More
    KreuKinematografiRegjisori Artur Dauti: Filmi i animuar shqiptar është pothuajse jetim

    Regjisori Artur Dauti: Filmi i animuar shqiptar është pothuajse jetim

    Nga Valeria Dedaj

    Një sukses i ri në kinematografinë shqiptare u shënua në vitin 1975. Për herë të parë u prodhua një film vizatimor me teknikën e kartonëve, “Zana dhe Miri” i piktorit Vlash Droboniku. Ndërsa, për të mos harruar këtë traditë, drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Iris Elezi, prezanton në Qendrën për Hapje dhe Dialog disa nga filmat e animuar të viteve ’90. Kjo gjini e filmit nis për herë të parë bashkëpunimin mes Arkivit dhe COD-it për prezantimin e thesarit kinematografik. Të pranishëm për të parë nga afër ishin studentë të arteve dhe liceistë të cilët, përveçse filmave që u prezantuan, patën mundësi që të dëgjonin nga afër edhe vështirësitë dhe sakrificat që kineastët shqiptarë kanë kaluar, por edhe kalojnë në realizimin e kësaj gjinie, e cila nuk ka mbështetjen e duhur nga instancat. “Kemi mundësi që të shikojmë disa filma të animuar të viteve ’90 që unë dhe kuratori Thomas Logoreci i shikojmë, si filma pas ideologjisë dhe para demokracisë, që këta animatorë ia dolën të gjejnë një mënyrë, që është komplet unike jona, para se puna të bëhej me kompjuter”, – shprehet Iris Elezi, kineaste, drejtoreshë e AQSHF-së. Regjisorët e filmave të animuar, si Stefan Taçi, Rikarda Nova, Artur Dauti, Ergys Faja, Shaqir Veseli, Albert Malltezi, Artan Maku etj., janë disa prej autorëve të filmave të viteve ’90, që sot ruhen në Arkivin e Filmit. “Mendoj se rruga e filmit të animuar shqiptar ka qenë e vështirë dhe plot sakrifica, sepse kur lindi kjo gjini, nuk kishim as shkolla dhe as mjete teknike ku do të operohej, por falë punës dhe dëshirës së dy prej krijuesve të parë, Vlash Dobroniku dhe Tomi Vaso, arritën që të krijojnë filmin e parë shqiptar. Në Shqipëri nuk ka pasur, edhe sot e kësaj dite nuk ka, shkollë për filma të animuar. Filmi i animuar është pothuajse jetim dhe ka nevojë për mbështetje nga instancat”, – tha regjisori Artur Dauti. Për këto filma është punuar me shumë përkushtim, pasion dhe dashuri, pavarësisht se kostot dhe teknikat ndaj tyre kanë qenë përherë në mungesë. “Të punosh 4000 vizatime, ku dita mund të shkonte 30 apo 40 aminacione, ndërsa shpatullat të ngrinin kur vizatoje një pas një nuk është pak. Ato ditë kanë qenë shumë të bukura për ne”, – shtoi regjisorja dhe piktorja Rikarda Nova Nenshati. Prezantimi i këtyre filmave në COD është një mundësi për të kujtuar ndryshimet e pas viteve ’90, por edhe për të prezantuar kinematografinë shqiptare, që për brezat e rinj është e panjohur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË