More
    KreuLetërsiBibliotekëMarlen Dietrich në gjunjë para K. Paustovskit

    Marlen Dietrich në gjunjë para K. Paustovskit

    Përktheu: Bujar Hudhri

    Një nga fotot e famshme të Marlen Dietrich mban datën 13 qershor 1964. Aty, këngëtarja që vinte nga Shtetet e Bashkuara, ulet në gjunjë në mes të skenës dhe i puth duart shkrimtarit sovjetik Konstantin Paustovski. Kjo ngjarje e çuditshme ndodhi gjatë turneut të divës hollivudiane në Bashkimin Sovjetik. Po përse krenarja Marlene Dietrich u ul në gjunjë para Paustovskit, lavdia e të cilit nuk i kishte kapërcyer kufijtë e vendit?

    Në aeroportin e Moskës, divën e priti një armatë gazetarësh. Përveç të tjerash, Marlenën e pyetën se çfarë do të dëshironte të shihte në kryeqytet – natyrisht, Sheshin e Kuq, Kremlinin dhe Mauzoleumin? Përgjigjja e Marlenës i la pa gojë të gjithë.

    Lexo këtu tregimin “Telegrami”

    “Dikur kam lexuar  tregimin ‘Telegrami’  të Paustovskit. Aq mbresë më ka lënë  sa nuk e kam harruar dot,  as tregimin, as emrin e shkrimtarit, të cilin s’e kisha dëgjuar kurrë. Nuk kam mundur të gjej libra të tjerë të këtij shkrimtari të mrekullueshëm. Dhe ja pyeta për Paustovskin”, – foli më në fund Marlene.

    Tregimin “Telegrami” aktorja e kishte gjetur në një përmbledhje letrare. Paustovski kishte shkruar për një vajzë, e ardhur në një qytet të madh nga një fshati i humbur, e cila harroi nënën e dashur dhe nuk mundi të përshëndetej. Kjo histori prekëse e kishte mallëngjyer Marlene-n dhe që nga ajo ditë, Paustovski u bë shkrimtari i saj i dashur.

    Në këtë kohë Paustovski ishte 72 vjeç. Kishte pësuar disa infarkte, vuante nga astma dhe sapo kishte dalë nga spitali. Megjithatë, Paustovski dëshironte aq shumë të shkonte në koncert, ndaj erdhi në shtëpinë e shkrimtarëve moskovitë, i shoqëruar nga e shoqja dhe mjeku. Pas koncertit i kërkuan shkrimtarit të ngjitej në skenë. Reagimi i aktores dhe këngëtares së famshme, kur pa idhullin e saj, ishte i mahnitshëm; ylli hollivudian, veshur me një fustan madhështor, u ul në gjunjë dhe i puthi atij dorën.

    “Isha kaq e tronditur me praninë e tij. Ngaqë nuk mundja të thosha një fjalë rusisht, nuk gjeta mënyrë tjetër të tregoja admirimin tim, përveçse të ulesha në gjunjë para tij”, – u shpreh Marlene.

    Fustani i ngushtë u shqye tek tegelat, diamantet u shpërndanë nëpër skenë, por aktorja s’deshi t’ia dinte. Në sallë plakosi heshtja. Paustovskit iu pre goja. Më në fund shkrimtari erdhi në vete, u përkul dhe i puthi divës dorën. Ngërçi u kalua, spektatorët duartrokitën në këmbë.

    Marlene kishte kaluar një fëmijëri fatkeqe. I ati kishte rënë në luftën e parë botërore, nënën e kujtonte si një grua të ftohtë, që dinte të jepte veç urdhra dhe komanda. Ishte krejt e kundërta e gruas që kishte përshkruar Paustovski, nënës që kishte ëndërruar vetë aktorja. Sepse ajo, ashtu si heroina e tregimit “Telegrami”, natyrisht e kishte përjetuar thellë. Kjo e kishte shtyrë që të bënte atë veprim dhe rezultati, ja, është kjo fotografi. Probleme edhe me të mëdha pati Marlene edhe me të bijën e saj, Maria Riva. Ajo e urrente të ëmën dhe për këtë ka shkruar në detaje në librin e saj, ku e quan Marlenën “egoiste, e alkolizuar dhe thjesht një përbindësh”. Marlen Dietrich vdiq në vitin 1992 nga infarkti, që pësoi, siç thonë, sapo doli në dritë libri me kujtime i të bijës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË