KËTË DITË DIELLI
Këtë ditë dielli,
Ky gem luleverdhë thane
Është lastar i ëmbël dielli
Në hapësirë.
Këtë ditë dielli,
Buzëqeshja jote
Është një zog i bardhë dielli
Në gem thane.
Këtë ditë dielli,
Bota
Është një tingull i gëzuar dielli
Në buzëqeshjen tënde.
1972
MOJ E MIRA QË DEL TE KROJET
Ai s’erdhi më.
Vetëm unë te krojet.
Zogjve iu dhimba
Zogjtë
Ranë të hanë vajet e tyre.
Krojet u thanë.
Plasat e tokës
U ngopën me gurgullimat
E krojeve.
Ujku stërdhëmb i namës sime
Tufat e shqerrave s’i gjeti kurrë.
Shqerrat hëngrën deri te qielli
Rudinat e trishta
Të mallit tonë.
1972
BURIM I BARDHË! BURIM I BARDHË!
Burim i bardhë! Burim i bardhë!
Ëndrra ime
Që gumon kthjellët nga toka.
Sa herë kam pirë rrëkezën tënde,
Kam pirë gjoksin tim –
Etje –
Që etje din të shuajë.
Ahishtet
Ruajnë gonxhet e tua
Qielli
Të mos i gëlltisë kurrë.
Burim i bardhë! Burim i bardhë!
Toka mos është
Ëndërr e bardhë,
E shijuar nga të gjithë?
1972
PUTHJA
Më puthi pa e dashur me buzët si akull,
M’i kaploi puthja e akullt ëndrrat e gjumin,
Më rëndoi në faqe
E m’u bë gur.
E çoi gurin te rruga e vërritarëve
Sërish rruga e shtrembët nën peshën e rëndë
E sjell tek unë.
Mbeti guri
Për t’u shkrirë
Nga dy buzë të ngrohta që i dua unë.
1972
ZOGU I BJESHKËS
Cicëriu zogu i vogël i bjeshkës
e më fali lulet e malit,
e më fali larat e borës,
e më fali flladin e ashtës.
Cicëriu.
Cicëriu gjelbër,
cicëriu kaltër,
cicëriu kaltër e gjelbër,
cicëriu bukur zogu i bardhë i bjeshkës
e më fali verën.
1972
GJAKOVA
Gjakovën desha ta shikoja nga një mesditë bjeshke,
mjegullat mbi të s’më lanë.
Gjakova
gjak.
Mjegullat kullojnë gjak,
kuqen fjalët, njerëzit
që rendin.
Çkaherë toka e kuqe dhe qyteti i kuq
dolën nga gjaku.
Gjakova,
belbëzim vigan gjaku
i dheut.
Gjakova,
dhimbë e ngurtë
që iu mbeti në fyt
shekujve.
Gjakova deshi të më shikonte nga një mesditë vere,
gjakrat në sy s’e lanë.
1972
DJALOSH I GOJFILTË
- Requiem për Halil Bubrrecin, korrierin e çetave të lirisë, vrarë matanë majës së Bajrakes në bjeshkë, në korrik të vitit 1944, në moshën 14 vjeçare
Djalosh i gojfiltë
Flladi
I dritës
Luan melodi për ty
Në fyej të krojeve
Si zgjime të hutuara
Drerësh të breshtave.
Njëri sy meit i kryevrasësit
I flet syrit tjetër në agoni:
- Lule e zbehtë boronice
Ky djalë. - Pushkë e keqe kjo për ju
(Që burra mos qofshi)
I fole ti kryevrasësit
Në syrin që veç veten shikon. - Unë ta jap ty plumbin e fundit,
Të foli kryevrasësi
Me syrin që mezi përtej vetes shikon.
Të gjithë plumbat i mori
Koka e gojfiltë
Mbi lëndinën e blertë.
Të gjithë gjakun e mori
Lëndina e blertë
Nën kokën e gojfiltë.
Flladi
I territ
Dënes mrizeve përvjashëm
Si gjumi i trembur
I deleve pa bari.
I bëzani syri i fundit i kryevrasësit
Gjakut të gojfiltë të shndërruar në muzg,
Kokërr e këputur loti
Pishnajash:
- Kurrë më s’do të prekësh krua
As kurrë më fyell me ato buzë s’do të prekësh,
O djalosh i gojfiltë!
1972