More
    KreuIn memoriamHyjni Ceka - In memoriam

    Hyjni Ceka – In memoriam

    Në orët e vona të mbrëmjes së 20 gushtit 2019 u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare shkrimtari, studjuesi, poeti dhe mësuesi i përkushtuar i letersise, intelektuali i shquar Hyjni Ceka. Ai lindi në qytetin e Elbasanit më 6 tetor 1932 në familjen e Salim Cekës, botuesit të Eseve të Shopenhaurit, për të cilat diktatura e dënoi me vdekje e më pas me burgim të përjetshëm, me pasoja sterrosëse për fatin e gjithë antarëve të saj në vijim.
    Sot familja, të afërmit dhe miqtë, Elbasani dhe lexuesit e shumtë në të gjitha skajet e trojeve shqiptare u gdhinë pa njeriun e tyre të dashur, studjuesin e përkushtuar dhe eseistin brilant që u ngriti monumente traditave dhe figurave të ndritura të kombit. Por mbeten të pavdekëshme veprat e tij, 16 vëllime me prozë dhe poezi. Këto vepra janë frut i një pune këmbëngulëse që i ka rrënjët në traditën gjeniale të popullit tone duke filluar nga treva e Elbasanit ku lindi, nisi fëmijërinë e tij me pjekuri të parakohëshme si antifashist dhe kreu Normalen e famëshme që e kurorëzoi me studimet në Universitetin e Tiranës për gjuhë e letërsi shqipe e deri ne Labëri, në Shqipërinë e Mesme e Bjeshkët e Nemuna, të cilat i ktheu në universitete më vete e studime pasuniversitare.
    Gjithë jetën e tij aktive ai ja përkushtoi me mish e me shpirt mësimdhënies gjithandej, sidomos në shkollat e mesme të Cerrikut për të cilën me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Bashkia i dha vlerësimin “Nderi i Qytetit”.

    Hyjni Ceka i la brezit të ri një thesar për pasurimin shpirtëror me bukurite e mirësitë e kësaj toke si veprat “Horizonte të elektrifikuara”, “Muzika e jetës “ dhe “Gëzimi i motrave”. Pas ndryshimeve shoqërore, me përkushtim të jashtzakonshem intelektual, në takime e tribuna, ai hodhi dritë mbi shumë figura iluministe të lëna në hije ose të denigruara. Kësaj faze të ndritur të krijimtarisë së Hyjni Cekës i përkasin veprat “Tempuj dhe apostuj”, “Shenjtorë dhe djaj”, “Divani i dimrit të fundit”, Dita e veres”, “Sokëllet Karaburuni”, “Lule më lule e këngë më këngë”, “Mos ma harroni këngën” etj. Një kryevepër e novelistikës shqiptare mbetet “Valezakja”. Biografitë e letrarizuara dhe tregimet sjellin risi me vlera të veçanta në trashëgiminë narrative të letërsisë sonë. Eseistika artistike e Hyjni Cekës është një nga arritjet më siperane të letërsisë bashkohore shqiptare, për figurat që sjell, për gjuhën e pasuruar letrare dhe për stilin e papërsëritshëm.
    Ai i meriton plotësisht fjalët e poetit Fadil Kraja: “Hyjniut, që i dha aq shumë Elbasanit dhe kërkoi aq pak prej tij”.
    I përjetshëm qoftë kujtimi i Hyjni Cekës!

    Astrit Bishqemi, Dhimo Tarusha, Ahmet Mehmeti, Bujar Hudhri, Stavri Çipi, Bujar Kapllani, Beatriçe Balliçi, Ferit Rama, Nazmi Seitaj, Rakip Zhguni, Ilir Mborja, Fatmir Terziu, Mihal Disho, Aleko Likaj, Hyqmet Zane, Ardian Tana, Hydaji Ismaili, Spiro Skënderi, Flamur Sutaj, Feta Biza

    *Portreti nga Bujar Kapllani

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË