More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEmin Azemi: Strategjia narrative e romanit “Autoportet me teleskop”

    Emin Azemi: Strategjia narrative e romanit “Autoportet me teleskop”

    Romani “Autoportet me teleskop” i shkrimtarit Besnik Mustafaj është një produkt i pastër letrar, që për shumëçka është unik në mbarë letërsinë moderne shqipe. Në radhë të parë,  ky roman është një manifest estetik i shkruar në vazhdimësi, madje edhe para se autori të vendoste të shkëputej nga politika, sepse procesi i krijimit nuk ndodhë vetëm gjatë aktit fizik të të shkruarit, por edhe përtej kësaj. Nëse një njeri që e lë këtë botë dhe pas tij mbetet një testament për trashëgimtarët e tij, për shkrimtarin kjo do të mund të transformohej në një përvojë pak a shumë tjetër, ku fiksionaliteti e bënë atë të jetojë me bashkëkohanikët edhe pasi ta ketë përfunduar veprën për të vërejtur nga afër reagimet dhe efektet e atij fiksioni. Dhe kësaj, Besnik Mustafaj ia ka arritur.

    Lexuesi – një bashkëudhëtar i padukshëm

    Politika, si profesion që i ndihmoi narratorit të krijojë një personazh (homonim) letrar, autorit i ka shërbyer vetëm si katalizator për të përshpejtuar procesin e njohjes me një jetë dinamike, e cila jashtë politikës nuk do ta kishte dramën që e ka romani. Ndonëse edhe vetë Mustafaj e thotë me një rast, se ky roman në palcën e tij është politik, prejardhja e këtij konstatimi që nuk është ekstra zhanror, megjithatë nuk na pengon ta shikojmë atë pak më thellë, duke depërtuar në zona që vetëm një shkrimtar i talentuar di të ecë, duke qenë i sigurtë se rrugët nga po ecte, për herë të parë po  shkelte dhe në gjithë atë rrugëtim kompleks, sikur lë vend edhe për një bashkëudhëtar të padukshëm, për të bërë një transfer semantik të kodeve nga shkrimtari tek lexuesi, sepse vetëm duke qenë interaktiv në aktivitetin narrativ, shkrimtari dhe lexuesi krijojnë plotninë e përceptimit të veprës.

    E ndarë në katër pjesë, ose në katër nivele që krijojnë strategjinë narrative të romanit , sikundër janë:  Thesari për luftën, La Ceinture de Chastete (La sentyer de shastete), (Brezi i virgjërisë), Kalëruesi i humbur, Continuum, kjo vepër imponon para lexuesit sfidën për t’u ballafaquar me një lëndë komplekse, sa heterogjene si teknikë dhe metodë krijuese, po aq edhe voluminoze si informacion estetik e letrar për një tipologji të gjërë ngjarjesh, karakteresh e shtrirjesh kohore dhe hapësinore. Prandaj edhe nuk do të bënim ndonjë gabim metodologjik, sikur këtë vepër ta copëzonim në fragmente, për ta kapur më afër natyrën e procedeut, mirëpo kjo do të na shkaktonte telashe jo të vogla për ta përceptuar plotninë, e cila, megjithatë ka një rrjedhë dhe një dinamikë të brendshme narrative dhe si e tillë do të duhej një receptim integral i njësive të veçanta tekstore brenda gramatikës së plotë rrëfimore.
    Kjo dinamikë fillon në momentin kur narratori që identifikohet me heroin letrar  Besnik Mustafajn, ndodhet në detyrën e ministrit të Jashtëm tek merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Monaco, me përfytyrimin se në një kohë të keqe dhe në një vend të keq do të përfshihej në një telash të madh.

    Një pe i hollë dhe gati i padukshëm që lidhë amplitudat e zhvillimit të fabulës është ecja e narratorit nëpër fushën imagjinative të jetës së përjetuar dhe transformimin e saj në një realitet të ri estetik, sepse shkrimtari ka rrugën e tij, që është vetëm e tij, për të mbërritur tek të fshehtat e njeriut, atje ku edhe e ardhmja është abstrakte dhe mjaftonte për të ngjallur frikë.

    Kjo ecje bëhet duke bartur me vete edhe dromca të patretura nga e kaluara, pa të cilat narratori nuk do të mundte të projektone disa nga pikat referenciale të retrospektivës dhe perspektivës kohore që lehtë mund të shëmbëllejnë në figurën komplekse të  Selami Beshirit, të cilin narratori e risjell në vëmendje për ta rishikuar edhe një herë në një mbrëmje të vonë në Bruksel.

    Jo vetëm pse Selami Beshiri kishte një ëndërr të parealizuar qysh nga fëmijëria e hershme: të shuante nepsin për sallame e salçiqe, por edhe pse ai, si karakter do ta nxisë narratorin të bëjë hulumtime shterruese për të ndjekur diagramin e formimit dhe transformimit të personalitetit në dy kohë dhe hapësira krejt të ndryshme. Ky portretizim aspak stereotip dhe krejt origjinal, e nxjer në sipërfaqe prirjen e autorit për të ndërtuar alibinë e krijimit të situatave groteske, sikur në rastin e Selami Beshirit, të cilit, siç thotë autori, sistemi kompleks dhe i kudogjendshëm e kurdohershëm i propagandës dhe edukimit të regjimit revolucionar nuk kishte arritur t’ia rrënjoste një ëndërr që t’i mbijetonte kohës, gjë që e kishte arritur një spot publicitar për sallamërat belge.

    “Autoportret me teleskop”, si një sporovë e guximshme letrare, e vendos ngadonjëherë autorin në pozitë të pabarabartë me kurreshtjet e panumërta të publikut, i cili me maninë e sipërfaqësisë dhe përtacisë për t’u thelluar më tepër në leximin e veprës, kërkon të nxjerrë jashtë kontekstit letrar personazhe e situata të caktuara. I ardhur në letrat shqipe si një individualitet, që kishte lënë gjurmë të pakontestueshme të formimit estetik në veprat pararendëse siç ishin romanet: ‘Vera pa kthim’ , ‘Një sagë e vogël’ , ‘Boshi’ dhe një opus i pasur poetik, autori i romanit që tani lexuesi ka në duar, është treguar mjaft bujar me ofertën e tij për një dialogim me lexuesin, duke kërkuar nga ai pjesëmarrje aktive receptive në periudhën postkrijuese të këtij romani. Mbase është për t’u admiruar kjo praktikë e autorit, sepse vetëm në këtë mënyrë arrihet emancipimi estetik i recepientit, pa të cilën edhe nuk mund të zhvillohet shprehia e komunikimit me veprën letrare.

    Romani si një manual udhëzues për lexim kreativ

    Nëse mund ta quajmë sprovë të guximshme, sfidën për të reduktuar maskimalisht distancën në mes të autorit dhe narratorit, gjithashtu do ta konsideronim si paradigmë socio-kulturore edhe metodën krijuese të shkrimtarit Besnik Mustafaj, e cila në aspektin teorik e estetik do të mund të formësohej si një manual udhëzues për lexim kreativ.

    Çka mund të mësojmë nga ky manual, me kusht që ai të kundrohet brenda planimetrisë narrative që autori i skicon si metoda pune?

    a)Në fillim çdo kapitull, në retrospektivë përsëritet dhe spjegohet më detajisht rrëfimi paraprak. Ose sekuenca narrative – njësia përbërëse e të rrëfyerit, e cila edhe vetë është e aftë të funksionojë si rrëfim. Në romanin “Autoportet me teleksop”, këto sekuenca narrative paraqiten edhe si seri situatash e ngjarjesh, nga të cilat e fundit në radhë paraqitet si përsëritje e pjesshme, apo transformim i së parës.

    b)Alternacioni si gjetje origjinale e autorit, ku kombinimi i niveleve narrative bëhet në atë mënyrë që njësitë e njërit nivel alternohen në njësitë e nivelit tjetër.

    c)Rrëfimi metadijegetik brenda një kornize, ose rrëfimi i cili funksionon si kornizë e rrëfimit tjetër, duke i siguruar atij ambient funksional dhe kontekstualizim të semantikës së objekteve dhe ngjarjeve.

     ç)Vëzhgimi depërtues dhe kohezioni në mes të personazheve.

    d)Struktura epike e narracionit  në roman funksionon në trekëndëshin: personazhet – hapësira – veprimi.

    Gjuha si kod semantik shenjash e mesazhesh, në romanin e Mustafajt paraqitet në  dimensionin e dyfishtë: në aktin e të rrëfyerit dhe aktin e përvetësimit. Çdo histori që rrëfehet këtu, që nga misteri reth thesarit të luftës, pastaj aventurat e përcjella me groteskun urban të tipave, si Selami Beshiri, Bilal Barzezi, dialogu me Ana B., episdodi paradoksal e tragjikomik me gruan angleze në aeroportin e Athinës, telashet me gruan që shitte qumshtin e gjirit në një metropol europian dhe rënia pre e naivitetit të një emigranti shqiptar në këtë histori, skenat gati filmike të një jete të braktisur rurale, janë disa nga bërthamat semio-tematike që aktin e të rrëfyerit e përplotësojnë me dimensionin e përvetësimit.

    Implikimet psikologjike e filozofike

    Shtresa e objekteve të romanit përbën inventarizimin alegorik të gjërave që në fakt është bota, të cilën në mënyrën e tij shkrimtari e bartë në veprën letrare, e që duket të jetë reale. Por në fakt ekziston vetëm si realitet estetik (gjuhësor), me të cilën sugjeron situata jetësore, sepse siç e thotë edhe vetë autori në një intervistë teleskopi, sa ç’ishte konkret, aq edhe jepte dorë për një metaforë me kuptime të shumëfishta.

    Një prej atyre objekteve është edhe teleskopi, një lajtmotiv ky që i ka shërbyer autorit për ta ndërtuar intrigën fabulative të njeriut, që kishte nevojë të zhdukte distancat gjeografike dhe ideali për të braktisur ndjenjën që të krijon izolimi, të sygjeron të mendosh për objekte që i relativizonte kufijtë dhe distancat, siç mund të konisderohej edhe teleskopi si një objekt që i reduktonte këto parametra hapësinor, sepse, siç e thotë edhe vetë autori teleskopi, sa ç’ishte konkret, aq edhe jepte dorë për një metaforë me kuptime të shumëfishta.

    Në roman, shtresa lëndore e objekteve është ngusht e lidhur me shtresën e aspekteve tematizuese, kurse aktivizimi i kësaj shtrese vie gjatë leximit, kur edhe bëhet kombinimi i objekteve me personazhet dhe marrëdhniet në mes vete.

    Por e veçanta e këtij romani qëndron në resurset gjuhësore e stilistike për të sugjeruar vetëm ato mesazhe që burojnë nga vetë vepra, duke e ndihmuar lexuesin të mos jetë kaotik në përceptimin e sistemit figurativ të ngjarjeve e personazheve. Autori me këtë vetëm se vërteton teorinë e Ingardenit mbi funksionin  e lexuesit në ‘rikrijimin e veprës’.

    Në lidhshmërinë sintetike të fakteve letrare, autori nuk ndjek ndonjë shkollë të caktuar historiografike, por bën zhvillimin e atyre përvojave me të cilat lexuesi i qaset veprës letrare.

    Ajo që në roman karakterizohet si dramë e individit dhe fat i kolektivitetit, nuk do të mund të arrihej pa implikimet psikologjike e filozofike, të cilat autori i përdorë me mjeshtri, dhe kjo mund të vërehet sidomios në rastet kur personazhi paraqitet si inkarnim i tëhuajsimit dhe epshit, ose si peng i frikës për të panjohurën, por edhe për të papriturat e lirisë. Përjetimi i brendshëm i individit bartet në realitetin kompleks që e rrethon, kurse vetmia e njeriut, i rrethuar me frikën, paragjykimin, inkorporohet në toposin malor, që drejtpërdrejtë ndikon edhe në formimin e karakterit të mikrokosmosit. Letrarizimi i botës së individit dhe konflikti i kësaj bote me rrethin…
    Çdo personazh i këtij romani është episod nga seria e gjatë e quajtur jetë. Autori i afrohet me këtë konceptit letrar që kishte Tolstoi mbi jetën: mikrokosmosi derdhet, ose shkrihet në makrokosmos dhe përpjekja titanike për t’u dukur i veçantë nga kjo turmë socio-antropologjike, në momente e rrethana të caktuar kishte edhe kosto të lartë për vetë lirinë dhe jetën e njeriut.

    Tragjika dhe grotesku i qenësimit njerëzor, e përkohshmja dhe e përhershmja, fantasshkenca, ëndërra, erosi përbëjnë linjat karakterizuese identitare të kësaj vepre, ndërkohë që ndërtimi i arkitekturës së romanit ecë bashkë me zhvillimin dhe formimin e personazheve,  nga një kohë, në një kohë tjetër, nga një hapësirë në një hapësirë tjetër. Selami Beshiri, Bilal Barzezi, Muzafer Zhivini paraqesin tipologjinë komplekse të portretizimit psikologjik të njeriut, që kishte lëvizur nga një kohë e brisht rinore në një pjekuri burrërore, nga një vetmi rurale në një kaos metropolitan. Origjina sociale e shpirtërore e personazheve, bashkë me folenë e  kujtimeve, krijojnë shtratin mjaft dinamik të rrëfimit, ku derdhja e lëndës narrative nuk bëhet në një kallëp të ngurtë e të mbyllur hermetikisht. Mjeshtria e autorit qëndron pikërisht në krjimin e një kallëpi mjaft elastik brenda të cilit lëviz lënda narrative.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË