More
    KreuLetërsiBibliotekë"Rrenë ashtmolla e Adamit", poezi nga Dije Demiri-Frangu

    “Rrenë ashtmolla e Adamit”, poezi nga Dije Demiri-Frangu

    Rrenë asht molla e Adamit

    si një zonjë e trathtuar në të zeza, ikën nata
    i tmerron dritaret tue i pështye zi e zi në ikje
    unë e ti karrige druri, rrimë çele guri gojën
    ti qenia kravatëlidhur, flokëkrehur
    I ke shqye t’ gjitha buzëqeshjet si letrat e dashnisë

    provoj të flas, të të lus por të gjitha kordhat e zërit
    si kokrra breshëri më bien në dysheme
    e nis e fshijë kujtesën me fshesën e troshave
    derisa ti ikë pa ofshamë dhe i pasy

    një kollë e keqe s’paku të dëgjohej
    në këtë mort të dashnisë
    t’mos mbetem kafshata e vetme e vetmisë
    këtë natë që as shi s’bie as era s’troket dyerve t’mbyllura
    e fjalët si flokë shtrigash në fund t’pusit kanë ra

    rrëshqas akullnajës së vetmisë si mes thikash
    molla e Evës para këmbëve më bie, rrotullohet
    rrenë është se e kafshoi Adami
    atë ditë ai kishte dhembje dhëmbësh
    tutje do ta ketë hedhur
    si na dashninë sot.


    TASH NDIHEN TË MARR TË GJITHË

    Sa keq që vdiq i marri i qytetit
    hetonte udhët rrugicat
    me mëngjes u merrte erë si ndonjë bime aromatike
    i uronte ulëset e parkut ulej këmbëkryq
    në trotuarin e pafshirë shtronte bukën dhe
    ftonte qytetarët me zemërgjerësi
    me hap kali ecte qytetit se i dukej arenë kuajsh
    mbushej frikë si të binte në rrjetë merimangash
    klithte hera herës
    sa të lumtur ishin qytetarët që ai ishte ndryshe nga ta
    se atëherë dukeshin më të madhëruar lumturoheshin
    derisa ai vraponte pas fustaneve të vashave si pas fluturave
    të gjithë kanë veshur pikëllimin që vdiq i marri i qytetit
    ju ndihmonte të dukeshin paqësor të urtë

    kur ai sot s’ kalon më me lumturinë e çartur
    me lumturinë me fytyrë fëmije
    janë të pikëlluar dhe ndihen të marrë të gjithë


    NJERËZIT EDHE JANË TË ÇMENDUR

    Njerëzit lexojnë Spinozën shetisin parqeve me Enkidun
    Tallen me vdekjen e Sokratit mureve antike ngulin sytë
    Si të dashurave mërzinë amforave të lashta ju fshijnë pluhurin
    Dashurohen në kokën e trupin e Afërditës të Herës i bëjnë dashnore
    Në muskujt e hedhësve të shtizave dashurohen
    E në ëndërr shohin statujen e Zeusit
    Të gjithë e mendojnë veten aktorë të Bylisit
    Leni krejt më mirë besoni se
    Janë të krisur në zemër i duan mëkatet i hymnizojnë
    Shumë vdesin të marrë e të evidentuar si të padijshëm
    Anipse i dinë gurutë i këndojnë lirikat popullore të dashnisë
    Provojnë ta shtrydhin frikën ta ndrydhin ankthin
    Tërë jetën me gurin e shpresës nën gjuhë jetojnë
    Këndojnë urata udhëtimeve të gjata e vdesin të padijshëm
    Të mashtruar si fëmijët e kopshteve të cemtë mbesin
    S’i përcjellin fluturimet e zogjve vdesin pa u bërë valë deti
    besoni janë edhe budallenj, vrasin mushkonja minj fëmijë
    vrasin gra me gjoksa t ‘bukur si koka e Lybotenit, këmbëdrejta si lisat e Sharrit
    Njerëzit janë të çuditshëm askush s’ju bie n ‘fije janë edhe budallenj
    O sa budallenj të dashur janë disa nga ta


    As këtë verë

    As këtë verë nuk e mbolla bredhin
    Tek varri yt, nanë
    Ishte verë që kam ngrënë thonjtë
    Deri në gjakosje të gishtave
    Si në filmat fantastik
    Më patën rënë qepallat për tokë
    U bënë gjethe çetine që i barte era
    Disi u mbusha frikë për vete
    Si bocë baruti u bëra
    Po t’ kallxoj
    As në Konferencën Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Grave
    Nuk shkova
    Duke pritur diçka që kisha nisur moti ta prisja
    E që s’kishte zë e që s’ më jepte dritë

    Këtë verë beso nanë, u fol për shumë vdekje të reja
    Të çuditshme si në romanet e Agata Kristit
    -nuk u kujtova hiç për ty
    E një gjumë i rëndë nuk më shkoqej ditë as natë

    Pastaj, u zura keq me të dashurin
    Në kafenenë më të frekuentuar të qytetit,
    Në një vend pa drita
    E putha të dehurin e qytetit
    beso nga mëshira

    Shumë ditë më iknin duke menduar
    Ta varja veten në një lis
    Apo në fijet e kujtesës

    Nuk e vizitova varrin tënd
    Dhe nuk të mbolla lule rreth tij
    Këtë verë nanë
    Ka nis bota po më ngjan
    Në një varr të madh të tharë.


    Gratë

    Grijnë, ziejnë
    Ziejnë e grijnë
    Tërë jetën qepë
    Patate mishra
    Në temperaturë të lartë
    Vetëm dashninë e ziejnë
    Ngadalë në zjarrin e zemrës
    E kurrë s’ kryhet vala e saj


    Lidhur me bomba

    Dita vjen si qen i rrahur për ngordhje
    Nga gjumi mes tajfunesh bombash
    E spiunësh
    S ‘ bëhet gjumë në këtë shekull
    E të iket në një shekull tjetër s’ka mundësi
    Se edhe ata ishin të përgjakur, të sëmurë me të vjella
    Me barkqitje me migrenë e ku të shkosh o njeri
    Lisa të mbjellë në dyshek gjymtyrët
    bëjnë hije të stërzgjatura ku mund t’mrizojë frika
    dritat e teknologjisë të gjelbra të kuqe të verdha
    sinjalizojnë se jam e lidhur me bomba,
    me tajfunë e me spiunë
    Edhe me shpirtin fikur kur jam
    Më mbajnë lidhur me dhembjen e dheut
    Me dhembjen e ujërave

    E dita vjen e rrahur si për vdekje
    Nga gjumi mes tajfunesh bombash
    E spiunësh


    BOTA PËR UJË PI LOTËT E MARIA MAGDALENËS

    Ishte zgjuar Juda atë mëngjes
    Pa pikë uji për t’i larë sytë e era frynte ranë
    Pa lule përreth për të freskuar mushkëritë
    Me gjithë muskujt e shpirtit ishte zgjuar rrëmbyeshëm
    E kishte gjuajtur si gur pështymën e tij nga dritarja
    Andej kah udha të qonte në Romë

    Bënte lojën e puthjes e dizajnonte me qeshjen e thatë
    Zogjtë që fluturonin nëpër qiell me krimba në sqep i kërcënonte
    Atë ditë i dha puthjen në faqe Jezusit e
    Papandehur mbiu lebroza në fytyrën e njerëzisë
    Shëmtia u ngul në zemrat e sëmura shpalli mbretërinë e saj
    Lumenjtë nisën të rriten nga lotët e Magdalenës
    Morën ujë e ujë e ujë që me shekujt t’ mos shternin
    Lotët e Magdalenës rrjedhin pafundësisht edhe sot
    Bota nuk e di që për ujë
    Nëpër gjithë këta shekuj pi lotët e saj


    Neroni sërish shëtit Romën

    Neroni sërish shëtit Romën
    Urinon udhëve të botës e
    Me kapelën funerale të vënë anash mbi sy
    Shoqëruar me dy prostituta krahëve gajaset
    Shëtit e më vështron deri në palcë më sheh
    Bota ngopur me urrejtje gogësinë çdo çast
    Ndot ajrin me gogësimën e saj
    Kot mëngjeset provojnë të vjellin
    vrerin e ëndrrave të këqija
    Të shpëtojnë nga zjarri nga ndotja e thellë
    Nga shurra dhe pështyma e Neronit


    NDËRTESAT E VJETRA

    si kristale akulli hy me taka të reja
    ndërtimeve të lashta eci kujdesshëm
    nëpër atë botë mbushur tinguj të tharë muzike mbushur frikë që ngjajnë në mote të vështira në gropa të zeza
    në ëndrra të zhbëra në shekuj të grimcuar ngjajnë
    e kam pak frikë
    nga ballkonet e tyre vazhdimisht dikush kollitet e pështyn gjak kollë e egër kollë toke dëgjohet
    nga kati tretë dëgjohet Shekspiri
    si i numëron llojet e vrasjeve të tij
    e çdo çast mund të më bie ndonjë shpirt i vjetruar fytyrës
    të më grith si brejtës i arave
    ndonjë shpirt që ende flet për dashninë për luftën e Trojës
    mund t’piskas në moment frika ime
    si nënë e vështirë mund t’ piskas
    në gjithë gjuhët e dheut
    e t’ bien mbi lulet e trotuarit e mbi mua
    gjithë ata shekuj të marrë
    të sëmurë me gjak me të vjella
    era kujtesë ju vie ndërtesave të vjetra

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË