More
    KreuLetërsiBibliotekëCikël me poezi nga Arben Çejku

    Cikël me poezi nga Arben Çejku

    TEH

    Rrëshqasin
    gjysmëshkallëve
    gjysmëfytyra
    të gjysmëndriçuara
    nga gjysmëhëna
    e këtij gjysmëmuaji
    drejt një tehu humnere
    që mbetet në teh!


    HELENA E TROJËS

    Helena më tha duke lotuar;
    “U mërzita,
    së qeni e bukur,
    së tradhëtuari burrin
    dhe së braktisuri Spartën.
    Kaq shekuj u lodha
    së mbajturi në sy
    Trojën e djegur
    dhe hirin,
    që ju zë sytë helenëve triumfues
    tek ikin nga Troja.
    U bënë kaq shekuj
    që Akili e vret Hektorin
    dhe Hektori që s’di të vdesë.
    Mos i besoni bukurisë time,-
    Homeri i vërbër qe!”


    PIK’JETË

    … Aty nisi,
    Kur rrezja e parë hyri mes grykës
    Dhe krisi,-
    Lëkur’e daulles çahet nga forc’e pykës.
    Lëshohen
    Këngë’e fjalë, lot’e mall, gëzim’ e dhimbje
    Dhe dëgjohen
    Të pathënat e dergjura që në lindje!
    Trazoje, trazoje
    Me at’ rrezepykë shtratin hyjnor ku jeta nis,
    Shikoje, mësoje
    Si farën e parë të hedhësh për të mbjellë filiz!
    O fuqi,
    Që më vjen nga fund’i barkut si magji,
    Dhe rini,
    Që sot më mbushe plot me jetë dhe freski!
    Pik’jeta
    Nis me at’ pikë gjaku që nxjerr lëkur’e daulles,
    Dhe vdekja
    Vjen kur shteg’ i vjetër i zë daljen udhës!..


    -Triptik-

    Rin lumi si im bir

    Në të dyja anët,
    Lundrojnë brigje,
    shelgje, gjethe, deg’e pemë…
    Male, kondra, lëndina e pllaja bukuroshe,
    Sillen rreth’e rrotull – pak më tutje.
    Kështjellat dhe qytetet mesjetare,
    Kapur dorë për dorë me këmbët në ujë,
    Me sytë e dritareve vocrrake,
    Shohin mbi ty dhe gati rrëzohen nga marramendja…
     
     Kapilarëve të rrugëve dhe në urat përmbi
    Jeta vërshon pa ndalur,
    Duke pirë në ty.
     
    Mijëra zogj dhe shpend gjithfarësh,
    Bashkë me shqiponjat krah-bardha
    E mbajnë qiellin me sqep që të mos bjerë!
    Retë puplore me forma aliene,
    Kalërojnë erën tej’ e tej
    Dhe dora dorës përcjellin drejt perëndimit,
    diellin e pasdites
    lagur rrezesh në ujin e kurmit tënd.
     
    Nga një guvë zemrash buroi,
    Currili yt,
    Ushqyer me qumësht dhe mbushur me gjak,
    Legjendë mijëvjeçare që lëshohesh teposhtë si ortek lumi
    Duke marrë me vete copa mali,
    Copa jete dhe tinguj fjale,
    Në hapat vërshues merr përpara,
    Ditën që shkoi dhe ditën që vjen,
    Këngën e pakënduar dhe meloditë e zanave,
    Tymin e prushit dhe zjarrin e pandezur,
    Borën e ardhshme dhe lulet e paçelura…
     
    Jetës i shkon mes për mes si lumi,
    Si emri dhe biri që je,
    Duke lënë pas alpet dhe shtigjet e ngushta,
    Shkëmbinjt majemprehtë dhe honet e pabesa,
    Pllajat cicëmëdha që të mbushën shtatin,
    Pyjet dhe borën që mbështjell plagët,
    Shpellat magjistare që tymojnë mister,
    Jehonat e këngëve dhe vajet e bilbilave,
    Jetët e dikurshme dhe ato që do vijnë,
    Tutje ikën ti,
    Si lumi,
    Si emri,
    Dhe biri që je,
    Rin…
     
    Mes për mes si biri,
    Si emri dhe lumi
    Që je;-
    Jetës i shkon pa ndalur,
    Pa sosur..
    Një mal me ujë që ikën tutje,
    Mes për mes ditës
    Mes për mes natës,
    Mes për mes shtigjeve,
    Mes për mes tokës,
    Mes për mes jetës
    Duke vërshuar dhe gurgulluar
    Si fjalë homerike që s’ka të ndaluar.
     
    Qëndroj pranë teje,
    Të sodis nga agimi në mbrëmje-
    E nga mbrëmja gjer në agim,
    Pa gjumë në sy e pa ëndërr nën jastëk;-
    Ta shoh profilin,
    Brigjet t’i shoh,
    Dhe jetën tek rrjedh aty në ty – me ty;-
    Herë si qetësi dhe përmalli,
    Herë si rrëmbim e si stuhi,
    Herë si rrebesh e si duhi,
    Herë si puhi dhe qetesi,
    Herë si fjalë mjalti veshur flori,
    Herë si pickim akrepi ngjeshur në sy,
    Herë si ngrohje zjarri me prushin aty,
    Herë si kallkan zemre që nxi e vetëm nxi,
    Herë si këngë zogu me verën në sqep,
    Herë si vaj bylbyli me ditën në xhep,
    Herë si thirrje mali që tund shkëmb’ e shkep,
    Herë si fjalë e tretur që s’ka kush ta jep,
    Herë si vetëtimë që tremb edhe djeg,
    Herë si pllajë lulesh që të bëhet djep,
    Herë si pikë uji që të ngjall nga varri,
    Herë si suferinë që të hedh nga mali,
    Herë si dashuri që t’i fal tre jetë,
    Herë si gjuhënëpërkë që flet e të shkret,
    Herë si shteg parajse mbushur plot me dritë,
    Herë si derë e mbyllur përplasur tek sytë,
    Herë si vatër zjarri ku mblidhen fëmijët,
    Herë si rrëpirë shpati ku të thyhen brinjët,
    Herë si gjeth pranvere me aromën e jetës,
    Herë si rrasë varri me peshën e vdekjes…
     

    Lumi dhe emri dhe Rini,
    Na lënë e dashur,
    Këtu në majmalin e mallit,
    Ku pikloti shpon gurin,
    Dhe ikin tutje larg në horizont,
    Që shikimi ynë të mos verbohet
    Që syri ynë,
    Të ketë çfarë të shohë,
    Që dashuria për birin,
    Të ketë ku të rrojë…

    Jon deti si im bir…

    Puhiz’ e lehtë mëngjesore,
    Perden e natës largoi ngadalë,
    Dhe drejt Udhës Qumështore
    Ikën engjëjt krahëbardhë …
     
    Në të agur, në të zbardhur,
    Seç u ça e qiellit cipë
    Dhe një yll këmbëzbathur,
    Midis nesh na solli dritë..
     
    Midis jetës edhe vdekjes,
    Përmes natës edhe ditës,
    Dor’e nënës kërkon gjirin,
    Si burim të qumeshtdritës..
     
    …E nis ditën vet’i tretë,
    Si askurrë në këtë jetë,
    Bëj një hap e m’duken dhjetë;
    Ec me këmbë a shkoj me fletë?
     
    Ditët ikën dhe ti u rrite,
    Det’i kaltër plot me valë,
    Nëpër stin’ e nëpër vite,
    Vjen si fjal’ e shkon si mall.
     
    Jon si bir’ e det si jetë,
    Iliadë këngësh në Mesdhe,
    Biri ynë, engjëll me fletë,
    Je ti Jon, kudo që je!
     
    Kënga labe ta freskon ballin,
    Breg’më breg’e guv’ më guvë,
    Sa dhe dallgët’e ndalin hapin,
    Melodisë t’i hapin udhë
    Iso-këngët djaloshare,
    Ca me fyell, ca me dyjare,
    Në mëngjes malet i tundin,
     Dhe në muzg ty të përkundin…
     
     Ikën – vjen batic’ zbaticë,
    Siç bën qengji kur pi sisë,
    Vjen të puthësh këng’e brigje,
    O deti me një mijë shtigje…
     
    Det mes detesh si asnjë tjetër,
    Dikton vallen e gjith’ ujsisë,
    Ulur mbret në fron me skeptër,
    Jon shqiptar’i pellazgjisë!
     
    Det në jet’ e bir në shpirtë-
    Joni që vishesh plot me dritë!
    Rrotull stinët kur ven’e vijnë,
    Veç ta shtojnë bukurinë!
     
    Sa këngë e lot’e fjalë,
    Derdhur mbi ty si valë,
    Nga të huaj e shqiptarë,
    Herë tok’e herë ndarë!
     
    Thellë nën ujë,aty në gji
    Plot sekrete i mban fshehur.
    E fus kokën kur do ti,
    Dhe sekretet shoh pa tretur.
     
    Janë Odisea dhe Itaka,
    Bashkë me kurthet e Çezarit,
    Dhe shqiptarët që zuri nata,
    Në Otranto, në mes kanalit…
     
    Dhe anije, dhe qytete,
    Dhe vullkane, dhe tërmete,
    Dhe ca male majemprehta
    Dhe ca shtigje majëshigjeta.
     
    Sykaltër, sydritë, sybukur,
    Në ballin e jetës qëndron,
    Dhe hëna që sillet si flutur,
    Fshehur diellit në ty hepon…
     
    Pa ty fushat, malet, kodrat,
    As lumenjt dhe as lëndinat,
    Nuk rrinë dot pa të takuar,
    Në sytë e tu – shkruar!
     
    Të gjithë nisen drejt teje,
    Përrrenj’e pllaja, pyll’ e stane,
    Bashkë me tufat plot me dele,
    Dhe këngët e nuses çobane.
     
    Kur të lëndojnë dhe të trazojnë,
    Kur nga tërbimi dallgë ngrihesh,
    Zbres si shkëmb aty në breg,
    Që të biesh e të mos vritesh…
     
    Gjoks’e zemer ku ngroh valët,
    Le të mbetem unë për ty,
    Gjersa toka do të ndalet,
    Edhe dielli aty përmbi…

    Jon & Rin

    Njëri lum’e tjetri det,
    Mbathur me tokë
    Veshur me qiell,
    Herë dritë me hënë
    Herë flakë me diell,
    Hyni te njëri –tjetri,
    Me krah’ ylberësh
    Kërcime ketri
    Vrapim drerësh,
    Malet’e brigjet
    Mbani lidhur,
    Guvat dhe shtigjet,
    Ngjizur..
    Njërën dorë
    E fus në lumë,
    Tjetrën dorë
    e zgjas mbi det,
    Që ta kap
    një hënë në gjumë,
    E të zë
    një diell t’argjendtë..

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË