More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vetë i dyzeti", poezi nga Ibrahim Kadriu

    “Vetë i dyzeti”, poezi nga Ibrahim Kadriu

    Isha gjithnjë në rrugë të arrija prehje
    Ecja n ‘largësi – që do të kishte fund
    Në luhatje n ‘vazhdim – kërkoja dehje
    E kuptimin e jetës nuk e gjeja askund

    Koha vete në ikje në mua veç lodhje
    Për çdo ditë raste me njerëz përballë
    Bagazhin plot me aq shumë ndodhje
    Dhe bota e ethshme – sillej vërdallë

    Pesha dhembjes më ktheu nga vetja
    Të shikoja nga larg se si unë dukem
    Kur jetoj në vetmi më rrëmben etja –
    Diçka m ‘shtyn si n ‘ëndërr t ‘zhdukem

    Dhe i tëri shndërrohem veç një rrëfim
    Që zgjatë aq – sa zgjatë një valë lumi
    I ngarkuar me gëzim dhe me hidhërim
    Mbetur n ’harresë – çdo gjë n ‘humbje

    Endem gjithandej mes njerëzve t ‘uritur
    Për t’u shfaqur prore sikurse nuk janë,
    I shoh në përpëlitje jete për t’u ngritur
    M’i lënë përshtypje të tjerëve si azgan

    Në vazhdim të jetës – fshehin qëllimin
    Për synim etjesh s’iu shkel këmba kurrë
    Me ngritje koke – e lëndojnë mendimin
    Dhe kapërcejnë jetën – pa nofkën burrë

    Përpiqem për t ‘marrë veten me të mirë
    Kur durimi e humb toruan para ironisë
    Që sulet e ma plagos shpirtin pa mëshirë
    Kur i përulem dhe i bëjë shërbim vetmisë
    Nuk gjej përgjigje në pyetjen ç ‘është jeta
    Që më shtynë andej e këndej deri n’ varr
    Pa kuptim të kërkuar në ndërkohë mbeta
    I përplasur gjithnjë – nuk dita çfarë t’ marr’

    Nga koha shterpë që m ’shoqëroi n’ tokë
    I rraskapitur n ‘ofshamë – brez me brez
    Ileti i urrejtjes – më zë pisk e më rrokë
    Më shtrëngon e më shtrydh sikur ushejz’

    Jam pajtuar gjithherë e mirë me durimin
    Për t’i ndihmuar shpirtit ia bëj krejt rrafsh
    Në kohë hamendjesh e thërras shpëtimin
    T’më mbaj n ‘këmbë, të më qafojë me afsh.

    Ia kam zënë pritën kohës – për biografinë
    E lus të më ndihmojë të ec tutje i zgjuar
    Dhe të shëtis gjithandej nga ndjesia prinë
    Gjurmëve të traditës esëll duke kërkuar

    Dhe ndeshem shpesh me hire që frenojnë
    Qëllimi është i qartë – për ndalje të hapit
    Se si vlon gjaku pastaj – e etjet urdhërojnë
    Për vazhdim më tutje me forcën e vrapit

    Iu qasem veprave – iu rri me vullnet gatitu
    Prej faqe në faqe i tëri n ‘ekstazë shtrihem,
    Edhe gjumin e lë anësh – eci e eci pa përtu’
    Derisa kënaqem – dhe sa i lumtur ndihem

    I strehuar në fjalët mbëltuar me emocione
    Vazhdoj rrugën andej drejt vdekjes që pret
    I mbetur shumë larg të afërmve të kësaj ane
    Vetmia lëshon rrënjët kur gjithçka afër vret

    Iu fala kohës me të gjitha telashet ç ‘kishte
    E ajo tutje në rrugëtim e sipër pa mua mbeti
    E tëra si flluskë sapuni në këtë rrugëtim ishte
    Duke më lënë kështu në rropatje vetë i dyzeti…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË