kush bëzan të tashmen
~
vesë a maraz kurmi
yt kuqëlon kuqalash
pambarimisht rrëfenjë
një retorikë e të ikurve
anatomi rrënoje shpirti
turravrapi i ardhmërisë
kush dremit hireve të tua
~
gjallim a heshti femërorja në
ty kështjellë rëre fund-e-krye
tingujt lot djegurakë brigjesh
ç’shami qielltokësore ia fshin
falëmeshëndet breg horizont
kufinjsh këmbësh të lëkurta
pullaz blu qetësie
dëfrim apo bonjour tristesse
pse nuk tringëllon ti diell
ç’filateli makabre
më sjell tek ti
udha e mbarë trishtim
tungjatjeta trishtim
si dy drejtëza që diku priten
do mallëngjehemi në një vend-takim
qiell dhe kjo hënë sonte
(shkartisje vargjesh)
thurnajë ciganësh ky qiell
s’është mall prej Odisesë
në ndajkalimin e dy botëve
pikëllimi ngre traun e resë
rron n’një këngë çifutkash
përralla me mallin plaket
daktilografohet si e shkuar
ku fle kufiri i së vërtetës
në ç’hënë zbardhet mjekra e jetës
si në kohën e poemave
moti i vrenjtur paçka par’verë
ditari dhimbjes përtyp varg t’ri
porta e vdekjes
një kallamishtë trishtimi
injeksioni i pasdites prej ampulash
në kohë të ikurish të gjithë rrojnë
po poetët ku flenë
porta e dhembjes
një gjethnajë buzëngrysur
pa lëkurë tokë e çarë puthjesh
mot i vrenjtur par’verë ndonëse
në shpirtin tim dielli lind zezonë
natyra e një mëngjesi të vdekur
ose mëngjesi i vdekur i një natyre
në prangat e rrokjeve është zgjuar dita
deti është po ai
mjegull barbare
ia cipëron sytë
në qytet ngritur një trekembësh
gjallon i gjallë
gjallon i vdekur
e përse u dashka menduar për të gjitha
/ odë me Din Mehmetin në parazgjim
e vërteta që fshihet në poezi
(odë e poetëve spanjollë)
në gjumin tim nuk ka qetësi
retë nuk flenë mbi gjoksin e qiellit
nuk ka qetësi as udha poshtë apartamentit
as sytë e tu që vriten parreshtur prej rrezes së diellit
në ç’kupë e ke fshehur atë më të bukurën
ndoshta në kurmin tënd i ke ngritur izbën
ç’pabesi pushteti yt
pushteti yt ç’pabesi
tani do flenë valët
detarët s’kanë gjumë
anijet molit po kolliten
ato s’dinë udhë për Itakë
të dytë të tillë s’mund të ketë
por ti ende s’thua se ku e fshehur atë më të bukurën
ndoshta në kurmin tënd rri e frikësuar
dhe unë jo më pak
për besë ç’pabesi pushteti yt
ç’mëkat të biesh mbi hiret e tua
ç’peizazh njerëzor ç’zbrazëti
tani do të dremisësh ndërsa unë
do luaja me hijen e flokëve të tu
në murin e virgjër përballë meje
pa pasur frikën e hakmarrjes prej teje
për besë ç’pabesi të fshehësh të vërtetën në një poezi