More
    KreuKinematografiVangjush Saro: Dashuria - një tabu në filmin shqiptar

    Vangjush Saro: Dashuria – një tabu në filmin shqiptar

    Ndër momentet ku kinemaja shqiptare dhe krijuesit e saj – gjithë letërsia e arti – heshtin dhe meditojnë trishtueshëm, mbase edhe pendohen e vuajnë, është mungesa koherente e jetës intime, e dashurisë në përgjithësi. Kjo temë e, përkitazi, skenat intime, në të gjitha veprat filmike, në art përgjithësisht, përdoren për të ‘vizatuar’ çaste të rëndësishme, në harmoni me gjithë zhvillimin dramaturgjik të veprës, në akord me tregimin a përvojën që përcillet në publik. Për vetë rrethanat, në kinemanë shqiptare këto episode janë kaluar me ndonjë shikim, buzëqeshje, e shumta me ndonjë përkëdhelje. Këtë ‘peng’ e kam cekur disi edhe në një shënim të mëparshëm për kinemanë, atë me titull “Kinemaja shqiptare në një stad të ri”; por në këto radhë, kjo mangësi vështrohet më në gjerësi, me mungesat dhe ndikimet e saj nga pikëpamja profesionale, në brendinë dhe në formën artistike të filmit.

    Natyrisht, nuk heq asnjë presje nga ai shënim dhe nga një sërë shkrime, ku përpiqem të vlerësoj çka ishte pozitive dhe me vlerë, sadopak vlerë, në gjithë krijimtarinë e trashëguar: në letërsi, në arte dhe, posaçërisht, në kinema. Ndërkaq, le të themi me thjeshtësi e drejtësi se në filmat shqiptarë të rendit ‘tjetër’, por edhe këtej në tranzicion, dashuria nuk është aq një dimension njerëzor, një arsye për të jetuar e luftuar, se sa një shtojcë e jetës dhe problemeve të tjera sociale. Të kohës. Është, e thënë ndryshe, njëlloj arne, në pamundësi të ngjizjes së saj në krejt veprën.

    Për hir të së vërtetës, në fillimet e veta, sado që gjithnjë nën censurë dhe – për keq a për mirë, nuk jam i sigurt – nën ndikimin e kinemasë sovjetike, filmat shqiptarë, si “Tana”, “Vitet e para” etj., i kishin më me tepri skenat intime; së paku kërkimin për to. Në filmin e hershëm “Tana” (Fatmir Gjata, Kristaq Dhamo) shohim Naim Frashërin dhe Tinka Kurtin në rolin e dy të rinjve që e realizojnë dashurinë e tyre, por përmes një sërë pengesash. Në film nuk mungojnë çastet idilike – me njëlloj ndikimi, siç u tha edhe më lart, nga kinemaja sovjetike – skena e përqafime që më vonë nuk do të shiheshin shpesh në filmat artistikë shqiptarë.

    “Vitet e para”. Pavarësisht vështrimit krejt ndryshe sot të ngjarjeve që vijnë në këtë film (bëhet fjalë për tharjen e Kënetës së Maliqit) ka disa skena të tilla, me një qasje intime. Janë në fillim të një lidhjeje të rinjtë vullnetarë Vera dhe Dalipi (nga rolet e para të aktorit të paharruar të karaktereve Jani Riza). Por në brendinë e asaj që po themi, ka ledhe e flirte edhe në raportin midis Zyraka Mingës (në rol Margarita Xhepa) e Stavri Larës (në rol Piro Mani).

    Më pas, duke u larguar edhe nga ‘shoqëria’ e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore – gjithsesi, ishin vende e komunitete më të emancipuara se ne – ashtu si çdo produkt artistik a fushë e jetës, edhe kinemaja filloi të binte edhe më tej në skematizëm; kurse termi ‘dashuri’ u bë pothuaj njëlloj mëkati, tabu, së paku deri në fillim të viteve ‘80, kur diçka pak filloi të ndryshonte në letërsi, në përkthime, në teatër dhe në film.

    Është e dhimbshme, por në pasurinë e madhe filmike të disa dekadave, ka aq pak dashuri. Gjeste. Flirte. Puthje e skena intime jo që jo. Nuk është fjala për t’i parë intimitetet apo shtratin si qëllim në vetvete, por në funksion të zhvillimit të dramaturgjisë së filmit dhe, njëherazi, si një mbështetje për anën spektakolare të tij. Në shumë filma, aktorët vetëm sa shikohen në sy e ndonjëherë kapen për duarsh. (“Si gjithë të tjerët”, “Zonja nga qyteti”, “Yje mbi Drin”, etj.) Në filmat e Kristaq Mitros dhe Ibrahim Muçajt, ndër kineastët që iu qasën temës së dashurisë me shumë sukses, ka kërkime në këtë temë, por në mënyrë të limituar, kryesisht si pjesë ilustruese të temave sociale që ata kanë trajtuar.

    Janë aq shumë kuadro filmi që kanë pasur nevojë për skena intime; dhe ato kanë munguar: “Apasionata” e “Njeriu i mirë” (sipas novelave të Dritëro Agollit) dhe “Duaje emrin tënd” (skenari Nasi Lera). Skenat e dashurisë (së munguar) mund të kishin formuluar më shumë ‘fat’ edhe për filmat “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time” (Teodor Laço, Vladimir Prifti) apo “Hije që mbeten pas” (Diana Çuli, Esat Musliu) ku me gjithë gjetjet dhe mizanskenat e punuara mirë, dashuria është gjithnjë pjesë a shtojcë e një konflikti tjetër social. Te “Në çdo stinë” (Bashkim Hoxha, Viktor Gjika) edhe pse ka skena të bukura, pengu politik rëndon mbi pengun e dashurisë. Filmi “Shirat e vjeshtës” (Nexhati Tafa, Spartak Pecani) gjithashtu e vë dashurinë në një provë sa vetjake, aq edhe sociale.

    Në filmin “Familja ime” të kinoregjisorit Albert Xholi (skenari Rozi Theohari) të dashuruarit bëjnë një hap më shumë; së paku sa u takon ‘kushteve të dashurisë’: ata kërkojnë ‘kohë’ për t’u njohur dhe kjo vërtet që ishte… e parakohshme. Regjisori në fjalë gjithnjë ka synuar të sjellë tema sociale sa më pranë së vërtetës; ai i bën shumë vend pjesës njerëzore të dashurisë, që mbulon shumicën e skenave të filmit, bie fjala te “Fillim i vështirë”; kurse te kinokomedia “Shkëlqim i përkohshëm” ai realizoi për të parën herë në kinemanë shqiptare një puthje të vërtetë (e thënë ndryshe një ‘puthje sagllam’, siç u shpreh një moderatore e njohur në TV, gjatë bisedës me aktorin protagonist të filmit).

    Një përpjekje të vlerësueshme në këtë temë, bëjnë Dhimitër Anagnosti në filmin “Në shtëpinë tonë” (skenari Kiço Blushi); Piro Milkani në filmin “Në prag të jetës” (skenari Vath Koreshi), si dhe kinoregjisori Spartak Pecani në filmin “Vetmia”. Po ashtu, kinoregjisori Eduart Makri në filmin “Shpresa”, me skenar të Dhimitër Xhuvanit, film ku dashuria e Piros (një inxhinier i ri, të cilin e luan vetë Eduart Makri) dhe Shpresës (një vajzë e përgojuar, luajtur plot hijeshi nga aktorja Matilda Makoçi) shpesh vendoset në një sfond lirik dhe në peizazhe herë të çelura e herë gri, sipas zhvillimit të ngjarjeve.

    Në disa filma televizivë, dashuria gjithashtu ka qenë e përfshirë dukshëm në dramaturgji; ka ardhur disi në mënyrë poetike, ashtu në shenjtërinë e vet, shpesh me patetizëm; megjithatë, përgjithësisht, pa shumë lidhje me zhvillime të brendshme të jetës së personazheve dhe pa skena intime. “Unë e dua Erën” (Besa Myftiu, Albert Minga) “Të shoh në sy” (Nasi Lera, Mevlan Shanaj)

    Pra, tema nuk mungoi, si e tillë, në asnjë art të asaj kohe; por ishte pak për çfarë duhej kërkuar e realizuar dhe për çfarë po flasim. Dashuria nuk ishte e ndërkallur bindshëm në veprën artistike në kuptimin më të gjerë të fjalës, si përparësi në një subjekt, si ndjenjë e natyrshme dhe përtej klimës propagandistike, si një mundësi shprehjeje e ndjenjave dhe ëndrrave, fundja si një pistë ku drama dhe personazhet zbërthehen dhe ‘vizatohen’ plotësisht e pa brutalitetin e ndikimit ideologjik apo të moralit të kohës, që i çonte autorët në skena ku bashkëshortët apo të dashuruarit ngjanin më tepër si shokë…

    Arsyet pse ka ndodhur kështu, mund të gjenden lehtë në kufizimet raskapitëse të atyre dekadave, në ndërhyrjen diktuese të komisioneve dhe të censures që, përveçse i kanë ‘trembur’ autorët, në disa raste – ç’po them, në shumë raste – kanë coptuar skenaret dhe kanë prerë aktet e skenat e xhiruara. Por ndërkaq, nuk mund të mos ndalemi edhe te efektet e autocensurës; në një kuptim, ftohtësia e vetë autorëve ndaj kësaj teme. Nuk besoj se gaboj shumë nëse them që duke e ditur se mund të kishin telashe e, fundja, nuk lejohej puthja e intimiteti, autorët vetë i shmangeshin këtij dimensioni; jo thesht temës së dashurisë, por sidomos episodeve intime, duke mos kërkuar shumë nga aktorët, duke mos guxuar për mizansena e vizatime të përafërta; me pak fjalë, duke i rënë shkurt… Po ashtu, pak mund të flitet në lidhje me atë se sa e përgatitur ishte për këtë ‘sakrilegj’ vetë familja shqiptare, si palë shikuese, por edhe ajo e vetë interpretuesve.

    Për fat të keq, kjo ‘shkollë’ me prirje frenuese u shfaq për një kohë të gjatë edhe në filmat e xhiruar pas viteve ‘90; tradita të merr përpara dhe, nga ana tjetër, autorëve u mungonte përvoja dhe sensi realizues në këtë temë. Filmi “Vdekja e kalit” i kinoregjisorit Sajmir Kumbaro, skenari Nexhati Tafa – u realizua me kontributin edhe të kinoregjisorit Albert Xholi – theu për së pari tabunë e jetës intime, të seksualitetit madje, si episodi më i nxehtë dhe ndonjëherë më domethënës i dashurisë, si akt e marrëdhënie jetike, që pasuron dhe shtyn më tej subjektin, i jep tone të tjera ngjarjes. Më tej, u panë të tjera skena aso e kërkime në këtë temë edhe në filmat “Trishtimi i zonjës Shnajder (Piro Milkani) e “Parrullat” (Ylljet Aliçkaj, Gjergj Xhuvani) për të vazhduar me “Maya” (Luljeta Lleshanaku, Pluton Vasi) “Amnistia” (Bujar Alimani) etj.

    Sot filmi përballet me kërkesa të tjera; dimensioni bashkëkohor është një sfidë e madhe, që ndonjëherë të tremb dhe e rreshton temën në fjalë (dashurinë) krahas gjithë vështirësive dhe pamundësive të tjera. Për fat të keq, shpesh, episodi i dashurisë prapë mbetet një gjë e veçuar, disi jashtë subjektit të veprës dhe së tërës në përgjithësi, pothuaj shtojcë për pak spektakël; dhe e gjithë kjo është thjesht mungesë përvoje, por edhe mangësi që nis me vetë skenarin. Në ndonjë rast, dashuria merr më shumë vend nga sa mban plani në akt apo vetë ngjarja, për të mos thënë që shikohen teprime; dhe kjo nuk i shërben veprës, mbetet gjithnjë pjesa e palidhur me skenarin.

    Duke u përpjekur që në këto radhë të jem sa më i drejtpërdrejtë, por edhe mirëkuptues, vij në një riqasje me çfarë është shprehur edhe në shënime të mëparshme: kinemaja shqiptare – e së shkuarës apo e së tashmes – ka shfaqur dhe vazhdon të shfaqë ende tabu, të cilat e bjerrin mundësinë e filmit për ta rrëmbyer publikun. Është vendi të themi se kjo ndodh edhe për shkak të raporteve jo gjithnjë të shëndetshme midis letërsisë dhe filmit; një temë aq delikate. Gjithsesi, kinemaja shqiptare, ajo e sotmja, dalëngadalë po i kapërcen shumë nga ngërçet e trashëguara, mes tyre edhe mungesën e jetës intime dhe të dashurisë. Por ani, ky është vetëm njëri nga problemet e shumta të saj; (ato fillojnë me përzgjedhjen e skenarëve dhe përfundojnë te distribuimi që aq shumë lë për të dëshiruar).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË