TROKU I KUQRREMTË
Kur e pashë një ditë detin, ndieva
spirancën të ngulej thellë
në harresën prej rëre, në fundin e ujit
mes koraleve, ku një kalë deti
i hingëllin fatit që e ka humbur fillin.
Pashë renë e bardhë tek mbante vesh
trokun e kalit të detit, mes koraleve
duke kullotur bojën e kuqrremtë
të perëndimit.
UDHËTARËT PREJ KARBONI
Në stacionin e braktisur pikturoj udhëtarë
prej karboni, që presin trenin që s’ ka për të ardhur kurrë.
Në klubin antik, konjaku i vjetër
shndërrohet në avullin
e lokomotivës që tërheq pas vetes
vagonin imagjinar në të cilin pikturoj
dialogje udhëtarësh që nuk u nevojitet të dinë ku po shkojnë.
ANTIKITETI I SHIUT
Shiu im endet mes avullit
në qiell, ku fosili i vetëtimave ëndërron një ngjyrë të kuqe me nuancë të zbehtë
si e verdha në kutinë e lapsave mbi skrivaninë ku letra e bardhë pluskon si re.
Mijëra viza të thyera si Pikaso
pikturojnë mbi fletë një gjeometri vetëtimash të fikura përgjithnjë, në antikitetin prej karboni ku flenë
shirat e vjetër, të fatit prej avulli.
NATA ELIPSOIDALE
Pas pak mbërrin nata që i jep portretit tënd
një nuancë ciganeje nën dritën e qirinjve
që nuk e dinë kur fiken.
Mbajnë mend vetëm flakën e parë,
të verdhë, në trajtë elipsi si një petal
luledielli në një fragment marramendës
të Van Gog.
Nata shkon duke shkrirë qirinjtë
ku portreti yt mbetet në spangon e djegur
si thëngjill, mbi qiriun që është shtrirë
dhe fle mbi një pjatë që dihat e merr frymë
si qelq.
LARI
Në rrugën e kishës pashë dikur larin
me gjethet e gjelbra e ndieva vajin e qirinjve pas meshës ku besimtarët
ikën për t’i dhënë ujë luleve
ndër ballkonet qëndisur me prill.
Prej atëherë qyqja ime e vetmisë
ende kujton se gjethet e larit
janë zogjtë e saj me tingujt
e kambanores në sqep.
LOJË UJI MBI ÇATI
Bulëza sferike e ujit rrokulliset ngadalë,
kujton se është globi ujor i botës
në duart e fëmijës që pikturon oqeanin
ku lundrojnë anijet, ballë farit
me tullat e kuqe që nxjerr një tym të bardhë
mbi çati.
Bulëza hepohet në strehë e bie fluturim
mbi fijet e barit duke u shkërmoqur
në dete të vegjël plot gjire
ku marinarët ankorojnë anijet.
Rrezja e diellit mbështetet tjegullave
pranë oxhakut ku tymi i bardhë
kujton se është mjegulla që davaritet
mbi far.
PEISAZH GOTIK MBI GARDH
Mbi gardh gonxhet e reja të trëndafilit
po mbyllen për të kaluar natën
pranë një kërmilli që mbart mbi shpinë
shtëpinë me arkitekturë
gotike, pranë një pylli të vogël mullagash.
Xixëllonjat lëshojnë dritë duke i dhënë
një madhështi urbane gardhit qe po mbështillet me natë.
HIJET E QYTETIT KUBIK
Në qytetin kubik dielli lind me hije
palosur më katërsh, në anë të trotuarit
ku turma e njerëzve pikturohet
në rrumbullakun e kuq të semaforit
që ka harruar të bëhet jeshil.
Në mesditë hijet kalojnë në trotuarin tjetër
të rrudhosura si këmishat e futura me zor
në valixhen e udhëtarit që e ka humbur lokacionin e qytetit të vjetër me macet e allçisë, para portave ku hijet depërtojnë plasave duke pikturuar rriga që thyhen
avllive.
FATI IM GJEOMETRIK
Fati im pikturon kuba me të cilët ngre
murin imagjinar të kështjellës
që është duke pritur një sulm
fantazmash, sipër karrocave
me rrathë të pikturuar në ajër tërhequr prej
kuajsh me hingëllima të ngrira si gjeometri.
MJEGULLAT E KAMBANORES
Kur e pashë dikur kambanoren,
ishin dy mjegulla që e mbështillnin,
imagjinata dhe fjolla e bardhë e një reje.
Tingulli i kambanës jehoi
e unë pashë mjegullën që bënte kryq.
Kur u afrova vura re shaminë e nënës
tek valvitej në ajrin që pikturoi
kambanoren.
S’ e paskam ditur që shamia e nënës
pati qenë një re e bardhë në sytë e mi
pikturuar me ujë.
THËNGJILL
Zjarret që pata ndezur dikur janë shuar.
Thëngjinjtë e mbetur pikturojnë
natën me këngë ulkonjash, në lugjet
ku dhimbja shuan etjen me ujin e borës së
vjetshme.
Nata ngrin si pol.
Një vullkan rrëzon shpateve
llavën prej avulli të frymës time.
Pas pak mbërrijnë eskimezët
që nxjerin qenin brenda meje
për të tërhequr slitën
në një rrugë bore pikturuar me thëngjinj.
KOMPAS
Fati endet në formën e rrethit
si kompasi në duart
e fëmijës që lë një njollë të lagësht
djerse mbi letër.
Rrathë pa fund.
Një lëmsh si art abstrakt
në ajrin pikturuar me karbon
nga dora e fëmijës
që nis një rreth tjetër nga e para.
FILLI
Kur u ktheva gjeta fillin e humbur
të bërë lëmsh, nën putrat
e maces që mjaullin
fatin tim pikturuar me thonj.
NATA IME ARKTIKE
Nata ime arktike
pikuruar me karbon
kujton
se gishtërinjtë e mi
janë arinjtë
që ëndërrojnë
një lumë të ftohtë
që i bie përmes
fletës së bardhë
ku secila prej germave
është një salmon
në të kundërt
të rrjedhës.
Boja e derdhur
e hënës
ngrin
akull të kuq
në antikitetin e përjetshëm
të thëngjinjve
që e kanë harruar
ngjyrën e zjarrit
në sobën
me xhamin katror
ku lëpihet
një perde
e zbehtë
si flakë.
PIKTURË AVULLI
Pikturat e mia prej avulli
më bulëzat e gishtërinjve
mbi xhama dritaresh
janë të tejdukshme
për t’u parë
vetëm në pak sekonda,
përpara se avulli
të shndrrohet
në bulëz uji
që rrëshqet poshtë
duke hapur një shteg
si gjurmë slite,
tërhequr
nga një tufë qensh imagjinarë
që lehin mbi qelq.
QIPARIS
Pashë tufën e zogjve në qiell dhe ndieva
të më lëvizë në trup dheu i flatrave të dikurshme prej nga mbiu një qiparis.