More
    KreuUncategorisedProf. Asoc. Dr Maklena Nika: “Gjysma Tjetër e Qiellit” apo Gjysma Tjetër...

    Prof. Asoc. Dr Maklena Nika: “Gjysma Tjetër e Qiellit” apo Gjysma Tjetër e Vetvetes?

    Rreth shekullit të 3-të pas Krishtit, në një mbishkrim të gurtë në Epidavër, u gjet e gdhendur “Himn për Nënën e Perëndive” e poeteshës lirike Telesila (shek.6-5 para erës sonë), e cila me heroizëm mbrojti atdheun e saj, Argos, kur u sulmua nga mbreti i Spartës Kleomeni, në vitin 494 para Krishtit. Nëna e Perëndive, Nëna e Olimpit i kërkon Zeusit gjysmën e qiellit, gjysmën e tokës dhe një të tretën e detit:  

    Nga qiejt ejani, perëndesha

    dhe bashkë me mua thurni himne

    për Nënën e Perëndive

    që këtu mes nesh e kemi

    pasi u end nëpër male e pyje

    nuk do të kthehem tek perënditë

    nëse pjesën time nuk e marr

    gjysmën tjetër të qiellit

    gjysmën tjetër të tokës

    dhe një të tretën e detit

    vetëm atëkohë do të shkoj…

    Nga kjo poezi u frymëzuan edhe hartuesit e antologjisë poetike Gjysma tjetër e qiellit që përfshin 160 poete greke, e cila është përkthyer në gjuhën shqipe nga Maklena Nika nën siglën e Botimeve “Toena”, Mars 2025. Në një bashkëpunim të hershëm, që në vitin 2007 me Qendrën e Librit, Selanik dhe Ministrinë e Kulturës, Greqi, kam realizuar një studim të thelluar të përkthimit dhe receptimit të letërsisë së re greke përkthyer në gjuhën shqipe. Gjatë këtij hulumtimi shkencor kam vërejtur se një antologji poetike gjithëpërfshirëse e letërsisë femërore në Greqi i ka munguar lexuesit shqiptar. E aq më tepër, që në historinë tonë të përkthimologjisë numri i antologjive poetike të shkrimtarëve grekë arrin në dhjetëra të tilla por që numri i shkrimtareve femra të përfshirë në këto antologji ka qenë shumë i ulët, deri në 20-30 përqind të totalit të shkrimtarëve të përfshirë.

    Në historinë e letërsisë botërore, që në shekujt e lashtësisë, gratë iu drejtuan poezisë duke sfiduar normat shoqërore me një kurajë që buron nga shpirti i tyre i pasur dhe hyjnor. Nga vargjet erotike të Sapfosë, epigramet mesjetare të Kassias e deri te fjalët revolucionare të Sylvia Plath dhe poeteve bashkëkohore feministe, poezia femërore ka riformësuar vazhdimisht traditat letrare dhe ka thelluar të kuptuarit tonë për përvojën njerëzore. Vetëm pas shekullit të 19-të, mund të themi që gratë poete filluan të formojnë gjuhën e tyre krejtësisht personale. Feminizmi padyshim luajti një rol vendimtar në këtë drejtim: nuk është rastësi që koncepti i subjektivitetit u avancua nga teoricienet femra të kohës sonë (ndër to Julia Kristeva dhe Catherine Clement), të cilat kundërshtuan hapur diskursin e ngurtë dhe autoritar të gjinisë mashkullore me lëvizshmërinë e vazhdueshme, poliseminë dhe disponueshmërinë subversive të shprehjes femërore.

    Poezia femërore në Greqi ka një traditë të fortë që shtrihet nga lashtësia deri në ditët e sotme dhe pasqyron zhvillime interesante zhanresh, stilesh dhe tematikash. Ajo daton që 26 shekuj më parë dhe rishfaqet fuqishëm në Greqinë post-revolucionare. Për sa i përket poezisë moderne greke, gratë e nisën rrugëtimin e tyre në dekadat e para të shekullit të XX-të. Peizazhi i brendshëm i shqetësuar dhe i fragmentuar, përvoja e heshtur, dhimbja erotike dhe ekzistenciale, ndjesia e fortë fizike, si edhe kalimi gradual nga tradita në modernizëm, surrealizëm dhe manifestimet e para të postmodernizmit, na shfaqin elementët e panjohur të këtij udhëtimi të gjatë, i cili do të pasqyrojë një bashkërendim të mitologjisë së natyrës dhe jetës së përditshme me imazhet arkaike apo luftën me kuptimet e pashprehura dhe të padukshme të gjuhës. Ajo mund të karakterizohet si poezi emocionale, gjinore, introspektive, herë e margjinalizuar e herë emancipuese.

    Gjysma tjetër e qiellit” na transmeton zërat e 160 poeteve greke që na ftojnë në një univers magjik poetik shumëngjyrësh, me qiej të kaltër, me nebuloza shpirtërore e metafizike, me diej përvëlues e hëna drithëruese, me toka të buta e të ashpra, me dete të thellë e batica e zbatica ndjenjash. Këto shkrimtare, që së pari janë gra, nëna, vajza apo mbesa trajtojnë një mozaik shumëdimensional çështjesh ekzistenciale të tilla si dashuria, humbja, mungesa, kujtesa, identiteti personal, trupi femëror, kërkimi i vetvetes, tensioni midis lirisë personale dhe pritshmërive shoqërore, përkohshmëria, mbijetesa, historia, ndjenja patriotizmi etj. Fjalët e tyre mbartin një forcë të pamohueshme, duke zbuluar të vërteta drithëruese personale dhe kolektive.

    Le të shërbejë kjo antologji si një dritare në poezinë femërore greke dhe si një ftesë për të eksploruar horizonte të reja letrare. Sot, poezia femërore po njihet gjithnjë e më shumë, duke thyer barrierat tradicionale dhe duke fituar vendin e merituar në kanunin letrar. Pavarësisht sfidave të vazhdueshme, poezia femërore vazhdon të lulëzojë, duke formësuar ligjërimin letrar me thellësinë, autenticitetin dhe fuqinë e saj emocionale. A e hap vërtet letërsia e shkruar nga gratë rrugën për një univers tjetër dhe nëse po, çfarë marrëdhënie ka një univers i tillë me universin e burrave? A është ajo armiku i betuar i tij, duke mbetur në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të, apo thjesht propozon një perspektivë alternative, duke projektuar një lloj ndjeshmërie që ligjërimi mashkullor nuk do ta fitojë kurrë?

    Çdo grua, jo vetëm poete, është një Lilith hyjnore, qiellore, e pamposhtur, një Helenë e bukur, një Circe magjistare, një Evë mëkatare apo një Kleopatër joshëse. Një demon i pamposhtur që, në të vërtetë, e ka pushtuar të gjithë hapësirën qiellore…


    MELISANTHI (1907-1990)

    Io

    Si shkop zekthi sërish më cuks
    pa stacion brenda asnjë vendi
    pa e vrarë mendjen për asgjë kaloj
    por fantazma e të Gjithëdijshmit më vështron.

    Vrulli im i papërmbajtur dhe i palogjikshëm është
    e nëmur jam që asgjë nuk më ndal
    në rrugën time shoh vetëm përpara
    dhe një orë qetësi nuk kam.

    Oh, më lër ta dëgjoj nga goja jote
    i robëruari tragjik i shkëmbit në Skithia
    ato që kam për të përjetuar ende.

    “Më mirë të mos e marrësh vesh kurrë
    e bija e shumëvuajtur e Inakut
    që dija digjet si tunika e Nessusit”.


    KIKI DIMULA (1931-2020)

    E lashë veten të mos dija

    Nga bota e gjëegjëzave
    e qetë largohem.
    Asnjë enigmë nuk kam dëmtuar në jetën time:
    madje, asnjë nuk zgjidha.
    As ato që donin të vdisnin
    në krah të viteve të mia fëmijërore:
    në një vozë me dy lloje të ndryshme verërash.
    E kam ruajtur deri tani
    të pacënuar, të pashpjegueshme,
    sepse deri tani
    dy llojet e verërave
    fshehin gjërat e zgjidhura dhe të pazgjidhura që më ndodhin.
    E rëndë bashkëjetesa
    me një murg shtatlartë e të ligur
    që kurrë nuk e pyeta
    nga cili zjarr kish lindur,
    cilit zot i përulej,
    sepse në largësi më rrinte.

    As bota nuk e kurseu
    nga krijesat e saj të maskuara,
    e ushqeu me misterin e saj
    me sakrifica dhe mungesa.
    Me gjakun që më dha
    munda disi ta shpjegoja.
    Nuk erdhi syhapët
    por me një qëllim të fshehtë,
    kështu e pranova
    dhe kështu u ndamë përjetë:
    symbyllas dhe me qëllim të fshehtë.
    Enigmën që hua e mora
    mbrapsht e ktheva.
    E lashë veten të mos dija
    se si zgjidhet një e djeshme,
    një varësi,
    enigma e papajtueshmërive.
    E lashë veten të mos e dija se çfarë po prekja,
    një fytyrë apo një ngutësi.

    As drejt dritës nuk të josha
    në kthjelltësi të të shihja.
    Si Penelopë qëndrova
    në terrin e pakësisë tënde.
    Dhe nëse do të pyesja ndonjëherë
    se si arrije i lirë të ndjeheshe,
    nëse ishe një burim apo një gurrë,
    duhej të ishte ndonjë ditë vere
    kur, Penelopë ose jo,
    na pushton ky demoni ujor
    për të lëvduar enigmën
    se ende të etur jemi.
    Nga bota e gjëegjëzave
    e qetë largohem.
    E pamëkatë:
    e paetur.
    Drejt enigmës së vdekjes
    e paepur afrohem.


    KLOE KUCUMBELI (1962)

    Konserva

    Të ruash dashuritë e ngrira
    është gjithashtu një art
    si arti i kaligrafisë
    apo i hekurpunuesit.

    Si ai procesi kur një bokërr
    hap një llagëm
    për t’u arratisur.
    Shumë njerëz bëjnë koleksione
    me këto vazo të tejdukshme.
    Në etiketën e jashtme shkruhet se nuk kanë konservantë
    që nënkuptojnë lot të vërtetë krokodili
    apo nuselale që herët e kanë rrëmbyer.
    Në anën e kundërt të termosaldatorëve
    Gjallojnë të tjerët, bukëshkalët
    që kokën e fusin shtatë pashë nën dhé
    ndërsa pjesa tjetër e trupit vazhdon të çiftëzohet
    me strucët e llojit të tyre.
    Çdo metodë është e ligjshme.
    Gjithsesi, asgjë nuk e spraps
    atë kërcim vdekjeprurës në zbrazëti.


    ELENI MERKENIDU (1955)

    Paturpësia e vaginës

    Formë fatale e mugët
    pezull ngrihet në ajër
    për të dëbuar të pafetë.
    Zotëroj një koleksion të rrallë
    pamjesh dhe ballesh drithësuese
    të një ndjesie ortodokse
    me ritmin e së ardhmes.
    Rrah me pulsin e pushtuesit
    triumfin e urtikarieve
    fërkoj kruajtjen si një ëmbëlsi.
    Shijova ditët
    dhe u hodha kripë netëve.
    Kamufloj të tashmen
    kur, e babëzitur do të shtrihesh
    që psherëtima të kacavirret
    në pranverë.


    ANA GRIVA (1985)

    Lutje

    Musllukë të zinj oqeanesh
    peshku juaj jam
    që noton
    gurrat tuaja do t’i gjej
    mos më internoni në dritë
    errësirë dua
    për errësirë kam mall
    atje do të shndrisë qeliza ime e përjetshme
    atje nuk do të shoh më hënën
    këtë tenjë të vogël të natës.


    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË