More
    KreuLetërsiBibliotekëAlban Tufa: Më ndjeni për mungesën e etikës!

    Alban Tufa: Më ndjeni për mungesën e etikës!

    MAMASË

    Të mbaj mend 
    me lugën në dorë
    duke trazuar gjellën
    veshur me një palë tuta të babait,
    me një legen ngjyrë blu të thyer anash,
    me një dorë në brumë ku shpesh të binte unaza
    (njëherë kur doli tek copa ime e bukës
    ta dhash si dhuratë për 8 mars).
    Të mbaj mend me shatin në krah
    e dorën në brez (ndoshta prej dhimbjesh)
    ahere sikur më dëshmoje: unë ia dal,
    ja, ndër dhëmbë po përtyp vetminë
    ja, edhe tënd at, edhe Greqinë.

    Të mbaj mend me dy bidona uthulle në duar
    që i mbushje me ujë në kroin e fshatit.
    Të vija pas për ndihmë dhe të bëhesha pengesë.
    Të mbaj mend tek bëje punë burrash 
    që të rrisje burra.

    Ta mbaj mend madje edhe lëkurën e bardhë
    që u zhbë befas si sekuencë filmike.
    U bëre tra për shtëpinë,
    baba për ne
    dhe grua për burrin.
    Tash rolet më ngatërrohen
    dhe poezia ma humbet fillin.
    Po e lë këtë strofë.

    “Do shkosh tek burri”
    është fraza që tash ia beh prej teje
    sikur po flet për xhelatin.
    Burrit dhe jetës së burrit
    ia jep trajta të rënda
    nga frikë mos gjërat bëhen ciklike.
    E di, do që jot bijë mbetet një vajzë
    asesi një nuse;

    as e ve, as e martuar, as e divorcuar.
    Të mbaj mend
    tek motrave iu thoje nën dhëmbë
    “mos e paçi fatin tim”,
    e atëherë shashtisja
    tek rrokja veç dështime kuptimesh.
    Tani them vetë: mos e paçin fatin tënd.


    MË NDJENI PËR MUNGESËN E ETIKËS!

    Kam kohë që e di se gjërat nuk ndreqen
    por premtimet nuk i ndal për inerci 
    ndoshta sepse s’di tjetër ç›të bë j
    me këtë fat të lëmuar nga montonia.

    Rrah të çel diku tjetër
    ndoshta planet
    a (mjafton) kudo në tjera kushte
    me parakushte 
    dhe veten në grushte
    ta mbaj 
    si letër e zbutur nga djersët e kohë së shkuar. 

    Kam kohë që e di se kjo botë iu përket budallenjëve,
    më ndjeni për mungesën e etikës,
    madje edhe për mungesën e frikës
    që pranoj se kjo botë, seriozisht, iu përket budallenjëve,
    që ia dhanë luksin vetes të jenë të qetë,
    pa e ndërlikuar jetën me metafora.

    Kam shumë kohë që e di se nuk mund të çel diku tjetër
    edhe se kjo botë më lë zbrazëtira si gazrat në stomak…
    boooh, më falni për mungesën etikës,
    dhe për mungesën e frikës,
    por kam kohë që e di se nuk mund të çel diku tjetër
    veç kësaj bote të vjetër
    me histori të pafavorshme për të bërë historinë time.

    Kam kohë që e di se gjërat nuk ndreqen
    dhe veten nuk ndalem së gënjyeri.
    Kështu që më falni për mungesën e etikës
    dhe për mungesën e frikës
    që veten nuk ngopem se ngrëni.

    ***

    Ti do, e mendjen ta gërric një dehje e athtë ambicjeje,
    tejpërtej tash iu shkon rrathëve metafizik të çështjeve.

    Të duket e ëmbël rrasa e tultë, gatuar kutrum prej rasteve
    E tultë apet të ngjet, e rrashfët sa s’ka, pamja në ngasjet e çasteve.

    E ëmbël është nisja- mbetet veç aq, pikë e lënë pas shpine.
    Tash kujt po i mbrumet Pritja e Fundme tutje tokës së përhime?!

    Për besë (!) ia beh papritun fundi, s’ka më ngasje të athtë ambicjeje,
    tejpërtej iu shkon rrathëve fizik, të vdekjeve, të ngjizjeve.


    CURRICULIUM VITAE

    EMRI: mund të ndërrohet me një vendim gjykate 
    dhe kam tre të tillë në rrjete sociale.
    Tash çerek shekulli jetë nuk kam bërë kurrëfar emri.
    MBIEMRI: po soset që prej kohës kur vdiq im gjysh.
    MOSHA: shpirt sa m’ka lind, mendja ka nis me vdekë.
    VENDLINJA: në këndin më të përthyer të botës.
    VENDBANIMI: në zemrën e dikujt që s’e di as vetë ku i ka dhënë tertip.
    ARSIMI: student i fakulteti të shpritrave tallës,
    diplomuar poet nga barku i nënës.
    STATUSI: i ve, më vdiqën dëshirat para do kohe.
    GJUHA: poetike, prozaike me zanore e bashtingëllore.
    TË TJERA: blej rroba të përdorura në tregun e qyteti por kurrë pantollona,
    sepse janë një pjesë e identitetit.
    pi makiato pa shkumë në njëjtën kafe,
    lexoj poezi për inatë të askujt,
    shkruaj çfarë nuk shoh dhe shoh çfarë shkruaj,
    nuk kam kohë të lirë se jam i zënë me konceptin bazë të lirisë: fjalën,
    shpesh nuk di çfarë bëj,
    ku shkoj,
    kush jam,
    pse jam,
    por fill bindem se jam njeri
    aspak i veçantë,
    asi siç janë miliona (shqiptar, edhe pse nuk lexojnë poezi) .
    EDHE TË TJERA:
    asgjë,
    asgjë …dhe diç më pak se asgjë.


    Reklamat
    nga Versej Saviç

    Një brisk që rruan një fytyrë pa qime
    duket si një gënjeshtër e verbalizuar pa takt.
    “Ulje mbi shtatëdhjetë përqind”
    rrinë si premtim elektoral,
    ku të gjithë e dinë se nuk plotësohet kurrë
    por iu kande ta besojnë.

    “Plot dhurata për ju” ngjan si parullë komuniste
    që të thotë mos jeto,
    sepse ne ta ofrojmë jetën me çmim të ulët
    edhe në një gotë qelqi.

    Madje reklama futet në mes të filmit
    si stërdhëmbi mes dhëmballëve
    e të jep veç siklet.

    Të veshura plot metafora që s’qëndrojnë,
    fytyra që nuk ofrojnë asgjë,
    veç buzëqeshjes që rreket të shesë produktin me buzëqeshje.

    Kur shoh reklama jeta më duket më e thjeshtë,
    e zhveshur nga mërzitë.

    Shoh artikuj që nuk më hyjnë në punë
    sepse kurrë s’do mund t’i blej,
    që duan të kumtojnë prezencën
    si nxënës në fillore: këtu.

    Qytetin nuk e zotërojnë më njerëzit
    por reklamat e shprehura në terma si mish i huaj,
    madje edhe me termin patetik: reklamë artistike.

    Në kodra u thanë pemët
    dhe mbinë reklamat.
    Këto të sotmet
    kanë zëvendësuar parullat e djeshme
    të dyja të mbajnë peng mendjen
    asnjëra s’të bën dobi.
    Njëra do me të zbrazë xhepin,
    tjetra donte me të zbrazë shpirtin.

    Përktheu Alban Tufa

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË