More
    KreuLetërsiBibliotekëMehmet Elezi: Fustani për Shën Valentin

    Mehmet Elezi: Fustani për Shën Valentin

    Vetëm kur e shoqja e ceku në bërryl, ke të vogla apo të shoh unë, ai e vuri re fatorinon, që priste përballë me bllokun e biletave në dorë. Atij i kishin mbetur sytë te një vajzë me kryq të bardhë në fytyrë, ulur në ndenjësen mbrapsht, e paske bërë hundën? Cipa e hollë dhe e dëlirë e faqeve të vajzës zdriti dhe u bë e tejdukshme, për një imtë mendoi mos ajo ndezi llampën e telefonit. Jo, po këqyret në pasqyrë. Përfytyron imtën kur do t’i dalë atij përpara me fashën hequr.  Dhe.

    Autobuzi mbushur rrastë, ulje çmimesh për Shën-Valentin, të tërë qenë turrur te TEG-u. Në stacion hovën brenda dy çunakë me mimoza në duar. Ai zgjodhi një tufë e ia zgjati së shoqes.  Ajo buzëqeshi dhe u mori erë. Njihej në krejt Tiranën si grua e bukur. E shpallur Miss Hijeshia në universitet, në kulmin e lulëzimit kish hequr dorë nga garat e bukurisë. Kurrkush nuk e mori vesh pse.   

    Parakaloi një ulurimë makine, vajza me kryq në hundë çoi sytë. Atij i sëmboi në parzëm. Sy shitues, mimoza të çelura në një natë të kaltër.

    E shoqja i ra lehtas në shpatull, erdhëm. Ai e përvodhi rishtas me bisht të syrit vajzën me hundë të fshehur nën kryq. Vajza holloi shtatin me përbirue mes njerëzve, lakoi belin gjarpërisht dhe rrëshqiti në derë. Ai fluturoi me të s’di se ku. E pa vajzën kah zhvishet në një dhomë të muzgët, drita e holluar dridhet prej zjarmisë, dy sqepa në kraharor u venë flakën kokrrizave të ajrit, fushëtira e praruar e barkut zbret maturisht drejt ngushticës së muzgët, në fund të saj hataja, ka rënë zjarr!

    Duke hyrë në derën ballore të TEG-ut, e shoqja i shtiu krahun. Një punonjës sigurie ua nguli sytë, dreqi e di pse. Ndoshta për shkak të asaj. Të sharmit të saj.

    – Si ajo e dua fustanin, tha gruaja. Si ajo goca që kish bërë hundën, të pëlqen?

    – Po, tha ai.

    – S’kam parë aso bluje, tha ajo.

    – Po, tha ai.

    Ajo buzëqeshi, ngjyrën e zgjodha unë, modelin zgjidhe ti. Me kënaqësi, tha ai. Ndonjë mendje dua, gjithsesi. Po, tha ajo.

    Hipën në shkallën vetëlëvizëse. Ai ia vuri dorën në përmjet.

    Matanë fektoi vajza me natën e kthjellët të mimozave në sy. Kryqi në hundë u bë zog, u dha flatrave, fër-fër. Vajza kapërceu një derë dhe u zhduk, duke tundur dorën e majtë, me një çantë këpucësh të sapoblera.

    E shoqja bëri shenjë, këndej. Hynë në një shitore me veshje femërore, marka të shtrenjta. I bukur ai fustani në cep, model i ri, tha ai. I verdhë, tha ajo. E verdha të shkon shumë, tha ai. Me flokët, me sytë. Dhe.

    Ajo u ndal.

    – Nuk të pëlqen bluja, si e asaj gocës?

    – Pse, ç’ngjyrë e kish ajo, s’e kish të?

    Ajo u zemërua. Edhe kur më bën dhuratë, tallesh!

    Ai tha më fal. Thjesht mendova sa i bukur ky fustan, është ngjyra jote. E blejmë si të asaj, por edhe këtë, pse jo. Marrim dy.

    Ai as që kish vënë re ç’ngjyrë e kish fustanin vajza me hundë të bërë. Nga u zhduk, po zgjedh prapë fustan? Me një sy të ëndërrt e ndoqi te kabina e provës. Ajo u zhvesh, të bardhat e vockëla i lëshoi mbi çantën me këpucët e reja, vithet rrumbullake kërcisnin si mollë. Afroi hundën me kryq te pasqyra, pasqyra u mbush prapë me mimoza të çelura në një natë të gjelbër në vjollcë. E shoqja se ç’tha për ngjyrën e fustanit. Po, ia ktheu ai pa e pasur mendjen, me vete po thoshte ke të drejtë Musteqe. Musteqja qe shok klase i gjimnazit, i vetmi që kishte mbetur në Tiranë, kthenin herë-herë ndonjë birrë me qofte skare te Tymi ebënin gallatë. Ku mbajnë mend burrat çka vesh një femër, thoshte Musteqja. Sytë e burrave e zhveshin femrën, e shohin vetëm cullak. Kjo është një e vërtetë e vjetër sa bota. Pse, ty s’të ndodh kështu?

    E shoqja ndjeu në qafë vështrimin e një burri të panjohur. U rrek me e këqyrë me bisht të syrit, pa e kthyer kryet.

    Po gratë, mendoi athët ai, duke ndier një djegie të papritur në zgrof, si e shohin gratë një mashkull përballë? E shohin edhe sto siç e shohim ne një grua, duke e zhveshur cipricullak?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË