Në “Moscow International Film Festival” u shfaq premiera botërore e filmit artistik “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me regji dhe skenar të Kushtrim Bekteshit. Në përzgjedhjen e 15 filmave në edicionin e 41-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, portali “Festival Film” e rekomandon edhe filmin shqiptar “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, i cili u shfaq më datë 21 dhe është planifikuar dhe më datë 24 prill për një projeksion të dytë. Për këtë ka bërë të ditur producenti i filmit Mumin Jashari. Ky është një sukses i madh i regjisorit Kushtrim Bekteshi, i cili me film debutant po prezantohet në një festival të kategorisë A, ku merr pjesë dhe ai vetë si regjisor këto ditë. Por filmi pas premierës botërore në festivalin e Moskës, Rusi, është parashikuar të jetë pranë publikut në tërë kinematë tona në mesin e muajit maj të këtij viti. Ky film është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Jetën e zakonshme dhe të qetë të një fshati të harruar e çrregullon ardhja e tri prostitutave në kafenenë e fshatit. Burrat, edhe përkundër përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene duke shpenzuar gjithë paratë në alkool dhe seks. Në shkollë fillon të mbizotërojë një gjendje kaotike. Hoxha i fshatit e humb autoritetin dhe xhamia mbetet pa besimtarë. Vetëm dy të rinjtë përfitojnë nga kjo rrethanë duke arritur ta realizojnë lidhjen e dashurisë të ndaluar nga prindërit. Në fund gratë e fshatit çohen në kryengritje dhe si pasojë kafeneja digjet, ndërsa jeta në fshat duket se do të kthehet përsëri në normalitet. Në film janë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria.