More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXheladin Mjeku: Kapërcim nëpër nëntë rrathët e ferrit

    Xheladin Mjeku: Kapërcim nëpër nëntë rrathët e ferrit

    Romani “ESKADRONËT E VDEKJES” (Kronikë e një kasaphane), i Bardhyl Mahmutit

    1. Parafrazë

    “-Si është e mundur që eskadronët e vdekjes i kanë shpëtuar ndëshkimit?” (fq. 7) do ta shpreh shqetësimin e tij kryepersonazhi i romanit “Eskadronët e vdekjes”, si fillim i një paraloje në rrugëtimin e trishtë nëpër ngjarje, qofshin ato të sajuara, apo të përjetuara, që flasin përmes dëshmive bindëse një periudhe të veçantë të veprimeve barbare të soldateskës serbe mbi një popull të tërë, duke iu mohuar gjithçka, deri edhe jetën. Mbi heroizmin e këtij personazhi sillet gjithë ndërtimi i ngjarjes, e kuptuar drejtë, pavarësisht pasojave që do të ketë.

    “-Ki kujdes për njerëzit! Atje eskadronët e vdekjes vendosin për jetën dhe vdekjen e të tjerëve. Sidomos të atyre që ua turbullojnë ujin… Ti nuk e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë…” (fq. 9). Kjo maksimë do ta përcjell gjatë gjithë rrugëtimit të tij Mifi L. nëpër “kronikën e një kasaphane”, që përshkon gjithë fabulën e romanit.

    Romani “Eskadronët e vdekjes” mund të përkufizohet me një fjali që shpalos gjithçka brenda këtij libri, ku vdekja dhe jeta bashkëveprojnë në çdo çast, për të zbërthyer një realitet që bota i bëri sehir për shekuj, por në fund u bind se barbarët gjithmonë mbesin brenda lëkurës së vet të barbarisë së pariparuar. U deshën luftëra, krime, zhdukje masive të njerëzve, që përmes një politike, sa vrastare, aq edhe mashtruese në sy të një bote, që më në fund ta kuptojnë se po këta demokratët e një kohe tjetër dalin të jenë kreatorët e këtyre “veprave”, që sot u vijnë bumerang i fuqishëm, për t’i bërë ta riparojnë gabimin historik. Më në fund, si duket janë bindur se është koha e trajtimit të këtyre “bekimeve” që bënë në konferenca e samite ndërkombëtare të Berlinit, Londrës, etj.

    Por, vjen një ditë dhe drejtësia do të triumfoj mbi të gjitha. Mirë është kur ballafaqohen sy më sy e keqja dhe e mira, krimi dhe pafajësia, që të kuptohen qëllimet.

    2. Libri që lexohet tri herë dhe një histori e tmerreve

    “Asgjë tjetër më fuqishëm nuk mund ta çajë lisin, sa pyka e vet”, thuhet në një proverb popullor. Kryepersonazhi, Mifi L. në këtë roman vjen si dëshmitar i denjë, përmes të cilit shihet brendia e këtij lisi, që në fakt ka një trung të kalbur; një zbraztësirë që e ka konsumuar koha, por në grahmat e fundit shpreh mllefin e krijuar në shekuj ndaj një populli të pafajshëm dhe liridashës. 

    Romani “Eskadronët e vdekjes” i Bardhyl Mahmutit sjell të kompletuar me ngjarje e fakte një periudhë gjenocidale në trojet iliro-dardane, ku krimi e dhuna e ushtruar nga një makineri e tërbuar cerberësh realizohen në mënyrë sistematike, duke krijuar kështu një kasaphanë, ku gjejnë vdekjen mijëra njerëz të pafajshëm, të cilët qëndrojnë në trojet e veta, pavarësisht vuajtjeve, torturave, dëbimeve të pafund, por të bindur se mund të prehen të qetë vetëm në krahërorin e tokës së tyre stërgjyshore.

    Rrëfimi i ngjarjeve, ndonëse është sjellur në prizmin e një bashkëveprimi të përjetimeve të realitetit të ndodhur dhe ndjeshmërisë së interpretimit të tyre, ai gjithësesi ka edhe karakter dokumentar. Ndërtimi artistiko-letrar e ruan frymën e interpretimit të ngjarjeve, pa ua tjetërsuar vërtetësinë realiteteve të ndodhura, veprime këto që i përcaktojnë vlerat themelore të romanit.

    Shtrirja tematike në një periudhë të veçantë kohore, pas mbarimit të luftës në Kosovë dhe hyrjes së forcave paqëruajtëse ndërkombëtare, do të përshkohet me veprime të ndryshme nga soldateska serbe, që po i numëronte ditët dhe orët e fundit, që pas vetes kishte tërhequr shumë pengje për t’i shfrytëzuar si mburojë nga bombardimet eventuale. Shumica e këtyre pengjeve ishin të burgosurit politik, ku për fatin e tyre të mëtutjeshëm nuk do të kujdesej askush, meqë ende ishte situatë e nderë, ndonëse kishte filluar të vendosej një paqe e brishtë që pehatej mes frikës dhe pasigurisë.

    Ngjarjet këtu janë trajtuar në nëntë pjesë, si mëvetësi e çdonjërit nga kapitujt, ku secili më vete sjell një rreth të shtrënguar ferri, për të ndërtuar kështu kompozicionin e veprës, si një tërësi e veprimeve dhe ngjarjeve që do të takojmë. Një lexim i këtillë imponohet nga shumë arsye, por qenësorja është fryma e krijuar nga këto pamje, që krijojnë një kronikë të plotë të një historie të  përjetuar brenda këtyre rrathëve të ferrit karpatian, që ia kalon çdo veprimi tjetër çnjerëzor, të njohur ndonjëherë në botë. 

    Emil Zola në qëndrimin e tij për fabulën e romanit, ndër të tjera thotë: “Kuptimi i fabulës do të ishte ndonjë “dramë e vogël”, histori e cila i nevojitet shkrimtarit për të formuar skeletin e kaptinave të saj”. Bardhyl Mahmuti do ta formoi këtë skelet romanor përmes historisë dhe faktografisë së sforcuar me shembuj e argumente të takuara gjithkund në terrenin ku janë zhvilluar këto ngjarje të përmasave gjenocidale.

    Në leximin e parë telegrafik hetohet që romani “Eskadronët e vdekjes” shquhet për trajtimin e ngjarjeve tematike të luftës në kontekstin e zhvillimit të drejtpërdrejtë dhe asaj të mbyllur, ku gërshetohen veprimet e një planimetrie të ndyrë në eleminimin e kundërshtarëve dhe fshehjen e realiteteve të zhvilluara në terren. E veçanta e romanit është mënyra e rrëfimit të ngjarjeve në vetën e parë përmes dëshmitarit, i cili është pjesëtar i popullit serb, prej nga vijnë gjithë këto tragjedi. Rrëfyesi, në këtë rast, gazetari i shquar Mifi L., me shkrimet e tij të shumta gazetareske dhe raportimet për agjensitë e huaja të botës për realitetin e ngjarjeve dhe situatave të krijuara shpreh hapur mospajtueshmërinë me veprimet gjenocidale, deri në përmasën shfarosëse të një populli të pafajshëm; shpërfaq realitetet e ndodhura gjatë gjithë zhvillimeve të luftës, për t’a vënë në dijeni edhe opinionin ndërkombëtar, që skajshmërsiht do të krijoi revoltën e pushtetit ndaj tij, duke e trajtuar në forma të ndryshme torturash, të burgosjeve dhe kërcënimeve të njëpasnjëshme për likuidim nga forcat elitare të pushtetit. Këtu gjejmë të gërshetuara kronikën dhe romanin historik, me elemente biografike, ku janë brumosur një mori ngjarjesh, që konsiderohen krejtësisht të vërteta dhe mirë të faktuara, ku pasqyrojnë tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga politika represive e soldateskës serbe me gusto të shfrenuar shfarosjeje të një populli të tërë.       

    Mifi L. do të përballet vazhdimisht me gjykatës e prokurorë, nën akuzat për dhënje të informacioneve të rrejshme për zhvillimet e luftës në Kosovë, duke e dëmtuar imazhin e “patriotëve” që vepruan në ushtrinë dhe policinë serbe. Një përballje me veprimet e absurditetit shoqërorë, të cilin synon ta sjell sa më të saktë, për hir të së vërtetës që e kishte prekur në kohë, me qëllim që opinionin lexues ta çliroj nga frika permanente e një nënshtrimi moral e shpirtërorë, edhepse  po i kushtonte shumë. Këtë sakrificë shpirtërore, morale dhe etike do ta përballonte në çdo situatë që po i krijohej nga ndërskamcat e përgatitura nga pushteti.

    Por, kundruall këtij realiteti të publikuar nga Mifi L., mbi të cilin e rëndojnë akuza të rënda, pikërisht këto akuza do t’i demnatojnë shumë institucione ndërkombëtare, duke i argumentuar me të njëjtin realitet të gjetur në terren, ku vrasjet e fëmijëve, pleqëve, njerëzve të sëmurë, dhunimet e femrave; pastaj torturimet dhe vrasjet e të rinjëve, të burrave të paarmatosur, zhdukjet pa gjurmë të kufomave, që të gjitha këto e sjellin në një pikë të njëjtë argumentimin, për të bërë kështu që edhe mbrojtja para gjyqit të jetë e qëndrueshme me faktografi të bollshme. Një qëndrim vertikal në veprimet e tij Mifin e bënë të pathyeshëm para soldateskës serbe, e cila tashmë nuk po zgjidhte forma e mjete, qoftë edhe për të “padëgjueshmit” e vet, në orvatjet me çdo kusht ta ruaj situatën, (për aq sa do të kenë mundësi), nga shpërthimi i revoltave popullore.

    Në këtë kompleks narrativ të ngjarjeve, ku synohet ndriçimi i të vërtetës së një veprimtarie të barbarisë serbe, autori sjell shumë fakte e prova që e ngrisin në nivelin e një dokumentimi kronologjik me pamje e dëshmi të mjaftueshme, për ta kuptuar saktë qëllimin e përmbushjes së  planeve të hershme të akademikëve serb, të Garashaninëve, Qubrilloviqëve e Qosiqëve, që nuk janë të paktë në numër. Lufta e re, me mjete e plane të vjetra ndaj shqiptarëve do t’i nxjerrë në sipërfaqe të gjitha qëllimet shekullore të shtetit serb në raport me shqiptarët etnik. Këtu bota detyrohet të këndellet, duke e kuptuar tashmë qëllimin e kësaj barbarie të tërbuar për gjak e gllabërim të tokave të huaja.

    Rene Maria Alberes derisa po merrej me çështje të romanit, në studimin e saj me titull “Synimi i romanit: Proteu”, ndër të tjera thotë: “Vlera e një romani qëndron padyshim në fuqinë dhe në bindshmërinë e atij vizioni që jep, atij zëri që flet; apo edhe të asaj arkitekture që imponohet vetiu, që zbulon veti të cilësuara hapësire imagjinare.” Ky mendim mbase arsyeton gjithë strukturën e realizimit të romanit “Eskadronët e vdekjes”, ku narracioni kap tematikën me saktësinë e argumentit dhe shpërfaq realitetin në përmasat madhore të bindshmërisë së faktorit ndërkombëtar. Ky në realitet ishte misioni parësor i këtij romani, që konsiderohet realizim i suksesshëm.  

    Në romanin “Eskadronët e vdekjes” lexuesi rrugëton nëpër një dramacitet tragjik, ku personazhet takohen mes jetës dhe vdekjes. Aty është ndërtuar një narracion i gjërë përmes detajeve me ngjarje e situata, ku eksplorohen ndërlidhjet mes reales dhe surreales. Galeria e personazheve në roman është e stërmbushur me emra e figura reale dhe të sajuara, ku Kryepersonazhi Mifi L. i takon dhe bashkëvepron me ta në momente të caktuara, në situata e relacione të shumta, gjithandej kah zhvillohen ngjarjet, që do ta përcjellin në vazhdimësi.

    3. Në vend të përkufizimit 

    Përmbyllja e një drame kaq tragjike, ku me përkushtim janë kapur tema e ngjarje të shumta, përfshirë këtu edhe ngjarje nga burime të huaja; pastaj ndërtimi i karaktereve të personazheve kundruall ngjarjeve që trajtohen në roman, do të kurorëzohet me një libër që paralajmëron Mefi L, i cili në tërësi sjell kronikat e njëpasnjëshme të këtij ferri të krijuar nëpër të gjitha situatat, duke i krahasuar ngjashmëritë e Hitlerit me Millosheviqin, vetëvrasjen e Hajnrih Himlerit me atë të Vllajko Stojilkoviqit dhe përfundimin tragjik të jetës së Ernest Kaltenbrunerit dhe Radomir Markoviqit, pa mos i harruar edhe ngjashmëritë e kampit të Aushvicit me Maçkaticën, për të konstatuar se, “dallimi ndërmjet Rajhut të Tretë dhe Jugosllavisë së Tretë qëndronte vetëm në përmasat numerike të gjenocidit” (fq. 506).

    Bardhyl Mahmuti në romanin “Eskadronët e vdekjes” arrinë të krijoi jo vetëm mjeshtrinë artistike, por edhe atë narrative, ku gërshetohet ndërtimi i romanit historik dhe kronikës, që bazohet kryesisht në rrëfime të vërteta të shoqëruara me dokumente historike, dosje origjinale dhe shkrime gazetareske të kohës, qoftë nga shtypi vendor, apo ai i huaj. Një ndërlidhje e këtillë e subjektivitetit dhe mesazheve në frymën e ndjesive shpirtërore, ku dhimbja dhe dashuria për atdheun dhe lirinë, si bashkëveprime e mbajnë gjallë kujtesën e personazheve.

    Eskadronët e vdekjes” nuk lexohet veç si krijim letrar, as si përshkrim kronologjik i dëshmive historike. Ai sjell një gamë shumë më të gjërë trajtimi të ngjarjeve dhe shpalosje të dëshmive të një tmerri, që përveç vdekjes, qëllim tjetër e kishte edhe zbrazjen dhe spastrimin e plotë të një hapësire të jetuar që nga Iliria, për të krijuar kështu një terren për kusuritje me historinë.

     Këtu madhështia e heroizmit e ruan madhështinë e trollit arbëror deri në arritjen e lirisë së kërkuar në shekuj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË